Flet Mehmet Myftiu, debatikasi që i dha luftës, por që u mënjanua nga Enveri
“I shpëtova pushkatimit në Prishtinë, por jo internimit komunist”
“Ja si e mbrojta në gjyq Kasëm Trebeshinën”
Gilmana Bushati
Për të kërkuar për Mehmet Myftiun duhet të pyesësh mirë në rrugën “Siri Kodra”. Dikush del e thotë “e sheh atë flamurin kuq e zi atje në katin e gjashtë, atje e ka shtëpinë Mehmeti”. Në fakt është i vetmi flamur që gjendet jo vetëm në atë bllok pallatesh të larta, por edhe në zonën përreth. Pikërisht te ai ballkoni me flamur jeton Mehmet Myftiu, tashmë tetëdhjetvjeçar, por në gjendje të mirë shëndetësore. Të pret me buzagazin e një gjyshi të mirë dhe kur i kërkon të flasë për jetën e tij, të flet për tre pushtimet e fundit. Pasi ai i ka jetuar dhe i ka provuar në kurriz këto pushtime. Në pushtimin fashist kërkohej nga policia për aktivitetin e tij si Debatikas; në pushtimin nazist për shkak të këtij aktiviteti dërgohet në Prishtinë, është në listën e njerëzve që prisnin pushkatimin, por e shpëton oficeri gjerman që e largon nga radha për shkak të moshës; në pushtimin komunist dënohej se kritikonte Stalinin, letërsinë e Bashkimit Sovjetik, letërsinë e realizmit socialist dhe mbronte një nga shkrimtarët më të përfolur, Kasëm Trebeshina. Janë pushtime dhe vite të gjata për t’u përballuar e për të ardhur deri në ditët tona me dëshirën e mirë për të dhënë kujtimet e tij, nga të cilat ka se çfarë të mësohet.
Një jetë aktive, me shumë kthesa dhe të papritura, tani në moshën 80 vjeçare çfarë mund të na thoni për veten tuaj zoti Myftiu?
Angazhimi më i madh i jetës sime ishte pjesmarrja në Luftën Nacional Çlirimtare. Kjo ka ndodhur që kur isha tetë vjeç, pas pushtimit të Italisë fashiste. Mbaj mend që atëherë që shkrojta në disa kartona fjalët “Rroftë Shqipëria, poshtë Italia” dhe i shpërndaja nëpër lagje. Por ajo që më bëri të përfshihem tërësisht me lëvizjen ishte takimi im me Myslym Pezën në maj të 1942. Isha vetëm 11 vjeç, kisha dëgjuar mjaft histori për partizanët, për Babë Myslimin, prandaj mora rrugën dhe u nisa për në Pezë. Nga ajo çfarë dëgjova dhe përjetova për ato tre javë që qëndrova atje, më lindi ideja se kush do të ishte objektivi i jetës sime. Vajtja ime atje ndodhi pak pasi ishte vrarë Qemal Stafa këtu në Tiranë. Atje në Pezë, jetova së bashku me partizanët, madje një natë, isha lagur aq shumë nga shiu, pasi më ndërruan më çuan në dhomën e gjumit të Myslym Pezës, ku edhe fjeta atë nate. Myslymi më pyeti njëherë, ndërsa më shihte shpesh duke lëvizur nëpër Pezë, “a i ke marrë leje shpisë ti?”, por për mua u përgjigj dikush tjetër mënjeherë “Po babë i ka marrë leje”, por e vërteta ishte se nuk i kisha marrë leje shtëpisë dhe ata nuk dinin se ku isha. Në atë kohë vjen lajmi nga Tirana që ka humbur një fëmijë 11 vjeç, që quhej Mehmet Myftiu, kur e mori vesh Myslymi nuk më qortoi, por më tha se “tashti or babë ti je i vogël akoma, do të kthehesh në Tiranë, lufta është në fillimet e saj, kur të rritesh do të vish prapë”. Mbaj mend që njëherë Gogo Nushi më tha “mos shko në Tiranë, se po të kërkon policia”. Më kërkonte policia, por nuk ndërrova mendje dhe u ktheva në shtëpi.
Kur u kthyet sigurisht që do të jeni qortuar nga familjarët?
Jo, se lajmi kishte marrë dhenë, se unë kisha qenë në Pezë dhe kisha qëndruar me Myslym Pezën. Në shtëpi më pritën si hero.
Më pas u angazhuat me debatikasit?
Me të mbërritur nga Peza krijova një grup aty në lagje, me gjithë çunat e lagjes. Ishte vëllai im që më adresoi te Selman Vaqarri dhe Hamdi Sollaku, të caktuar nga partia si përgjegjës për lëvizjen e pionierëve në Tiranë. Atëherë isha në vit të parë në gjimnaz, ndërsa të caktuarit e partisë ishin në vitin e katërt të gjimnazit. Detyra ime ishte që të rrisja dhe të forcoja lëvizjet në lagje, por edhe më tej. Gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur nga mbrapa gjithmonë policinë e fashitëve, që më kërkonte gjithandej. Njëherë morën në polici motrën dhe gjyshen time. E pyeten gjyshen se ku isha se donin të më kapnin “kur nuk e kapni ju si shtet, si mund ta kapim ne”. Gjyshen dhe motrën e liruan me ndërhyrjen e një miku të familjes, që ishte dhe miku i kryeministrit të atëhershëm. Kur më pas u takova me gjyshen më tha e zemëruar “ça ke bo mor çun që të kërkon gjithë ai shtet, ça mund t’i bojsh ti shtetit kaq i vogël sa je”.
A arriti ndonjëherë policia t’ju kapte?
Po, më kapën dhe më futën në burgun e Tiranës. Ishte viti 1944, isha vetëm 13 vjeç. U dha urdhëri që të gjithë të burgut të Tiranës të niseshin për në kampin e Prishtinës, ishte koha e gjermanëve atëherë. Shkuam atje të gjithë sa ishim, në mes të burgosurve ishin dhe miq dhe shokë të mi. Me të mbërritur atje, u hartua një listë e gjatë me emra, me 104 vetë, mes tyre ishte dhe emri im. E dëgjova dhe dola nga radha ku isha, nuk e dija ende s’e çfarë do të ndodhte. Në këtë moment një komandant gjerman m’u afrua dhe më pyeti se sa vjeç isha, iu përgjigja se isha 12 vjeç. Në këtë moment ai më nxjerr nga radha dhe më tha t’i bashkohesha të burgosurve të tjerë. Unë doja t’i bashkohesha grupin e atyre që u kishin thirrur emrin, por oficeri gjerman më largoi disa herë dhe ai më shpëtoi jetën, pasi atë natë janë pushkatuar të 104 shqiptarët.
E si arritët të largoheshit nga kampi i Prishtinës dhe të vinit në Shqipëri, duke qenë se ishit edhe i vogël?
U bë një marrëveshje mes SS-ve kosovarë dhe partizanëve. Këta të fundit u thanë atyre se do ua kursenin jetën nëse do të lironin nga kampi të gjithë të burgosurit e Tiranës që gjendeshin në Prishtinë. Kështu dola nga kampi i Prishtinës, qëndrova për pak ditë në brigadat partizane të Kosovës, më pas kalova në brigadën e 18, komandat i së cilës ishte Petrit Dume. Drejtuesit e kësaj brigade dhanë urdhër që të gjithë ata që kanë qenë në kampin e Prishtinës të ktheheshin në Shqipëri, të shkojnë pranë familjeve, për shkak të vuajtjeve që kanë hequr në kamp. Edhe unë u thashë “do të iki”. Shefqet Peçi më pyeti “se ku do ikësh, s’ka mjet dhe as rrugë të sigurta deri në Tiranë, si do ia bësh?” Por u thashë që jam i vendosur që të kthehem në Tiranë.
Dhe e ndërmorrët vetëm atë rrugë të gjatë?
Po, për gjashtë ditë e netë me radhë kam udhëtuar që nga Kukësi deri në Tiranë. Ishte dimër, bënte ftohtë, diku binte borë, diku binte shi, isha i vetmuar dhe i armatosur, por kam vazhduar rrugën. Kur kam mbërritur në Qafën e Tujanit nga ku shihet Tirana, nga gëzimi qëllova në ajër me automatikun që kisha në krah.
Si u pritët në shtëpi, në familjen tuaj?
Ata më dinin të vdekur, pasi ishte hapur lajmi se ishin pushkatuar të burgosurit e Tiranës. Në fillim shkova te motra, për t’i thënë se u ktheva. Që aty shkova në shtëpi, por pa hyrë brenda unë, dikush i thanë nënës sime se kishte ardhur një shok i Mehmetit. Por sikur t’ia ndiente zemra që isha unë, ajo u çel menjëherë. Të gjithë qanin dhe asnjë nuk më përqafonte, nuk e besonin dot se isha gjallë. Burgosja ime në Prishtinë, kishte shkaktuar një debat mes babait dhe nënës. Ishin përhapur fjalë nëpër Tiranë, se gjermanët po i lironin të burgosurit e kampit të Prishtinës në këmbim të vlerave monetare. Ai i kishte propozuar asaj, si pronare që ishte, që të shiste një shtëpi dhe të blinin me monedha ari jetën time. Por ajo nuk e bëri një gjë të tillë dhe babai gjithnjë e ngacmonte për këtë çështje.
Çfarë ndodhi pas luftës me ju zoti Myftiu?
Merresha sërish me organizimin e të rinjve, mblidhja rreth 1000 fëmijë për të punuar vullnetar për mbledhjen e pambukut apo të misrit. Por edhe pse kishte ardhur në fuqi ata që doja unë, sërish nuk isha i kënaqur dhe fillova ta shpreh haptazi këtë pakënaqësi. Duke qenë se merresha me letërsi, flisja kundër realizimit socialist, kundër letërsisë sovjektike, kundër udhëheqësve të Bashkimit Sovjektik. Për këtë më internuar në Shtyllaz të Fierit, ku qëndrova rreth gjashtë muaj.
Kush ju liroi dhe cili ishte motivacioni i këtij lirimi?
Pas vdekjes së Stalinit, Hrushovi nisi të bënte reforma dhe vuri në diskutim edhe figurën e Stalinit dhe nëse Bashkimi Sovjetik do të vazhdonte vijën e tij, apo do të çonte përpara reformat. Pas debatit për ta mbajtur apo jo të gjallë figurën e Stalinit, Enveri i tha Kadri Hazbiut, ministrit të Brendshëm se “këto fjalë që po thotë sot Hrushovi i ka thënë më parë Mehmet Myftiu, prandaj nuk kemi pse ta mbajmë, ta lirojmë”. Dhe më liruan. Ishte një situatë absurde. Nuk më kishin thënë ende asgjë dhe po më shoqëronin në Tiranë vetëm me një polic. Pasi mbërrijmë, drejtohemi te Dega e Punëve të Brendshme, e cila më komunikoi lajmin se isha liruar, por duhej të paraqitesha në degë çdo mëngjes. Pasi ma komunikuan këtë, polici u tha atyre të degës, “prit njëherë, se këtë e liruat, po unë ku do shkoj sonte”. Atëherë i thashë “hajde te unë”. Derën e shtëpisë ma hapi motra, e cila u frikësua nga prania e policit në krah timin, por e qetësova duke i thënë se “ky është miku i shtëpsië sonte”. Lajmin e lirimit tim ma dha në zyrë edhe Kadri Hazbiu, i cili më tha se ky vendim ishte marrë nga Komiteti Qëndror.
Pas një vendimi të tillë besojmë se do të keni zënë mend, pra nuk e kritikuat më partinë?
Jo, nuk ndodhi as kjo. Fillova sërish nga protestat e mia, më përjashtuan nga partia dhe më nisën në Levan të Fierit. Ishte kamp internimi, por që për të hyrë dhe për të dalë duhej të kaloje nga burgu që gjendej aty. Në burg aty gjendeshin të gjithë eksponentët e Ballit Kombëtar. Nuk kisha ndryshuar qëndrim, e thoja haptazi se realizimi socialist, si rrymë letrare artificiale, se letërsia e Bashkimit Sovjetik ishte e dobët u thoja se letërsia ka dy rryma, romanticizmin dhe realizmin. Kisha neveri ndaj realizmit socialist dhe letërsisë së kësaj rryme, prandaj fillova të shkruaj romanin tim “Shkrimtari” që i përket rrymës realiste, romani im ishte jeta ime. Dhe mund të them se ishte romani i parë i kësaj rryme në Shqipëri.
Si u prit libri “Shkrimtari” dhe çfarë ju thanë kolegët?
Libri u prit mirë, ai ishte edhe kundër fashizmit edhe kundër realizmit socialist.
Në roman përmendet edhe figura e shkrimtarit Kasëm Trebeshina, çfarë lidhjeje kishit ju me të?
Ishim shokë e miq. Në një kohë unë e ai konsideroheshim si heronj. Kasemi është njeri me mendje të lirë dhe e përmbuz gënjeshtrën, që atëherë gjendej gjithandej. Kur e arrestuan isha i vetmi që protestova ndaj këtij akti. Në një letër që i dërgova Komitetit Qëndror e quajta si të padrejtë vendimin. E mbrojta dhe në gjyq. Ai ishte shprehur haptazi se donte të ikte nga Shqipëria. Një gjë e tillë ishte konsideruar si e paligjshme dhe e kishin arrestuar. Në letrën time dërguar Komitetit Qëndror, por edhe në gjyq thashë se është e drejta e secilit të shkojë ku të dojë. Por unë e kisha paralajmëruar Kasemin që të mos e hidhte një hap të tillë. Kishte shprehur shpesh dëshirën për të ikur në Zvicër. I thoja që të mos nxitohej. Madje u përpoqa të kisha një takim me Fiqerete Shehun, që ishte vajza e tezes e tij, por nuk arrita në kohë, arrestimi ndodhi shpejt.
Cila ishte dëshmia e juaj në gjyq ndaj Trebeshinës?
Kur më pyetën se ai ka shprehur dëshirën për të ikur nga Shqipëria, u thashë se “çfarë të keqe ka”, ndërsa e mbroja Kasemin u thashë prokurorëve që kishin të gjitha mundësitë që t’i ballafaqonin dëshmitë e mia, si atë në hetuesi dhe në gjyq dhe janë të njëjta, pasi kam shprehur të njëjtat qëndrime dhe mendime. Sipas tyre, nuk ishin të njëjta, pasi në gjyq i kisha zbukuruar disi. Ndërsa Nevzat Haznedari m’u kthye në një moment dhe më tha “të shohim nëse do i përsërish këto fjalë në një vend tjetër”. U thashë se “i përsëris kudo dhe s’kam frikë të them ato që mendoj”. Pastaj i thashë që “nëse i dinit mendimet e mia për Kasemin, nëse e dinit që këto mendime nuk përputheshin me vijën e partisë, pse më keni thirrur të dëshmoj, apo të më arrestoni”.
No comments:
Post a Comment