Bufi: Ligji i gjenocidit u shpall antikushtetues
Ylli Bufit, kryeministrit të Shqipërisë për gjashtë muaj në 1991, iu ndalua të kandidonte më 1996 në zgjedhjet e përgjithshme për shkak se kishte mbajtur në nomenklaturën e vjetër këtë post. Ai shprehet se ligji i gjenocidit shpejt u shpall antikushtetues dhe për të maxhoranca pati një presion të madh nga faktori I brendshëm dhe ai I jashtëm.
Si ju duk vendimi i komisionit Mezini në vitin 1996, vendim që ju la jashtë listave të kandidatëve për deputet?
Sigurisht, që nuk ishte një vendim i drejtë. Vetë ligji i genocidit ishte një ligj antikushtetues dhe këtë e provoi edhe vetë gjykata Kushtetuese pak më vonë.
Po pse mbetët jashtë ju zoti Bufi?
Në bazë të kritereve, të gjithë ministrat dhe funksionarët e lartë, pavarësisht veprimtarisë së tyre nuk do të ishin pjesë e listës së kandidatëve për deputet. Ligji në fjalë kishte vendosur këto kritere.
Ju nuk morët pjesë kur maxhoranca miratoi një ligj të tillë…
Një ligj të tillë në fakt e bëri maxhoranca me votat e saj dhe e bëri për luftë politike. Një fakt i tillë u denoncua nga të gjithë faktorët e brendshëm dhe pati një presion të madh nga ndërkombëtarët në atë kohë për ligjin në fjalë. Pastaj, maxhoranca manovronte në mënyrë të tillë, përcaktonin individët që donin të eliminonin dhe bënte formulimet përkatëse.
Ndërkohë, ende nuk ka mbaruar çështja e hapjes së dosjeve dhe pastrimit të politikës në veçanti dhe të shoqërisë në përgjithësi, nga ata që u quajtën “spiunë”?
Hapjen e dosjeve e duan që të gjithë, por me rregulla të përcaktuara qartë. Por, deri më tani të gjitha ligjet që janë hartuar për largimin e spiunëve nga shoqëria kanë pasur vetëm një objektiv, mënjanimin e disa kundërshtarëve.
Cani: Më futën në ligjin për gjenocid
Thua se kisha vrarë miliona njerëz
Shkëlqim Cani, aktualisht pjesë e Këshillit Ekonomik pranë PS-së thotë se emri i tij u përfshi në listën e komisionit Mezini vetëm se kishte qenë zëvendëskryeministër nga shkurti i 1991 deri në qershor të po atij viti. Përfshirja në ligjin e gjenocidit, nuk ishte diçka e pëlqyeshme, sepse dukej sikur kishte vrarë me miliona njerëz.
Zoti Cani, u përjashtuat nga lista e kandidatëve për deputet në 1996 nga komisioni i verifikimit të figurave, ose siç njihet ndryshe si komisioni Mezini. Cili ishte motive i këtij përjashtimi?
S’ishte ndonjë motiv i madh. Më larguan sepse kisha qenë zëvendëskryeministër në kohën e qeverisë së Nanos.
A e ankimuat një vendim të tillë?
S’kisha se çfarë të ankimoja. Ligji ishte i qartë për ata që kishin qenë funksionarë të lartë në qeveritë e mëparshme. Mua më futën në ligjin për gjenocide, thua sikur kisha vrarë miliona njerëz.
Çfarë mendoni për hapjen e dosjeve dhe pastrimin e shoqërisë nga spiunët e regjimit komunist?
Çështja e hapjes së dosjeve më është dukur gjithnjë si një lojë. Nuk e kupton se ku fillon e vërteta dhe gënjeshtra, nuk ka një kufi për këto. Por mendoj, se kjo çështje mban nën presion disa individë, të cilët kanë pasur dhe kanë dosje. Për mendimin tim këto iniciativa nuk kanë pasur asnjëherë qëllim të mirë.
A jeni i bindur se politika shqiptare ka ende spiunë të regjimit të kaluar?
Patjetër që ka. Ata mbahen nën tutelë nga politikanët e lartë dhe përdoren shpesh si mish për top, gjithnjë kur lind nevoja për të sulmuar kundërshtarin.
No comments:
Post a Comment