Vjen për herë të parë pas 20 vitesh dëshmia se si u vra Artan Lenja
Lenja: Kërkojmë vetëm që vrasësit të marrin dënimin e merituar
“Tanit i kishin thyer brinjët edhe pse i vdekur”
Gilmana Bushati
Për herë të parë pas 20 vitesh dëshmon motra e Artan Lenjës, “Dëshmorit të parë të demokracisë”. Matilda tregon se si ndodhi vrasja, katër ditë pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, më 24 shkurt 1991. Ajo flet për detaje të frikshme që mbart ajo vrasje në mes të Tiranës. Tregon se si patrulla ushtarake e përbërë prej pesë vetash, përfshi edhe shoferin, pasi e kanë vrarë Artanin trupin e kanë hedhur në mes të oborrit të Spitalit Ushtarak, si kriminel. Vetëm më ndërhyrjen e xhaxhait të saj, shofer në Spitalin Ushtarak dhe me ndërhyrjen politike të drejtuesve të PD-së, është bërë e mundur që trupi i tij të shkojë në shtëpi për ceremoninë e fundit. Matilda aty ka pikasur që Artani ka pasur plagë në fytyrë dhe në buzë. Më vonë gjatë procesit gjyqësor, mjekët e Mjekësisë Ligjore kanë dhënë edhe detaje të tjera, se si i kishin thyer brinjët Artanit edhe pse ka qenë i vdekur. Procesi gjyqësor, sipas saj, ishte thjeshtë një farsë. Oficerin e shpërblyen për punë të mirë, ndërsa ushtari që e vrau është arratisur që atëherë, duke u hedhur nga kati i dytë i ndërtesës së gjykatës.
Zonja Lenja, më 24 shkurt mbushen 20 vjet nga vrasja e Artan Lenjës, pikërisht në vitin kur demokracia shqiptare ishte ende e dobët. Kur doli Artani nga shtëpia për të mos u kthyer më?
Ishte ditë e dielë, Artani ishte bërë më i bukur se kurrë, mamaja i tha që të mos dilte nga shtëpia se kishte merak se mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe, pasi për dy ditë me radhë në Shkollën e Bashkuar ishte bërë një luftë e vërtetë, ndërsa ne gjuanim me gurë tankeve, të ardhur rrëzë pallatit ku banonim.
Im vëlla, duke qenë se ishte ushtar pranë Klubit Sportiv Partizani dhe duhej të paraqitej patjetër në stërvitje. Ata po përgatiteshin për një ndeshje të mundjes me një ekip turk. Meqë në klub nuk kishte kushte për të fjetur, ai zakonisht flinte në shtëpi. Artani e garantoi mamin se në orën 20:00 do të vinte në shtëpi. Pasi e puthi të parën mamin e më pas mua, iku për të mos u kthyer më.
Kur ndodhi vrasja dhe kush ua solli lajmin në shtëpi?
Në orën 20:40 (orë në të cilën është vrarë Tani) unë humb ndjenjat ashtu si papritur. Prindërit e mi u shqetësuan. Më shtrinë në krevat dhe aty duhet të kem ndenjur për një orë pa u përmendur. Babai ndërkohë doli tek stacioni i autobuzit për të pritur Tanin. Në atë gjendje siç isha e dëgjoja babain që i thoshte mamasë, se Tani po vonohej dhe kishte frikën se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë, pasi ai nuk vonohej kurrë. Në ato momente dëgjoj të trokiturën e derës dhe një zë që dridhej tek i thoshte babait se Tanin e kanë plagosur. Ishte daja im. Sapo e dëgjova u hodha nga krevati dhe pa e kuptuar vajta të shikoja mamanë, e cila e kishte marrë vesh lajmin e kërkonte me patjetër të dinte të vërtetën dhe i thoshte njeriut që kishte përballë, ‘më thuaj të vërtetën e kanë vrarë? E kanë vrarë se plumbi nuk të fal’ thoshte ndërsa dëneste me të madhe, pasi thellë thellë besonte që të mos ishte i vërtetë lajmi që kishte dëgjuar.
Kush e kreu vrasjen e Artanit sipas jush?
Vrasja u krye nga një patrullë ushtarake, e cila patrullonte atë zonë, pasi aty banonte dhe komandanti i batalionit të Diko Zeqos, i quajtur Çelo Boro.
Meqenëse unë dhe im vëlla kishim lindur dhe ishim rritur në atë lagje, ku gjendej edhe klubi i Partizanit, shumica e banorëve na njihnin, përjashto banorët e një pallati ku kishte disa oficera dhe punonjës të Sigurimit të Shtetit. Prandaj dhe lajmi i vrasjes u mor vesh menjëherë.
Po Artani pse u përplas me patrullën e ushtarëve?
Patrulla kishte kapur një djalë të lagjes, të cilin po e tërhiqnin zvarrë nga shkallët e pallatit. Ai i thërret Tanit, që po kalonte aty, për t’i dalë në ndihmë. Im vëlla që po ecte për të shkuar te stacioni i autobuzit kthehet dhe i thotë patrullës ta linin të qetë djalin e vogël, pasi ishte jetim dhe rrinte tek gjyshja. Me të parë Artanin oficeri, i cili kryesonte patrullën, kthehet dhe thotë ‘ky është’. Menjëherë Artanit i drejtohet automatiku mu përpara syve dhe e urdhërojnë të futet në makinën tip Bece, për t’u paraqitur në rajonin e policisë. Artani i thotë që ‘s’kam pse të shkoj në rajon pasi nuk kam bërë asnjë gjë të keqe’. Në këtë moment edhe dy ushtarët të tjerë i drejtojnë automatikun dhe oficeri i patrullës Mikail Themollari jep urdhër për të hapur zjarr duke ngritur pistoletën dhe duke qëlluar në ajër, ndërsa ushtari i quajtur Ludovik Vata (me origjinë nga Lezha) qëllon ne trup. ‘Pse më vratë unë nuk bëra gjë’ këto ishin fjalët e fundit të thëna nga goja e Artanit. Një zonje pasi e pa ngjarjen filloi të thërriste me të madhe ‘çfarë bëtë, pse e vratë?’ Patrulla me nxitim e merr djalin e vogël e hip në makinë së bashku me trupin e pajetë të Tanit, këmbët e të cilit ia lanë jashtë dhe niset me urgjencë për tek ish NISH-tulla për të zhdukur trupin. Ndërsa djalin e vogël e çojnë në rajon dhe thonë se ‘ky ka vrarë shokun e vet’. Një punonjës policie i gjurmon me biçikletë dhe patrulla në pamundësi për të zhdukur krimin, e hedh trupin e pajetë të Artanit në oborrin e Spitalit Ushtarak.
Po atë natë në vendin ku ishte larë me gjak, ishte një kapele ushtari, të cilën nga nxitimi pas vrasjes, nuk kishin arritur ta merrnin, po aty një grup shokësh të Artanit rrethuan vendin me lule e qirinj dhe në një pllakatë shkruhej me gërma të mëdha ‘vrarë nga PPSH-ja’.
Pasi e morët vesh lajmin e vrasjes ku shkuat?
U nisëm në këmbë për të shkuar në Spitalin Ushtarak. Babai ndaloi në rajonin e policisë për të marrë në telefon dhe për të pyetur, por mesa duket aty i thanë që gjendja ishte e rëndë. Kur doli më tha që nuk e dinte a do ta gjenim gjallë apo jo, kaq ishin fjalët e babait dhe me vrap shkoi për të lajmëruar burrin e motrës. Unë ngela vetëm me mamanë, së cilës mundohesha t’i jepja kurajo.
Ishim në hyrje të Laprakës kur një autobuz, tip Saviem, duke parë që ne qanim na merr dhe na çon deri tek Spitali Ushtarak.
Tek hyrja e derës së jashtme të Spitalit ishte një sportel i vogël hekuri dhe dalloheshin ushtarë me automatik që patrullonin. Mamaja arrin t’i thërrasë njërit prej ushtarëve dhe i thotë ‘të lutem thuaj nënës a kanë sjellë ndonjë të plagosur këtu tani shpejt?’ Ai e pyet se “i kujt dite është nënë i së mërkurës, i së enjtes, i së premtes, i së shtunës apo...”. “Jo sot?” e pyet mamaja. “Aaa sot - i përgjigjet ushtari - nuk ka patur të plagosur, vetëm një mundës e hodhën jashtë oborrit të vdekur dhe ikën”. Pa mbaruar ende fjalët ushtari, mamaja shembet përdhe. Kur e pashë në atë gjendje e harrova për një moment përse kishim ardhur dhe iu luta të na hapnin derën të paktën për t’i dhënë ndihmën e parë mjeksore mamasë. Me shumë vështirësi na lejuan për të hyrë deri tek vend-roja, ku nuk kisha t’i jepja ujë.
A arritët të futeshit brenda?
Iu lutëm që të na fusnin brenda që ta shikonim, por nuk na lanë. Babai, i cili kishte mbërritur para nesh po bisedonte me komandantin. Nuk mbaj mend se sa orë kemi pritur ashtu duke qarë, kur në një moment babai na afrohet dhe i thotë mamasë ‘zgjohu grua se Tani nuk paska qenë për ne...’. Mamaja thoshte me zë të lartë, se nuk lëviz që këtu pa marrë djalin me vete. Por jo, ata e kishin vendosur. Nuk donin të na e jepnin trupin. Aty na erdhi për të na marrë xhaxhai, që atëherë punonte në Spitalin Ushtarak si shofer. Ai na tha që të ktheheshim në shtëpi, se nuk do ta na e jepnin trupin.
Pra u kthyet në shtëpi pa trupin e Tanit. A ju erdhi kush në shtëpi, duke qenë se lajmi i vrasjes u mor vesh shumë shpejt në Tiranë?
Të nesërmen e vrasjes na erdhën në shtëpi Sali Berisha, Arben Imami, Azem Hajdari, Neritan Ceka dhe Gramoz Pashko. Ata na garantuan se do të bënin të pamundurën që do ta zbardhej vrasja e Artanit dhe ata që e kishin vrarë do të merrnin dënimin e merituar. Na thanë edhe që do të ndërmjetësonin, që të paktën trupin ta sillnin në shtëpi, në mënyrë që të bëhej ceremonia mortore. Por kishte një problem, se Artani ishte ushtar dhe si i tillë duhej të merrej leja për veshjen. Sipas atyre, meqë ai kishte dalë kundër Partisë së Punës, ai nuk do të trajtohej si ushtar, por do të quhej “tradhtar i atdheut.”
Kur ua sollën trupin dhe çfarë vutë re?
Trupin na e sollën të nesërmen, shumë vonë, me qëllim që të mos kishim mundësi të rrinim gjatë me Tanin edhe ditën e fundit. Por nuk do ta harroj kurrë kur e pashë, ai kishte plagë mbi ballë e nën buzë, tek i dhashë puthjen e fundit vura re se sytë kishin ngelur gjysëm të hapura. Po ata që i morën jetën jo vetëm nuk e ndihmuan, por as që i bënë respektin ndaj të vdekurit për t’ia mbyllur sytë.
Gazetat shkruanin përse u vra Artan Lenja? Përse forcat e Ministrisë së Mbrojtjes? Çfarë kishte bërë që t’i merrnin jetën?
Pikërisht për këto pyetje që na rëndonin edhe neve si familje i dërguam letër ish-presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë, ish-kryetarit të parlamentit Kastriot Islamit, ish kryeministrit Fatos Nano, por asnjë prej tyre nuk na ktheu qoftë edhe një përgjigje të vetme.
Kur u bë gjyqi për vrasjen e Artanit?
Rreth një vit më vonë, në gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca gjyqësore, pasi procesi hetimor ishte drejtuar nga kryehetuesi Petrit Serjani dhe hetuesi Luan Berja. Në sallën e gjyqit prokuror ishte Petrit Bici, gjyqtar ishte Petrit Klosi. Në bankën e të akuzuarve oficeri Mikail Themollari, jo vetëm që ishte në gjykim i lirë, por erdhi edhe i armatosur. Ai shoqërohej nga ushtari, i cili e mori përsipër krimin, Ludovik Vata. Ndërsa në cilësinë e dëshmitarit erdhi ish-shefi i batalionit të Sigurisë Çelo Boro. Ai erdhi aty duke buzëqeshur. Me kërkesën tonë dhe përfaqesimin nga ana e avokates Fatbardha Selenica, e ngarkuar nga PD-ja për të na bërë mbrotjen, arritën që ta ç’armatosin oficerin.
Çfarë mbani mend nga dëshmitë që u dhanë në atë gjyq?
Filloi seanca dhe oficeri filloi të dëshmonte. ‘Ne kishim urdhër që do të viheshim në ruajtje të rendit për të treguar që jemi shtet i fortë dhe nuk do të zbrapsemi nga disa forca destruktive.’. ‘Nga kush e morët urdhrin?’, e pyeti avokatja jonë. ‘Nga ministri Kiço Mustaqi’, iu përgjigj Themollari. ‘Por në atë kohë Kiço Mustaqi nuk ishte de jure ministër i Mbrojtjes, pasi ishte shkarkuar nga Ramiz Alia, me firmën e kujt ishte urdhëri dhe çfarë thuhej në instruksionet?’, e pyeti sërish avokatja. ‘Urdhri nuk ishte i shkruar, por Ramiz Alia foli në telefon me Mustaqin dhe na u dha instruksioni, bashkë me disa kaseta filmike, që tregonin disa nga pjesmarrësit në ngjarjet e 20 dhe 22 shkurtit, nëse ne do t’i shikonim do t’i qëllonim për të treguar që jemi të fortë’, u përgjigj oficeri. Në gjyq shumë nga dëshmimtarët okularë të çështjes nuk u pyetën dhe kur ata ndërhynin për të treguar historinë, gjyqtari i bënte presion duke i thënë se do t’i nxirrte jashtë. Në gjyq nga deklaratat e dëshmimtarëve dhe të mjekëve të autopsisë, u thanë fakte tepër tronditëse se si Artanin e kishin goditur me qytë automatiku në shumë vende të trupit, se si i kishin thyer disa brinjë edhe pasi kishte vdekur. Oficerit i kishin dhënë një shpërblim moral dhe e kishin paguar për një vit, duke e strehuar në fshatin e tij të lindjes. Ushtari që kreu krimin, së bashku me dy ushtarët e tjerë të patrullës kishin qendruar të strehuar në Ministrinë e Mbrojtjes së bashku me disa ushtarë të tjerë që kishin kryer krime në kufi në fillim të vitit 1990.
Dhe cili ishte vendimi që u dha?
Gjyqtari i çështjes dha pretencën; për oficerin Mikail Themollari 1-vit për ushtarin Ludovik Vata 8-vjet.
Ndërkohë avokatja pyet se si do të vazhdojë gjykimi, përgjigja ishte se ata do të gjykohen në gjendje të lirë. Në këtë moment turma e të afërmve dhe e shokëve, të lodhur nga dhimbja filluan të ndeshen me forcat e shumta të sigurisë. Në këtë moment ushtari hidhet nga kati i dytë i ndërtesës ku e priste një treçikël, ndërsa oficeri strehohet në zyrën e prokurorit. Zonja Selenica na këshilloi të ruanim qetësinë pasi, sapo të vinte në pushtet PD-ja do të zgjidhej çështja dhe vrasësit do të merrnin dënimin e merituar.
A ishte marrë Artani me veprimtari politike dhe a kishte marrë pjesë në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt të 1991?
Nga bisedat e shokëve që vinim për ngushëllim morëm vesh se Artani kishte filluar të organizohej në strukturat anti-komuniste dhe sëbashku me shokët e ekipit të mundjes kishin qenë në hedhjen e monumetit të Enver Hoxhës më 20 shkurt dhe në disa mbledhje të fshehta nëpër disa shtëpi, me shpërndarjen e disa fletushka ku shkruhej se ‘Shqipëria duhet të bëhej si Europa’, ku thuhej se njerëzit duhet të ishin të lirë për të shprehur mendimet e veta dhe ku vepra Enverit ishte fatkeqësia e popullit.
Ishin shokët e tij që shkruajtën në një fletore një peticion me 1880 emra ku kërkohej që të vendosej një bust në vendin ku u vra Artani, që ata të mos e shkelnin gjakun e tij dhe rruga të merrte emrin e tij. Grupi i shokëve të ekipit të mundjes së bashku me disa banorë të lagjes e çuan peticionin pranë ish-Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit Tiranë dhe me Vendim Nr.110 datë 19.11.91, Artan Lenja shpallet "Dëshmor i Atdheut".
A keni kërkuar që të zbardhet kjo vrasje?
Vëllai im lindi më 22 Nëntor të vitit 1970 në Tiranë. Pra ishte vetëm 20-vjeç e tre muaj kur u vra. Eshtë e rëndë për një motër që i hoqën të drejtën për ta thirrur vëlla, për një motër që e pa të vellain dhëndër në arkivol dhe për një vajzë, që në moshën 16-vjeçare pësoi humbjen më të madhe të jetës, për të cilën nuk ka fjalë dhe rreshta që ta shprehin dhimbjen. Edhe pse kanë kaluar 20-vite, në mendjen time janë të ngulitura thellë të gjitha. Ne si familjarë kemi kërkuar herë pas here zbardhjen e çështjes, por asgjë. Eshtë e pabesueshme, por e vërtetë, ajo çështje nuk u hap më kurrë. Mamaja mbylli sytë duke numëruar se sa vjeç do të ishte Artani.
Po tani a keni të njëjtën kërkesë zonja Lenja?
Meqenëse në jetën time 36-vjeçare ka 20-vjet lot dhe vuajtje, do t’u lutesha organeve të drejtësisë të zbatojnë ligjet dhe të mos i lënë njerëzit të bëjnë vetgjyqësi, ndërsa politikës shqiptare të mos e ndërtojnë themelin e karriges shtetërore mbi gjakun e njerëzve të pafajshëm. Jeta e njeriut është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Zoti na e ka dhuruar dhe vetëm ai ka të drejtë të na e marrë. Të mos përdoren të vrarët për fushata, por t’i jepet nderi që i takon dhe të prehen të qetë.
No comments:
Post a Comment