Një nga studentët e dhjetorit tregon detajet e takimit të parë me Sekretarin e parë të Komitetit Qendror
Hoxha: Ja për çfarë debatova me Azemin para se të takonim Ramizin
“Në 8 dhjetor bëmë kërkesa për gjendjen e mensave tona”
Latif Hoxha, student i inxhinierisë mekanike në vitet 1990, i përfshirë në lëvizjen studentore të atij viti, tregon detaje për takimin e parë me Ramiz Alinë, atë që u zhvillua në datën 8 dhjetor duke gdhirë 9 dhjetori i 1990-ës. Hoxha flet në këtë intervistë për të gjitha detajet që mban mend nga ajo ditë, cilët njerëz morën pjesë, debatin e zhvilluar në korridorin e katit të dytë të Korpusit, ku prisnin të vinte Ramizi. Por ai nuk pranon të flasë për datat e tjera, jo se nuk ka qenë pjesëmarrës dhe personazh, duke e mbyllur dëshminë e vet deri në orën 01:20 të datës 9 dhjetor 1990. Ai, aktualisht punon inxhinier transporti në Drejtorinë Rajonale të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve Tiranë.
Zoti Hoxha, ju jeni nga të paktët studentë që arritët ta takonit Sekretarin e Komitetit Qendror, Ramiz Alinë në datën 8 dhjetor. Është një datë, për të cilën ka pak dëshmi. Çfarë mund të kujtoni për këtë datë?
Kishte disa ditë që studentët ishin në grevë për kushtet e Qytetit Studentit. Në datën 8 dhjetor, pothuajse i gjithë Qyteti i Studentit është derdhur rrugëve për të shkuar në takim me Ramiz Alinë, Sekretarin e parë të Komitetit Qendror. Ishim disa qindra studentë që ndoqëm rrugën që ulesh për nga Qyteti i studentit, por u bllokuam nga një gardh policësh pikërisht afër një kopshti. Te grupi i policëve ishte njëri me megafon, që thoshte vazhdimisht se “nuk keni për të shkuar në takim”. Unë isha larg gardhit të policëve, por arrita të dilja në fillim, ku aty kërkonim që të na jepej leja për të shkuar në takim me Ramiz Alinë. Më pas na u komunikua se me Ramizin do të takohej vetëm një përfaqësi.
Pse dolët ju dhe jo ndonjë tjetër, kush e përcaktoi numrin dhe, a keni vënë në dyshim ndonjëherë se ishte policia ajo që ju lejoi vetëm ju dhe jo ndonjë tjetër të kalonit gardhin?
Nuk u përcaktua numri, shtatë, tetë apo dhjetë. Aty nuk u bë ndonjë përzgjedhje, kush ka mundur të çajë gardhin ka mundur. Nuk u përcaktua numri nga askush, ata që arritën të dalin, dolën. Dalja ishte spontane, të paktën kështu m’u duk mua.
Pasi dolët nga turma e studentëve, për ku u drejtuat?
Arritëm të dilnim 10, maksimumi 11 veta. Jemi drejtuar poshtë për nga Radio-Televizioni, se ideja ishte që të shkonim në bllok. Në rrugë s’kishte këmbë njeriu, vetëm ne dhe grupet e policëve që ishin vendosur në çdo 50 metra. Na ndaluan pikërisht te rruga që të çon sot te ndërtesa e Kryeministrisë. Na thanë se duhet të ndiqnim rrugën tjetër, andej për nga stadiumi “Qemal Stafa”, dhe kemi shkuar drejt korpusit. Gjatë gjithë rrugës policët na tregonin se nga duhej të ecnim.
Cilat ishin kërkesat tuaja, zoti Hoxha?
Kërkesat tona ishin të thjeshta, kushtet e studentëve në Qytetin e Studentit, gjendja e mensës që ishte mizerabël, mungesa e dritave, e shumë nga këto lloj kërkesash. S’kishim lirshmëri. Por s’ka pasur kërkesa politike të kristalizuara dhe të qarta. Jo sepse nuk ziente që prej një viti e gjysmë vendi për kërkesa politike, për gjendjen ku ishte vendi, për ekonominë, por në takim atë natë me Ramiz Alinë, ne i kemi parashtruar vetëm kërkesa për kushtet e studentëve.
Ku u zhvillua takimi dhe, a mbani mend ndonjë detaj të kohës para se të hynit në këtë takim?
Takimi u zhvillua te salla numër 207, sallë leksionesh të inxhinierisë mekanike, te korpusi universitar. Nuk e di se kush e vendosi që do të qëndronim aty. Kemi mbërritur atje rreth orës 23:30-24:00. Ashtu siç ishim të gjithë bashkë, jemi ndaluar në katin e dytë dhe kemi filluar një debat me njëri-tjetrin se çfarë duhet të themi në takim me Ramiz Alinë. Kam zhvilluar një debat të ashpër me Azemin në korridor. Ai ishte i mendimit se në takim nuk duhet të shtronim kërkesa, por t’i kërkonim Ramizit një takim me të gjithë studentët. Ndërsa unë isha i mendimit se duhej që Ramizit t’i parashtronim kërkesat tona për kushtet në Qytetin e Studentit.
Mes jush, a gjendej ndonjë profesor dhe, a ndërhyri njeri tjetër në këtë debat?
Në këtë debat nuk ndërhyri njeri tjetër. Ata rrinin e dëgjonin, dikush shtoi diçka e dikush ndonjë gjë tjetër, por jo të ndryshonin diçka në qëndrimin tonë. I vetmi profesor që ishte i pranishëm në këtë takim ishte një profesor i gjeologji minierash, i sapoardhur nga Franca, por që nuk ia mbaj mend emrin.
Ndërkohë që ju prisnit Ramiz Alinë, a erdhi njeri tjetër t’ju fliste?
I pari që erdhi në sallë ku ishim vendosur, ishte Xhelil Gjoni. Ai u ul në krahun e djathtë të sallës dhe jo në podium. Në fillim ishte agresiv me ne sa i takon grevës, kërkesave. Por ne ia bëmë të ditur se “nuk kemi ardhur për t’ju takuar ju”, “nuk kemi kërkuar takim me ju”. Pas kësaj, ai u zbut dhe filloi të justifikonte vonesën e Ramiz Alisë. Na tha që “ju e kuptoni, ai është kryetar i Komitetit Qendror, na është dashur ta zgjojmë nga gjumi”, e gjëra të tilla. Ndërsa justifikonte Ramizin, ai njëkohësisht ngulte këmbë që të dinte kërkesat tona.
Po Ramizi kur erdhi dhe për çfarë u fol?
Rreth orës 24:00-24:45 erdhi në sallë Ramiz Alia. U ul menjëherë në podium, përballë nesh. Ai hyri i vetëm në sallë. Na pyeti me radhë se kush ishim, nga ishim dhe çfarë fakulteti ndiqnim. Më pas na kërkoi të dinte se cilat ishin problemet tona. Azemi ia bëri të qartë kërkesën e tij duke i thënë se “duhet të vish të takosh të gjithë studentët”. Ai insistoi në këtë kërkesë. Ramizi iu përgjigj me diplomaci se “unë do të vij, por unë do të flas dhe ju do të dëgjoni”. Ramizi më pas ra dakord të takonte një përfaqësi të studentëve, pikërisht për takimin që u bë dy ditë më vonë në Pallatin e Brigadave.
Sa zgjati takimi?
Takimi zgjati rreth gjysmë ore. Ramizi insistonte në faktin e marrjes së informacioneve nga të gjithë studentët e pranishëm në këtë takim. Ia bëmë të ditur dhe kërkesat e tjera, që ishin kushtet e studentëve dhe mbaruam. Kur jemi ulur nga korpusi, kam qëndruar në krah të Ramizit deri te shatërvani, ku folëm vetëm për kërkesat ekonomike.
Pas përfundimit të takimit, nga shkuat?
Më pas vazhduam të ecnim, duke ndjekur të njëjtin itinerar si në ardhje, pra nga stadiumi drejt vendit ku ishin studentët. Gjithnjë ishim nën vëzhgimin e rreptë të policëve, që vazhdonin të qëndronin grupe-grupe në gjithë këtë zonë. Turma e studentëve na priste aty, se ideja fillestare e të gjithëve ne ishte që Ramizi të vinte t’i takonte aty studentët.
Dhe cili ishte reagimi i tyre?
Reagimi i tyre ishte dëshpërues, “na tradhtuat” na thanë dhe u ulën në tokë të gjithë ashtu siç ishin. Ndërkohë një studente, Mimoza Ferra nga fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, rrëmbeu megafonin nga dora e një njeriu te grupi i policëve, që më vonë e morëm vesh që kishte qenë Hekuran Isai, dhe u bënte thirrje studentëve që të qëndronin. Pikërisht në këtë moment u krijua një situatë e nderë, se u hap fjala se ishte marrë pistoleta e një polici dhe pastaj ndërhyri keqas policia, se u dëgjua urdhri “merrini mbarë”. Ishte një ndërhyrje brutale dhe një nga më të dëmtuarat ishte dhe kjo studentja e inxhinierisë mekanike, Ferra. Ajo përfundoi në spital.
Pse nuk është shkruar apo folur për këtë ditë, që është pjesë e ngjarjeve të rëndësishme për ardhjen e demokracisë?
Në fakt, unë u kam kërkuar dëshmitarëve të atij takimi që të bashkohemi dhe të risjellim në kujtesë pikërisht atë ditë për detajet dhe çdo informacion që mund të ndihmojnë në shkrimin e një pjesëze të kësaj historie.
A u bëtë pjesë e zhvillimeve të mëvonshme, siç është takimi i studentëve në Pallatin e Brigadave dhe më vonë, në themelimin e Partisë Demokratike?
Nuk kam qenë në takimin që u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Kam qenë dëshmitar, por nuk dua të flas për këtë pjesë.
Një ditë më pas, në muret e universitetit është vënë një fletërrufe që fliste kundër studentëve. A e dinit se kush e shkroi dhe, a e mbani mend tekstin e kësaj fletërrufeje?
Për këtë nuk di të them ndonjë gjë.
No comments:
Post a Comment