Flet për herë të parë inxhinieri i minierave që garoi përballë kreut të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës
Kroqi: Ja si e munda Ramiz Alinë më 31 mars 1991
Flet për herë të parë, inxhinieri i minierave, Franko Kroqi, i cili më 31 mars 1991 do ta sfidonte presidentin Ramiz Alia në një përballje elektorale, pak muaj pasi në Shqipëri ishte shpallur pluralizmi politik. Ai tregon se si iu bë oferta dhe se sa shpejt e pranoi atë. E kuptoi se do ta fitonte zonën ku kishin votuar gjithnjë Enver Hoxha dhe më pas Ramiz Alia, të vetëm përball vetvetes, në zonen elektorale 218, në mitingun që organizoi pranë shtëpisë së partisë, në shkollen Partizani, një javë para se të zhvilloheshin zgjedhjet, në atë zonë.
Zoti Franko kush ju solli ofertën për të kandiduar në Tiranë e për më tepër në një zonë aq të vështirë, ku kandidonte dhe presidenti Alia për deputet?
Një mik i imi, Genc Myftiu, inxhinier mekanik, ai më vjen një ditë e më thotë ‘Franko më thanë nëse pranon të kandidosh për deputet apo jo’. Mendoj se duhet t’ia kishin thënë këto të Partisë Demokratike që të ma bënte një ofertë të tillë. Unë edhe pse mora pjesë në Lëvizjen e Dhjetorit, dhe në zhvillimet e mëvonshme, nuk isha e nuk kam qënë anëtarësuar në asnjë parti, ashtu siç nuk kam qenë anëtarësuar në Partinë e Punës gjatë gjithë punës sime, edhe pse kam pasur oferta. Më parë se të më bënte ofertën Genci, pata takuar në Qytetin Studenti Gramoz Pashkon, s’kishte shumë që ishte themeluar PD-ja, dhe më thotë që në zgjedhje kjo parti do të kandidonte në 249 zona zgjedhore. I them ‘pse s’do të kandidoni në 250’, por nuk mu pergjegj duke më lënë të kuptoj se nuk donin të vinin kandidatura në zonën e Ramiz Alisë. Vendimi u muar nga PD, pas rrezimit te bustit te Enverit. Problemi atëherë (në vitin 1991) ishte i ndryshëm nga ai i vitit 1992, e veçanerisht nga i sotmi, atëherë problem ishte se përballjes nuk i diheshin pasojat, ndersa sot i dihen perfitimet; siç duket ky qenka nje rregull i demokracise tonë, që nuk e kam ditur dhe as që më ka shkuar ndërmënd në atë kohë.
A patët frikë në momentin që pranuat të kandidonit në atë zonë, kur të gjitha strukturat e regjimit ishin ende në këmbë dhe Partia e Punës ishte ende e fuqishme?
Jo, unë nuk pata frikë sepse kam punuar në minierë dhe e kam pa me sy vdekjen shumë herë, pamvaresisht kërcënime qe gjithmone i kam pas, per shkak te natyres time “rrebele”. Kisha hallin e bashkëshortes dhe të fëmijëve, se unë, një moment të tillë kisha pritur, sipas mendimit tim te asaj kohe, “per revensh”, pamvaresisht se tani nuk mendoj se ishte revansh. Vinin spiunë e provokator e më thonin ‘shaje Ramizin’, të cilve ju kam thënë shajeni ju, sepse unë i kam dal përballë. Kandidova në siglën e PD-së edhe pse nuk isha anëtar i saj. Vinin shumë njerëz të Ramizit të më thonin se duhej të tërhiqesha, por ia pata bërë të qartë se ‘pa ma qendisur nje ylli të kuq në ballë, s’do të tërhiqesha’. Këtë gjë ua kishin thënë edhe miqve të mi, që indirekt me thonin të tërhiqesha nga gara, të cilët u thonin këtyre sejmenëve te Rramizit se ‘ai nuk kthehet mbrapsht, prandaj nuk kemi se ç’ti themi’.
Si e organizuat fushatën elektorale, në një kohë që nuk diheshin shumë gjëra dhe mungonin gjithashtu shumë gjëra?
Bëja takime me grupe-grupe të lagjes, atje ka qenë dhe Njazi Kosovrasti me të tjerë, me të cilët jam takuar vazhdimisht para mitingut e pas tij. Mitingu u mbajt me datën 24 mars. Kishim vendosur shpalljet për kete gjithandej nëpër lagje e kudo në Tirane. Mitingu unë do ta mbanja në shkollën Partizani, ndersa Ramizi po atë ditë dhe po në të njëjtën orë kishte organizuar mitingun e tij ne Shkollen e Kuqe. Kur u mor vesh një gjë e tillë, më erdhën shumë veta të më thoshnin që ta shtyja mitingun tim, por nuk pranova dhe në fakt që të dy mitingjet u mbajtën në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Pata përgatitur një fjalim dhe me këtë rast, por pastaj vazhdova pa te. Në miting morën më shoqeruan Arben Imami dhe Tritan Shehu. Ajo qe une kisha kuptuar nga takimet në grupe me banorët e lagjes dhe në miting, ishte se ajo lagje nuk donin t’ia jepnin voten Ramiz Alisë. Unë nga ana ime isha i vendosur ta çoja deri në fund sfidën. Në miting shava rregjimin Komunist dhe akuzova Enverin. Ramizin s’kisha pse ta shaja, sepse i kisha dalë përballë, pra isha në betejë me të, ku ai kisht eskortën, pushtetin (qe ai e dinte se do ta humbiste), dhe spiunat që nuk guxonte ti vinte në levizje si me parë, ndersa unë kisha dashamiresine e banorve te asaj lagje dhe indinjaten e tyre per regjimin komunist.
Gjatë kësaj kohe a u takuat me kryetarin e PD-së, Sali Berisha?
E takova disa ditë para 31 marsit. ‘Do të fitojmë’ më tha edhe ne zonen 218, dhe kaq.
A e menduat ndonjëherë se do ta fitonit atë zonë?
Siç e thashë edhe më sipër, për mua rëndësi ishte përballja. Por në momentin që pashë gjithë ato njerëz në mbështetjen time, si gjate takimeve në grupe, ashtu dhe në atë miting, atëherë e kuptova se do të fitoja. Në mitingun tim morën pjesë shumë njerëz me entuziazëm të madh, ndërsa në takimin e Ramizit s’kishin qenë shumë njerëz. Në fakt gjatë gjithë fushatës, nuk mungonin të më vinin njerëz, sigurisht të dërguar prej atij të më bënin presione. Disa mbështetës të tij më thonin ‘desherojme ta japim votën ty, por Ramiz Alia duam të jetë president’. Unë u thosha ‘nëse i fiton zgjedhjet PP-ja, ai bëhet president, dua apo s’dua unë, por nëse fiton zgjedhjet PD-ja, atëherë ai nuk ka shanse që të bëhet president’; ndersa voten ju jepjani kuj të doni (me dukej vetja si lyps, po ti thonja ma jepni mua).
Ju kujt ia dedikoni këtë fitore?
Ia dedikoj pikërisht banorëve të asaj lagjeje, që edhe pse kishin votuar për vite me radhë përdhunshëm Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, vendosën të ma jepnin votën. Ramizi solli në atë zonë të votonin ushtarët, por edhe ata nuk votuan per Ramizin. Kjo vendosmëri e gjithë këtyre njerëzve më ndihmoi që ta mundja Alinë dhe të fitoja si deputet, edhe pse nuk isha banor i asaj lagjeje. Me këtë rast dua të përmend edhe faktin se i kam një borxh Lulzim Bashës, pasi ai atë vit votoi për herë të parë dhe më ka votuar mua. Këtë borxh do ia kthej atij se e meriton. Pra mbështetjen që më dha lagjja e pata vlerësuar dhe vazhdoj ta vlerësoj, se ata ma besuan dhe une nuk i kam trathtuar asnjeherë. Për zgjedhjet e 22 marsit 1992, që dihej se do të fitonte PD, me kerkuan që të kandidoj përseri, por u thashe se kjo nuk varej prej meje, por prej PD. Ajo që varet prej meje i thashe, është se po nuk me caktuan tek ju, unë nuk do pranoj të kandidoj në asnje zonë tjeter. Ky qe një pakt me ta, dhe une e kam rrespektuar.
Dhe a i qëndruat besnik këtij pakti?
Po, i qëndrova. Në 1992 PD-ja nuk më kandidoi aty, pasi preferoi të kandidonte Dashamir Shehin. Edhe pse Berisha më pat bërë ofertë që të kandidoja në çdo zonë tjetër, një ofertë ishte të kandidoja për në Laç. Nuk pranova, jo se në Laç nuk fitohej, por për shkak të paktit me banorët e asja lagje që më nderoj. Atëherë më vendosën në listë që fitova sërish në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Kam qëndruar vetëm një muaj deputet, aq sa për të qenë kryetar i komisionit që zgjodhi Sali Berishën president.
Më pas më bënë zevendësministër. Në këtë post qëndrova rreth dy vite, pasi më çuan ambasador në Kroaci, edhe pse nuk kisha lidhje fare me këtë profesion , vetëm për të më ‘hequr qafe’ se po u prishja punë BERZH-it, apo Abdyl Xhajës, që ishte ministër i Industrisë e Minierave, etj, pasi po e ndjenja qarte eren e korrupsionit, që po na e importonin dhe tani luajne me ne, duke na thënë luftojeni.
Kur e morët vesh që kishit fituar?
Në të gdhirë të 1 prillit, rreth orës 02:00 të mëngjesit, troket në derën time Ramazan Driza, një aktivist i PD-së, e më tha, ‘hajde të dalim e të takojme miqtë, se ke fituar’. Kisha fituar rreth 62 për qind të votave, Ramizi kishte marrë 34 për qind, pjesën tjetër e morën partitë e vogla.
A u takuat përballë ndonjëherë me Ramiz Alinë?
Ramizi s’ishte burrë për tu përballur tek a tek.
Pse e thoni një gjë të tillë?
Një ditë, pasi isha bërë deputet, u ula në sallën e parlamentit të pija një kafe. Kur vura re se në anën tjetër të sallës, djagonalisht me mua, ishte ulur Xhelil Gjoni dhe Ramiz Alia. U përshëndetëm me Xhelilin, pasi kishte qenë sekretar i pare i komitetit te partise në Peshkopi, kur punoja në Bulqizë, ku ai kishte ardhur disa herë. Mendova se patjetër Xhelili do t’i thote se kush isha, prandaj prisja që Ramizi të kthej koken nga unë. Një moment e ktheu koken e u pamë, sy nder sy, por ai nuk përshëndeti dhe ulim syte. E njëjta gjë ndodhi edhe një herë tjetër, ai perseri uli syte dhe ktheu koken. Pra ai nuk pati kurajën prej burri që të më jepte një shenjë, se donte te me takonte, apo uronte etj, shkurt tip tinzari.
Çfarë përfituat nga kjo fitore dhe a jeni angazhuar më që atëherë me politikë?
U bëra vetëm zëvendësministët i Ministrisë së Industrisë dhe Minierave, ne vitet 1992-1994 dhe kisha 1700 lekë rrogë që në fakt nuk më dilte të mbaja familjen time, prej shtatë anëtarësh. As rroga si ambasador nuk më dilte të mbaja familjen time. E që pasi u ktheva nga Kroacia nuk jam angazhuar më me politikë, por vetëm me profesionin tim. Nuk kam marre asnjehere rroge si deputet dhe as shtese pensioni. Më qëllon shumëherë që kur njerëzit e mësojnë emrin tim, thonë ‘ah, ai që mundi Ramiz Alinë në zgjedhjet e 1991’; ndersa mua do të më vinte më mirë të vleresonin më shumë punen 50 vjeçare si inxhinjer miniere, pa te cilen ndoshta nuk do kisha patur kurajo te perballem me Ramiz Alinë.
No comments:
Post a Comment