Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, November 29, 2010

Interviste me Zenel Hoxhen

Rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” ditët e rëndësishme të dhjetorit

Zenel Hoxha: Ja e vërteta ime për dhjetori ‘90 dhe themelimin e PD-së së Tiranës

“I kërkova Berishës të ndërhyjë për lirimin e studentëve”


Gilmana Bushati
Për herë të parë, pas 20 vitesh, pranon të japë dëshminë e tij, një prej figurave të Lëvizjes Studentore dhe të themelimit të Partisë Demokratike, Zenel Hoxha. Ai tregon se si u përfshi në Lëvizjen Studentore, duke qenë se nuk ishte student. Ai ishte rezident në Qytetin Studenti, në godinën ku ishin dhe profesorë të tjerë të rinj dhe kujton me detaje datat e rëndësishme për lëvizjen, por edhe për Shqipërinë, siç janë datat 9, 10, 11, 13 dhjetor e më tej. Siç shprehet dhe zoti Hoxha, ajo lëvizje ishte tejet intensive dhe në çdo moment ndodhte diçka, që do të bëhej më pas pjesë e historisë. Ishte ai që i kërkoi ndihmë doktor Berishës që të lironte studentët e arrestuar, që edhe pse të plagosur ishin futur në qeli. Policia kishte qëlluar mbi ta pa asnjë kriter, ai tregon se si tre studentë të hedhur në makinat e policisë ishin pa ndjenja. Ishte po Zenel Hoxha që propozoi Sali Berishën si anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike. Para se të ndodhnin ngjarjet e dhjetorit, zoti Hoxha, si drejtues i lëvizjes Intelektualët e Rinj, i kishte kërkuar Berishës, që të ishte udhëheqësi i saj, por që më pas ngjarjet rrodhën shumë shpejt, duke sjellë zhvillime të reja. Hoxha tregon për debatet e zhvilluara në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar, debatet mes Shinasi Ramës dhe Aleksandër Meksit, apo se si hyri Edi Rama në zyrën e Drejtorit te kino-klubit “Studenti”, ku po bëhej mbledhja dhe çfarë kërkoi ai. Hoxha tregon se si u caktua për të ngritur nga hiçi PD-në e Tiranës.
Zoti Hoxha, ju keni qenë pjesë e Lëvizjes Studentore, por edhe anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike. Keni pasur gjithë këtë aktivitet, por asnjëherë nuk keni dëshmuar për këtë në media. Pse?
Pas kaq shumë vitesh është hera e parë që një media më ka kërkuar intervistë për kontributin që kam dhënë gjatë zhvillimeve politike të 1990-ës. Kam menduar në fakt se historia nuk shkruhet në momentin kur ndodh dhe duke u nisur edhe nga eksperienca britanike, ngjarjet e mëdha lihen të qeta për 20-50 vite me radhë pastaj shkruhet për to. Por, me aq sa kam vëzhguar unë, ngjarjet e mëdha historike në Shqipëri harrohen shumë shpejt.
Ku e mbështesni këtë fakt?
Gjatë këtyre viteve të heshtjes sime, unë kam lexuar për historinë e vitit 1990 dhe kam konstatuar se, sidomos në kushtet tona, flamuri i këtyre ngjarjeve është marrë nga ata njerëz që nuk kanë bërë asgjë dhe janë pikërisht këta njerëz që përpiqen të bëjnë edhe historinë e një ngjarjeje ku nuk kanë qenë pjesëmarrës. Duke mbetur sërish te ngjarjet e vitit 1990, duke i krahasuar me botëkuptimin e botës së qytetëruar, e cila me fanatizëm gjithçka të mirë i përjetëson çdo arritje kombëtare, kjo nuk ka ndodhur te ne. Dhe ndodh kështu të paktën 500 vjet e këndej, përfshi këtu edhe Lëvizjen e Dhjetorit, ngjarjet janë interpretuar nga ata që e kanë shkruar historinë, ndërsa ata që kanë qenë personazh janë privuar nga kjo e drejtë.
Në këtë rast flisni edhe për veten?
Sa për vete them, se kur u përfshiva në Lëvizjen e Dhjetorit, nuk e kisha mendjen ta shkruaja vetë historinë e saj, pasi isha i dhënë i tëri pas një kauze të madhe që kishte në thelb kjo lëvizje. Pra, nuk isha angazhuar as për të bërë heroin, as për të bërë historianin, isha angazhuar sepse ashtu duhej dhe isha i gatshëm edhe të sakrifikohesha, ashtu si shumë të tjerë, për vendin. Por kur gjykon sot, pasi kanë kaluar 20 vite, them se çfarë do të bëhet me historinë reale të kësaj lëvizjeje, që në atë kohë ishte aq intensive dhe me aq ngjarje e personazhe? Po për mua tani për tani më e rëndësishme është se falë Zotit unë ende jetoj, jam dëshmitar i atyre ngjarjeve dhe përjetoj çdo ditë ngjarje të reja. Tre vjet më parë, lexoj në një gazetë një artikull rreth historisë së atyre ditëve. Ishte shkruar nga një njeri, i cili pas Lëvizjes së Dhjetorit, ishte ftuar t’i bashkohej strukturave tona dhe e kisha në krah në çdo mbledhje të komisionit nismëtar të Partisë Demokratike. Po ai na kishte harruar, pikërisht neve që ishim vërtetë aty, aty ku na kërkonte historia. E marr në telefon dhe i them pikërisht këtë gjë, që “na ke harruar”. Më përgjigjet në telefon se “nuk ju mbaj mend” dhe pas 24 orësh më merr sërish në telefon dhe më kërkon të falur. Historia është histori dhe i kthehemi sintezës, që thotë se e vërteta vonon, por nuk harron.
Si u përfshitë ju në Lëvizjen Studentore?
Përfshirja në këtë lëvizje nuk ishte e rastësishme. De facto mendoj se pjesë e saj kam qenë ndoshta që kur kam lindur, ku kam parasysh historinë e familjes sime, e cila ka qenë gjithnjë kundërshtare e komunizmit. Im atë gjithnjë më thoshte, se nëse “do të më zienin në një kazan me komunistët për 24 orë, as lëngu nuk do të më përzihej”. Në një bisedë tonën në vitin 1982, këshilla e tij për mua ishte që “kurrë mos mendo të jesh pjesë e tyre, unë do t’ia arrij që përsëri të kem tokën dhe dinjitetin tim, ata do të marrin dënimin e merituar”, (por që në fakt nuk e morën këtë dënim për tragjedinë që i shkaktuan popullit shqiptar).
Që në vjeshtën e vitit 1990, unë së bashku me miqtë e mi, Engjëll Gishti (historian) dhe Artan Hoxha inxhinier, kishim ndërmarrë iniciativën për të krijuar atë që u quajt Lëvizja e Intelektualëve të Rinj. Hapi tjetër që ndërmorëm ishte dhe bashkëbisedimi që bëmë në shtëpinë e Sali Berishës në nëntor të po atij viti. Lëvizja e Intelektualëve të Rinj po kërkonte liderin e vet dhe propozimi im ishte, që personi më i përshtatshëm për të qenë në krye ishte pikërisht Berisha, duke u nisur dhe nga aktiviteti i tij që u bë i njohur në vitin 1990. Grupi im ra dakord dhe ne ia propozuam atij. Një tjetër ngjarje e atij viti ishte dhe vizita që bëra në maj të 1990-ës familjes së Bajram dhe Xhaferr Ndreut, të persekutuar dhe të internuar në Shtyllas të Fierit. Kur më panë më thanë ‘ti ke ardhur këtu, por kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme për ty’. Unë doja thjeshtë t’i përshëndesja. Në mëngjes kur po largohesha prej tyre u thashë i bindur ‘bëhuni gati, se gjërat nuk do të jenë më ashtu siç kanë qenë deri më tani’.
Ku punonit ju atëherë dhe çfarë lidhjeje kishit me Qytetin Studenti?
Punoja në institutin e projektimit të veprave hidroteknike si inxhinier, isha përgjegjës grupi. Ndërkohë që punoja në institut unë edhe jetoja në Qytetin Studenti, godina 18, dhoma 118. Natën e 8 dhjetorit nuk kam qenë atje. Por më 7 dhjetor në darkë kam qenë diku tjetër.
Ku ishit zoti Hoxha?
Isha në shtëpinë e Sali Berishës, pasi në takimin e parë që bëmë në shtëpinë e tij më 21 nëntor 1990, së bashku me Engjëll Gishtin nuk patëm mundësi të shprehim idenë tonë për të cilën ne kishim vajtur, sepse doktori ishte me temperaturë, por u nënkuptuam njeri-tjetrin. Para largimit nga shtëpia e kishim lënë të takoheshim sërish pas dy javësh për të biseduar lidhur me propozimin tonë. Së bashku me Engjëll Gishtin shkojmë në shtëpinë e Berishës. Trokasim atje. Zonja Liri Berisha me shumë mirësjellje na tha që të hynim, por i thashë kemi ardhur vetëm të takojmë sërish doktorin. Ishte ditë e premte. Ajo na thotë që Berisha kthehej nesër nga Italia, që i binte të ishte data 8 dhjetor.
Meqë nuk ishit i pranishëm më datën 7 dhjetor, si u bëtë pjesë e ngjarjeve të mëvonshme?
Më 9 dhjetor paradite stacioni ynë kryesor ishte Biblioteka Kombëtare ku flitej për të gjitha lëvizjet, ngjarjet dhe atje intelektualët jepnin mendimin e opinionin e tyre për to. Atje diskutuam dhe për ikjen e Kadaresë një ditë pasi u mor vesh se ai ishte larguar nga Shqipëria, apo për protestën që kishin bërë studentët. Atë ditë në bibliotekë në katin e parë, takoj një student nga ana ime, Besnik Canin, që studionte për fizikë, (sot është në një detyrë të rëndësishme). Në bisedë e sipër, teksa po diskutonim për ngjarjet e datës 8, i them që duhet të kalojmë nga Qyteti i Studentit. Nisemi dhe te rruga “Budi”, ku kryqëzohet me rrugën “Qamil Guranjaku” dhe atë të “Elbasanit”, (rruga e Liceut), marrim drejtimit nga ana e muzeut Lenin-Stalin, sot rezidenca e ambasadës italiane. Takojmë një pedagog të Akademisë së Rendit, Fatmir Karaj, i cili, së bashku me pedagogë të tjerë, ishte angazhuar në ruajtjen e rendit atë ditë. Në atë moment mendova se ngjarja duhej të ishte tejet serioze. E takoj Fatmirin dhe i them se ‘çfarë bëhet kështu?’. Ai më përgjigjet se ‘situata është shumë e rrezikshme, është njëri nga studentët me xhup të zi, i cili është planifikuar të vritet, pasi mendohet se është shkaku i gjithë kësaj trazire dhe se me atë nuk merren vesh’.
Dhe çfarë bëtë në atë moment kur morët vesh këtë lajm?
Me vete kisha biçikletën, çantën dhe në krah ishte Besniku, studenti. Këtij i them se ‘do të shkoj të futem te studentët’. I jap biçikletën, çantën dhe në momentet e fundit shkruaj dy gisht letër, ku i lë porosi babait që nëse nuk kthehem më, ‘duhet ta dish se jam nisur drejt një rruge që vlen më shumë se vetja ime’, dhe i them Besnikut që të largohet. U nisa drejt kreut te studenteve protestues tek cepi i godinës, sot rezidence e ambasadorit italian, studentët po zbrisnin me qindra te kryqëzimi i rrugëve. I shoh që ishin tejet të organizuar, por nga ana tjetër ishin edhe të lodhur dhe të tensionuar. Kërkoj të bisedojë me disa që më dukeshin si drejtues. I drejtohem studentit të veshur me xhup të zi, por ishte e pamundur që të arrije të komunikoje me të, sepse ai ishte duke udhëhequr studentët me thirrjet e mëdha, ‘Liri Demokraci’, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Në ato momente ju drejtohem shokëve të tij përreth: ‘Duhet ta largoni shokun tuaj me xhup të zi, policia synon ta ekzekutojë atë, prandaj duhet ta ruani ose ta largoni’. Studentët nuk më njihnin në ato momente dhe më pyesin se kush jam dhe unë u përgjigjem se ‘jam si ju dhe kam ardhur të vdes me ju’. Më vonë e mora vesh se ai që drejtonte bërthamën e grupit që kishte organizuar protestën, që kishte veshur edhe xhup të zi ishte Azem Hajdari. Në krah të tij ishte Shinasi Rama, Tefalin Malëshyti, Arben Lika, Arben Broci dhe qindra të tjerë. Studentët më thanë se jemi të vendosur ta vazhdojmë protestën tonë, por duam të jemi sa më të organizuar, ‘mos u shqetësoni për këtë’, u them atyre, ‘hapi i parë do të jetë vendosja e vajzave studente në vijën e parë’, duke shpresuar se policët do të hezitonin t’i godisnin ato. Studentet trime si Alma Bendo, Mimoza Zhamo e tjera, (por që u kërkoj ndjesë që nuk ua mbaj mend emrin) u radhitën me guxim dhe trimëri të rrallë në ballë të studentëve protestues. Fillimi i grumbullit të studentëve protestues ishte pikërisht ku kryqëzohet rruga e “Elbasanit” me rrugën “Qamil Guranjaku”, aty ku sot është liceu “Jordan Misja” dhe fundi i tyre ishte te fillimi i ndërtesës ku sot gjendet ambasada amerikane. Në fushën mes muzeut Lenin-Stalin dhe ambasadës amerikanë ishin me qindra banorë të pallateve përreth dhe studentë. Në orën 10:30 të paradites në gjirin e kësaj mase të madhe njerëzish ndjenja ishte e tillë saqë kur hyje brenda në të, nuk e llogarisje më veten, nuk ishe më ti, ti ishe një pjesëz e një trupi të madh. Në atë moment mendoje se po të kaloje grumbullin e policëve dhe punonjësve të ministrisë së Brendshme do të arrihej liria dhe demokracia, të cilën e kërkonin studentët dhe njerëzit e thjeshtë. Pra t’i kaloje këto pengesa, të dukej sikur kishe hyrë në Europë.
Cili ishte roli që luajtët në çaste të tilla?
Jam përpjekur të luaj një rol organizativ. Mbaj mend se studentët menduan se duke vënë vajzat në radhë të parë do të zbutej qëndrimi i autoriteteve policore ndaj tyre, pas vajzave ishin studentët djem që hidhnin parulla “Liri, demokraci”, “Rroftë Shqipëria”, “Shqipëria është e jona”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Studentët këndonin himnin, “Eja mblidhuni këtu, këtu”. Në një moment kur kam kthyer kokën prapa për të parë studentët, që them pata fatin të isha pjesë e tyre, konstatoj se nuk ishte asnjë jo student, përveç një kujdestari të godinës 13, në mos gaboj, godina e shkencave, Fatmir Kryekurti. Asnjë pedagog nuk ishte me ta.
Çfarë ndodhi më pas, si reaguan autoritetet?
Rreth orës 12:30 - 13:45, ishin momente ku nuk po ndodhte asnjë lëvizje, përveç thirrjeve të studentëve dhe armëve drejtuar studentëve nga policët, katër metra ishin ata larg trupave të tyre. Rreth orës 13:00 sportdashësit, që po shkonin për të parë një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” ku luante “17 Nëntori” me një ekip tjetër, ishte ndeshje e rëndësishme mbaj mend, filluan të lëvizin në rrugën e ‘Elbasanit’ në krahun e liceut, për të shkuar nga stadiumi. Në atë moment dëgjoj urdhrin e drejtuesve të ministrisë së Brendshme (të stacionuar aty ku sot është ambasada zvicerane), për të shpërndarë studentët. Frika e tyre ishte se në ato momente do të ketë edhe një përfshirje të banorëve–sportdashësve tiranas me studentët protestues. Policët filluan të qëllojnë me shkopinj gome dhe shkelma mbi studentet vajza dhe djem pa dallim. Përballë vilës sot ambasada zvicerane shoh doktor Berishën dhe Besnik Mustafajn, regjisorin Kujtim Çashkun duke debatuar ashpër me drejtues policie.
Në cepin te shkolla “Kosova” përballë hyrjes së liceut, dëgjoj Lisen Bashkurtin, duke thirrur dhe ndërhyrë fizikisht në momentin që një studente goditej keq dhe po e tërhiqnin zvarrë drejt makinës ‘IFA’. Më vonë mësova se ishte heroina Mimoza Zhamo, e fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, e cila përfundoj në burgun e Tiranës ashtu pa ndjenja. Liseni vazhdoj t’iu thotë policëve ‘sa po vij nga një takim me Ramiz Alinë, i cili më tha që të mos qëllohet mbi studentet’. Policët ndërhynë pa kriter, godisnin kë t’u dilte përpara. Ata qëllonin, i merrnin studentët dhe i hidhnin në ‘IFA’ (makinat e policisë). Kur u pa që policia po ushtronte dhunë, një pjesë e studentëve u largua. Ata që u kapën, ashtu edhe të plagosur, i morën dhe i hodhën mbi makina. Një djalë, për të cilin më thanë se ishte i shkollës Teknologjike, pra ishte më i riu nga protestuesit, është qëlluar aq rëndë saqë gjaku i rridhte disa metra larg. Nuk kisha parë skenë të tillë në jetën time, gjaku I tij shpërthente në një trajektore të madhe. I shokuar, pasi isha pranë tij, e kam kapur dhe i jam drejtuar policëve ‘kriminelë’. I detyrova ata që me veturën që kishin ta merrnin djalin dhe ta çonin në spital, ndoshta është i vetmi nga të plagosurit që është dërguar në spital. Pesë prej studentëve të dhunuar ishin në gjendje shumë të rëndë, të gjakosur, pa ndjenja. Mbaj mend njërin prej tyre, një djalë i shëndoshë pak si biond dhe me sy bojë qielli që ishte më keq,(do të dëshiroja që gjithë këta dhe të plagosurit që përfunduan në burgun e Tiranës të më shkruajnë). Studentët e kapur nuk mund t’i lija vetëm, kështu që hipa në ‘IFA’ së bashku me ta, me shpresën se do t’i çonin në spital.
Dhe a shkuan në spital?
‘IFA’ ishte e mbushur me studentë të plagosur dhe them që mund të ishin katër makina të tilla. Rrugës, pikërisht te rruga ‘Bardhyl’, mendova se po ktheheshin nga spitali, por jo. Të gjitha makinat morën rrugën drejt burgut, pavarësish thirrjeve të mia për të dërguar studentet e traumatizuar në spital. Këta të tre nuk i lija dot vetëm, u ngjita bashkë me ta në njërën nga ‘IFA-t’, gjithnjë me shpresën se makina ishte nisur drejt spitalit, ata kishin nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Makinat në radhë, njëra pas tjetrës morëm rrugën ‘Bardhyl’, andej nga spitali, por kur u afruam atje ato nuk u kthyen. Fillova t’u bërtisja policëve që ishin mbi IFË si dhe shoferit të saj, që të ktheheshim nga spitali, por askush nuk më dëgjoi, vargu i makinave u ndal vetëm në burgun e Tiranës. Sa hymë aty, pa pyetur nëse ishin të plagosur apo jo, nëse kishin nevojë për ndihmë mjekësore apo jo, të gjithë studentët i futën në qeli. Tre prej studentëve ishin pa ndjenja, të tjerëve ende u rridhte gjaku nga plagët e marra. Unë isha gjithë gjak, isha përpjekur që të ndihmoja të plagosurit, por plagët e tyre ishin të shumta. Në ambientet e burgut u them policëve që ‘mos i prekni studentët, ata duhet të shkojnë në spital, mos i fusni në qeli, ju shkelni të drejtat e njeriut’. Nuk kishte shumë kohë që Karta e Kopenhagës mbi të drejtat e njeriut ishte shpërndarë ilegalisht nga Lëvizja e Intelektualëve të Rinj dhe njihej nga njerëzit. Ndërsa ua kërkoja këtë më afrohet një oficer i lartë i burgut dhe më pyet se kush jam, se nuk i dukesha si student. E para gjë që më erdhi në mendje në ato momente ishte ‘jam anëtar i Komitetit të Helsinkit’. Ky komitet sapo ishte ngritur dhe njihej në rrethet shoqërore dhe ishte i vetmi tempull në atë kohë në Shqipëri që kishte dalë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. ‘Jam edhe pedagog’ (punoja edhe si pedagog i jashtëm). Ndërsa po flisja më të, konstatova se ishte nga Kukësi, prandaj në një moment i thashë ‘ju jeni nga Kukësi dhe po të them këtë, nëse u ndodh gjë studentëve, ju do të përballeni edhe me zakonet e traditës shqiptare’. Ai ishte komisari i burgut dhe më thotë se ‘nuk kam asgjë në dorë, unë vetëm marr urdhra nga lart. Situata nuk është aspak e mirë, atë që mund të bëj në këtë moment është që të liroj ty me shpresën se mund të bësh diçka për këto që janë në qeli’. (Më vonë e kam takuar këtë njeri, i cili quhet Myslym Peca).
Po kush mund t’iu ndihmonte për të nxjerrë studentët nga burgu?
Rreth orës 14:30 shkoj në Qytetin Studenti, tek godina e arteve, siç quhej atëherë. Në hyrje, që është si tip verande, takoj Eduard Selamin. Me vete kisha dy tre çadra të thyera të studentëve, të cilat ia jap Edit dhe i them, ‘të lutem na i ruaj, se këto do t’i duhen muzeut të ardhshëm të demokracisë’. Me Eduardin isha shok prej vitesh dhe i merr, ndërsa po vështronte nga veranda në drejtim të godinës se studenteve nr. 4. Aty pashë që doktor Berisha, Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashku ishin duke folur me studentët. Bashkëbisedimi i tyre nuk ishte i qetë, një pjesë e studentëve ishin të irrituar nga situata. E përshëndes doktorin. (Me të jam njohur që në vitin 1987, gjatë kohës që ai ishte pjesë e programit të asaj kohe në mbështetje të zonave verilindore në Peshkopi, dhe për një muaj ngriti dhomën e parë dhe të vetme të reanimacionit të spitalit të Peshkopisë. Për më tepër ai, asistoi nga ana mjekësore, motrën time, e cila vuante prej kohësh nga zemra, e për shkak të terapisë që përcaktoi ai, shëndeti i saj u përmirësua). Përshëndetem me doktorin, i cili më shikon rrobat gjithë gjak. I them ‘doktor të lutem një minutë, të lutem shumë ndërprite bisedën këtu, se kemi situatë jo të mirë me studentët në burg dhe pritet nga momenti në moment që të dërgohen në Qafë Mollë’. Dhe doktori menjëherë u kthye siç ishte me Besnikun dhe u nisën. Më tha se do të shkonte në Komitetin e Partisë dhe për shkak të influencës së tij u bë e mundur që studentët të lirohen të gjithë rreth orës 16:00 - 16:30. Kështu mbaron data 9 dhjetor 1990, unë kisha realizuar qëllimin tim, lirimin e studentëve nga burgu.
Po data 10 dhjetor?
Gjithë ajo që ndodhi më datën 9 pati efekt të madh në Qytetin Studenti, tek banorët e Tiranës, sidomos të zonës ku ndodhi ngjarja, ndaj të cilëve jemi mirënjohës, se ata strehuan një pjesë të studentëve të shpërndarë, mjekuan të plagosur dhe automatikisht ata u bënë pjesë e kësaj lëvizjeje. Pati jehonë në media, prindërit ishin të shqetësuar për fëmijët e tyre. Data 10 solli një akumulim më të madh të mbështetjes ndaj studentëve nga masa dhe studentët e tjerë. Por, studentët protestues ishin mjaft të irrituar, të lodhur dhe të drobitur. Pas datës 9 dhe pothuajse e gjithë data 10 dhjetor ishte një vakum i madh, studentët nuk kishin arritur që të kishin mbështetje më të madhe dhe nuk dinin se çfarë të bënin.
Data 10 ishte e hënë dhe unë isha në punë. Ajo që më shqetësonte më shumë ishte fakti që ne institucionet elitare, heshtnim dhe nuk flisnim për ngjarjen. Me të vetmin që mund të flisja ne institut, ishte shoku dhe im ngushtë Çezar Kongoli, intelektual i mirëfilltë me kulturë dhe shpirt perëndimor. Pasditen e datës 10 bërthama e studentëve vazhdonte takimet, që bëheshin zakonisht te godina 15, te salla e televizorit, kati i parë, sa hyn në të djathtë. Shkoj në godinën 18 ku banoja, takoj miqtë e mi në katin e katërt dhe të gjithë ishin të mendimit se ishte krijuar vakum mes dy datave dhe ngjarjeve. Studentët pritnin si aleatët të parë të natyrshëm, pedagoget dhe ata nuk ishin aty. Në këto kushte flas me Engjëll Gishtin, Dhimitër Dokon dhe një asistent pedagog i fakultetit të Juridikut, nga Laçi, (për fat të keq nuk ia mbaj mend emrin). I them se do të shkojmë ne të takojmë studentët. Unë doja të shkoja me pedagogët për të takuar studentët dhe kështu bëmë, iu drejtuam godinës 15. Studentët kishin organizuar dy radhë sigurie për të mos lënë asnjërin që të hynte në godinë. Kjo masë ishte sepse pak më tej, në ledhin e mbeturinave të qymyrit që shikonin nga godina 15 qëndronin Skënder Gjinushi dhe Lisen Bashshkurti, makina ‘Aro’ e tyre dhe shoferi .
A hytë në godinë edhe pse ishte dhënë urdhri që askush të mos hynte?
Së bashku me tre shokët që i përmenda më sipër i afrohemi godinës. Studentët që ishin në shërbim në radhën e parë të sigurisë më njohën dhe më thanë, erdhi profesori qe ishte me neve ne demonstratë. Ata njoftojnë radhën e dytë të sigurisë që të më hapnin rrugën se po hynte profesori. Del Azemi tek dera e sallës së televizorit, sa më shikon më kap dhe më përqafon dhe normalisht kur hyjmë brenda të gjithë studentët që ishin në sallë ngrihen në këmbë, duke më përshëndetur. Ishin të lodhur, të mërzitur, ‘s’na ka ardhur njeri këtu’, ‘kush nuk ju ka ardhur’ u them, ‘asnjë pedagog’. Edhe pse nuk kisha mandat të flisja apo të përfaqësoja njeri, më erdhi në mendje një gjë dhe u them studentëve ‘i shikoni ata të tre, më shikoni mua, ata përfaqësojnë pedagogët dhe gjithë institucionet shkencore të vendit’. ‘E vërtetë?’. ‘Po’ i them. Më pas të gjithë brohorasin. ‘Le të vazhdojmë me programin tonë politik’ - thotë Azemi.
Cili ishte ky program?
U mësua se Ramiz Alia do t’i priste studentët. Bënë listën e përfaqësisë që do të shkojë. ‘Lista fillon me ty’, - më thotë Azemi. I thashë ‘Azem, mua më ngarko me një gjë tjetër, që është organizimi i përcjelljes dhe i pritjes suaj’. Ata ranë dakord. Ata bënë listën e studentëve për takimin e datës 11 dhjetor. Në këtë datë, paradite, në mbështetje të studentëve erdhi një fluks i madh pedagogësh të rinj nga Instituti i Arteve, nga Juridiku, të Inxhinierisë, banorë të Tiranës dhe mund të them që e gjithë lëvizja u transferua në fushën e sportit dhe në zonën mes godinave. Duke qenë se kishte një angazhim konkret dhe më të madh të pedagogëve, lista u riformatua. Ata shkuan me një nga autobusët e sapo ardhur në Shqipëri në vitet ’90, ishin të prodhimit francez dhe u zgjodh më i miri ndër ta. Studentët u përcollën ne muzg dhe u pritën rreth orës 23:15. Pasi ishte marrë vesh për takimin e Ramizit me studentët në qytet kishte ardhur një masë e madhe njerëzish, saqë kur u kthyen përfaqësia nga takimi ishte e pamundur të lëvizte drejt platformës ku ata do të mbanin nga një fjalë.
Pra, ju ishit me organizimin e kësaj ceremonie...
Isha organizatori i kësaj ceremonie, kisha arritur të sigurojë gjithë infrastrukturën që duhej që përfaqësia e studentëve të pritej mirë nga masa tjetër e studentëve. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Ardhja e tyre konfirmoi de facto pluralizmin në Shqipëri, megjithëse ajo si shprehje ‘pluralizëm’ u tha si nëpër dhëmbë gjate takimit, nga lideri komunist i asaj kohe, Ramiz Alia. Pastaj e gjithë masa e pranishme aty shpërtheu në parulla më reale për demokracinë. Pati edhe parulla që nuk shkonin, pak sentimentale në drejtim të Ramiz Alisë, por që më tepër ishin si diplomatike, pasi pushteti komunist ishte ende i fortë, rreziku i shpërthimit ishte potencial. U mbyll me entuziazëm edhe 11 dhjetori.
Por ju do të ishit protagonist edhe në datat e tjera, siç është 12 dhjetori, themelimi i Partisë Demokratike...
Lëvizja nga një ditë në tjetrën, mund ta konsideroj si lëvizje shekullore nga intensiteti dhe ndryshimet e mëdha që sillte në çdo moment. Data 12 shënon avancimin për konsolidimin politik të kësaj lëvizjeje me organizimin në kinoklubi ‘Studenti’ të mbledhjes së përfaqësisë së Lëvizjes së Dhjetorit. Aty ishin studentë, intelektualë, punëtorë, të persekutuar, të gjithë u mblodhën në orën 17:30 - 18:00 ku u vendos në tribunë një përfaqësi dhe aty ka qenë Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Preç Zogaj. Aty u tha se qëllimi i mbledhjes ishte krijimi i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike. Foli dy fjalë Azemi, pastaj drejtoj takimin doktor Berisha. U kalua direkt në zgjedhje dhe propozime konkrete se kush do të ishte anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e partisë. Azemi nuk bëhej fjalë që të zgjidhej, ai ishte automatikisht i zgjedhur. Pastaj jam ngritur në këmbë menjëherë dhe kam propozuar doktor Berishën me motivacionin si mbështetës i fuqishëm i lëvizjes, ai që bëri të mundur lirimin e studentëve nga burgu dhe si intelektual i shquar. Pastaj u vazhdua me kandidatura, se ishte si rregull pesë të ishin nga studentët, pedagogë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Nga studentët u zgjodh Shinasi Rama, Tefalin Malëshyti, Blendi Gonxhe, Alma Bendo, nga pedagogët dhe intelektualët u zgjodhën, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Mitro Çela, Merita Zaloshnja, (ajo u propozua nga vëllai i saj, Eduardi, i cili tha duke qenë se unë e njoh mirë, sepse ajo është motra ime), Edmond Budina, Ilir Myftari, Preç Zogaj, Eduard Selami. Fillimisht u ra dakord që të ishin 13 në komisionit nismëtar, pastaj doktor Berisha propozon që të shtohet numri edhe me të paktën dy të tjerë, ‘për arsye se kemi jashtë njerëz që kanë kontribuar dhe janë gjakosur me studentët dhe për këtë unë propozoj që në komisionin nismëtar të jetë edhe Zenel Hoxha’. Kur doktori bëri propozimin, një masë e madhe e studentëve tha, që ai (unë) të çohet në këmbë se donin të më shihnin se kush isha. U ngrita dhe u ktheva nga ata. Disa nga studentët thanë se e aprovojmë me të dy duart, duke u shprehur se ‘po ai ka qenë me ne në çdo moment’. Kur sapo po ulesha në karrige, një student tjetër thotë se, ‘jemi shumë dakord, por kërkojmë që të ndryshojë mbiemrin’.
Më pas u zhvillua mbledhja e parë e këtij komisioni. Cila ishte karakteristika kryesore e kësaj mbledhjeje?
U tha që të zgjedhurit do të mblidhen në zyrën e drejtorit të kinoklubit ‘Thanas Dede’. Aty s’kishte vend për të gjithë për të qëndruar ndenjur, por edhe për një arsye, atje u gjendëm më shumë se 15 veta. Shoh dikë në dhomë që nuk e njihja, një çun i imët, një i moshuar, më tej doktori, te dera Shinasiu, ulur në krah të tij ishte Azemi. Shinasi thotë se ‘ne duhet të jemi 15 veta këtu, na dalin më shumë’. Shinasiu kontrolloi listën dhe pyeti kush ishin të tjerët e pranishëm. ‘Xhaje ça don ti aty’, - i thotë dikujt aty, që ishte me mustaqe, ‘a ke qenë ndonjëherë në mulli dhe aty ka radhë’, - i thotë Shinasiu. Ndërkohë, Pashko ndërhynë dhe thotë që ‘është Leka, arkitekt, intelektual, mbështetës i joni’. ‘Po ti?’, e pyet tjetrin Shinasiu, përgjigjet sërish Pashko, ‘ky është Genci, kunati im, ka mbaruar ekonomikun dhe ligjëron atje, por ai ka mbaruar edhe juridikun dhe neve si komision na duhen edhe juristë’. Në debatin mes Shinasiut me të moshuarin ndërhyj dhe i them se duhet të tregohet më i përmbajtur se ‘është i moshuar, por më thotë se ‘nuk dua të debatojë me ty Zenel, ne jemi të zgjedhur dhe nuk e shoh të arsyeshme të kemi njerëz të tjerë”. Përfundimisht ne mbetëm 19 veta, ku u shtua Meksi, Ruli dhe Bardhyl Reso, i cili shtoi se “unë jam i persekutuar, babai im Bexhet Reso ka vuajtur dënime të gjata me burg nga regjimi”. Duke folur për organizimin paraprak, hapet dera dhe hyn një i gjatë, që binte në sy një triko shumë ngjyrëshe me vija, ku dominonte ngjyra gri me të bardhë. ‘Mirëmbrëma!. Ngrihet Pashko dhe i thotë, ‘mirëmbrëma Edi!’. Ai thotë; ‘Urime! Isha në Selanik, dëgjova për këtë, ndërpreva vizitën dhe erdha të bashkohem me ju. Para se të vazhdojmë më tej, a e keni në program me i ekzekutue komunistët, Ramiz Alinë dhe byronë politike etj. I thotë Gramozi ‘jo’, ne mendojmë të krijojmë një Parti Demokratike, por kush ka gabuar ndaj popullit, do të veprojë ligji, ne nuk jemi gjykatë’. ‘A e keni apo jo në program?’. ‘Jo, nuk e kemi’, ‘atëherë s’kam ç’fare dua këtu, po iki’, - tha ai, ‘derën hapur e ke’, - iu përgjigj Gramozi. Atëherë ai iku. Ne vazhduam diskutimet tona. Një ndër gjërat më të rëndësishme ishte të krijohet një program për këtë parti, dhe u ra dakord që ky të quhet programi minimal i PD-së që ishte një dy fletësh, ishte programi bazë. Gjatë mbledhjes, doktori më ngarkoi me një detyrë. Më dha çelësin e zyrës së tij në spital ku duhej të merrja një dosje mbi tavolinën e punës. Më kujtohet që ishte natë me shi, errësirë e madhe, dhe që shkova me biçikletë nga e cila u rrëzova në dalje të Qytetit Studenti, plaga e asaj nate nuk m’u shërua për vite me radhë. Në dosjen, që i dorëzova Berishës ishin konventat, të cilat do të ndihmonte në hartimin e programit.
Programi i Partisë Demokratike u hartua në shtëpinë e Gramoz Pashkos, pse u zgjodh shtëpia e tij?
Në darkë vonë të po asaj nate, të 12 dhjetorit, u mendua se ku mund të kishte sado pak logjistikë për të hartuar materialin dhe Gramozi thotë: ‘kam kompjuter në shtëpi dhe kam mundësi’. Unë për vete s’kisha as shtëpi, kishim vetëm shpirtin dhe dëshirën për të punuar. U ra dakord që të shkohej te ai dhe për arsye sigurie dhe një pjesë e grupit nismëtar shkuan atje, Gramozi, Berisha, Selami, Meksi, Ruli. Aty u ndanë detyrat. Unë u ngarkova nga komisioni nismëtar për organizimin e degës së Tiranës. Duke qenë se ishte një ngarkesë e madhe, komisioni nismëtar ngarkoi edhe doktor Berishën për të më mbështetur në punën time.
Pra, ju ishit në një farë mënyre kryetari i parë i PD-së së Tiranës...
Ishte shumë e vështirë, ekzistonte ende frika, por me ato mundësi që kishim bëmë takimin e parë. Ai u arrit të realizohej duke gjetur njerëz që ishin në mbështetje të lëvizjes, secili sillte mbështetësit që gjente. Ata ishin të pranishëm në godinën 15, dhe u ra dakord që te kjo godinë të kishte dy dhoma pune për komisionin nismëtar të PD-së. Pas datës 13 mbledhjet janë bërë në këtë godinë ku u krijua një grup prej 20 vetash,(pas disa ditësh lëvizëm me seli tek një vilë në rrugën “Fortuzi”, si komision nismëtar për degën e Tiranës. Aty kanë qenë Bashkim Sala, sekretar komisioni, Rexhep Alia, Sokrat Nesturi, Mark Topallaj, Agron Çika, Sotir Qirjaqi, Rexhep Uka, Shaban Memia, Albert Brojka, Fatos Hodaj, Gazmend Dibra, Rinush Idrizi, Lili Dhame, Aleko Gjergo etj (kërkoj ndjesë që nuk i përmend të gjithë). Nga datat 12 deri më 25 dhjetor di ekzaktësisht që janë krijuar 212 seksione të PD-së, Dega e Tiranës, Komisioni Nismëtar, Dega e komisionit nismëtar dhe seksioni i PD-së, i quajtëm kështu se nuk donim të përsërisnim Partinë e Punës me organizatat bazë. Kishim parasysh që të përdorej terminologji krejt ndryshe nga ajo e vjetra. Seksioni i parë i PD-së, që është krijuar në degën e Tiranës është ai i Nish-Profarmës dhe personi që e ngriti ishte Aleko Gjergo. Pastaj vijnë me radhë Kombinati i Autotraktorëve, miniera e Valiasit, Shtypshkronja e Re, Televizioni Shqiptar, Uzina Gjeologjike, Lapraka dhe Vladimir Breçani krijoi seksionin në Institutin e Gjashtë.
VIJON HISTORIA...

No comments:

Post a Comment