Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, August 14, 2010

Interviste me Abdi Baleten

Ish-deputeti tregon se pse ortodoksët donin largimin e Hajdarit

Baleta: Ja arsyet që më çuan në largimin nga PD-ja

“Pa radikalët Berisha nuk do ta kishte arrestuar kurrë Nanon”


Abdi Baleta shpjegon shkaqet që sollën largimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në fund të 1990, anëtar i Forumit të të Drejtave të Njeriut, ndërsa në 1991-in gjendet në listat e deputetëve të PD-së në Berat, ku edhe fiton. Por, ai nuk është bërë asnjëherë anëtar i kësaj partie dhe shpreh faktin pse ishte radikal në qëndrimet e tij brenda PD-së. Si e kujton ai Azem Hajdarin, Berishën, Meksin, Imamin dhe të tjerët.
Jeni shkarkuar si anëtar i Partisë Demokratike?
Nuk kam qenë anëtar i Partisë Demokratike. Kam qenë pjesëtar i Forumit të të Drejtave të Njeriut, që ka qenë forca e dytë opozitare dhe kemi qenë në marrëveshje me Berishën. Ai është krijuar menjëherë pas PD-së dhe anëtarë të saj kanë qenë Arben Puto, Kujtim Çashku, nënkryetar, Neshat Tozaj, Besnik Mustafaj, Remzi Lani, Rustem Gjata, Ylli Popa, Zana Shuteriqi, unë kam qenë sekretar dhe më vonë erdhën Kristo Frashëri dhe Manol Konomi; më pas, Ilir Rusmali si sekretar teknik. Ky forum pati një ndikim të madh atëherë. Ramiz Alia bëri një përpjekje që në këtë forum të përfshinte dhe disa të tjerë si Luan Omarin, Osman Krajën, ndoshta dhe Hamit Beqjan. Por, unë e kam kundërshtuar futjen e këtij grupi në forum. Për këtë forum ka ndihmuar ndjeshëm dhe zonja Beker, një norvegjeze, që fatkeqësisht nuk jeton më, pasi u vra nga dora e një shqiptari. Kjo na ka ndihmuar në lidhjet tona me institucionet ndërkombëtare. Në momentin që në këtë grupim filluan grindjet, unë kalova direkt në aktivitet politik dhe vura kandidaturën për deputet në Berat, si i Partisë Demokratike.
Pse nuk u bëtë anëtar i PD-së?
Isha dakord të isha anëtar. Historia e kësaj çështjeje ka lidhje me aktivin e shkurtit 1991. Në shtëpi më vjen shoferi i PD-së, i vetmi shofer që ishte, me një makinë ‘Fiat’ rrangallë dhe më ka thënë se më kërkonte urgjent Saliu. U nisëm dhe për çudi, ai nuk mori për nga rruga ‘Fortuzi’ ku gjendej selia, por nga ana e Lanës dhe më tha se do të shkonim në një vend tjetër. Shkuam afër ATSH-së, në një pallat aty afër. U ngjitëm në katin e fundit, i ra ziles, u hap dera, ishte shtëpia e Arben Imamit. Kur hyra brenda gjeta Saliun, Arbenin, Azemin. Ata më thanë se po prishet PD-ja. Pasi tri ditë më parë ishte bërë një mbledhje konspirative dhe e kishin shkarkuar nga komisioni nismëtar dhe ishte vendosur Aleksandër Meksi. Që të jem i sinqertë, PD-ja që në lindje të saj ka filluar me luftë klanore. Ishte grupi Pashko, Meksi, Zaloshnja, Ruli, që donin patjetër drejtimin e saj dhe Saliu, që kishte mbështetjen e Preç Zogajt, Imamit, Azemit; Eduard Selami më ka lënë përshtypje se nuk ishte as këtej e as andej. Ata më thanë se do bëhej aktiv nga dy përfaqësues të çdo dege, komisioni nismëtar dhe disa aktivistë, që do të zgjidheshin deri në zhvillimin e kongresit. Ishin 26 kandidatura për këtë komision, kam pranuar të jem unë dhe Rustem Gjata. Me të mbaruar takimi në shtëpinë e Imamit, Saliu më porositi që “sot mos iu ndaj Azemit”. Ai ishte shumë i zëmëruar. Me Azemin dhe Imamin kemi shkuar te greva e studentëve, rrugës takuam dy studentë, që më vonë mësova se ishin Arben Lika dhe Arian Manahasa dhe më thanë se nga PD-ja u kishte shkuar porosia që të ndërpritnin grevën e urisë. Unë u thashë që duhej të vazhdonin, se në një vend ku fiket zjarri, nuk ndizet më. Në orën 13:00 është bërë mbledhja në sallën e Bibliotekës Kombëtare dhe Azemi nuk donte të hynte sepse ishte tejet i zemëruar. Në presidium ishte Berisha, Pashko, Selami, Meksi dhe Azemi. Berisha foli në përgjithësi, Pashko bëri një raport për takimet që kishte pasur në Europë, por vetëm Ibrahim Rugovën kishte takuar. Pastaj ka folur Ruli diçka dhe Preçi u shpreh se mbaroi edhe puna e studentëve. Jam ngritur dhe e kam kundërshtuar Preçin, pas meje është ngritur Azemi, i cili ka shpërthyer. Eduard Selami i thotë se “kemi vendosur që të mos i nxjerrim në aktiv këto probleme”. U ngrita në këmbë dhe thashë që “e dëgjuat, byroja politike ka vendosur që të mos i diskutojnë problemet në Komitet Qendror dhe unë tërheq kandidaturën time”. Azemi ishte në listë, por e kishin vënë shumë poshtë dhe rrezikonte që të mos zgjidhej. Dikush nga salla tha se “kështu nuk bën”. Më kërkuan arsyet dhe unë ua shpjegova. “Kam lindur më 1941, por më duket vetja sikur kam lindur më 1924-ën, kur të nesërmen e atij të ashtuquajtur ‘revolucion të qershorit’, e para që bëri Noli ishte që të nxirrte në pension Bajram Currin. Këtë doni të bëni ju me Azem Hajdarin”. Kam dalë jashtë nga salla dhe kjo ishte për të mbështetur Hajdarin. Ishte e vërtetë që po përsëritej viti ‘24 në politikë, se një grup ortodoks synonte që të merrte kryesinë.
Pra, dhatë dorëheqjen nga grupi?
Jo, ai titull është gabim, nuk dhashë dorëheqjen, thjesht u largova nga grupi parlamentar së bashku me zotin Kalakula, ai për arsyet e veta, duke qenë se ishte dhe kryetar i PD-së së Tiranës, ndërsa unë, për të miat. Nuk e njihja si njeri më përpara, por u bashkuam në mendime, se edhe ai i përkiste krahut radikal dhe kjo ishte gjë e mirë për kreun e një partie të kryeqytetit. Kjo shtresë ka pasur kontributin e vet në disa ngjarje politike, siç është presioni që iu bë Cekës pas takimit me Ramiz Alinë, apo për arrestimin e Nanos. Atë e arrestoi shtresa radikale e PD-së, se Berisha nuk e bënte dot një gjë të tillë. Ishte koha e radikalizimit të PD-së dhe duhej të kristalizohej, dhe ne ishim për këtë.
Cilat ishin arsyet për largimin tuaj?
Ishin disa, por po përmend një pjesë të tyre: çështja kombëtare. Në atë kohë po i bëheshin shumë lëshime Greqisë nga ana e qeverisë shqiptare; trajtimi që po i bëhej minoritetit grek, çështja e Kishës Ortodokse dhe caktimi i Janullatosit si kryepeshkop. I kishim kërkuar qeverisë që ta njihte republikën e Kosovës që në 1991-in, këtë njohje duhej ta bënte qeveria dhe jo parlamenti, gjë që nuk e bëri. Bëmë luftë për ta përjashtuar ‘Omonia’-n si subjekt politik, se në zgjedhjet e 1992-it donin ta përfshinin si të tillë një organizatë dhe nuk kemi pranuar, si dhe çështja çame. Për këtë çështje nuk kemi kërkuar si tani kthimin e pronave apo kompensimin, jo, kemi kërkuar kthimin e çamëve në tokat e tyre, ashtu siç u kthyen kosovarët kur erdhën në Shqipëri pas konfliktit me Serbinë. Ndërsa çështjet e tjera: ka qenë ligji i tokës, 7501, shitblerja e tokës.
Më 19 korrik të 1991-it, unë dola kundër PD-së në Kuvend, sapo isha kthyer nga Amerika. Kisha lexuar ligjin për tokën, ku thuhej që toka të ndahej për frymë, unë dola kundër duke u shprehur se toka duhet t’u kthehet pronarëve. Thashë në Këshillin Kombëtar të PD-së se po bënin dy gafa të mëdha, “po fusni popullin në vëllavrasje dhe po bëni lojën e Greqisë”. E për këtë nuk më ka mbështetur njeri, vetëm më kanë sulmuar. Faji nuk ka qenë vetëm i Berishës, fajin e parë e ka Ramiz Alia, pastaj Fatos Nano, Berisha, Meksi, Imami e të tjerë. Këtu ndahej e majta dhe e djathta në Shqipëri.
Ju jeni shprehur edhe kundër Qeverisë së Stabilitetit. Pse keni mbajtur këtë qëndrim?
Jo vetëm kam qenë kundër, por edhe kam punuar dhe jam përpjekur për rrëzimin e saj. Arsyeja ishte e thjeshtë, me këtë qeveri do të zhdukej pluralizmi në vend, si dhe do të vazhdonte të ishte aktiv në politikë Ramiz Alia, i cili në 1991-in vazhdonte të ishte president i vendit.
Deputetët demokratë kanë kërkuar që ju të ndiqeni penalisht për tradhti kombëtare. Cila ishte kjo tradhti zoti Baleta?
Ishte me rastin e miratimit të ligjit “Për të drejtat e njeriut”, që për fat keq, e kanë harruar shqiptarët. Në prill të 1993-it kërkohej me urgjencë një ligj për të drejtat e njeriut. Ishte ligj që kërkonte 3/5 për t’u miratuar. PS-ja e kishte bojkotuar parlamentin për arsye të tjera. Ishte PD-ja dhe PSD-ja në parlament. Madje, drejtuesit e PD-së i kanë mbledhur deputetët e vet ku ishin dhe ku nuk ishin. Zef Brozin e detyruan të ndërpriste specializimin në Francë, për të qenë i pranishëm në parlament se nuk kishin numrat. Ligji po miratohej nen për nen, kur në një moment ngrihet deputeti grek Makariadhi dhe bën një amendament me një formulë të gjatë, por që thelbi ishte që shqiptarët kanë të drejtë ta zgjedhin dhe ta deklarojnë se çfarë kombësie i përkasin. U bë heshtje. Prita reagim nga deputetët e tjerë, se mendova se ky e kishte bërë këtë propozim nga koka dhe grupi i tij. Kryetari i parlamentit, i ndjeri Arbnori hodhi dy herë sytë nga salla dhe meqë nuk pa kundërshtime, kërkoi që ta hidhte në votim. Atëherë u ngrita dhe i thashë se “në çfarë votimi do e hedhësh ti, nuk e merrni vesh që është shkatërrimi i kombit dhe që është amendament antishqiptar, se me këtë ligj të gjithë emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi, deklarojnë brenda 24 orëve se janë grekë!”. U thashë që juridikisht dhe politikisht është e papranueshme. Kombësinë e cakton Zoti dhe jo ligji, shtetësinë e cakton ligji. Pastaj janë ngritur kryesia e PD-së dhe kanë mbështetur Makariadhin dhe e hodhën në votë. Dhe në sallë, pa biseduar me njeri më përpara, u bëmë tre vetë: unë, Uran Butka dhe Shefqet Hoxha, deputeti i Kukësit. Dhe ky amendament nuk u votua për dy vota. Ky ligj shkaktoi reagime nga grekët, nuk u nënshkrua traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Po Berishën e keni mbështetur në këtë rast apo në rastet e tjera?
Berishën e kam mbështetur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera. Por edhe e kam kundërshtuar më shumë se askush tjetër. Deri në vitin 1993, radikalizmin e ka dashur edhe ai vetë, por pastaj u tërhoq dhe vendosi largimin tonë.

No comments:

Post a Comment