Prapaskenat e një largimi, që u komentua si çështje korrupsioni
Zogaj, si qëndrova vetëm dy muaj në qeverinë e Metës
“Meta më kërkoi falje kur nuk ishte Kryeministër”
Preç Zogaj flet për largimin e tij nga qeveria e Metës në vitin 2000. Ai qëndroi vetëm dy muaj si ministër i Shtetit në këtë qeveri për t’u larguar më pas më 10 janar të vitit 2000. Ai thotë se nuk është e vërtetë që është larguar për korrupsion, motivi i shkarkimit ishte “për mos bindje civile”. Zogaj pohon se fillimisht iu afrua posti i ministrit të Kulturës që e mbante Edi Rama, por ai nuk e pranoi, pasi u ishte shprehur se nuk do të gjenin më të mirë se Rama në postin ku ai ishte.
Zoti Zogaj, kush ju propozoi që të ishit pjesë e qeverisë socialiste dhe cilin post iu afruan?
Ishte nëntori i 1999, kur Ilir Meta dhe Fatos Nano më thirrën në zyrën e këtij të fundit, i cili ishte ende Kryeministër. Ajo periudhë kohe kishte përkuar me zhvillime në Partinë Socialiste. Nano kishte fituar në Kongres ndaj Majkos, të cilin e largoi. Meqë Majko doli rival i Nanos, ky i fundit vendosi ta largonte, pasi kishte përshtypjen se Majko kishte ambicie për t’i marrë partinë. Prandaj ai kishte afruar zëvendëskryeministrin Meta, të cilin do t’i linte vendin e kryeministrit. Ata të dy më thirrën në zyrën e kryeministrit dhe më propozuan që të merrja postin e ministrit të Kulturës në ndryshimet e reja qeveritare që do të bëheshin. Unë vazhdoja të isha këshilltar i presidentit Meidani, të cilit i kisha lënë të kuptoja se duhej të largohesha pasi e kisha përmbushur detyrën time në atë vend. Edhe Meidani kërkonte të njëjtën gjë, por largimi im të bëhej me ngritje në detyrë.
Pse jua propozuan postin në fjalë?
Arsyeja që ma propozuan postin ishte se ata donin ta largonin me patjetër Edi Ramën nga ky post, meqë ishte ende në këmbë debati për ligjin e teatrit dhe nga reaksioni negativ që kishte shkaktuar ky ligj te komuniteti i artistëve. Nuk e di se ku qëndronte problemi dhe pse donin realisht ta largonin Ramën, pra nuk i dija arsyet e tjera. Kur përmendën ligjin për teatrin e konfliktin me komunitetin e artistëve, u thashë se nuk gjenin më të mirë se Rama për ata post dhe se ligjin e kisha lexuar dhe ishte i mirë. Ai ligj ishte i pranueshëm për mua. Më kërkuan që kur të isha në këtë post të mund të negocioja me artistët, meqenëse isha më pranë tyre. U thashë se nëse bëhet fjalë për ligjin, unë nuk ndryshoj mendim, por nëse keni arsye të tjera atëherë ndryshon puna, por për këtë jo.
Po më pas çfarë ju propozua zoti Zogaj?
U ndamë dhe pas pak më mori në telefon Ilir Meta, kësaj radhe më merrte nga zyra e presidentit Meidani dhe më tha se ishte hapur një vend tjetër për mua dhe më propozuan postin e ministrit të Shtetit pranë Kryeministrit.
Dhe ju e pranuat?
E pranova postin me gjysmë zemre dhe e pranova për dy arsye edhe për Meidanin dhe për PAD-në, e cila ishte në koalicion me PS-në dhe ma kërkonin përfaqësimin në këtë qeveri të re.
Meqë këmbëngulën aq shumë për t’ju marrë në qeveri, pse u prishën marrëdhëniet me personat që ju propozuan?
Kriza ime me Ilir Metën në qeveri është vetëm një krizë që erdhi nga mospërcaktimi i detyrave që do të bënte ministri i Shtetit. Unë përgatita një platformë të funksionimit të këtij posti, duke u përqendruar kryesisht te anti-korrupsioni, te marrëdhëniet me institucionet e pavarura dhe për një politikë të re për sipërmarrjet. Thirra si këshilltar një djalë që kishte mbaruar studimet në Francë dhe jetonte atje, Genc Burimi dhe së bashku e hartuam këtë platformë që në fund të fundit na e kishte kërkuar dhe vetë Kryeministri Meta.
Dhe a u miratua platforma?
Prisja që ai ta firmoste një platformë të tillë dhe të më jepte fuqi ligjore. Po ai e mbante në sirtar dhe nuk e firmoste. Shkoja në mbledhje qeverie, por më tepër në rolin e këshilltarit, të atij që dëgjon dhe jo që jep mendim, apo diskuton.
Çfarë ndodhi më pas?
Në këtë kohë kishin lindur kontradiktat e para mes Metës dhe Angjelit. Ata kishin probleme me Zef Preçin, që atëherë ishte ministër i Ekonomisë. Çarja mes tyre ndodhi për shkak të licencave të karburanteve. Detajet e kësaj çështjeje nuk i dija, por unë mbajta anën e Preçit dhe mendoja se Angjeli nuk kishte pse të ndërhynte pasi ministër linje ishte Preçi. Këtij të fundit po i bënin presion dhe nga qarqet greke që ishin të interesuara për të mbajtur monopolet e karburanteve. Arsyeja kryesore e zemërimit të Metës me mua ishte pikërisht kjo mbështetje që i dhashë Preçit. Ai organizoi brenda ditës një kontroll në zyrën e Preçit dhe gjeti diçka, por që më vonë u vërtetua se ishte fabrikim, pasi pretendimet e kreut të qeverisë dhe të këtij kontrolli i rrëzoi gjykata.
A komunikuat ndonjëherë me Kryeministrin Meta, për çështjet që ju ndanin?
Për shkak të këtyre acarimeve i thashë njëherë në një mbledhje qeverie se pa asnjë detyrë nuk kam se çfarë të bëj më këtu. I thashë se nuk bredh me makinën dhe të marr të mirat e këtij posti pa bërë asgjë. Ai m’u përgjigj; ç’punë ke ti, bridh.
Me çfarë pune merreshit ndërkohë që nuk kishit asnjë kompetencë ligjore?
Ndërkohë po përgatisja një platformë për biznesin në një këndvështrim tjetër, pa i rënë ndesh ministres Ermelinda Meksit. Ishte një platformë që synonte hartimin e një strategjie rajonale, gjë që filloi të funksiononte me projekte në Shkodër, me idenë për ta bërë më pas strategji kombëtare. Për këtë i kërkova sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit Qirjako Qirko që të më mundësonte një kopje të një vendimi qeverie të miratuar pasi më duhej për këtë platformë. Por, në vend që të ma jepte këtë, pasi është një e drejtë që ia siguron ligji çdo qytetari të thjeshtë, jo më një ministri, ai shkon dhe i thotë Metës se Zogaj më ka kërkuar filan vendim qeverie. Kështu, filloi të krijohej një atmosferë pabesie dhe komploti rreth meje. I shihja që nuk ishin miqësorë ndaj meje.
Dhe si u soll Meta në këtë rast?
Për këtë çështje më thërret Meta një ditë në zyrën e tij dhe më pyeti se ç’të duhej ai vendim, pse e ke kërkuar. I thashë që Qirjako para se të vinte te ti, duhej të ma kishte sjellë mua kopjen e vendimit. Më pas u shkëmbyen batuta të rënda mes njëri-tjetrit, deri në sharje. Meta në vend që t’i thoshte Qirjakos pse vjen e më raporton për këto gjëra, më thërret mua që të dinte arsyen se pse më duhej vendimi. Por, ne na shikonin më tepër si mish të huaj në këtë qeveri. Pas këtij incidenti ai më futi në listën e të larguarve për thyerje disipline. U ndjeva i tepërt, pasi nuk më jepte detyra, më jepnin të bëja konferenca shtypi që të lustroja figurën dhe imazhin e Metës. Ilir Meta, siç u pa më vonë ishte nisur në rrugën për ta ngritur korrupsionin në sistem, ky është përcaktim zyrtar që bënë institucionet ndërkombëtare. Ai i la trashëgim qeverisë së Nanos korrupsionin, të cilin ai e ngriti edhe në një shkallë më të lartë, duke e përcaktuar qeverinë e tij si e kapur nga korrupsioni, gjithnjë sipas përcaktimeve të Transparency International. Edhe me Berishën është kthim prapa, s’jemi akoma aty ku u nisëm me Nanon.
Po më vonë, a u përballët me zotin Meta për këto çështje?
Në kuadër të këtij pragmatizmi që e karakterizon Meta, ku asgjë nuk është e vërtetë, apo ku e vërteta ndërron vendin me gënjeshtrën, më ka kërkuar falje më vonë, por në atë kohë nuk ishte Kryeministër. Dhe unë i kam thënë atëherë se të mos më kërkojë falje se edhe unë doja të largohesha.
Pse donit të largoheshit?
Në atë kohë po mendoja me të vërtetë largimin për t’u kthyer në shtëpi dhe ky mendim ishte pjekur edhe në Partinë Aleanca Demokratike, unë e mbështeta këtë ide dhe i dhashë shtysë kësaj gjeje. Doja të kthehesha se nuk e duroja që të fryhej një opozitë brenda opozitës. Një opozitë fiktive, opozitë e klonuar. Ishte koha kur Genc Pollo dhe Tritan Shehu po iknin nga partia dhe mendova që si balancim i këtij largimi të ktheheshim ne. Por, Berisha i promovoi këto ikje në ditët e këqija.
Gilmana Bushati
No comments:
Post a Comment