Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, November 25, 2010

Interviste me Sabri Godon

12 vjet pas miratimit të Kushtetutës, flet bashkëkryetari i komisionit të hartimit të saj

Godo: Rerendum të ri për Kushtetutën, presidenti nga populli

“Socialistët u frikësuan nga ideja e senatit”

Gilmana Bushati
Sabri Godo së bashku me Arben Imamin ishin kryetarët e komisionit për hartimin e një Kushtetute. Në një intervistë, Godo flet se si u përpoq që ta përfshinte edhe Partinë Demokratike në këtë komision, duke i shtyrë punimet e tij për mëse një muaj. Ai thekson më tej se nga projekt-kushtetuta e hartuar më 1994, e cila nuk kaloi me referendum, është marrë pothuajse i plotë kapitulli për të drejtat e njeriut, me ndonjë ndryshim të vogël. Në 1998, shprehet ai, është hedhur ideja e senatit, por socialistët patën frikë se mos nuk bëheshin më deputetë. Por Godo jep edhe opinionin e tij për domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës aktuale, por jo mbi baza preferenciale për partitë politike. Sipas tij, janë disa çështje që duhet të ndryshohen dhe kjo duhet bërë nga specialistët me një paketë të plotë, e cila më pas të kalohet në referendum. Një nga çështjet që duhet të ndryshohet është edhe zgjedhja e presidentit nga populli dhe kompetencat e tij.
Zoti Godo 12 vjet më parë ju ishit bashkëkryetar për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Ju përfaqësonit vetëm një pjesë të opozitës, pasi PD-ja nuk pranonte të ishte pjesë. A bëtë ju përpjekje për ta afruar këtë parti në këtë komision dy palësh?
Për të bërë Kushtetutën atëherë Partisë Socialiste, e cila kishte shumicën dërrmuese në Kuvend, i duhej domosdoshmërisht edhe prania e opozitës. Unë kisha pranuar që të isha kryetar i komisionit për hartimin e Kushtetutës. Pastaj ishin socialistët që ndryshuan dhe e bënë komisionin me dy kryetarë. E pranova edhe këtë variant, menjëherë sepse mendoja se vendit i duhej një Kushtetutë për momentin që po kalonte. Isha caktuar që të merresha me pjesën politike të Kushtetutës, ndërsa Arben Imami me çështjen teknike, ajo pjesë ishte shumë e lodhshme për mua dhe kërkonte përkushtim më të madh dhe unë s’e përballoja një gjë të tillë. Për të siguruar pjesmarrjen e PD-së në komision e shtyva për një muaj mbledhjen e komisionit bipartizan. Kisha mundësi që ta imponoja vullnetin tim dhe anëtarëve të tjerë të komisionit, sepse pa praninë time ai komision nuk funksiononte. Synimi ishte vetëm që PD-ja të merrte pjesë në komision dhe të përfaqësonte interesat ideologjike të së djathtës. Kur demokratët nuk u bindën që të bëheshin pjesë e komisionit, Berisha e quante Kushtetutën pasaportën e kuqe e Nanos, atëherë u detyrova t’i nënshtrohesha procesit dhe të fillohej me hartimin e Kushtetutës.
Cila ishte detyra juaj në këtë komision?
Ngaqë kisha pjesën politike të Kushtetutës, arrita të siguroja asistencë nga ndërkombëtarët, ku përfshihet, Komisioni i Venecias, apo shtete të ndryshme që dhanë një ndihmë të madhe si Gjermania, Greqia, Italia, SHBA. Në çdo derë që trokitëm gjetëm gatishmëri pasi ne nuk është se kishim ndonjë përvojë të madhe në këtë pikë. U sigurua kështu një ndihmë e nevojshme për të hartuar një Kushtetutë të mirë, në përshtatje me kohën e vendin. Nuk zgjodhëm ndonjë model të veçantë të ndonjë shteti të huaj për të hartuar Kushtetutën tonë. Komisioni ecte hap pas hapi. Grupi i ekspertëve përgatiste kapitullin dhe mbi të diskutohej. Them që u bë një punë e rregullt. Këtu theksoj dhe kontributin që dha Arben Imami, nën kujdesin e të cilit punonte grupi i teknicienëve.
A keni propozuar ju ndonjë nen dhe cilat qenë ato?
Në të vërtetë e kemi kaluar çdo gjë në duar me asistencën e ekspertëve të huaj. Gjithçka ka kaluar me debat. Nuk jemi shpejtuar t’i kalojmë gjërat. Gjatë këtyre mbledhjeve unë kam kërkuar me ngulm formulimin e çështjes kombëtare në preambulën e Kushtetutës, në formën e neneve, gjithashtu kam kontribuar në kapitullin për pronën private dhe për pavarësinë e prokurorisë. Ngula këmbë në përcaktimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe them që ia dola në ato që ishin objektivat e mia. Një tjetër propozim i imi ishte dhe krijimi i senatit. Këtë ide e përkrahu vetëm Spartak Ngjela. Por të majtët nuk e pranuan.
Pse nuk e pranuan?
Duket se përfaqësuesit e majtë e konsideruan këtë propozim si një hap drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja të përgjithshme dhe se me krijimin e senatit një pjesë e mirë e tyre do të humbisnin vendet e tyre, prandaj dhe nuk e miratuan.
Berisha nuk ishte i pranishëm në komision, a patët presion nga ai, apo njerëz të dërguar prej tij për ndonjë çështje të caktuar?
Po presionet më së shumti u bënë nga jashtë me shkrime të ndryshme në media kundër Kushtetutës apo angazhimit tim atje. E djathta e konsideroi këtë Kushtetutë si pjellë e Nanos. Në një moment u tregova i gatshëm që të liroja vendin e bashkëkryetarit për secilin përfaqësues të Partisë Demokratike që do të vinte në komision. Por ata pretendonin të merrnin vendin e kryetarit, por në fakt komisioni nuk kishte kryetar, ai, siç thashë edhe më sipër ishte ndërtuar në një mënyrë të tillë që kishte dy bashkëkryetarë.
A iu referuat projekt-kushtetutës së vitit 1994, e cila u hartua në kohën kur Berisha ishte president?
Kushtetuta që pati përgatitur Berisha në 1994 shërbeu për kapitullin më të rëndësishëm të saj, siç është ai i të Drejtave të Njeriut. Ai u mor pothuajse i tëri në bllok, me ndonjë ndryshim të vogël.
Cili ishte debati më i madh që u bë në komision?
Kujtoj se pati një debat për çështjen e minoriteteve, debat që na kushtoi kohë. Përfaqësuesi i PBDNJ-së kërkonte me patjetër që të përfshihej në Kushtetutë nene të veçanta ku të përcaktohej qartë që qytetarët shqiptarë duhej të deklaronin përkatësinë fetare dhe etnike. Kjo u diskutua gjatë, por në fund nuk u pranua.
A u diskutua gjatë mbledhjeve çështja e përcaktimit në Kushtetutë të kombësisë që duhet të kishin prelatët e besimeve fetare, ashtu siç ishte përcaktuar dhe në projekt-kushtetutën e 1994?
Jo kjo çështja e prelatëve të besimeve fetare nuk u shtrua për diskutim. Thashë nga ajo projekt-kushtetutë morëm vetëm kapitullin e të drejtave të njeriut.
Berisha atëherë e konsideroi si Kushtetutën e të majtëve...
Por fakti që sot Berisha e mbron Kushtetutën, do të thotë që ajo Kushtetutë nuk ishte e së majtës, por një Kushtetutë që i duhej Shqipërisë. Kundërshtia e Berishës në fillim ishte se pse të bëhej Kushtetuta nga socialistët që kishin shumicën në Kuvend, më e thjeshtë puna ishte këtu; pse e bën ti apo e bëjmë ne. Kur fitoi zgjedhjet Berisha nuk bëri asnjëherë kontestimin e Kushtetutës, ai e pranon atë si dokumentin themeltar të shtetit që duhet respektuar.
Pse mori aq pak vota Kushtetuta?
Sepse u bë si një lloj përpjekje politike e politikanëve. Nuk u diskutua dhe aq Kushtetuta si tekst, nëse ajo ishte e mirë apo e keqe. Ajo thjeshtë u votua politikisht, pro dhe kundër. Për fat të keq edhe sot qytetarët nuk e njohin mirë Kushtetutën.
A ju zhgënjeu përzgjedhja e Fehmi Abdiut si kryetar i Gjykatës Kushtetuese?
Zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të saj s’kanë të bëjnë fare me Kushtetutën, por me partinë në pushtet. Partitë gjithnjë kanë si synim vënien nën kontroll të sistemit të drejtësisë, të gjykatave, të Gjykatës së Lartë apo dhe të Gjykatës Kushtetuese. Fehmi Abdiu ishte njeriu që i duhej në atë kohë Partisë Socialiste.
Zoti Godo sa e nevojshme ishte Kushtetuta për Shqipërinë në atë vit?
Kam bindjen edhe sot se Kushtetuta ishte domosdoshmëri dhe këtë e provoi edhe koha, se grindjet politike dhe funksioni i institucioneve do të përkeqësoheshin nëse s’do të kishim Kushtetutë për t’iu referuar në situata të ndryshme. Kushtetuta i ka shërbyer funksionimit të shtetit gjatë tërë kohës, por unë sot mund të bëj dy objeksione; është vënë dorë në Kushtetutë vetëm për nevojat e momentit, për nevojat komerciale të politikës së ditës dhe kjo është bërë në mënyrë arbitrare; është injoruar një kapitull i rëndësishëm i saj, siç është problemi i pronës ligjore. Është e shkruar qartë në Kushtetutë, por është neglizhuar totalisht, që prona private të vihet mbi baza ligjore sipas Kushtetutës dhe neglizhimi ka ardhur nga partitë politike të cilat kanë qeverisur vendin. Prona vazhdon të mbetet një problem i madh dhe do të ndikojë në procesin e integrimit të vendit në Europë, pasi institucionet e saj e kanë vënë si kusht zgjidhjen e kësaj çështjeje nga ana e qeverisë shqiptare, madje nëse nuk zgjidhet, kjo do të jetë një pengesë për integrimin. Unë deri më tani nuk shoh prespektiva zgjidhjeje të këtij problemi, sepse qëndrimet e dy partive për procesin e pronës private thuajse është fiksuar.
Zoti Godo ju keni qenë aktiv këto vite në debatet që keni hapur sa i takon ndryshimit të Kushtetutës, por njëkohësisht edhe e keni kundërshtuar faktin që ajo të ndryshohet sot për sot.
Më duket se është pjekur mendimi, se Kushtetuta nuk duhet ndryshuar vetëm kur kanë nevojë partitë politike, por duhet një proces tjetër. Hartimi i një paketë të plotë nga ana e një grupi konstitucionalistësh dhe mendoj se kësaj radhe duhet që edhe opinioni publik të marrë pjesë në një debat të tillë. Nëse amendimi i Kushtetutës bëhet e një rëndësie të dorës së parë dhe ndryshimet janë serioze atëherë duhet që ajo të kalojë me referendum që të arrijmë të kemi një Kushtetutë të qëndrueshme dhe të mos vihet dorë mbi të për një kohë të gjatë.
Cilat pika mendoni se duhen të amendohen?
Po, mendoj se Kushtetuta duhet amenduar në disa drejtime. Janë ndryshime që janë domosdoshmëri e kohës. Së pari mendoj se një amendim duhet bërë sa i takon funksionimit të institucioneve të pavarura dhe bashkëpunimi mes tyre. Këtu unë përmend Kuvebdin, Presidencën, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, vetë qeverinë dhe tërë institucionet e vendit që herë pas here hasin problematike dhe duhet të vihen në baza të tilla që të jetë i qartë balancimi i pushteteve. Një çështje tjetër që duhet të arrihet në një mendje që të ndryshohet është depolitizimi i komisioneve zgjedhore, siç edhe e përcakton qartë dhe fryma e Kushtetutës.
Ju përmendni referendumin, për cilat çështje duhet referendum?
Çështjet që mund të kalohen për referendum janë; zgjedhja e presidentit nga populli dhe kompentencat e presidentit; sistemi zgjedhor; alternativat e krijimit të një senati që do të krijonte mundësinë për të filtruar më mirë ligjet; sistemi i taksimit, etj. Pra janë të shumta çështjet për të cilat mund të ndërhyhet në Kushtetutë, të cilat sigurisht kërkojnë një debat të madh dhe të gjërë.

No comments:

Post a Comment