Vera,
hebreja e Italisë, në rrëfimin e saj për humbjen e gjyshit dhe të vajzës së saj
18-vjeçare, me 26 janar 2014 zgjoi edhe njëherë ndërgjegjen e italianëve për
krimet e kryera nga nazizmi ndaj hebrejve, krime që për më tepër edhe s’duhet të
harrohen. Në një moment të intervistës së saj Vera tregoi te Fabio Fazio, Rai
3, se ndërsa kërkonte të bijën e marrë me forcë nga shkolla e mesme, një zyrtar
i kishte thënë “zonjë, mendojeni sikur vajza juaj ka shkuar me pushime diku dhe
kaq”.
Marr këtë
shembull për të treguar, se te ne janë harruar historitë e shumta dhe të
dhimbshme të të burgosurve politikë, të atyre që vuajtën burgjet, torturat dhe
sjelljen ç’njerëzore të një ideologjie që u kthye në sistem të frikshëm. Pse
them se janë harruar historitë, dhimbja dhe humbja e shqiptarëve gjatë 50
viteve? E them këtë se sistemi i kaluar ekziston edhe sot, është i shpërndarë
gjithandej me elementët e tij, nuk është mbizotërues, por është mbytës, zhgënjyes
dhe aspak frymëzues, madje tregon atë që krimi i atij sistemi vazhdon, qoftë
edhe me përfaqësim të elementëve të diktaturës, në këtë gjoja demokraci 23 vjeçare,
por tregon se neve na mungon edhe ndërgjegja dhe se harrojmë shumë shpejt.
Kështu që
pavarësisht faktit që në CV-në e Ramës apo qoftë dhe të Kodhelit, nuk ka
vrasje, apo nuk kanë të shënuar diku se janë vrasës, ata të dy janë elementë të
një partie, që historia e saj fillon vetëm me krimet kundër njerëzimit. Duan
apo jo ta pranojnë ‘elementi modern’ i socialistëve, partia e tyre, kur kishin
lindur apo pa lindur ata, bënte vrasje masive dhe për këtë as historia nuk po e
gjykon, por as nuk po flet.
Berisha ishte
element i sistemit dhe pavarësisht se sa lodhet e shoqja të na tregojë se
ushqimi më i mirë i tyre, ishte grosha p.sh, ajo groshë neve, pra asaj pjese të
paangazhuar, na ka rënë rëndë në stomak, por besoj do të ketë qenë helm për te
burgosurit kjo farë groshe. Edhe pse Berisha mund të lodhet të na tregojë për
shkrimet antikomuniste në gazetat komuniste, sërish nuk ta mbush mendjen se si i
shpëtuan censurës këto shkrime, megjithë përpjekjen dashamirëse të Qemal
Sakajevës.
Ka
elementë të tjerë të dallueshëm, që të gjithë i identifikojnë, si Gramoz Ruçi,
një eksponent i rëndësishëm i sistemit atëhershëm, Spartak Braho, prokuror,
Kastriot Islami ministër, apo Ilir Beqja dhe Ditmir Bushati. Duke u ndalur te këto
dy të fundit, në momentin e emërimit të tyre u hap një debat për çëshjten e trashëgimisë
komuniste që po merrte pushtetin. Ata që ishin kundër emërimit të tij, mbetën
vetëm rrugës dhe zërat u shuan menjëherë, ata që ishin pro treguan se të dy
baballarët e këtyre ministrave kishin qenë ‘zotërinj’ në kohën e tyre, edhe pse
njëri edukonte me parimet enveriste rininë, pra ishte shpërlarës truri i
kategorisë së parë, ndërsa tjetri mbante një post të rëndësishëm në strukturën
e sistemit. Për këtë të fundit, pra për Sulë Bushatin mendimi pro shkoi deri
aty sa u tha që ‘ai dilte në rrallën e qumështit si të gjithë të tjerët’. Edhe
qumështi i Sulës ngjason krejt me groshën e Lirijes dhe sigurisht që Ditmirit
do t’i ketë bërë shumë më mirë se sa mua, pasi, siç kishin fëmijët e udhëheqjes
diferencime në nota, ashtu ishin edhe në ushqime. Mirë që nuk doli njeri të
tregonte, se ai, pra Sula, Berisha, apo ndonjë Kaç, etj, etj kërkonin
demokracinë që atëherë kur ishin zyrtarë komunistë, gjithësesi shpërlarja e
trurit s’ka asnjëherë kufi. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për fëmijët e
numrit një dhe dy të diktaturës, por që janë treguar më të zgjuar, merren me
biznes, me letërsi, e nuk posedojnë poste publike, por gjithësesi, në njëfarë mënyre
shfrytëzojnë të mirat publike që i dha sistemi.
Edhe puna
në Institutin e Marksizmit Leninizmit, ku janë shkruar, redaktuar dhe përkthyer
veprat e Enverit, të bën element të sistemit. Milan Kundera në një intervistë të
tij tregon se si iku bashkë me të shoqen nga Çekosllovakia me një makinë të vogël,
prodhim lindor, por nëse sistemi të jep makinë, bursë, para për të publikuar, për
t’u përkthyer dhe për t’u promovuar nëpër botë, je sërish pjesë e sistemit. Edhe
nëse të janë bërë kritika dhe sistemi ka bërë sikur nuk i dëgjon kritikat, atëherë
sistemi e ka konsideruar të kritikuarin, vlerë të tij dhe dëmini më i madh që
mund t’i jepej kësaj vlere, ishte një tremujorsh në një qytet tjetër, i ndryshëm
nga kryeqyteti.
Personalisht
Hitleri nuk është marrë me asnjë hebre, as me hebrejen italiane, Verën, ai
krijoi sistemin, elementët e tij bashkë me makinerinë e dhunës dhe e çoi përpara
ideologjinë e pastrimit të racës. As Enveri nuk është marrë personalisht me
asnjë nga të burgosurit politikë, të vrarët me apo pa gjyq, me tortuarat ç’njerëzore
ndaj tyre, por krijoi ideologjinë e pastrimit të çdo kundërshtari të sistemit
dhe për këtë përdori në të gjitha aspektet e shoqërisë, elementët e tij. Elementët
e mësipërm apo pinjollët e tyre, janë pjesë të së tërës, askush s’mund t’ia
pastrojë CV personale apo të partisë, askush nuk mund t’ua manipulojë apo zvogëlojë
kontributet që kanë dhënë nën diktaturë, sepse këto përpjekje janë njësoj me
krimet. Ata kanë dhënë mendime politike, dënime politike, kanë ekzekutuar
vendimet politike, por edhe nga ata që kanë justifikuar sistemin, si në rastin
e Verës hebreje, ‘zëre se të ka shkuar vajza me pushime’.
Komunistët
kanë bërë shumë vrasje, por këtu në fund dua të kujtoj dy nga torturat makabre
që janë praktikuar në burgjet shaiptare, futja në të njëjtin thes njeriun dhe
macen dhe mbyllja e grykës së thesit, dhe aty macja bënte kërdinë apo tredhja e
meshkujve dhe femrave. Doja të dija se cila do të kishte pasë qenë justifikimi për
këto krime i elementëve të sistemit, apo cili është ai tani? Ishte koha? Ishte sistemi? E bëri
Enveri, e bëri Nexhmija? E këtu ndërgjegja jonë merr fund, kur ne i pranojmë.
No comments:
Post a Comment