Flet për “Gazetën Shqiptare” kryetarja e Komitetit të Helsinkit Serb Sonja Biserko
“Elita jonë nuk është e gatshme të kërkojë falje”
“Trafikimin e organeve u përdor politikisht nga Beogradi”
Gilmana Bushati
Ekskluzivisht për “Gazetën Shqiptare” flet Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit Serb. Çështjet e trajtuara në këtë intervistë janë pikërisht ato që shqetësojnë realisht Ballkanin, si kërkimi i faljes, pranimin e tjetrit, luftrat, dhuna, terrori dhe rruga për të qenë pjesë e të gjitha vende të tjera europiane dhe demokratike. Biserko, e cila iu përgjigj shumë shpejt pyetjeve tona, thekson se elitat serbe nuk janë të gatshme të kërkojnë falje sa u takon shqiptarëve, pasi këto elita shpresojnë ende për një përfitim territoresh me Kosovën, ose ndarje të minutës së fundit. Biserko thekson se arrestimi i Mlladiçit ka mbyllur vetëm kapitullin e arrestimit, pasi shoqëria serbe duhet të përballet me shumë pyetje që ngrihen në këto momente: pse ekzistonin njerëz të tillë, duke filluar që nga Millosheviçi e duke vazhduar me Mlladiçin, cila ishte ideologjia që ata ndiqnin. Ajo thekson, se nëse do të ketë debat të hapur pikërisht për këto pikëpyetje, brezi i ri do ta mësojnë të vërtetën dhe nuk do të mbajë mbi shpinë apo të paguajë haraçet e Millosheviçit. Si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Biserko, thekson se shqiptarët në jug të Serbisë nuk janë integruar dhe te ata ndihet më thellë distanca etnike. Sa i takon akuzave të Tadiçit për krimet e shqiptarëve, ajo thekson se trafikimin e organeve Serbia u përpoq ta trajtonte politikisht, por dështoi në këto përpjekje. Gjithësesi ajo mendon se secila palë duhet të mendojë dhe të reflektojë për krimet e kryera. Por në fillim ajo kërkon që Serbia të reflektojë mbi këto krime, pastaj kombet e tjera mbajnë përgjegjësitë e tyre, aq sa i kanë. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit shprehet se për atë dhe për një pjesë të shoqërisë serbe, pavarësia e Kosovës është realitet dhe dialogu i nisur do t’i ndihmojë të dy vendet që të hyjnë në rrugën e intregimit drejt Bashkimit Europian.
Zonja Biserko, ditë më parë në një tryezë të rrumbullakët, së bashku me faktorin shqiptar ju keni dhënë sinjalin për domosdoshmërinë e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve. Si mundet ndodhë një gjë e tillë?
Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka nevojë për elita të pjekura dhe të përgjegjshme. Marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve kanë trashëgimi, e cila duhet drejtohet dhe të shpjegohet në mënyrë që të krijohet një atmosferë pajtimi. Me pavarësinë e Kosovës, ka përfunduar procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë. Kosova është një shtet i pavarur që Serbia duhet ta pranojë si një realitet. Serbia dhe Kosova janë në rrugën e tyre për anëtarësimin në BE – që gjithashtu do të thotë se ata do të duhet të bashkëpunojnë siç e kërkojnë kriteret BE-së. Në këtë moment Serbia është duke u përpjekur për ta vendosur statusin e Kosovës në rendin e ditës në negociata - me fjalë të tjera elita serbe është duke u përpjekur që të fitojë ndarjen e Kosovës në minutën e fundit. Komuniteti ndërkombëtar është kundër ndarjes dhe Serbia duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj. Në këtë kohë shoqëria civile në të dy anët është e angazhuar në ndërtimin e urave dhe krijimin e atmosferës që mund të ndihmojnë normalizimin e marrëdhënieve.
Mes njëri-tjetrit, ne kemi më shumë histori me luftra dhe urrejtje se sa histori dashurie dhe mirëkuptimit. A do të jetë e vështirë për të dy vendeve për të gjetur paqen, aq shumë e kërkuar?
Projekti i BE-ja është gjithashtu projekti i paqes, projekt i cili i ka sjellë paqe dhe prosperitet kombeve europiane. Pse të mos i sjellë dhe Ballkanit. Rruga drejt BE-së ka si kushte njohjen dhe bashkëpunim mes serbëve dhe shqiptarëve. Serbia duhet të heqë dorë nga mitologjia e saj. Besoj se do të ketë më shumë përfitime nga normalizimi i marrëdhënieve nga të dyja palët.
Shqiptarët duket se janë kombi më i ri dhe më dinamik për momentin në Ballkan. Dhe ky është faktor i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit.
Zonjë, pak ditë më parë u arrestua Ratko Mlladiç, i cili është njohur si përgjegjës për masakrën e Srebrenicës. A mund ta konsiderojmë këtë kapitull si të mbyllur, siç edhe deklaroi presidenti serb në konferencën e tij për shtyp?
Është i mbyllur si kapitull vetëm në një kuptim – Serbia plotësoi detyrimet e saj ndaj Gjykatës së Hagës dhe ka hapur një mundësi për t’u marrë me trashëgiminë që i la Millosheviçi. Serbia duhet të hapë një debat me veten dhe t’u përgjigjet pyetjeve se si ka mundësi që ekzistuan Millosheviçi, Mlladiçi, Karaxhiçi dhe të tjerët, si dhe cila ishte ideologjia që qëndronte pas tyre. Pse Serbia e mbylli shekullin XX si një vend i izoluar, duke fshehur kriminelët e luftës dhe duke refuzuar realitetin e ri që u krijua në rajon. Këto dhe pyetje të tjera të duhet të kenë një përgjigje, kryesisht për hir të brezave të rinj që nuk kanë të bëjnë me trashëgiminë Millosheviçit, por që janë pengje të politikës së tij.
A mendoni se ky arrestim është i mjaftueshëm që Beogradi të hyjë në rrugën e integrimit në BE-së, dhe a është i mjaftueshëm për ta akuzuar shqiptarët për krime të lufte?
Arrestimin e Ratko Mlladiçit ishte vetëm njëri nga nga kushtet, edhe pse ishte një nga më të rëndësishmit. Serbia duhet të vazhdojë reformat e saj të brendshme, të miratojë një sistem të ri vlerash dhe të përmirësojë marrëdhëniet e saj me fqinjët.
Nëse presidenti Tadiç flet për trafikimin e organeve në Kosovë, a duhet më parë të flasë për krimin e luftës që janë kryer gjatë luftës në Kosovë, ku aktualisht ka mbi 1800 njerëz të humbur?
Serbia nuk ka vullnet për të reflektuar mbi krimet e kryera në Kosovë nga forcat serbe dhe në vend të kësaj u përqendrua vetëm në krimet e kryera nga shqiptarët. Kjo s’do të zgjasë më shumë.
Pas së gjithave gjykimi që u bë nga Gjykata e Hagës, duke përmendur këtu rastin e Sainoviçit (gjashtë ushtarakë të lartë, policisë dhe zyrtarë serb) zbuloi qartë se çfarë ndodhi në Kosovë më 1998 dhe 1999. Pavarësisht nga kjo regjimi i Millosheviçit ushtroi terror që nga fillimi ndaj shqiptarëve të Kosovës. Trafikimi i organeve është një krim i rëndë ndërkombëtar dhe kjo duhet të hetohet. Serbia u përpoq ta politizojë një gjë të tillë, por dështoi në përpjekjen e saj që ta mbante si çështje kryesore.
Çfarë mendoni rreth dialogut Kosovë-Serbi, a mendoni se është në rrugën e duhur, apo të dy palët janë vetëm duke i shtyrë gjërat në kohë?
Ky dialog është një nga kushtet kryesore për Serbinë dhe Kosovën në përpjekjet e tyre për të hyrë në BE. Deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete, por mendoj se diçka do të dalë nga ky dialog. Është jashtëzakonisht e rëndësishme zyrtarë të Kosovës dhe të Serbisë të flasin me njëri-tjetrin – kjo është gjithashtu një mesazh për të dy komunitetet, që ekziston mundësia për të folur. Në një moment do t’u duhet të zgjidhin dhe probleme konkrete.
Cila është gjendja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, janë atq të mbrojtur në të njëjtën mënyrë siç janë të mbrojtur serbët në Kosovë?
Shqiptarët në jug të Serbisë janë pengje të statusit të Kosovës. Ata jetojnë si të mbajtur pezull. Nuk janë të integruar realisht në politikë, ekonomi dhe kulturë. Ata kanë Këshillin Kombëtar që mund t’i ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Distanca entike për shqiptarët është shumë e madhe në Serbi dhe një problem i tillë mund të zgjidhet vetëm me politika shtetërore gjithëpërfshirëse, si në politikë, zhvillimin ekonomik, nëpërmjet mediave të pavarura dhe përmes trajtimit të shqiptarëve si të barabartë.
Politikanët shqiptarë këtu mendojnë, se për krimet e shkaktuara nga Beogradi, ky duhet më parë, të kërkojë falje për shqiptarët dhe pastaj të kapin kriminelë të tjerë që ende ecin të lirë. A mendoni se ky qëndrim është baza për të gjetur paqe mes njëri-tjetrit?
Procesi i pajtimit është objektiv serioz. Falja është rezultat i pjekurisë. Nuk jam e sigurtë që elitat serbe janë të gatshme për një gjë të tillë, pasi ende kanë varur shpresat te ndarja. Kur ata do të heqin dorë me të vërtetë nga Kosova do ta shohin atë me një optikë tjetër.
Sipas tyre, shqiptarët s’kanë faje kolektive, por serbët kanë përgjegjësi, si një komb. Cila është përgjigjja juaj?
Të gjitha shoqëritë në rajon janë kolektive - ajo është modeli i shoqërive tona. Ato janë të gjitha të ngjashme. Serbia është përgjegjëse për atë që ka ndodhur në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve, me këtë duhet të merren në të ardhmen. Shqiptarët do të duhet të merren me pjesën e tyre.
Një politikan europian u shpreh njëherë, që vendet e Ballkanit e kanë të vështirë të pajtohen, pasi e kanë po kaq të vështirë të kërkojnë falje. Cila është pikëpamja juaj për këtë qëndrim?
Vendet e Ballkanut do të duhet të mësojnë si të jetojnë me njëri-tjetrin, të kuptojnë se të gjitha kombet kanë rëndësinë ose parëndësinë e vet, por që janë pjesë e narrativës së tyre. Çdo komb në Ballkan ka versionin e tij të historisë, por duhet të mësojmë që ka vetëm një histori objektive.
A e keni njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe a mendoni se stabiliteti në rajonin e Ballkanit do të jetë një element i fuqishëm për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore?
Pavarësia e Kosovës është realitet, disa njerëz në Serbi, duke përfshirë veten time, janë të vetëdijshëm për këtë dhe ne e pranojmë pavarësinë e saj. Pavarësia e Kosovës është faktor stabilizues, sidomos për Maqedoninë. Jam mjaft optimiste për të ardhmen e rajonit tonë. Ballkanasit janë krijues dhe dinamikë, por duhet të mësojnë se si të bëhen më tolerantë dhe më pak autoritarë. Demokracia është një proces që ka nevojë për breza. Mendoj se ne jemi në rrugë e duhur për të fituar disa vlera demokratike.
No comments:
Post a Comment