Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, May 23, 2011

Interviste me Gjovalin Stefen

Gjovalin Stefa tregon se si meshtarët merrnin pjesë në pushkatimet e priftërinjve

“Dom Tom Laca u bëri ritet e vdekjes para se t’i vrisnin”

“E shpëtoi kufomën e Dom Ndre Zadejës nga përdhosja”

Gilmana Bushati
Është viti i vështirë i 1945, komunistët kishin fituar pushtetin dhe tani mund të bënin çfarë të donin me Shqipërinë, edhe pse nuk ishin njohur ende zyrtarisht si qeveri nga ana e fuqive të mëdha. Madje, ndërsa shteti, e vetë Enver Hoxha, bënte përpjekje dhe çonte letra mbas letrash te qeveritë e SHBA-së, e Britanisë së Madhe ta njihnin zyrtarisht si shtet, ai pushkatonte në masë kundërshtarët e tij politikë, ose kundërshtarët potentë të komunizmit dhe pushtetit të ardhshëm. Sipas Oëen Pearson, më 20 mars të 1945 SHBA-ja i bëri kërkesë qeverisë shqiptare që të priste një mision civilësh për të shqyrtuar çështjen e njohjes, kërkesë e cila u prit “me kënaqësi”, por vetëm pesë ditë më vonë, pra më 25 mars, do të ekzekutonte pa gjyq klerikë të Kishës Katolike në Shkodër, duke ua lënë kufomat të pakallura dhe duke lënë pa varr të pushtatuarit, veprime të cilat binin ndesh me të gjitha të drejtat e njeriut. Ndërsa qeveria nga njëra anë kërkonte me patjetër njohjen zyrtare, nga ana tjetër, filloi pushkatimet në masë, me dhe pa gjyq të qytetarëve shqiptarë. Ndërkombëtarët e njihnin pak këtë çështje.
Duke u kthyer te pushkatimet e nisura, komunistët, të cilët nuk kishin as gjashtë muaj që kishin marrë pushtetin dhe po e drejtonin vendin me forcën e pushkës. Në Shqipëri kanë ekzistuar disa vende ekzekutimi. Agim Musta rëndit këto vende që përdoreshin nga komunistët për të ekzekutuar kundërshtarët; “Shkodra kishte Zallin e Kirit; Durrësi kishte fabrikën e lëkurëve në Porto Romano; Tirana kishte Urën e Bardhit, Tërkuzën, Dajtin dhe Malin me Gropa. Elbasani kishte buzën e lumit Shkumbin. Vlora kishte një urë që quhej Ura e Ballistëve. Gjirokastra kishte Sheshin e Zinxhirëve dhe një pjesë buzë lumit Drino.” Por trupat e të vdekurve rrallë u dorëzoheshin familjarëve, apo të varroseshin sipas të gjitha rregullave, ato varroseshin të gjithë bashkë, hidheshin ndër lumenj, në mënyrë që të mos u gjendej as eshtrat. Komunistët përdornin edhe një taktikë tjetër për të trembur njerëzit, që të mos i dilnin kundërshtarë, lënien e kufomave të pagroposura në vende të hapura që t’i shihnin njerëzit. Shembuj të tillë ka disa, janë ato të Shkodrës, që pushkatoheshin pranë varrezave katolike të Rrmajeve, apo dhe rasti i vrasjes së intelektualëve të Tiranës, ku njërin prej tyre e lanë në një karrocë akulloreje për gjithë ditën.
Gjovalin Stefa është një i dashuruar me qytetin e tij Shkodrën, ai ka hartuar dhe ka në proces të botimit librin “Oazi i artë i Gjuhadolit”, që flet pikërisht për një lagje të vogël në Shkodër, por që ka nxjerrë figura të mëdha. Në librin e tij, ai ka përfshirë dhe historinë e Dom Tom Lacës, një klerik i kishës katolike atje, që ishte caktuar nga partizanët të merrte pjesë në ekzekutimin e besimtarëve katolikë, apo dhe të vetë drejtuesve të këtij besimi. Ai tregon historinë e Tom Lacës, se si pas pushkatimit të të parit martir të Kishës Katolike, Dom Ndre Zadejës, pasi ikën komunistët, arriti ta mbante mbi shpinë kufomën e tij dhe ta dërgonte në oborrin e varrezave katolike, varri i të cilit gjendet po aty edhe sot. Sipas tij, ky është një fat, pasi komunistët nuk kanë kursyer as varrezat, të cilat i kanë hapur, ua kanë hequr eshtrat dhe i kanë tretur ato.
Zoti Stefa, në librin tuaj tregoni dhe për një meshtar, i quajtur Tom Laca. Kush ishte ky njeri dhe cila është rëndësia e tij?
Dom Tom Laca ka kryer disa funksione në hierarkinë e atëhershme të Kishës Katolike, ka qenë sekretar i disa arqipeshkvive dhe në fund ishte krahu i djathtë i dom Mikel Koliqit, që më pas u bë Kardinal Mikel Koliqi. Në fakt historia e çdo pjestari të kishës katolike është interesante, por e Dom Tomës, është paksa e veçantë. Ai u caktua nga hierarkia e Kishës, që të bënte pjesë në grupet e partizanëve, të cilët ekzekutonin civilët, por edhe përfaqësuesit e nderuar të kësaj kishe. Komunistët, me të marrë pushtetin kishin filluar pushkatimet në masë, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë, duke zhdukur pikërisht njerëzit që diktatura i konsideronte si të rrezikshëm.
Pra ishte një detyrë e rëndësishme, por edhe e vështirë kjo. Siç dihet, në ekzekutimet me vdekje të besimtarëve të besimit katolik, zhvillohet dhe rit para vdekjes. Në këtë rit përfshihet vojimi dhe më pas rrëfimi, të cilat i bën i dënuari me vdekje. Duhet të jetë përfaqësuesi i kishës ai që të bëjë bekimin e të dënuarit. Pikërisht këtë detyrë duhet ta kryente dom Tom Laca.
Dhe e kreu këtë detyrë?
Sigurisht, pasi ishte detyrim për kishën që të bekonte besimtarët e saj dhe partizanët në atë kohë, pra në fillimet e këtyre ekzekutimeve e lejonte meshtarin të bënte të gjitha ritet e veta. Dom Laca mori pjesë në disa nga këto ekzekutime, por janë dy raste që mbahen mend gjatë gjithë kryerjes së kësaj detyre, raste kur ai shkeli rregulloren e vendosur nga komunistët.
A mund të na i tregoni këto raste?
Rasti i parë, ka ndodhur në momentin që është pushkatuar Dom Ndre Zadeja së bashku me 14 persona të tjerë. Ai u pushkatua më 25 mars 1945. Komunistët ngaqë donin të bënin terror te popullata pasi i pushkatonin njerëzit në mëngjes, i linin kufomat e pangroposura deri vonë, në mënyrë që t’i shihnin njerëzit që kalonin andej. Dom Ndre Zadenë ai e njihte, madje e njihte mjaft mirë dhe po merrte pjesë në pushkatimin e tij. Pasi pushkatohet kleriku dhe largohen partizanët duke i lënë kufomat sërish të pagroposura, Dom Tom Laca e merr në shpinën e tij kufomën e Dom Ndre Zadejës dhe me mundim e fut në oborrin e varrezave të Rrmajeve. Aty i është bërë një ceremoni varrimi Dom Ndre Zadejës, sipas të gjitha riteve katolike dhe varri i tij ekziston ende edhe sot atje.
Pse thoni se varri i tij ekziston edhe sot atje?
Them kështu, sepse komunistët kishin një zakon, që të gjithë personat e njohur, që kishin ndikim të madh në popull, i nxirrnin nga varret dhe ia humbnin eshtrat. Kjo ka ndodhur disa herë në Shkodër, kujtojmë këtu rastin e shumë njohur të Gjergj Fishtës. Por me Dom Ndre Zadejën nuk ndodhi një gjë e tillë dhe familjarët e të afërmit e tij shkojnë ende te këto varreza për t’u kujdesur për to, falë veprimit që bëri Dom Laca, por që për një gjë të tillë edhe u denoncua.
Thatë që ka pasur dy raste, po rasti i dytë cili ishte?
Rasti i dytë ishte dhe më i dhimbshëm, pasi ai nuk mundi ta bëjë sërish këtë veprim. Para togës partizane të pushkatimit ishin një grup prej 14 vetësh, ndër të cilët Patër Daniel Dajani, Patër Gjon Shllaku, Patër Gjon Fausti, (nga Italia), tre seminaristë të tjerë si Mark Çunin dhe dy civilë, të dy bajraktarë nga Malësia, njëri ishte Sadik Sadiku. Pasi kryen ritet e tij fetare, ndërsa toga bëhet gati t’i pushkatojë me gjakftohtësi, aq shumë e përjetoi dom Laca këtë moment saqë u drejtua për te grupi i klerikëve që të ishte dhe ai me ta, por në momentin e fundit e largojnë nga vendi i ekzekutimit. Pasi mbaron ekzekutimi, i vetmi veprim që bën ai, është që me shaminë e tij të xhepit merr pak gjak nga të vrarët dhe e merr me vete si relike. Por të gjithë klerikët e vrarë, janë vrarë vetëm me këto fjalët në gojë “Rroftë Krishti”.
Po Dom Laca a i ka lënë kujtimet e veta, pasi këto kujtime do të zbardhnin edhe një pjesë të ditëve të fundit të të pushkatuarve?
Jo, nuk ka lënë asnjë kujtim, madje gjithë jetën e tij e kam marrë nga dëshmitë e familjarëve të tij. Pastaj sa i takon kufomave të lëna jashtë, kam qenë fëmijë kur i kam parë ato atje te muri i varrezave të Rrmajeve. Ka qenë një vend atje ku i rreshtonin të gjithë njerëzit që donin t’i ekzekutonin. Mbaj mend që krismat e pushkatimit dëgjoheshin deri thellë në qytet, pasi ekzekutimi kryhej në të zbardhur, pra edhe krismat ishin një terror më vete. Atje kanë qenë disa gropa të hapura, që më pas mbusheshin me ujë për shkak të shiut, por uji ishte i qelbur për shkak të kufomave. U vendosën kryqe në secilën prej këtyre gropave, në mënyrë që të kujtoheshin se ku ishin vrarë dhe ekzekutuar njerëzit. Por më pas aty u ndërtua një ofiçinë për hekurudhën dhe u zhdukën edhe kryqet edhe gropat. Nuk dihet nëse janë hequr që aty kufomat e njerëzve.

No comments:

Post a Comment