Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, March 7, 2014

Ermelinda Hoxhaj: Nëse s’ka barazi në gjirin e familjes, s’duhet ta kërkojmë në shoqëri

Ermelinda Hoxhaj, prej dhjetë vitesh në mediat shqiptare, flet për situatën sociale të femrës në Shqipëri. Sipas saj janë bërë ndryshime të pozitës së saj në mesin e shoqërisë për shkak të emancipimit, por gjithësesi është shumë pak. Ajo nuk pranon të thotë që ka një lëvizje feministe në Shqipëri, që duhej të drejtohej nga shoqëria civile. Sipas Hoxhajt, kjo shoqëri civile më së shumti është e interesuar për përfitime financiare se sa për të bërë diçka realisht për femrën. Duke qenë edhe ajo prej vitesh gazetare shprehet se kostoja që paguan një femër gazetare është pikërisht te familja.





Cila është sot situata sociale e femrave në Shqipëri?

Nuk mund të bëjmë një përgjithësim të gjendjes së femrave sot në Shqipëri. Sepse femrat në zonat rurale nuk krahasohen me ato në zonat urbane. Dhe këto të fundit sërish ndahen, pasi ka qytete të mëdha dhe të vogla. Por mund të them se në këtë dekadën e fundit gjendja ka ndryshuar disi për mirë. Në aspektin që femrat sot janë më të arsimuara, më të lira dhe më të pavarura ekonomikisht, gjithmonë duke pasur parasysh ndryshimin territorial. Përmenda që janë më të pavarura nga ana ekonomike, por duhet thënë se janë dhe më të varfra. Sepse diskriminimin më madhor femrat e kanë në pagesa, pasi për të njëjtat punë ato paguhen shumë herë më pak se meshkujt dhe zakonisht janë në nivele jo drejtuese. Kjo jo vetëm në media, por edhe në arsim, ku duket që femrat dominojnë; po të shikosh postet e rektorit apo të dekanit, mbizotërohen nga meshkujt.

Pse nuk ka një lëvizje feministe të vërtetë, apo qëndron i vërtetë ‘thashethemi’ që flamurin e emancipimit e kanë femrat ‘te Blloku’ i Tiranës?

(Qesh) Më shkon shpesh në mendje kjo gjë. Fatkeqësisht mendoj se një kategori femrash duan të jenë të varura nga meshkujt. Dhe pjesa dërrmuese e atyre që duan ‘varësi’ ndaj meshkujve, janë pikërisht ato femrat e ‘Bllokut’ të Tiranës. Pasi koleksionet e modës së fundit, të veshjeve, syzeve apo parfumeve, nuk arrijnë t’i blejnë dot vetë.

Eri Hoxhaj, 10 vite gazetari; situata e femrave ka ndryshuar sepse kanë qenë politikat sociale të qeverive, apo kanë ndryshuar për inercinë e ndryshimeve që pëson një shoqëri gjatë këtyre viteve?

Ndryshimet më të mëdha, si ngritja arsimore, pavarësia financiare, kanë ardhur padyshim nga emancipimi i përgjithshëm shoqëror. Politikat sociale që janë marrë, edhe pse janë të shumta në letër, në shumicën e rasteve nuk janë zbatuar në realitet. Problem tjetër që ne kemi, dhe nuk duhet ta harrojmë, është se kemi të bëjmë me një shoqëri patriarkale, ku femrat për një kohë shumë të gjatë janë konsideruar persona të dorës së dytë, e padyshim ka ende shumë zona apo breza që vijojnë e mendojnë kështu. Ky shqetësim i imi vjen sepse që kur embrionet femër janë në barkun e nënës bëhet diferenca. Shumë prindër, edhe sot në 2014-ën, kanë sjellje të ndryshme jo të barabarta mes vajzës dhe djalit. Vajzave u cungohet liria për të marrë vendime, ndërsa sjellja ndaj fëmijëve meshkuj është më ndryshe, lihen më të lirë.
Kam lexuar diku një shprehje, nuk më kujtohet që ta citoj, por që thotë: “Barazia mes mashkullit dhe femrës nis në shtëpi”. Jam plotësisht me këtë mendim; nëse nuk ka barazi në shtëpi mes burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit, motrës dhe vëllait, nuk mund ta kërkosh atë në shoqëri, në politikë e në sfera të tjera. Një femër që punon, ka në ngarkim edhe të punojë në shtëpi, të merret me edukimin e fëmijëve, duhet të kujdeset dhe për bashkëshortin, t’i gatuajë, ta veshë, t’i mirëmbajë rrobat etj. Në këtë pikë, gjinia tjetër më duket si “invalid”, të paaftë të mbajnë veten. Gjë që nuk e bëjnë, jo se nuk mundin, por sepse nuk duan. Pasi janë mësuar që nga nënat e tyre që këto punë janë ‘gjëra femrash’, dhe pas nënave, detyrohen t’i mbajnë gratë.

Në këto vite kemi parë një shtim të numrit të shoqatave të grave dhe financimet për to nuk kanë munguar asnjëherë. Këto shoqata janë shenjë emancipimi; e kanë ndihmuar femrën apo kanë qenë edhe burim i mirë fitimi për një pjesë të tyre?

Shtimi i numrit të tyre mund të konsiderohet dhe shenjë emancipimi, por padyshim që ka qenë më tepër burim i mirë financiar për drejtuesit. Edhe pse në shumicën e rasteve drejtohen nga femra, për femrat në hall bëjnë pak gjë, ose më mirë aspak. Një problem i tyre është se përqendrohen vetëm në Tiranë dhe mendojnë se kjo është bota e femrave dhe problemet e tyre. Veçse shumica e tyre kanë përfitime ekonomike, një pjesë e tyre janë futur në atë kategorinë VIP, ftohen në studio televizive, ku flasin për shumëçka dhe aspak për atë që do bëjnë për rritjen e rolit të gruas në politikë, për barazinë gjinore apo luftën kundër dhunës. Po padyshim që për këto gjëra nuk kanë kohë të mendojnë, se fillimisht duhet të mendojnë për modelin e thonjve që do bëjnë me xhel, për nuancën e re të flokëve e të bizhuterive që duhet të blejnë!!!

A kanë nevojë gratë për një 8 Mars burrash, apo ato ende s’e kanë krijuar 8 Marsin e tyre?

Në vendin tonë kjo është një pikëpyetje e madhe, por për këtë nuk është as faji i grave dhe as i burrave. Sepse në kujtesën tonë kolektive për dekada të tëra 8 Marsin e kemi festuar si ditën e nënës. Ndaj do vijojmë me protestat tona të vakëta dhe modeste, dhe me 8 Marset tona festive dhe, padyshim, kërcimet grua me grua.

Cila është kostoja që paguan një femër gazetare?


E lartë, sidomos për sa i përket familjes. Sepse koha që i kushton është shumë e pakët. Puna në fushën e gazetarisë nuk të lë shumë kohë të lirë. Ndofta kështu është në shumë vende të botës, por në Shqipëri ky profesion është më i vështirë, i keqpaguar dhe nuk ofron kushte të mira pune. 

No comments:

Post a Comment