Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, December 24, 2010

Interviste me Laura Konomin

Flet një nga pjestaret e komunitetit hebre se si filloi largimi

Konomi: Donin të largoheshin në ’48, Enveri nuk i la

“Vendi i tyre është atje, në Izrael”

Gilmana Bushati
Më 31 dhjetor 2010, mbushen plot 20 vite nga largimi i parë në masë i hebrejve të Shqipërisë drejt SHBA-së dhe Izraelit. Për këtë flet një nga pjesëtaret e njohura të komunitetit hebre në Shqipëri, Laura Konomi. Ajo është një nga hebrenjtë që vendosi të qëndronte në Shqipëri, pasi ishte bashkëshortja e një politikani të PD-së, që ishte përfshirë aktivisht në lëvizjet e para të pluralizmit, Maksim Konomi Në intervistën e saj, znj. Konomi tregon se si bashkatdhetarët e saj u përgatitën që në 1948-ën të linin Shqipërinë, por regjimi në fund të përgatitjes nuk u dha leje, duke vuajtur së bashku me shqiptarët regjimin komunist. Vetëm në 1990-ën filloi largimi i tyre në masë. Më 31 dhjetor u larguan 37 të parët, hebrenj nga komuniteti i qytetit të Vlorës, të tërhequr nga e afërmja e tyre, Ana Kohen, një grua mjaft e njohur në Shqipëri, Amerikë dhe Izrael. Në pranverën e 1991 vazhdoi pjesa e dytë e të larguarve, të cilët shkojnë deri në 300.
Zonja Konomi, pse ikën hebrenjtë nga Shqipëria në vitin e vështirë 1990, në kohën kur regjimi ende nuk kishte ndryshuar?
Duhet të kihen parasysh dy gjëra: ata ishin hebrenj dhe kishin mall të shkonin në vendin e tyre, një nga urimet që ata bënin, ishte: ‘Sot këtu, mot në Izrael’; ndërsa shqetësimi i tyre ishte gjendja ekonomike dhe izolimi i madh i Shqipërisë. Këtë të dytën e vuante i gjithë populli shqiptar dhe jo vetëm hebrenjtë.
Çfarë jete bënë ata gjatë periudhës së komunizmit?
Një jetë normale si të gjithë të tjerët, si të gjithë qytetarët shqiptarë.
A u përndoqën ata nga regjimi?
Nuk është ndjerë persekutimi te ne dhe kjo për mendimin tim, është meritë e shqiptarëve që i kanë mbrojtur dhe ndihmuar hebrenjtë.
Fillimisht u largua një grup prej 37 vetash, pikërisht më 31 dhjetor 1990...
Po në dhjetor ikën ata, pavarësisht se procedurat për t’u larguar kishin filluar që herët. Ishte marrë leja nga shteti shqiptar dhe vizat italiane dhe u nisën më 31 dhjetor, fillimisht me destinacion Romën. Marrja e kësaj leje u bë e mundur në një moment që u krijua një lloj tolerance nga shteti i atëhershëm, i cili ende kishte në krye një përfaqësues të vjetër të partisë në pushtet. Izraelitët konsideroheshin ende si revizionistë nga shteti i atëhershëm.
Këta 37 vetë ishin pjesëtarë të së njëjtës familjeje?
Kishin lidhje me njëri-tjetrin, por jo se kishin një mbiemër. Përmend këtu familjen Jakoel dhe në dhjetor të 1990-ës u larguan hebrenj të Vlorës dhe një pjesë nga hebrenjtë e Tiranës.
Kjo ishte përpjekja e parë e tyre për t’u larguar nga Shqipëria?
Jo, nuk ishte përpjekja e parë. Hebrenjtë e Shqipërisë u përgatitën të iknin që më 1948-ën, vit kur u krijua shteti i Izraelit. Të gjitha procedurat u bënë gati dhe në fund kur donin të iknin, shteti shqiptar nuk iu dha leje.
Cili ishte kontributi i Ana Kohen në largimin e hebrejve në fund të 1990 dhe fillim të 1991-it?
Po ajo ishte kryesorja e tërheqjes së tyre jashtë Shqipërie. Ana Kohen, përveçse është hebreje në çdo qelizë të saj, ka bërë shumë për hebrenjtë në Shqipëri.
Sa qëndruan në Romë të larguarit e parë?
Atje qëndruan rreth gjashtë muaj deri sa u përgatit gjithçka që këta hebrenj të kishin gjithçka gati kur të shkonin në SHBA.
Mediat shqiptare të dhjetorit 1990 nuk shkruan për këtë largim?
Po, këtu nuk u fol për largimin e tyre. Por kur ata shkuan në Romë, i pritën shumë gazetarë, pasi ishin kuriozë të dinin se si kishin jetuar ata në Shqipëri.
Kur u bë largimi masiv i hebrejve nga Shqipëria?
Largimi masiv dhe kryesor i hebrejve nga Shqipëria u bë në pranverën e vitit 1991. Të gjithë u nisën drejt Izraelit.
Si u pritën në Izrael?
Unë mendoj se nuk ka shtet tjetër në botë që mund t’i presë aq mirë sa ç’i pret Izraeli. Është i vetmi shtet që ka ministrinë e Emigracionit, që ka qendra thithëse, të cilat merren me sistemimin e hebrejve nga e gjithë bota, që duan të shkojnë të jetojnë në Izrael. Hebrenjtë e Shqipërisë atje janë pritur shumë mirë, u janë dhënë apartamente, kanë marrë mësime të gjuhës dhe gjithçka tjetër ka qenë e organizuar në mënyrë perfekte, pra që ata të integroheshin sa më mirë në shoqërinë e atjeshme.
A i kanë ruajtur ata traditat e fituara në Shqipëri, gjuhën e mësuar këtu?
Patjetër që i kanë ruajtur këto. Me largimin e tyre, ikën dhe gjysma tjetër, pikërisht bashkëshortët, një pjesë e të cilëve ishin shqiptare/shqiptarë.
Po ju zonja Konomi pse nuk u larguat?
Ka disa arsye pse nuk u largova nga Shqipëria. Im shoq është shqiptar dhe djalë i vetëm dhe jetonim me prindërit dhe ishte përgjegjësi që t’i lije vetëm. Ai më pas u ingranua në politikë, ka qenë në listën e deputetëve të parë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 1991 (Maksim Konomi). Pastaj për mua ekzistonte dhe një lloj hezitimi, bëhet fjalë për 20 vite më parë dhe jo për tani. Por duhet thënë se nuk është se ikën të gjithë, disa edhe kanë qëndruar në Shqipëri. Gjithsesi, unë mendoj se nuk duhet thënë asnjëherë kurrë. Në Izrael kam mamanë dhe dy motrat, prandaj nuk dihet kurrë se çfarë ndodh.
Keni trashëgimtarë, dhe të çfarë përkatësie janë?
Kam dy djem dhe ata duke pasur mamanë hebreje, janë automatikisht hebrenj, gjithnjë sipas rregullave hebreje. Ata kanë qenë pjesë e kampeve hebreje në Europë, kryesisht ën Hungari.
Si erdhën të parët tuaj në Shqipëri?
Ata erdhën nga Greqia, para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ardhja e tyre u bë për arsye ekonomike. U vendosën në Gjirokastër. Më pas erdhën në Tiranë. Babai dhe mamaja ime punonin bashkë në një rrobaqepësi. Me luftë të madhe u arrit që ata të martoheshin. Komuniteti hebrej nuk donte lidhje me shqiptarët pikërisht në momentin që po përgatiteshin të iknin drejt Izraelit si dhe nëse bëheshin martesa i donin brenda komunitetit të tyre. Por mamaja ime, Ester Vituli, megjithëse më e vogla nga gjashtë fëmijët, e theu rregullin dhe u martua me një ortodoks.
Është folur shumë për një lidhje të fortë mes hebrejve dhe shqiptarëve, vazhdon të jetë kjo lidhje edhe pas largimit të tyre?
Edhe pse janë në Izrael apo në SHBA, ata e duan Shqipërinë si vendin e tyre dhe u dhimbset për atë çfarë ka hequr. I përcollën me dhimbje të madhe ngjarjet e 1997-ës.

No comments:

Post a Comment