Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, October 14, 2010

Interviste me Elsa Ballaurin

11 vetë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut

Ballauri: Ramizi donte të na dublonte me një grup tjetër

“Politika na dëmtoi shpesh herë në punën tonë”

Elsa Ballauri, një nga veprimtaret e Forumit të të Drejtave të Njeriut, themeluar menjëherë pas partisë së parë opozitare, tregon emocionet dhe kujtimet e saj për këtë ngjarje. Sipas saj, inisiativa ishte e Kujtim Çashkut, inisiativë që u përshpejtua për shkak se Ramiz Alia u kishte kërkuar disa intelektualëve të tjerë krijimin e një shoqërie, pothuajse të ngjashme. Në këtë intervistë, ku ajo për herë të parë flet për Forumin, Ballauri tregon dhe se si bëheshin dhe ku bëheshin mbledhjet e forumit, kush nuk pranohej në këtë organizatë, si I konsideronin forumin partitë politike. Pengu I saj është që nuk u arrit të ngrihej një strukturë thellësisht e pavarur nga politika.
Zonja Ballauri si u krijua Forumi i të Drejtave të Njeriut dhe kush ishin nismëtarët e tij?
Megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë, më duket sikur historia e së parës organizatë joqeveritare, është një histori akoma shumë e afërt, sikur sapo ka ndodhur. Ndoshta kjo vjen ngaqë momentet e atëherëshme kanë qënë shumë të forta emocionalisht, kanë lënë një gjurmë të madhe tek secili nga pjesëtarët e saj ose janë shndërruar tek disa në vetë jetën dhe punën e përditshme që bëjnë. Personalisht ndjej se i kam të dyja anët: ai forum u bë më pas pjesa më e rëndësishme e jetës sime shoqërore dhe ende më mban shumë mirë emocionalisht…Forumi ishte një ide e dhjetorit të vitit 1990. Ka qënë një nismë e Kujtim Çashkut dhe Neshat Tozajt, të cilët thirrën më pas Besnik Mustafajin. Ata të tre na thirrën ne të tjerëve: Manol Konomin, jurist, Ylli Popën si intelektual qe kishte folur dhe botuar një shkrim me kritika të forta kundër pushtetit komunist, Arben Puton si një specialist i së drejtës ndërkombëtare, mua, Zana Shuteriqin, Remzi Lanin, Abdi Baleten, Rustem Gjatën. Këto kanë qënë edhe 11 firmat që u depozituan në Ministrinë e Drejtësisë për regjistrimin e organizatës. Eshtë interesante të thuhet se tamam ato ditë, Ramiz Alia kishte kërkuar nga disa juristë të ngrinin një shoqatë për mbrojtjen e të drjetave të njeriut. Për këtë iu ishte kërkuar ndihmë edhe Putos dhe Popës. Kjo na bëri të shpejtonim në krijimin e asaj që donim të ngrinim vetë dhe mbledhja e parë e kësaj organizate u zhvillua me urgjencë në hollin e hotel Dajtit, ku Arben Puto u zgjodh kryetar. Mbaj mënd që lajmin e parë e dha BBC në informacionet e mëngjesit.
Kush e hodhi i pari idenë për domosdoshmërinë e krijimit të këtij forumi?
Ishte një ide e ardhur kryesisht nga Cashku që së bashku me Tozajn menduan të thërrisnin të tjerët. Megjithatë, mendoj se ka qënë një ndjesi e njëjtë tek të gjithë ne. Ishte një periudhë ku bisedat anti sistemit zinin përherë e më shumë kohën e takimeve tona letrare apo artistike.
Në cilën zyrë, institucion, apo vend publik i keni bërë mbledhjet e para dhe cila ishte tema e debatit të mbledhjeve të para?
Lokalet në atë kohë ishin të pakta dhe sidomos të ruajtura me kujdes. Megjithatë mblidheshim shpesh tek hotel Dajti. Por kerkesen e parë e kemi formuluar ne Lidhjen e shkrimtareve, madje ka qënë pasdite vonë dhe mesa mbaj mend edhe zyrat ishin të mbyllura kështu që punuam nëpër koridore. Në atë takim diskutuam dhe vendosëm edhe për emrin e organizatës: Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Me vone mbledhjet I benim kryesisht nëpër shtepi, sidomos ne atë të Ylli Popes, Arben Putos, Çashkut.
Kush ishin anëtarët kryesorë të këtij forumi dhe pas krijimit a u afruan të tjerë?
Sikurse thashë firmëtarët e parë ishin 11 vetë, por më vonë erdhën edhe të tjerë: Fatos Lubonja, i sapodalë nga burgu, Isuf Vrioni, Piro Misha, Ilirian Zhupa.
A pati raste kur nuk u pranuan anëtarë dhe cilat ishin arsyet e mospranimit të tyre?
Mospranimi ishte kur njerëzit angazhoheshin nëpër parti, pra kur kishte një pozicionim politik të tyre.
Cili ishte statusi forumit, a u ngrit ai në një nivelin e një forumi këshillimor, apo ishte thjeshtë vëzhgues?
Puna e forumit ka qënë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e gjithanshme. Ishim pa përvojë në konceptin e organizatave të pavarura, madje diskutimet mbi konceptin e pavarësisë ndryshuan edhe strukturat e mëvonshme të Forumit kur shumë vetë u larguan për shkak të bindjeve të ndryshme me të tjerët.
Ne atë kohë forumi kishte për synim lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe dihet që kjo nuk ndodhi menjëherë për shkak të frenimit që i bënte mentaliteti komunist dhe ligjet në fuqi. Puna që u bë nëpër burgje nuk ishte vetëm vëzhgim, ishte një protestë e fuqishme që funksionoi shumë mirë në shumë raste.
Pjesë përbërëse e këtij forumi ishin anëtarë qoftë pjestarë të partisë së punës, por edhe anëtarë të partisë më të re, asaj demokratike. Sa ishte e vështirë të merreshin vesh në këtë forum këto dy palë kur shoqëria ishte tejet e politizuar?
Forumi nuk funksiononte në bazë hierarkie. Secili anëtar ishte i motivuar thellësisht për të punuar, nuk kishte rroga, puna bazohej mbi vullnetarizëm. Kjo e bënte pavarësinë e secilit shumë të fortë dhe bashkëpunimin shumë të natyrshëm. Nuk priteshin urdhëra nga kryetari për të ndjekur një ngjarje, çdo gjë bëhej shumë shpejt, në kohën e duhur. Natyrisht që kishte debate, të forta madje, por secili anëtar kishte personalistetin e vet dhe mendoj se pikërisht kjo e bëri punën tonë të spikaste. Sa për shoqërinë e politizuar, ajo është e tillë edhe tani, por kini parasysh që atëherë njerëzit besonin me më shumë forcë dhe sinqeritet dhe ata që punonin, punonin po ashtu, me shumë pasion. Ishte fillimi i ndryshimeve dhe megjithëse politika u ngatërrua shpesh në punet e forumit, madje në njëfarë mënyre e dëmtoi atë, dëshira për t’i ndryshuar gjërat ishte kaq e madhe tek të gjithë, sa puna që bënte organizata merrte një rëndësi shumë të madhe në aspektin konkret dhe psikologjik.
Cila ishte puna e parë e këtij forumi dhe anëtarët e tij a ishin të vetëdijshëm se niveli i respektimit të të drejtave të njeriut në atë kohë ishte tejet i ulët?
Për fat të keq ne aspektin e të drejtave të njeriut nuk ka një ndryshim shumë të madh në Shqipëri. Pavarësisht se në atë kohë flitej për veprime më të mprehta dhe shkeljet ishin shumë brutale dhe ekstreme, njohuritë dhe koncepti mbi të drejtat e njeriut, ishin shumë afër këtij të sotmit. Shqipëria ka zhvillim të madh në shumë fusha, por jo aq sa duhet në të drejtat e njeriut.
Sikurse përmenda, çështja e burgjeve ishte një nga prioritetet e para dhe me këtë jemi marrë shumë në atë kohë.
Çfarë doni të harroni dhe çfarë doni të kujtoni nga pjesmarrja në këtë forum në ato vite?
Dua të kujtoj pasionin, idealizmin e pafund që kishim për të bërë sa më shumë punë, për të ndihmuar sa më shumë njerëz, për të ndërtuar dhe për të besuar në ëndrra të bukura...Sa për harrimin,...nuk dua shumë të harroj, por me vjen keq për disa gjëra: nuk mundëm të ndërtonim një organizatë model thellësisht të pavarur e cila të mund të mbijetonte si e tillë dhe të bëhej një model i mirë për të tjerët...Ndoshta kjo që kërkoj është shumë sepse historia shqiptare akoma nuk prodhon dot modele të mira…
Pse nuk u kthye ky forum në parti politike, a ju panë partisë si rival i mundshëm dhe i rrezikshëm?
Nuk ka qenë diskutuar asnjëherë ideja e një partie të ardhshme. Madje, diskutimi më i ashpër ishte kur iu afroheshim pa ose me dashje partive....Sa për rivalitetin e partive, ato nuk na shihnin si rivalë, por si pengesë për atë që donin të arrinin vetë. Roli yne ishte të kritikonim dhe asnjë parti në pushtet nuk i ka dashur dhe nuk i do kritikat.
Më çfarë problemesh u mor në kohët e para forumi?
Pas dhjetorit 1990, në vazhdim, në vitin ‘91 ndodhën ngjarje shumë të rëndësishme. Greva e studentëve ka qenë e tillë dhe forumi mori pjesë aktivisht në të, kishte një bashkëpunim të madh me grevistët dhe për herë të parë kjo punë u transmetua edhe në Televizionin Shqiptar.
Gilmana Bushati

No comments:

Post a Comment