Tritan Shehu i përgjigjet Ngjelës pasi e ka quajtur ushtar i Enverit
“Nuk komentoj haluçinacionet e Spartakut, ka probleme mendore ai”
“Është politikan aventurier, i pa moralshëm dhe pa besueshmëri
Gilmana Bushati
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, komenton librin e Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”. Arsyeja e komentit erdhi për faktin se ai përmendet si një nga njerëzit që diktatori Enver Hoxha i përdori në botën akademike për të spastruar pikërisht intelektualët me mendim pro-perëndimor, pro europian. Shehu përgjigjet se libri i Ngjelës është i mbushur plot me haluçinacione dhe kjo në fakt, sipas tij, ka të bëjë me shëndetin e tij mendor. Sipas tij, në vitet 1960 dhe më pas ai mezi siguroi që të vazhdonte shkollën për mjekësi, pasi kishte punuar më parë në prodhim, e pikërisht në Kombinatin e Mishit, për arsye thellësisht politike. Shehu thekson se Ngjelën e ka njohur si person që para 1990 dhe i është dukur si një njeri shumë ekstravagant dhe e përmbledh në cilësimin e tij se ai ishte “djalë i bllokut”. Ai thekson se edhe dënimi i Ngjelës nga regjimi nuk erdhi si pasojë e mendimeve të tij demokratike, por sepse i erdhi radha të atit, Kiço Ngjelës, që të goditej nga Enver Hoxha, pra ishte pjesë e luftës brenda llojit. Pas ardhjes së demokracisë, deputeti demokrat, thekson, se ka pasur të njëjtin mendim për Ngjelën dhe se ai e ka shmangur në të gjitha mënyrat e mundshme përballjen me të, edhe kur Ngjela u bë pjesë e Partisë Demokratike.
Zoti Shehu, Spartak Ngjela së fundmi ka shkruar një libër kujtimesh, ku ndër të tjera ju përmend si një nga ithtarët e Enver Hoxhës dhe se keni qenë në ballë të sulmit kundër çdo gjëje europiane pas fjalimit të 6 shkurtit 1967. Si do ta komentonit këtë libër?
Unë nuk e kam lexuar atë libër, por nga sa kam dëgjuar dua të them se së pari realisht e kam të vështirë të komentoj haluçinacionet e Spartakut. Ky është një problem i shendetit të tij mendor. Ndërsa me absurditete të tilla personale une nuk merrem. Së dyti ajo që më ka rënë në sy nga komentet e dëgjuara për atë libër, është fakti se Spartaku jeton akoma me deliret e “djalit të Bllokut”, gjë që manifestohet në manipulimet dhe në egocentrizmin e tij ekstrem. Nga ana tjetër në libër të lë një shije shumë të keqe, ajo që është dhe një deformim i madh i historisë, përpjekja për të manipuluar të vërtetën dhe për të arritur në konkluzionin monstruoz, që demokracia në Shqipëri lindi brenda e nëpërmjet Bllokut. Në të vërtetë ky bosht thellësisht i gënjeshtër që përshkon tërë librin, është padyshim edhe lajtmotivi në ato faqe. Në funksion të tij dhe të lidhur me këtë, aty gjejmë të pasqyruar kudo, megallomaninë patologjike të autorit. Këto tipare e bëjnë atë libër shumë të ngjashëm me “Kujtimet e Enverit”.
Po për atë që thotë për ju konkretisht çfarë mund të na thoni?
Si më është thënë, në fakt ai nuk thotë asgjë reale, sepse nuk ka çfarë të thotë. Ai vjell vetëm një mllef të grumbulluar e patologjik. Perceptimet dhe reaksionet e deformuara janë simptoma. Në vitet 60-të unë kam qenë një nxënës i shkëlqyer gjimnazi dhe i mirënjohur në Tiranë, nga një familje me shumë vlera. Më tej, meqë nuk mund të vazhdoja direkt universitetin për arsye politike, u detyrova të punoja si punëtor në Kombinatin e Mishit, derisa mbas disa vitesh, m’u dha mundësia të ndiqja studimet në mjekësi. Për hir të së vërtetës dua të theksoj se dhe në vitet e studimeve u rrezikova jo pak herë të përjashtohem nga universiteti, po për të njëjtat arsye politike.
Ju më vonë u bëtë mjek shumë i njohur. A kishit ju lidhje pune me Bllokun në ato periudha?
Asnjëherë, as si individ dhe as si mjek nuk kam pasur të tilla marrëdhenie. Megjithëse unë drejtoja shërbimin e anestezi-reanimacionit në rang vendi, në shërbimin shëndetësor të Bllokut nuk kam qenë aktivizuar asnjë herë. Kuptohet qartësisht se pse ndodhte kjo. Unë për herë të parë kam hyrë në atë që atëherë quhej “Klinika Speciale”, në vitin 1992, kur si Ministër i Shëndetësisë vajta për ta transformuar atë strukturë të mbyllur nomenklature, në një klinikë të hapur të qytetarëve të Tiranës.
A e keni njohur Ngjelën në ato vite?
Shumë pak. Unë nuk kam pasur lidhje me Bllokun e njerëzit e tij. Shokët e miqtë e mi të afërm i përkisnin në tërësi grupeve të tjera shoqërore. Ngjela ka qenë më i madh se unë në moshë dhe e njihja si person në Tiranë, dhe të them të vërtetën asnjëherë nuk më ka ngjallur simpati apo interes, gjë që transmetohej qartë. Gjithmonë e kam konsideruar si një njeri bosh dhe si një nga ekstravagantët e Bllokut, që e luanin këtë rol pikërisht se ishin të mbrojtur nga ajo strukturë. Më tej, ai në fakt u dënua, jo për veprimtarinë e tij “demokratike”, si përpiqet të manipulojë, por për faktin e thjeshtë se i erdhi radha të atit të tij të goditej nga regjimi. Kështu ndodhi me shumë nga njerëzit e bllokut të asaj periudhe, në ato rregulla loje.
Por ju më pas keni qenë në të njëjtin front, pra me të djathtën, e më vonë ai u bë pjesë e Partisë Demokratike. Si e keni njohur pas ardhjes së demokracisë Spartak Ngjelën dhe cili ishte mendimi juaj për të?
Mendimi im për të ishte i njëjtë me atë të kohës së Bllokut. Një politikan aventurier, i pa moralshëm dhe pa besueshmëri. Asnjëherë nuk kam pasur as marrëdhenie pune dhe as shkëmbime mendimesh me të. Realisht këtë gjë e kam evituar në mënyrë konstante, për vetë mendimin tim të pa ndryshuar, që kam pasur gjithmonë për atë njeri. Në fakt akoma dhe sot ai as si politikan e as si autor nuk arrin të kuptojë apo të pranojë se demokracia te ne nuk lindi dhe nuk erdhi nga Blloku, por që shpërtheu nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit, nga universitetet, pjesë aktive e së cilës ishim ne, që u rreshtuam që ditët e para me të.
Kujtimet
“Në të vërtetë ky bosht thellësisht i gënjeshtër që përshkon tërë librin, është padyshim edhe lajtmotivi në ato faqe. Në funksion të tij dhe të lidhur me këtë, aty gjejmë të pasqyruar kudo, megallomaninë patologjike të autorit. Këto tipare e bëjnë atë libër shumë të ngjashëm me “Kujtimet e Enverit”.
Dënimi
“Më tej, ai në fakt u dënua, jo për veprimtarinë e tij “demokratike”, si përpiqet të manipulojë, por për faktin e thjeshtë se i erdhi radha të atit të tij të goditej nga regjimi. Kështu ndodhi me shumë nga njerëzit e bllokut të asaj periudhe, në ato rregulla loje.”
Fjalimi i 6 shkurtit 1967, Shqipëria i vetmi vend ateist në botë
Enver Hoxha më 6 shkurt 1967 mbajti një fjalim për “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Ky fjalim i tij, konsiderohet si një fjalim famëkeq, pasi njihet si fillimi i martirizimit të besimeve fetare në vend dhe viti ku Shqipëria me Kushtetutë do të bëhej vendi i parë ateist në botë, gjë që nuk e kishte bërë as Bashkimi Sovjetik. Një fjalim i tillë, i ndjekur dhe nga një propagandë e shfrenuar e gazetës së partisë, “Zëri i Popullit” solli dhe aksionet e para, që u paraqitën si “vullnetare” kundër objekteve të kultit në të gjithë vendin. Ishte pikërisht në qytetin e Durrësit, ku filloi debati i ashpër mes “vullnetarëve” që e konsideronin si të kotë besimin fetar dhe shoqërisë së gjërë apo dhe autoriteteve të besimeve fetare. Nëpër muret e qyteteve të Shqipërisë u shpikën fletrrufetë kundër klerikëve, që tallnin figurën e tyre. Më 19 shkurt u ndalua kremtimi i meshës të orës 10:00 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Arqipeshkvia.
Më 4 mars u mbyll Kisha Katedrale e Shkodrës e mbas saj u mbyllën të gjitha kishat e xhamiat, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin. Një fjalim i tillë solli raprezaljen më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë ndaj drejtuesve të besimeve fetare, që më së shumti u vranë, u torturuan, u burgosën, u internuan.
No comments:
Post a Comment