Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, November 21, 2010

interviste me Ilir Kadine

Kadia: Ja si e regjistrova fshehtas Xhelil Gjonin

Keni qenë gazetar i gazetës “Zëri i Rinisë”, papritur u bëtë personazh në 1990, kur regjistruat fjalën e Xhelil Gjonit. Si e realizuat një gjë të tillë?
Akrepat e orës sikur kishin ngecur në baltë atë mbasdite të së dielës dhe në divanin e vjetër në guzhinë gropa nga të ndjenjurat ishte bërë më e madhe. S’dija si ta shtyja deri sa të shkonte 8:30 kur do fillonte “Katani”. Befas vjen Nexhati Tafa dhe më shkund me atë që më thotë.
-I kanë rrahur studentët mbrëmë! Na kanë thirrur në Komitetin e Partisë. Do na sqarojnë…
-Çfarë flet. S’ka mundësi…Erdha!
Imë më na doli para. Kujdes na tha, është me shumë rrezik. Babai s’e prishi terezinë. Mora “sonin” me vete dhe e futa në xhepin e brendshëm të palltos.
Para sallës tek rruga Elbasanit, afër Komunitetit Musliman të tanishëm, takuam Spartak Pecanin. Mbledhja ishte me drejtuesit politikë të institucioneve dhe mua nuk më lejohej hyrja, por Nexhatiu dhe Spartaku më futën në mes dhe kaluam me buzëqeshje rojet tek dera që kishin merak pjesëmarrjen.
Jashtë ishte bërë natë pa drita rrugësh. Hyn Xhelil Gjoni. Nga brenda xhepit, ku tani mbaj kuletën, shtyp butonin e kuq të “Sony”-it. Zemra sa nuk dilte vendit dhe kisha merak se inçizimi do të prishej nga trokitjet e saj.
Xhelil Gjoni ishte atëhere sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, figura e dytë, pas Ramiz Alisë, por flitej se ai ishte de facto numri një sepse Nexhmija e besonte shumë, si dibran që ishin. Unë s’e kisha parë ndonjëherë nga afër, por bëmat ia kisha dëgjuar.
Çfarë do të thoni me ‘bëma’?
Një miku im, i ndjeri Kujtim Spahivogli në ‘82-shin në Bërzhitë kur erdhi nga internimi më thosh se nuk e kish inatin me Enver Hoxhën se sa e kish me Xhelil Gjonin. Ai dërgoi tanksin (i thosh traktorit, regjisori i madh Kujtim Spahivogli) për të më prishur shtëpinë tek rruga ‘Bardhyl’ kur më dënuan e për pak më shtypi nënën. Është xhahil e shkuar xhahilit shoku Xhelil!-thosh njeriu i mirë Kujtim Spahivogli që ndikoi aq shumë në botën time.
Cili ishte qëndrimi i Xhelil Gjonit në mbledhje?
Xhelili tha se “mbrëmë studentët kishin bërtitur për drita. Si na ikën të gjithëve u ikën dhe atyre apo jo?!..Dhe kishin bërtitur jo vetëm në dhomat e tyre por edhe jashtë, nëpër rrugë. Dhe kishin dashur të shkonin edhe në shesh. Ne nxorëm ca policë dhe u futëm ca shkopinj bythëve. Nuk nxorëm tankse, se nuk ish nevoja, por edhe ato i kemi. Studentët janë fëmijët tanë, por pas tyre kuptohet kush fshihet. E kuptoni apo jo?! Armiku, s’ka fjalë tjetër. Situata është delikate, shumë delikate. Shoku Ramiz po merret vetë me të! Unë ju thirra se ata studentë kanë prindër, vëllezër, motra, të afërm. Ju mund të dëgjoni fjalë të tjera. Po kjo është e vërteta. Shkoni dhe sqaroni njerëzit. Partia lart është shumë e shqetësuar. Tani ka zëra se ata do duan të dalin prapë në shesh, por le ta provojnë po jua mbajti!”. Xhelili iku si era.
Kujt ia thatë së pari që ju e kishit rregjistruar drejtuesin e partisë?
Me Nexhatin dhe Spartakun u shtymë të dalim sa më shpejt. Bëmë për nga qendra. Afër mapos së këpucëve u thashë zë ulët. E inçizova! Ata të dy në një gojë: - Vërtet! Je i modh, qe palla!
Shkuam në shesh. Kish njerëz jo pak, por jo gjullurdi. U vërtitëm me kasetën në xhep. Të kesh t’ia çosh Elez Biberajt! Si thua i merr 2000 dollarë?-i pyeta. “Ç’a thua”, ku ka të paguar kjo!- thosh Tak Pecani. “Atëhere për një vit rakinë me qepë nga liqeni e kini nga unë.” E kishim bërë zakon që gati çdo ditë “drekën” ta hanim të tre nga liqeni me raki dhe qepë. Njëherë i katërt bëhej Lul Minxhozi, njëherë Besnik Bisha e ndonjëherë Genc Pollo. Pollo s’pinte. Ai sa kish ardhur nga Austria dhe i gëzohej me një aparat fotografik jetës së natyrës. Fotografonte gjethe, miza dhe një ditë edhe një njeri mbi një trap të sajuar me velë në liqen. Por kur hynte në debat ndjehej kultura e marrë në perëndim. Dhe përbuzja e gjendjes tek ne gjithashtu. Sheshi gjysëm i mbushur me të heshtur u zbraz si me urdhër në 8:20.
Pse, çfarë ndodhi?
“Ç’ndodhi?”, pyeta Nexhatiun. “Fillon “Katani””, tha ai. Këta jemi ne! E shtymë xhiron me kasetë në xhep deri afër “Florës”.
Këmbë njeriu. Nga trotuari në krah të ambasadës kubaneze, tamam ku është porta e saj, ambasadorja e Kinës vet i tretë. Ne nga krahu afër “Derrit”, kështu e quanim gjelltoren tek ai vend. Në mes kalon një “IFA” mbushur me ushtarë të armatosur. Ambasadorja kineze na hedh një vështrim ironik. Dukej sikur thosh: ”Më zi se ne me Tianenmenin do e kini me studentët! Do e shihni!”
A e mbajtët kasetën dhe a u përpoqët ta zbardhnit, dhe a e raportuat atë te shefat e gazetës?
S’duhet të kem fjetur atë natë. Kisha inçizuar Rexhep Qosen nga “Zëri Amerikës” ditën kur u largua Ismail Kadare nga Shqipëria, atë kasetë e kam akoma, por kjo me Xhelilin ishte tjetër gjë. Përpëlitja mendimin ta mbaj si relike kasetën apo t’ia çoj studentëve. Nuk e ndava deri kur vajta ne sheshin e qytetit “Studenti”. Ishte ora 9:30 e ditës së hënë. Gjysëm ore më parë kisha dalë me vrull nga zyra e kryeredaktorit. Ai më pyeti se çfarë shkrimi do bëja gati për gazetën e radhës dhe unë i thashë se tek Studentët po bëhet nami. Ai më tha se ne nuk kemi punë andej dhe i thashë se si nuk paska punë “Zëri i Rinisë” tek rinia?! Ika bashkë me kolegun Faruk Myrtaj. Pas ndonjë ore në shesh erdhi kryeredaktori. Nuk kërkoi ndjesë me fjalë, por me sytë e zbutur. Në shesh studentët ishin shumë pak. Azem Hajdari më kujtohet me atë xhupin e shkurtër prej meshini të zi i bënte duart si në një këngë majekrahu dhe i vikaste studentëve, vajza dhe djem, nëpër ballkonet e dritaret e godinave përreth: ’Nuk duam spektatorë! Nuk duam spektatorë!
Çfarë ndodhte në ato momente në sheshin e Qytetit Studenti?
Por sheshi sekondë pas sekonde po mbushej më shumë me qytetarë nga Tirana se me studentë. Tek vendi që më vonë do bëhej tribuna e njohur filluan të shpallen kërkesat. Duam drita! Rroftë Kadare! Rroftë Rexhep Qosja! Të parin fjalim të saktë e bëri Thanas Mustaqi, gazetar i vjetër nga Durrësi. Takoj Blendi Fevziun. Im vëlla e kish patur në gjimnaz. “Ore!”, - them. Mbledhje po bëni?” “Kemi frikë, - më tha. Parmbrëmë na rrahën!” I thashë të vinte me mua në zyrë se do i jepja diçka me shumë rëndësi. Kur bëra dy hapa me Blendin takoj Myftar Gjanën. Ai vinte shpesh tek “Zëri i Rinisë” me vjershat e tij. Shkumbëzonte nga inati. “Çfarë të kërkojmë s’dimë!”-më tha.
A ndërhytë ju në debatin e tyre?
Po, u thashë “Kërkoni dorëheqjen e Byrosë politike i thashë! Kërkojeni!” Atë kohë mendoja se Ramiz Alinë e pengonin Xhelilat dhe Simonat të demokratizonte Shqipërinë. Edhe Rexhep Qosja kësaj i mëshonte në kasetën time. Pak më poshtë në lëndinën me baltë Arben Imami me Pirro Kitën dëgjonin fjalimet e çoroditura të stundetëve. “Ben, i thashë. Ty të takon të flasësh. Je pedagogu i tyre. Ky rast s’vjen më.” Me Ben Imamin ishim miq të vjetër nga gjimnazi. Kur vinte një dramë në Durrës, disa vite para ‘90-tës, në tren më kish tronditur kur më pat thënë se Enver Hoxhën e kishin mbajtur gjallë me gjak fëmijësh.
Gjithë këto ndodhën në pak orë dhe cili ishte reagimi?
Duke zbritur qytetin “Studenti” me Blendin takova dy vajza dhe një djalë të Poligrafikut të repartit ku ne shtypnim gazetën. I ktheva mbrapsht, i mora në zyrë dhe u përgatita një fjalim të shkurtër që mbeshteste studentët dhe shpallte grevë nëse nuk plotësoheshin kërkesat e studentëve. Blendi Fevziut më parë i kisha dhënë kasetën. Kur ngjitem sërish tek qyteti Studenti shoh Sali Berishën pranë një godine. Po u fliste ca stundetëve. Afrohem me “Sony”-n në dorë.
Desha të bëj hapur gazetarin perëndimor. E pyes se çfarë po u thosh. Më thotë se Partia do u zgjidhë kërkesat, por ata duhet të futen në mësim. Largohem i pakënaqur dhe i fshij si të parëndësishme fjalët e tij. Sigurisht që bëra gabim.
Afër sheshit Faruku më tha se Myftar Gjana e kish shpallur kërkesën për Byronë politike. Ben Imami tre muaj më vonë në xhiro më tha me humor: ”Ma fute qelbanik!”
Por mjaft…nuk dua të shkuaj më. Duket si mburrje koti!
Çfarë ndodhi me kasetën! Nuk e di.
Mbaj mend Blendin të më ketë thenë që ajo ishte vënë të dëgjohej nga studentët dhe pas asaj kishte shtuar bindja se tanksat e Partisë së Punës i kishin zinxhirët e ndryshkur dhe se Partia ia kish frikën studentëve. Po mbaj mend edhe Besnik Mustafajn që pas tre ditësh ndërsa nata ndrinte nga sytë që xixonin prej inati të studentëve që fishkëllinin fjalimin e Ramiz Alisë me dërgatën e tyre në Pallat të Brigadave. T’i thosh në vesh Nexhatiut: ”Janë shumë të fortë studentët! Kanë inçizuar Xhelil Gjonin!!!” S’do i shkruaja këto rreshta po të mos kisha dëgjuar Berishën ti thosh Fevziut tek “Opinioni” se ajo puna e kasetës ishte punë e sigurimit. Edhe pse atëbot, realisht, “disidenca” ish në modë! Dhe atë mund ta bënte cilido gazetar.

No comments:

Post a Comment