Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, January 4, 2011

Interviste me Tanush Mulletin

Krishtlindjet 20 viteve më parë në kujtimet e një muslimani

Mulleti: Do përdorej dhuna nëse nuk do të ishin ambasadorët

“Pa liri fetare nuk ka liri politike”

Gilmana Bushati
Tanush Mulleti, flet për eksperiencën e tij të 20 viteve më parë, kur në Shkodër më 24 dhjetor 1990, plot pas 23 vitesh do të kremtohej ceremonia e parë e Krishtlindjeve. Mulleti, që është nipi i ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti, tregon emocionet e asaj nate dhe të ditë së nesërme, pra të datës 25 dhjetor. Sipas tij, pas ceremonisë së Krishtlindjeve, nuk kishte më kush frikë dhe se feja ishte zyrtarisht e lirë, e këtë nuk e vendosi shteti, por vetë njerëzit. Ai ka qenë i pranishëm edhe i disa ngjarjeve të mëdha ndodhur në Shkodër, sidomos të dhjetorit 1990 e më pas në Tiranën e vitit 1991. Ishte në meshën e parë të organizuar më 4 nëntor 1990, në meshën e madhe të 11 nëntorit të po atij viti, po në qytetin e Shkodrës.
Ishit i pranishëm edhe në meshën që u dha për Krishtlindjet e para që u festuan në Shkodër më 24 dhjetor 1990. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Që pas meshës së parë që u bë më 4 nëntor dhe asaj madhështores që u bë më 11 nëntor 1990 kapela e Varrezave të Rrmajit filloi të rikonstruktohej me një qëllim të caktuar, festimin e Krishtlindjeve. Duke qenë se regjimi komunist nuk kishte lënë vend të bekuar nga Zoti pa prishur, ishte caktuar pikërisht kapela e këtyre varrezave ku do të mbahej mesha e Krishtlindjeve më 24 dhjetor. Njerëzit vullnetarisht filluan ta rikonstruktonin atë dhe të gjitha materialet merreshin nëpër ndërmarrje shtetërore se atëherë nuk kishte se kush financonte. Diku pak çimento, diku disa dërrasa, diku gozhda, diku boja, e diku llampat e telat e elektrikut e kështu me radhë filloi puna. Kur delnin këto materiale nga ndërmarrjet askush nuk thonte gjë, të gjithë e dinin se ku po shkonin ato dhe për çfarë nevojiteshin. E kështu u arrit që kapela e Varrezave të Rrmajit të ishte gati për natën e Krishtlindjeve.
Si vendosët të shkonit natën e Krishtlindjeve në një kohë që besimi nuk ishte lejuar zyrtarisht, edhe shteti i atëhershëm kishte dhënë shenja për lejimin e tij?
Po e filloj nga pjesa e dytë. Është e vërtetë që shteti kishte dhënë ndonjë shenjë se do ta lejonte fenë, por në fakt ai punonte kundër kësaj. Janë shembujt që e tregojnë qartë këtë. 11 nëntorit 1990, që ishte lajmëruar se do të mbahej mesha, i takonte ditë e diele, por njerëzit ishin lajmëruar se duhet të ishin në punë, pasi ishte shpallur ditë pune nga drejtuesit lokalë të qytetit. Njerëzit atë ditë ose nuk kanë shkuar në punë, ose kanë ikur nga ndërmarrjet në kohën e meshës duke kapërcyer mure. Po kështu ndodhi dhe të premten e 16 nëntorit, ku u hap xhamia e Plumbit, njerëzit ikën nga muret, morën leje dhe bënë gjithçka të mundnin që të ishin pjesë e asaj ngjarjeje të rëndësishme.
Atë natë kur dola bashkë me bashkëshorten në Parrucë, një nga lagjet kryesore të qytetit, për të shkuar në ceremoni, aty nga ora 22:00, shohim që në vende të ndryshme dukeshin njerëz, dukeshin se ishin roje të caktuara për të parë se kush do të shkonte në meshën e asaj mbrëmjeje. Kur i afrohemi ngadalë Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe (sot ndërtesa e prefekturës) shohim makina ZIS-a të ushtrisë të mbushur me ushtarë që zbrisnin në oborrin e Komitetit. Prandaj na u desh që t’i binim rrugicave për të mbërritur deri në lagjen ku ndodhen Varrezat e Rrmajit.
Dhe si ishte ajo natë?
Hymë në oborrin e varrezave, i cili ishte i mbushur plot e për plot me njerëz. Përshëndetemi me njëri-tjetrin, i uronim njëri-tjetrit Krishtlindjet. Mbaj mend që për të ndjekur meshën e asaj nate erdhi ambasadori italian Torquato Cardilli, ishin shumë gazetarë të huaj, mes të cilëve edhe një japonez. Nuk kishte më vend se ku të qëndronin njerëzit, mbaj mend se kishim zënë vend mbi varre, pasi njerëzit vazhdonin e vinin. Po atë natë, në orën 21:00 “Zëri i Amerikës” në shqip transmeton këngën Ave Maria të kënduar nga i mirënjohuri Gjok Vata. U mësua se atë ia kishin regjistruar në shtëpinë e Gjokës nga disa gazetarë të huaj. Njeriu ka ditë të lumtura në jetën e tij, po ajo natë, ishte e magjishme. Nata ishte e bukur, gjithçka më dukej e bukur atë natë, ngjyrat e qiellit, fytyrat e njerëzve, kishte diçka ëngjëllore ajo natë. E gjithë zona ishte e ndriçuar nga dritëzat e vogla të qirinjve. Ajo zonë gjithnjë ka qenë e errët dhe e pandriçuar mirë, po atë natë ndriçonte taman për të përjetsuar lindjen e Krishtit. Nuk do ta harroj kurrë.
Kush e drejtoi meshën?
Edhe kësaj here meshën e drejtoi Dom Simon Jubani, martiri i gjallë i Shqipërisë. Kësaj here ai ndihmohej nga dy të tjerë. Mbaj mend që në fjalën e tij ai foli për rëndësinë e fesë, për nevojën e shkëputjes nga dhuna, që të gjithë ne të mund të ndiqnim besimin tonë, pra të secilit, pavarësisht se kujt besimi i përkiste. Më kujtohet që gjatë përkuljes që bënin besimtarët katolikë ndërsa vazhdonte ceremonia, dalloheshim ne që ishim myslimanë që nuk i dinim këto rregulla dhe them që mund të kemi qenë gjysëm për gjysëm të pranishëm atje. Këtë ceremoni e ndoqën nga afër Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Këta të fundit i bënë vizitë në shtëpinë e Dom Simonit, që gjendet në lagjen Ballabane. Në atë kohë ajo lagje ishte e zhytur në baltë. Kur i shkuan këta në shtëpi të Dom Simonit, ku i sheh me këpucë pa baltë dhe i pyet se me çfarë keni ardhur deri këtu pa u bërë me baltë. Ata i thonë ‘kemi ardhur me makinë’ dhe Dom Simoni u përgjigjet ‘doni me rrzue shtetin me makinën e shtetit?’. Më vonë kemi mësuar shumë detaje për ceremoninë e mbajtur për Krishtlindje.
Cilat ishin këto detaje zoti Mulleti?
U mësua se partia në pushtet nuk donte ta kalonte lehtë këtë ceremoni. Në një ndërmarrje që gjendej aty pranë, që së fundmi ishte zgjeruar për shkak të ardhjes së disa vagonëve të rinj treni, atë nate ishte e mbushur plot me stampistë. Të gjithë këta vagonë të rinj ishin të mbushur me stampistë, që të armatosur, prisnin vetëm urdhrin që të ndërhynin. Por kjo nuk ndodhi për shkak të pranisë së ambasadorit italian aty dhe të mediave të huaja. Mendoj se po të mos ishte prania e diplomatëve të huaj gjithçka do të përfundonte me dhunë më 24 dhjetor 1990.
Po më 25 dhjetor 1990, që i takonte të ishte ditë e martë, a arritët të shkonit nëpër vizita dhe të uronit njëri-tjetrin?
Ishte pikërisht tre ceremoni me radhë, ajo e 4 nëntorit, e 11 nëntorit dhe ajo e Krishtlindjeve që ia hoqën frikën njerëzve dhe feja u konsiderua zyrtare që më datën 25 dhjetor të 1990. Mendoj se pa liri fetare nuk ka dhe nuk do të ketë liri politike. Ishin pikërisht këto liri fetare, të marra përdhunshëm shtetit, që bënë që ngjarjet në Shqipëri të rridhnin ashtu siç rrodhën deri në rrëzimin e plotë të regjimit komunist.

No comments:

Post a Comment