Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, April 24, 2011

Interviste me Izedin Çelën

Mjeku patolog që prej 14 vjetësh trajton vuajtjen

Çela: Ja vuajtjet e 2000 pacientëve të mi

“Njëri ka plastikë në vend të kafkës”

Gilmana Bushati

Është një njeri i thjeshtë, një mjek që hap e mbyll derën e qendrës së tij që prej 14 vjetësh dhe pret aty pacientët që kanë pësuar tortura dhe trauma në vite. Ne interesohemi pikërisht për pacientët që vuajnë ende torturat dhe traumat e kohës së regjimit komunist. Izedin Çela, mjeku patolog, që ka ndjekur disa kurse trajtimi danezë për të trajtuar këtë kategori njerëzish, flet për eksperiencën e tij personale në punën e tij. Flet për vuajtjen që ia kanë rrëfyer këto pacientë, për durimin që duhet të ketë për t’i dëgjuar, ndoshta një histori të treguar disa herë, por edhe për sindromën Burn-Out. Një sindromë që njihet në mesin e psikologëve, që nga dëgjimi i të gjithë këtyre vuajtjeve dhe traumash bëhesh vetë i traumatizuar. Çela tregon shembujt dhe plagët e disa prej pacientëve të tij, që i mban të regjistruar me të gjitha karakteristikat në një bllok të veçantë. Është blloku i atyre njerëzve që kanë gjurmë të torturave që u kanë bërë në burgje dhe kampe.
Zoti Çela, ju jeni njeriu tek të cilët ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, vijnë për të kërkuar ndihmë. Që kur keni filluar punë në qendrën shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës dhe çfarë pacientësh trajtoni në këtë qendër?
Kam filluar këtë punë që në maj të 1997. Pacientët e mi janë të disa periudhave, të komunizmit, të tranzicionit, të periudhës së ardhjes së kosovarëve në Shqipëri më 1999. Gjatë periudhës së Kosovës kam trajtuar mbi 70 veta në ditë. Në atë kohë numri i pacientëve që kishte nevojë për trajtim vajti deri në 10 mijë veta. Të burgosur dhe të përndjekur si pacientë kam 2000 veta; 1/3 e të cilëve i kam të kartelizuar. Përveç Tiranës, ne punojmë edhe në Shkodër ku shkojmë një herë në dy javë që prej vitit 2003. Por pacientët e mi që vijnë për nevojat e tyre këtu janë nga e gjithë Shqipëria. Janë pacientë të periudhës së tranzicionit, nga trazirat e 1997 kam rreth 35 pacientë me trauma, apo që qendra jonë ka trajtuar dhe prostituta, pra të gjithë ato persona që kanë pësuar traumë, apo kanë qenë objekt torture janë pacientë që ne i trajtojmë në qendër.
Duke mbetur specifikisht te kategoria e të burgosurve dhe të persekutuarve politikë, si mund ta përkufizojmë vuajtjen e tyre?
Të gjithë ato që kam trajtuar kanë një të veçantë, ç’rregullime nga stresi postraumatik kronik. Eksperienca ime më ka mësuar shumë mënyra se si të punoj me ta dhe për këtë ndjek një metodën time personale. Është një trekëndësh, metodë pune të cilën e ndjek me pacientët e mi. Në të përfshihet “rrëfimi” si faza e parë e punës, “korrektimi”, faza e dytë e punës dhe “relaksimi” që është faza e fundit.
Pse vijnë pikërisht te ju zoti Çela dhe si mund t’i shpjegojmë më qartë këto faza e punës suaj?
Si fillim mund t’iu them se ata vijnë te qendra e jonë, pasi kanë besim tek ne, kanë krijuar një farë lidhjeje të afërt me ne. Ata kanë nevojë për rrëfim, kanë nevojë ta tregojnë historinë e tyre, kanë nevojë të nxjerrin përjashta gjithë atë makth e frikë që kanë ndrydhur përbrenda prej vitesh. Janë dy arsye se pse kjo qendër vazhdoj të jetë aktive; e para se ata nuk kanë besim te kujdesi mjekësor i shtetit; kanë frikë se i konsiderojnë burgaxhinj; nga ana psikologjike nuk trajtohen, trajtohen si grup i margjinalizuar dhe arsyeja e dytë është ajo e korrupsionit që ekziston në sistemin tonë të shëndetësisë. Këtu në qendër ata nuk paguajnë për shërbimet që u ofrohet, mund t’u bëj atyre analiza për diabetin, EKG etj. Nëse në institucionet shtetërore ai shkon vizitohet, merre recetën dhe ikën, këtu ka mundësi që të gjejë rehatinë e vet, të flasë për veten, për jetën apo për familjen. Vijnë tek ne se për ta është i rëndësishëm rrëfimi, që është faza e parë. Ata kanë nevojë të tregojnë deri edhe problemet e ditës së tyre, përveçse tregojnë atë që kanë kaluar nëpër.
A ju ka bërë përshtypje rrëfimi i ndonjë pacienti?
Është një rast. Kam pacient Myftar Kupin, 90-vjeçar, i cili ka qenë i internuar edhe në kohën e Italisë edhe në kohën e komunizmit. Një ditë takon në rrugë një njeri dhe ai i thotë “Më njeh mua?”. Myftari i përgjigjet që “Po të njoh. Je komandant filani”, - duke pasur parasysh komandantin e kampit të burgut. Dhe komandanti i ishte kthyer duke i thënë; “mos më thuaj komandant, jam nënkolonel filani”. Kjo sa për të kuptuar se me çfarë përballen të burgosurit politikë sot, që takojnë në rrugë me grada persekutorët e tyre.
Cilat janë ato probleme të së kaluarës që janë më të përgjithshme tek të burgosurit dhe të persekutuarit?
Në fakt, problemet e së kaluarës kanë lënë gjurmë të thella në psikikën e tyre. Atyre u duket se janë të çmendur, shpesh e humbasin kur shpjegojnë eksperiencën e tyre. Ndjehen të pambështetur, kanë frikë. Ata kanë frikë nga kujtimet e trishtuara, kanë frikë nga makthet e natës, kanë flash-back (term që përdoret për ata persona që në pak sekonda nuk e dinë se ku gjenden, por e marrin veten sërish), kanë mungesë të madhe sigurie për të tashmen dhe të ardhmen, kanë krizë besimi. Të gjithë këta vijnë në qendër për mbështetje mjekësore, po zbuloj se ata kanë probleme psikologjike. Në trajtimin e tyre, që hyn në fazën e “korrektimit: nuk kam ndjekur një metoda strikte, që parashikojnë manualet e psikologjisë, kjo metodë nuk është efikase tek ata. Ata duan bisedë të lirë në fillim, që është pjesë e fazës së rrëfimit, në momentin që e shoh të arsyeshëm kaloj në psikoterapi. Por, kur e shoh që ata ndjejnë dhimbje të mëdha nga ajo çfarë tregojnë, unë e ndërpres me kujdes këtë fazë dhe kaloj sërish në një bisedë të thjeshtë. Ka njerëz që duan të hapen që duan t’i tregojnë gjithçka që kanë kaluar gjatë kohës së komunizmit, nëpër kampe dhe nëpër burgje, por kanë nga ata që nuk duan të hapen, mbyllen në vetvete dhe më thonë që të mos shkoj më tutje. Flasin se shohin figura natën.
Për çfarë figurash bëhet fjalë zoti Çela?
Shohin figura nga jeta e kampit, u duket sikur po u bërtet shefi i kampit, u duket sikur janë më duar të gjakosura; u duket sikur janë në një tunel, i cili është pa rrugëdalje. E shohin veten sikur janë të mbyllur në një dhomë të vogël hekuri, e cila skuqet dalëngadalë nga zjarri.
Po faza e korrektimit çfarë parashikon?
Në fillim u bëj një kthjellim psikologjik, u them se jeni njerëz normale që kanë kaluar trauma, u them që s’është e vërtetë që jeni të sëmurë, përpiqem t’u zgjidh konfliktet e brendshme, si në marrëdhënien me veten, ashtu dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Në këto raste sa më i durueshëm të jesh në sqarim aq më e lehtë është. T’i korrektosh duhet kohë.
Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, të burgosurit dhe të persekutuarit, kanë ende në trupin e tyre shenjat e torturës?
Sigurisht që ka. Unë kam të regjistruar me dëmtime trupore 70 pacientë. Një pacient nga Pogradeci është me një krah të shtrembër, se pas shumë torturave, ia kanë thyer krahun, por ia kanë ngjitur keq. Kam rreth 70 pacientë që kanë edhe sot plagë të së kaluarës mbi trup. Janë të zakonshme thyerje krahu, thyerje brinjësh, thyerje gishtash, nuk u hapet dora se ua kanë ngjitur keq gishtash. Këto dëmtime duken qartazi edhe sot, pasi pjesës më të madhe ua kanë ngjitur keq gjymtyrët dhe janë të dukshme gabimet që kanë bërë atëherë mjekët me to. Kanë dëmtime në sy dhe kokë; thyerja nofullash, dëmtime në testikuj. I kanë gjuajtur aq shumë burrat në testikuj sa ata nuk mund të kenë fëmijë. Dëmtime të veshit. Nga tortura e shuplakës, është një torturë e zakonshme që i bëhej të burgosurit, që u binin fort me dy shuplaka në veshë. Nga kjo torturë ata kanë pësuar që nga infeksionet e veshëve deri në probleme me dëgjimin. Një pacienti nga Elbasani nga të rrahurat i kanë hequr syrin, pas ardhjes së demokracisë, ai ka vendosur një protezë. Nga shkelmat që i kanë dhënë njërit është detyruar të heqë shpretkën. Pastaj janë pacientët me probleme të tilla shëndetësore si ftohje si pasojë e qëndrimit në të ftohtë, në izolim, në miniera, në vende pa kushte për të marrë një trajtim mjekësor.
Po nga tortura të tjera a kanë pasur dëmtime?
Po nga elektroshoku. Është një pacient nga Shkodra, quhet Mark, i cili ka pësuar dëmtime të rënda në kafkë si pasojë e seancave të shumta të elektroshokut që i kanë bërë. Ai ka humbur një pjesë të kafkës, dhe në vend të saj ai ka një copëz plastike në masën 3x3 centimetra, që të mos i dalin trutë nga kafka. Marku ka bërë 15 vite burg dhe aktualisht ka probleme me epilepsinë. Një pacient tjetër, i cili ishte kthyer nga Gjermania, shpërthente menjëherë kur dëgjonte dikë, që i binte borisë së makinës. Ishte mësuar andej, që askush nuk i bie borisë së makinës kaq shumë sa i biem ne, dhe kur dëgjonte një të tillë thoshte “do ta shqyej atë shofer”. Kafshonte me dhëmbët e vet gjuhën, e gjakoste fare, në një ç’rregullim kompulsiv. Ai kishte dell shkrimtari, shkruante romane. Ai i thoshte unë më duhej t’ia shkruaja. Nëse nuk ia shkruaja, fillonte sherri pastaj këtu te qendra.
Nga pacientët tuaj a ka njerëz që kanë pësuar dëmtime të rënda psikologjike nga të cilat nuk mund të kenë shërim?
Duhet të dallojmë dy lloj pacientësh; të traumatizuar duke qenë të shëndetshëm; pacientë të cilët kanë pasur probleme psikologjike, por që trauma e burgjeve dhe e kampeve ua ka rritur problemet. Ka skizofrenë të lindur dhe të bërë nga elektroshoku, si një nga torturat që kanë pësuar ata gjatë viteve të burgut.
Në qendrën tuaj vijnë më shumë burra apo dhe gra dhe këto të fundit a kanë rrëfyer dhunën që u është ushtruar vetëm e vetëm se kanë qenë gra?
Tek ne vijnë edhe burra edhe gra, por më shumë burra. Gratë nuk kanë treguar për dhunën seksuale. Por di që një paciente e imja, këtu në Tiranë, është më parkinson si pasojë e torturave që ka pësuar gjatë periudhës së qëndrimit në burg.
A duhet të ketë shteti një njësi të veçantë mjekësore për këtë kategori njerëzish?
Sigurisht që duhet të ketë. Deri tani i kemi kryer ne këto shërbime, por shteti ka infrastrukturën, ka njerëzit e specializuar. Shteti nuk pret nga donacionet, ashtu siç presim edhe ne, por ka financimin e siguruar për të afruar një shërbim të tillë.

No comments:

Post a Comment