Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, October 14, 2010

Interviste me Bardhyl Ficon

Ish-sekretari i feve në Ministrinë e Kulturës tregon për ngjarjet e 2 gushtit 1992

Fico: I kam shkruar Patriarkanës se “nuk duam peshkopë të huaj”

“Janullatosi erdhi te unë, pastaj shkoi te Berisha”

Bardhyl Fico, ish sekretari i Feve në Ministrinë e Kulturës në vitin 1992, hedh poshtë akuzat e bëra atëherë nga Anesti Paskali në një artikull të botuar në Zërin e Popullit më datë 9 gusht të atij viti. Sipas Ficos ai nuk ka pasur ftesë dhe as ka marrë pjesë në ceremoni, por thotë që ka shkuar në Kishë që të tërheqë dy përfaqësues myslimanë si Bardhyl Reson dhe Uran Butkën se ishte përhapur fjala se rrëmujën në këtë ceremoni e kishin bërë ata. Fico gjithashtu zbardh takimin që Janullatosi ka bërë me të në zyrat e shtetit shqiptar lidhur me kërkesën për pranimin edhe të katër drejtuesve të tjerë të kishës ortodokse, por që nuk ishin me kombësi shqiptare. Ish zyrtari, tani në pension, thekson se pas takimit më të, Janullatosi është drejtuar për nga Berisha dhe takimi është bërë mes datave 1 dhe 2 gusht 1992.
Zoti Fico keni pasur ftesë të merrni pjesë në meshën e datës 2 gusht 1992 nga Kisha Ortodoske Shqiptare ku do të fronëzohej kryepeshkop Janullatosi?
Nuk kam pasur ftesë të veçantë me sa di unë.
Keni marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga kjo kishë me këtë rast?
S’kam qenë as unë dhe me sa di unë as Leka Tase.
Ishit njoftuar më përpara se do të bëhej fronëzimi i Janullatosit dhe problemet që do kishte?
E dinim që do të zgjidhej, por se kur nuk e dinim.
Zoti Fico, në gazetën ZP të datës 9 gusht 1992, tregohet se ju keni pasur ftesë zyrtare, me emër dhe mbiemrin tuaj, keni dijeni për këtë?
Është hera e parë që e dëgjoj. Mund të ketë qenë ftesa, por nuk më ka rënë në dorë mua.
Keni qenë pjesë e drekës që shtroi Kisha me rastin e fronëzimit të Janullatosit?
Jo, nuk kam marrë pjesë. Unë shkova më pas në kishë.
Në çfarë ore shkuat të kishë zoti Fico?
Shkova në një kohë kur kishte mbaruar gjithçka. Shkova të merrja Uran Butkën dhe Bardhyl Reson, sepse po trumbetohej se këtë rrëmujë po e bënin myslimanët, prandaj shkova atje.
Po për takimin në presidencë zoti Fico, çfarë mund të na thoni, takim që është bërë më datën 1 gusht duke gdhirë data 2?
Kisha ortodokse kishte ofruar dhe katër drejtues të tjerë të huaj. Për këtë prita në zyrë Janullatosin, të cilit i thashë mendimin tonë për këtë çështje, pasi ka mbaruar takimin me mua, ai ka shkuar në presidencë të takonte presidentin Berisha. Në këtë takim nuk kam qenë.
Cila ishte tema e bisedës me Janullatosin?
Pikërisht emërimi i këtyre të huajve në krye të kishave shqiptare. Ia kam bërë të qartë se ne nuk e pranojmë asesi drejtues të huaj në krye të kishës ortodokse shqiptare. Këtë ia kam dhënë edhe me shkrim si Janullatosit ashtu dhe Patriarkanës, sepse kjo u paraqit si propozim i Patriarkanës. Madje teksti i letrës dërguar asaj ka filluar me këtë ton...”Ne asnjë mënyrë dhe në asnjë kohë nuk do të pranojmë klerikë të huaj në krye të kishave shqiptare...”.
Cili ishte reagimi i tij ndaj këtij qëndrimi?
Reagimi ishte miqësor, megjithëse ai insinuoi lidhur me faktin se kisha katolike drejtohej nga klerikë të huaj, pra jo shqiptarë. Por unë ia kam bërë të qartë se kisha katolike drejtohet nga Vatikani dhe ai përcaktonte vetë drejtuesit e tij. Më pas edhe ai më tha që jam zgjedhur nga Kisha. Pas kësaj bisede ai ka shkuar në presidencë. Ndërkohë kam komunikuar me presidentin Berisha, i cili më pyeti lidhur me takimin me Janullatosin dhe cili kishte qenë qendrimi im. Unë ia bëra të ditur këtë qëndrim, të cilin e kisha bërë edhe me shkrim dhe ai më tha që “shumë mirë ke vepruar”. Por mendoj se edhe Berisha do t’i ketë thënë të njëjtën qëndrim që i kisha paraqitur unë.

No comments:

Post a Comment