Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, November 17, 2010

interviste me Ylli Dylgjerin

Sekretari i Rinisë: Si u thirr Berisha në Komitetin Qendror

Ylli Dylgjeri: Alia erdhi te zyrat e rinisë, donte ndryshim

Debati me Dor Kekon për bustin e Enver Hoxhës

Ylli Dylgjeri ishte instruktor në Komitetin Qendror të Rinisë, kur në vitet 1990 filluan kërkesat për ndryshim, apo dhe gjatë kohës kur në Qytetin Studenti filluan lëvizjet e para. Pas dëshmive të protagonistëve, që kërkonin ndryshimin në atë dhjetor të 1990-s, kemi edhe dëshminë e një funksionari partiak të rinisë, që flet sesi i ka parë ai këto nevoja për ndryshim të rinisë dhe situatën brenda strukturave partiake. Dylgjeri tregon për ngjarjet, që sipas tij, ishin të rëndësishme për vitin 1990 e deri te lëvizja studentore, takimin e tij të parë me doktor Sali Berishën.

Zoti Dylgjeri zhvillimet politike në vend në 1990 ju gjeti në krahun tjetër, nuk po themi krahun kundërshtar të ndryshimeve, por ju gjeti “në tribunë”. Si e keni parë ju këtë pozicionim?

Pyetja bëhet në nëntor të vitit 2010, brezi juaj ka njohje dhe mosnjohje të zhvillimeve politike të Shqipërisë të viteve ’90. Them kështu se deri më sot kam dëgjuar dhe lexuar qindra faqe që kërkojnë të hedhin dritë mbi ngjarjet e 1990-ës. Jam fanatik dhe dua të theksojë se historia është histori, dhe duhet shkruar ashtu siç ka ndodhur ngjarja dhe fakti. Kronikanët kanë hedhur dritë në mjaft fakte, por sigurisht kanë folur nga pozitat e tyre të reja politike. Në vitet 1990 unë punoja në KQBRPSH (Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Republikës së Shqipërisë), prej një periudhe 5-vjeçare. Sigurisht që ne ishim strukturë rinore, vazhdim i rinisë antifashiste, e cila ishte ndërtuar nga një platformë dhe udhëhiqej nga vija politike e PPSH-së. Ne atëherë quheshim rëndom edhe ‘rripa transmisioni’, një shprehje e huazuar nga vendet e lindjes komuniste dhe staliniste. Edhe kjo platformë ishte ngritur mbi një slogan, sepse ne quheshim organizatë masash dhe slogani ishte se “socializmin e ndërtojnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshme”. Gjithësesi duhet kuptuar se pas viteve ’85 edhe organizata e rinisë filloi të çliroheshe nga sloganet dhe ideologjitë M-L. Në këto vite u prodhua një sllogan i ri, i cili ishte edhe si platformë udhëzuese për rininë, ai quheshe “si është rinia sot, është atdheu nesër”. Ishte rinia e së nesërmes që u tubua dhe shpejtoi proceset demokratike në vend. Nëse do i hedhësh një vështrim aktorëve të kohës, ata sot janë radhitur kudo, në institucione dhe OJQ, në forcat politike të kohës sonë, në administratë, institucione, në diplomaci. Ish-sekretari i KQBRPSH-së Mehmet Elezi është sot ambasador në një nga përfaqësitë tona në perëndim, po kështu pasardhësi i tij Lisen Bashkurti për vite të tëra punoi në diplomaci, ministri aktual i Jashtëm ishte instruktor në KQBRPSH dhe vetë kryeministri i vendit ka qenë mik i ngushtë i kuadrove të rinisë së asaj kohe. Berisha doktor, ishte prezent dhe aktiv në debatet politike të kohës, i dashuruar veçanërisht me zhvillimet politike në Kosovë. Për të vazhduar më tej edhe me deputetë që kanë qenë punonjës të këtij aparati si Qemal Minxhozi, Fatmir Xhafaj sekretari i I i Komitetit të Rinisë së Tiranës, apo biznesmeni Koço Kokëdhima, që e mbante këtë post në Fier. I dhashe këto emra për të kuptuar pyetjet që më bëtë pak më para kur më thatë “kampi kundërshtar”. A mund të quhen kundërshtarë sot këta? Jo. Ata ishin dhe janë pjesë e mekanizmit politik që solli pluripartizmin në demokraci.

A kërkonte rinia e asaj kohe liberalizimin e jetës dhe të politikës?

Për t’u rikthyer në vite do të desha të theksoj se hapat liberalizues në rininë e viteve ’90 po përparonin vrullshëm dhe ishte vetë fryma e kohës dhe sidomos do të thosha, rënia e murit të Berlinit si dhe kriza ekonomike e cila kish pllakosur vendin. Radhët e Bashkimit të Rinisë ishin pakësuar dhe propaganda jonë nuk zinte më vend tek rinia. Këtë e ndihmonte edhe kriza ekonomike në vend. Kërkohej të dilej nga kriza ekonomike me lloj marifetesh pseudoekonomike. Më kujtohen disa inisiativa absurde të asaj kohe që kishin bënin me reformat në oborrin kooperativist. Për të shtuar prodhimin blegtoral në fshat byroja politike vendosi që fshatarëve t’u njohë mbajtjen e dy kecave meshkuj në shtëpi. A mund të pillte ekonomia prej dy kecave meshkuj, kur ata nuk pillnin vetë? Pas kësaj zhvillohen disa plenume, të cilët në thellësi dukeshin si veprime për të sjellë demokratizim. Meqënëse ishin ndryshime me pikatore, ata mund të pranoheshin nga publiku, që atëherë quhej popull, i cili vuante krizën e ditës. Kemi ndryshime në udhëheqjen e Pleniumit të KQ të PPSH-së, të byrosë politike dhe të sekretariatit.

Ndërkohë që kazani ziente, kemi dyndje në ambasadat e huaja në Tiranë. Duhet thënë që ky ishte momenti më i vështirë për ne punonjësve të KQBRPSH-së, sepse duhet të hidheshim në fushata për të bindur rininë për të zezat që kishte dhe sillte jeta në perëndim. Ishte sforcim dhe njëherësh dhimbje edhe për ne që e përjetonim dhe e vuanim njëlloj ekonominë. Duke i përshpejtuar ngjarjet kemi largimin e shkrimtarit të madh Kadare, që për ne përbënte një lajm të madh. Pas largimit të tij dhe debateve pro dhe kundër që shoqëruan ikjen e tij, kemi një lajm që vinte nga brenda strukturave të larta të KQBRPSH-së; Lisen Bashkurti dorëzon tesëren e anëtarit të PPSH-së duke qenë nën ombrellën e PPSH-së?! Ai mund të japë shpjegime shumë më të sinqerta lidhur me këtë largim. Mbaj mend që pas kësaj në mbledhjet e rëndomta që bënim në aparat Liseni shpreheshe: “E dorëzova teserën e PPSH-së, sepse më vunë mbi shpinë ngjarjet e ambasadave. Tash e tutje organizata e rinisë do të njohë Ramiz Alinë vetëm si president i vendit”, duke i fshirë në këtë mënyrë funksionin e sekretarit të I të KQPPSH-së.

Cili ka qenë qëndrimi i Ramiz Alisë më KQBRPSH-në në këto kohë?

Për herë të parë, pas 35 vitesh, në zyrat e KQBRPSH-së, të cilat ndodheshin në një godinë me KQPPSH-së vjen në mbledhjen tonë të aparatit Ramiz Alia. Më kujtohet, që pasi zuri vend në krah të Lisenit tha: “Kam punuar në këto zyra dhe e vizitova përsëri zyrën time pas 30 vitesh. Ajo që vura re ishte se nuk kish ndryshuar pothuajse asgjë nga ambientet që unë kam lënë, po ajo skrivani, po ato kolltuqe, po ai mobilim, po ato piktura”. Nënteksti ishte i qartë, Alia na ftonte për ndryshim. Duke iu drejtuar kryeredaktorit të “Zërit të Rinisë” ai thotë “Remzi, kohët kanë ndryshuar edhe “Zëri i Rinisë” duhet të ndryshojë. Tani s’ka më tralala tralala, hipi miu në tra, tani kemi opozitën përballë, duhet të ndryshojmë gazetën”.

Gjatë organizimeve të konferencës kombëtare të talenteve të reja në Korçë dhe mbaj mend që gjatë kohës që po merresha me organizimin e sallës së konferencës më vjen i ndjeri dhe miku im Teodor Keko dhe më thotë “Ylli duhet ta heqësh bustin e Enver Hoxhës nga kjo sallë, është një konferencë talentesh rinore të letërsisë, të arteve dhe këtu s’ka vend për bustin e Enverit.” Unë hezitova një çast dhe pastaj i dhashë një përgjigje burokratike “dekori i sallës është miratuar nga lart dhe unë nuk mund të lëviz asnjë kokë që më heq kokën time.”

Angazhimi i juaj gjatë lëvizjeve të Dhjetorit ’90?

Ne ishim prezentë në Qytetin Studenti dhe ajo çfarë më ngacmonte në vetëdijen time ishte “pse jemi këtu dhe çfarë duam të bëjmë”. Askush nga eprorët tanë nuk na dha ndonjë detyrë, urdhër se çfarë duhet të bënim. Gjatë gjithë kohës ne vështronim dhe dëgjonim lektorët e njëpasnjëshëm që dilnin në tribunën e improvizuar në Qytetin Studenti duke kërkuar fillin e asaj që thonin. Në orën 16:30 të datës 10 dhjetor 1990 studentët u tubuan në fushën e sportit të Qytetit Studenti. Në atë kohë mbërriti mes tyre doktor Berisha, i cili u prit me brohoritje dhe iu kërkua që të merrte fjalën. Studentët kërkonin solidarizim për arsye se nuk pranonin ushtrimin e dhunës që kishte ndodhur në rrugën Labinoti një natë më parë. Opinioni i studentëve për doktorin në atë kohë ishin pozitive sepse ky opinion vinte pas shkrimeve dhe replikave që Berisha bëri në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët te Lidhja e Shkrimtarëve. Doktori u tha studentëve se “kam dëgjuar se është ushtruar dhunë ndaj jush. Unë nuk e justifikoj dhunën mbi ju dhe për këtë marr përsipër ta dërgoj zërin lart, të bisedoj me shokët në Komitetin e Partisë së Tiranës për këtë ngjarje të shëmtuar.” Pas fjalës së tij studentët u qetësuan dhe u shpërndanë. Rreth orës 19:00 të asaj dite më thërrasin për mbledhje në Komitetin e Partisë së Tiranës. Isha bashkë me instruktorin tjetër të rinisë Arben Saliun. Në korridor të katit të dytë, ku sot është selia e PS-së, përballemi me Foto Çamin, i cili na thotë “ç’bëhet nga studentët”, më pyeti. E sqaroj se “sapo ka përfunduar tubimi i pasdites dhe studentët ndjehen të qetë pas fjalës që mbajti doktor Sali Berisha. Në opinionin tim – i thashë – doktori zinte vend te ata, duhet shfrytëzuar për përmbajtje.” Me kaq ai u largua për në zyrën e sekretarit të I të Komitetit të Partisë të Tiranës. Pas 10 minutash nga zyra e sekretarit të parë vjen urdhëri: “Dylgjeri dhe Saliu të kontaktojnë me doktor Berishën dhe t’i thonë të vijë në Komitetin e Partisë.” Pasi morëm këtë urdhër dolëm për të kërkuar doktor Saliun. Shkuam në shtëpinë e tij në rrugën Fortuzi dhe pasi i ramë derës na doli e shoqja, Liri Berisha. U prezantuam dhe i themi se “jemi instruktor të KQBRPSH-së. Doktorin e kërkojnë në Komitetin e Partisë”. Zonja Berisha, pak e ndrojtur na u përgjigj “doktori nuk ndodhet këtu.” U kthyem dhe bëmë një shëtitje përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit: kur për fat shohim doktorin. Ai ishte me një grup intelektualësh si Kujtim Çashkun, Besnik Mustafajn, etj përballë bustit të Stalinit. Ishin ndalur dhe po diskutonin. E thërras dhe i transmetoj porosinë. “Po, - më thotë – jam njoftuar edhe nga një kanal tjetër nga Komiteti i Partisë së Tiranës”.

Pse e keni shkruar ditarin zoti Dylgjeri?

E kam shkruar i nxitur dhe nga një mik i imi i asaj kohe, i cili më thoshte se “ti je dëshmitar okular i kohës, mund t’i hedhësh këto fakte në letër se do t’i duhen ndonjë ditë historisë”.

No comments:

Post a Comment