Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, April 24, 2011

Intervistë me Aleksanër Meksin (Pashkët)

Aleksandër Meksi tregon se si festoheshin Pashkët para 1967

“Myslimanët na uronin të parët Pashkët”

Pas ligjit, festimet në katër muret e shtëpisë

Gilmana Bushati
Aleksandër Meksi tregon se si festoheshin Pashkët në Tiranë para vitit 1967, se si familjet besimtare dërgonin te “furra e Mal Priskës” tavat e tyre me qengja, si edhe për vizitat nëpër familje. Meksi tregon se të parët që shkonin për vizitë në familjen e tij për Pashkë ishin mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa”, ku punonte i ati, që të gjithë myslimanë. Sipas tij, edhe në kishë, të shtunën në darkë mblidheshin të krishterë e myslimanë pikërisht tek kisha që ka qenë ku sot gjendet “15- katëshi”. Pastaj, krejt papritur, tregon Meksi, më 1967-ën u mor vendimi për t’i mbyllur kishat e xhamitë dhe për të zhveshur prelatët e tyre. Ish-kryeministri tregon se Pashkët festoheshin vetëm brenda mureve të shtëpisë dhe vizitat tek të afërmit u reduktuan, si dhe u tregua kujdes për vezët. Ato ngjyroseshin vetëm sa për anëtarët e familjes dhe jo më shumë.
Zoti Meksi, si festoheshin Pashkët para se komunistët ta ndalonin besimin me ligj?
Festoheshin sipas ritualit të besimit. Ne nuk hynim në ato familje që besimin e kishin me tepri, ishim nga ato familje që e mbajtën ndër shekuj atë që e tha edhe Fishta “fe dhe atdhe” dhe nuk besojmë te konservatorizmi. Përgatitjet për festën bëheshin prej disa ditësh, që fillon me bërjen e vezëve të enjten, të premten shkonim në kishë, që në Tiranë ka qenë traditë të ishin atje edhe të krishterë dhe myslimanë. Të shtunën blihej qengji, në atë kohë ende s’ishte shpikur talloni, të shtunën shkonim në kishë (atje ku sot është “15-katëshi”), të dielën bëhej dreka dhe tavën e çonim te furra e Mal Priskës. Banaku i furrës së tij ishte i mbushur plot me tava me qengja, ku dallohej qartë veza e kuqe në gojën e tyre teksa piqeshin. Të dielën bëheshin vizitat te njëri-tjetri dhe kujtoj që të parët që vinin në shtëpinë tonë ishin mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa”, që të gjithë myslimanë, ku punonte mësues im atë. Kujtoj këtu Fadil Repishtin, mes mësuesve, si dhe një kushëri tonin mysliman, Haxhi Turkun. Kjo ishte klima tolerante e Tiranës, si në një asnjë qytet tjetër i Shqipërisë. Mbaj mend që shkonim për urime te kryepeshkopi, që atë kohë ishin të tillë Visarion Xhuvani dhe Kisi, miq të babait tim. Ata na jepnin vezë, që mua gjithnjë më kanë bërë përshtypje, ishin me ngjyrë vjollcë.
Po pas vitit 1967, kur u ndalua feja dhe Shqipëria u bën vendi i parë i kampit socialist që e kishte të ndaluar me ligj besimin, si u festuan Pashkët?
Pas 1967-ës, sigurisht që Pashka ishte Pashkë, merrej vesh me njëri-tjetrin se kur i takonte dita e caktuar. Bëhej dreka e zakonshme, por asgjë nuk ishte si më parë. Edhe vezë të kuqe bënim, por të kuptohemi, sa për njerëzit e shtëpisë. Vizitat i bënim vetëm tek disa të afërm. Nëse më përpara shkonim te disa njerëz për vizita, pas 1967-ës u ngushtua rrethi i njerëzve që shkonim për vizita, sepse siç thotë edhe populli “mos e zgjo shejtanin që fle”.
Vendimi për mbylljen e kishave dhe xhamive erdhi i papritur?
Sigurisht që vendimi për mbylljen e monumenteve të kultit dhe i ndalimit të fesë, me pretendimin si mbeturinë borgjeze, si antishqiptare e kështu, nuk u prit mirë nga besimtarët. Ishte një vendim krejt i papritur, ishte e qartë se kisha deri në atë vit sundohej nga komunistët, por një vendim i tillë ishte ekstrem. Se komunistët e kanë me qejf që në mëngjes ta gjesh botën ndryshe nga ajo që ke lënë në darkë.
Si e përjetuan besimtarët një gjë të tillë?
Meqë unë punoja në Institutin e Monumenteve dhe merresha me monumentet e kultit, më takonte të flisja me hoxhallarë dhe priftërinj, dhe pikërisht mes tyre kam parë trishtimin për ndalimin e fesë dhe zhveshjen e tyre. Më kujtohet ndër ta peshkopi i Ardenicës, Ireneu (Banushi), i cili ishte pothuajse në internim dhe mezi arriti të gjente punë në magazinë, ku qëndroi deri sa vdiq. Mbaj mend që në shumë fshatra ku kishin monumentet, bënin mbledhje “popullore” ku diskutohej mbyllja e xhamive dhe e kishave. Në këto mbledhje kishte nga ata që e kundërshtonin hapur një gjë të tillë, di edhe rastet kur kundërshtarët dënoheshin apo përfundonin keq për kurajën e treguar. Kujtoj këtu një punëtor që ne e merrnim në ekspedita në Mesopotam të Sarandës, Ziso Kallogjeri, të cilin e kisha bashkëmoshatar. Atë pasi kundërshtoi në publik, gjetën rastin për ta futur gjashtë muaj në burg dhe partia e fshatit ankohej sa herë që e merrnim me vete. Pati pastaj dhe raste aksidentesh të vullnetarëve që shembnin minaret e xhamive, pati fletërrufe për familjet e besimtarëve, ashtu siç pati edhe spiunime për ato familje që vazhdonin ritualet e tyre në shtëpi. Në këtë pikë më kujtohet gjyqi i priftërinjve në Tiranë, që akuzoheshin se bënin ritualet e tyre në shtëpi. Kjo tregonte egërsinë e pushtimit komunist në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment