Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, June 7, 2011

Interviste me Fiqiri Xibrin

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve tregon historinë e punëtorëve

Ja çfarë më tha Ramizi një ditë para se të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës


Gilmana Bushati
Lëvizjet e sindikatave e kanë fillin që në dhjetor të 1990 dhe në vazhdim të 1991, por që fatkeqësisht forca e tyre pushoi pikërisht në ato vite, pa mundur të bëhen forca lëvizëse e një shoqërie. Kështu e kujton Fiqiri Xibri, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, që ka qenë një aktivistët, jo vetëm për themelimin e krijimin e sindikatave, por i tillë ka qenë edhe në lëvizjet e rëndësishme politike në vend në ato vite. Është i aftë të përballet me drejtuesit e atëhershëm të pushtetit, që nga Besnik Bekteshi e më pas deri te Ramiz Alia. Është një nga organizatorët që minatorët, por edhe punonjësit e ndërmarrjeve të tjera të Tiranës t’u jepnin mbështetje studentëve që kishin hyrë në grevë urie, në shkurtin e 1991. Është pjesë e atyre njerëzve që rrëzuan momumentin e Enver Hoxhës por edhe e turmës që donte të shkonte te blloku ku rrinte udhëheqja, por që u ndalua nga Neritan Ceka. Fiqiri Xibri më pas do të jetë pjesë e rëndësishme e grevës së minatorëve maj-qershor 1991, e cila më 6 qershor do të mbushë plotë 20 vite. Kërkesat e tyre ishin vetëm ekonomike, por që më pas u komentua si politike dhe u shfrytëzua politikisht. Xibri thekson se me fitoren e Partisë Demokratike në 1992, mori fund dhe lëvizja sindikaliste në Shqipëri.
Gilmana Bushati
Zoti Xibri jeni një nga përfaqësuesit e parë të lëvizjes sindikaliste në vend. Kur filloi kjo lëvizje dhe cilat ishin hapat e para të saj?
Ishim një grup shokësh minatorë, që u aktivizuam që në lëvizjet e dhjetorit 1990. Mbështetëm lëvizjen e studentëve, themelimin e Partisë Demokratike, grevën e urisë së studentëve në shkurt 1991. Ishim aktivë edhe në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt. Ndërsa ishim pjesë e këtyre ngjarjeve, që ndodhën shumë shpejt, u organizuam edhe ne si minatorë të Valiasit. Zhvilluam një grevë disa ditore në ambientet e ndërmarrjes. Në komisionin nismëtar të kësaj greve ndër më kryesorët ishte Ilir Myftari. Të gjithë së bashku, minatorë dhe punëtorë të tjerë morëm vendim për të nisur një grevë me qëllim plotësimin e disa kërkesave tona. Mbaj mend se një ditë, drejtori, që atëherë ishte Thanas Dede, na mblodhi në oborr për të na komunikuar diçka. Por nuk e lamë të flisnim, pasi filluam të hedhim parrulla, të ngjashme me ato që hidheshin në Qytetin Studenti. Ishte ditë e shtunë, ndërsa drejtuesit ishin në ballkonin e shtëpisë së kulturës së ndërmarrjes, u mblodhën dhe i hartuam kërkesat, mbaj mend që ishte rritja e pagës me 200 përqind dhe të ulej mosha e pensionit, në 50 vjeç. Këto kërkesa i afishuam në murin e ndërtesës, ku edhe gjendeshin zyrat e drejtorisë. Të hënën ishim të vendosur dhe këtë ua kishim bërë të ditur dhe drejtuesve se nuk do të fillonim punë pa na u plotësuar kërkesat. Kur shkuam në punë, në orarin e caktuar, gjetëm oborrin e mbushur plot me punëtorë dhe minatorë së bashku. Drejtori u bënte thirrje me megafon që nga ballkoni që të fillonin punën të gjithë. Pikërisht në këtë moment ne kërkuam që t’i flisnim minatorëve dhe punëtorëve. Nuk donin të na linin, por disa prej nesh u ngjitën deri te ballkoni i shtëpisë së kulturës dhe mora mikrofonin në dorë. Pikërisht në këtë moment, pas marrjes së mikrofonin, ne shpallëm sërish kërkesat tona dhe që në ato çaste ndërtesën e pushtuam ne, ishte u bë e jona deri në fund të grevës.
Por në pushtetin komunist nuk njiheshin këto organizime, a patën guxim njerëzit t’ju mbështesin?
Po, ishin ditë kur regjimit po i tronditej thellë baza e pushtetit. Sapo u mor vesh që minatorët e Valiasit kishin hyrë në grevë urie, na erdhi një mbështetje nga të gjithë minatorët e Tiranës, në fakt nuk e prisnim, se atëherë mungonin mjetet e informacionit që ky lajm të përhapej me shpejtësi. Por çuditërisht një gjë e tillë ndodhi. Mbështetje na dhanë dhe minatorët e gjithë Shqipërisë si dhe nga ndërmarrjet e tjera të Tiranës.
A kishit lidhje me Partinë Demokratike. A ju erdhi mbështetje edhe nga ajo?
Në fakt me PD-në e atëhershme kam një histori të veçantë, përpara se të vij te greva e janarit. Menjëherë sapo u themelua PD-ja, na e kërkuan si ndihmë firmat e minatorëve, që duheshin për të plotësuar numrin e nevojshëm, që të legalizohej në Ministrinë e Drejtësisë. Unë vetë kam mbledhur atëherë firmat e mbi 400 minatorëve dhe punonjësve të administratës. Listën me firmat ia dorëzova Merita Zaloshnjës. PD-ja, atëherë përdorte si zyrë të saj, një dhomë në një nga godinat e Qytetit Studenti. Sapo ia dërgova, i gëzuar, se kisha dhënë kontribut për mbledhjen e firmave, mendoj se askush nuk e kishte bërë një gjë të tillë në një kohë rekord, ajo më tha “s’na duhen”. Më pas u shpall një listë tjetër. Emrat tanë nuk gjendeshin në të.
Po shteti, e ndjeu presionin e grevës?
Sigurisht që e ndjeu, mbështetja që ajo mori ishte e madhe dhe pas shumë presioneve, se nuk do të fillonim punë pa na u plotësuar kërkesat, bëri që në mesin tonë të vinin qeveritarë për bisedime. Delegacioni drejtohej nga ministri i Industrisë, Energjitikës, Besnik Bekteshi. Takimi u bë në sallën e shtëpisë së kulturës, kishte mjaft njerëz. Biseda mes dy palëve ishte tejet e acaruar. Kur u pa që nuk po merreshim vesh, u përpoqëm të ulim tonet. Në një moment Besnik Bekteshi m’u drejtua u nervozuar “do ta kesh m’u këtu” dhe tregoi ballin me gishtin tregues, që donte të më kujtonte se do haja plumbin pikërisht në atë vend. Dhe unë në tension e sipër iu ktheva “nëse unë do ta kem këtu (në ballë) ti do ta kesh këtu” dhe tregova me gisht nga qafa. Si pasojë e tensionit, takimi u mbyll, por nuk pati asnjë rezultat. Të nesërmen presioni ndaj nesh u bë edhe më i madh. Në grevë ishim 11 veta, prej të cilëve nëntë inxhinierë elektrikë, një elektriçist dhe një teknik mekanik. Por të gjithë ne morën kërcënime të rënda, deri edhe familjarët na u kërcënuan, një ditë pas takimit me qeveritarët. Si pasojë e presionit të madh zyrtar, një pjesë e anëtarëve të grevës u tërhoq. Mbeta vetëm unë me Ilir Myftarin. Në këtë kushte u detyruam ta plotësonim komisionin me anëtarë të rinj, kësaj radhe shumica ishin minatorë. Kjo për ne ishte një fitore e madhe.
Dhe a plotësuan kërkesat që kishin afshiuar dhe dërguar qeverisë?
Situata u bë më alarmante pasi në grevë hynë minatorët. Një natë, vonë, në ndërmarrjen tonë erdhi sërish një delegacion qeveritar. Takimi u bë në zyrën e drejtorit. Na u premtua se një pjesë e kërkesave do të miratoheshin; një nga kërkesat që u miratua ishte shtesa e pagës në masën 60 përqind, lejimi i krijimit të sindikatave dhe më 16 janar 1991 dolëm nga greva.
Dhe pas daljes nga greva themeluat sindikatën?
Po. Hodhëm idenë e themelimit të një sindikate të minatorëve. Hysamedin Ferraj na solli statutin e sindikatave të minatorëve të Kosovës, që kanë qenë tejet të fuqishme në atë kohë, u gjet dhe një statut i sindikatës gjermane dhe u hartua statuti jonë. Këtë statut dërguam në Ministrinë e Drejtësisë, që të legalizonim lëvizjen.
Ju arritët një farë fitoreje me plotësimin e këtyre kërkesave. Po me çfarë u morët pas mbylljes së grevës, a iu rikthyet punës?
U shpërndamë nëpër Tiranë e nëpër Shqipëri për të krijuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura. Ne ende nuk e kishim dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë për t’u legalizuar, kur na vjen një kërkesë e Bashkimeve Profesionale, një organizatë e krijuar nga pushteti komunist. Ata na kërkuan që të mos e çonim kërkesën, në mënyrë që të mos e përçanim organizimin e punëtorëve në Shqipëri, pasi në këtë mënyrë, do të humbiste fuqia e tyre. Çka ishte e vërtetë, por u vërtetua më vonë. Ne e pranuam kërkesën e tyre, me kushtin që riorganizimi të jetë i shpejtë dhe në këtë riorganizim të merrnin pjesë në mënyrë të barabartë. Ata nuk e pranuan këtë kërkesë, kështu që vazhduam punën për organizimin e lëvizjes sonë. Më 15 shkurt 1991 u miratua nga Ministria e Drejtësisë kërkesa jonë për krijimin e sindikatës, ndërkohë pati zhvillime të tjera, filloi greva e urisë së studentëve dhe më 19 shkurt na thirri në një tryezë Ramiz Alia.
Ramiz Alia atëherë vazhdonte të ishte kryetar i Komitetit të Partisë. Cila ishte biseda që zhvilluat me të?
Sindikatat dhe partitë u thirrën në një takim nga Ramiz Alia. Takimi u zhvillua aty ku sot është presidenca dhe kishte si qëllim që t’u bëhej thirrje studentëve dhe popullit të Tiranës për paqe sociale. Në takim ishin parti si PD-ja, PR-ja, PAA-ja, PE-ja, PP-ja, Bashkimet Profesionale dhe Bashkimi i Sindikatave. Në takim foli vetëm Ramizi, Berisha dhe unë, si përfaqësues i sindikatave, jo vetëm i sindikatave të minatorëve, por i gjithë sindikatave të Shqipërisë. Berisha e firmosi këtë thirrje të pushtetit që u drejtohej studentëve, të vetmit që nuk e firmosëm ishim ne, pasi e konsideruam si të panevojshme një thirrje të tillë, pra për paqe sociale, se për ne ajo nuk ishte e kërcënuar. Ne ua bëmë të qartë se protestat e studentëve dhe e popullit të Tiranës s’përbënin shqetësim, pasi mjaftonte t’u plotësoheshin kërkesat dhe asgjë nuk do të ishte e rrezikuar. Ramiz Alia u kthye nga unë dhe më tha “ju s’mund të kërkoni gjëra që janë jashtë kësaj tryeze”. Iu përgjigja “nëse s’janë pjesë e kësaj tryeze, pse na keni thirrur, për t’ju krehur bishtin juve dhe për t’ju mbështëtur vetëm në gjërat që juve ju duken të arsyeshme”. Alia, ndërsa tundte zinxhirin ma ktheu “ju bëni çfarë të doni se e firmosin të tjerët”.
Takimi u mbajt me 19 shkurt, një datë e rëndësishme vinte pas kësaj dite. Ku ishit ju në atë kohë?
Atë nate, pra më 19 shkurt si komision i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë bëmë thirrje që të shkonim të gjithë në mbështetje të studentëve. Këtë thirrje e ngjitëm në gjithë vendet kryesore të kryeqytetit. Aty i kërkonim gjithë ndërmarrjeve që të braktisin punën dhe të nisen drejt Qytetit Studenti. Më 20 shkurt, punëtorët ishin pjesa kryesore. Në mëngjes, shkuam në punë me autobusin e 7-ës në minierën e Valiasit. Kur shkojmë atje, nuk ishte futur në punë asnjë punëtor apo minatorë. Të gjithë na prisnin ne se çfarë do u komunikonim. Drejtori nga ana e tij donte t’i fuste në punë njerëzit. Ata na pyetën se çfarë do të bënim, iu përgjigjëm “do marrim autobusët dhe do nisemi drejt Tiranës”. Ashtu bëmë, se atje nuk kishte vetëm një autobus, por disa, që çonin njerëzit deri në Valias. Kur hymë në Tiranë, policia në vend që të na ndalonte na ndihmoi, pasi na kërkoi të ktheheshim nga Zogu i Zi. Aty e bëmë rrugën në këmbë, por me ne u bashkuan dalngadalë edhe banorë të tjerë të Tiranës, e kështu ne u forcuam. Mbaj mend se ishin pesë autobusë, me rreth 1200 veta. E kështu me parrulla kundër pushtetit, morëm pas vetes sonë, banorët e Tiranës dhe të gjithë bashkë iu drejtuam Qytetit Studenti. Mund të ishim rreth 10 mijë vetë në atë grumbullim spontan. Aty te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, më del përpara Gramoz Pashko. Dukej i alarmuar. Më pyeti “çfarë keni ndër mend të bëni”. Iu përgjigja “çfarë të dalë përpara, duke parë e duke bërë”. Nuk kishim planifikuar asgjë, por kishim diçka në mendje, të mbështesnim studentët. Te Qyteti i Studentit na pritën njerëz të tjerë, familjarë të studentëve, qytetarë të Tiranës, por edhe të ardhur nga rrethet. Duke parë gjithë atë grumbull të madh njerëzish që po i afrohej Qytetit Studentit, ata na pritën me brohorima. Disa përfaqësues prej nesh dolën e folën në vendin ku ishte vendosur një qendër zëri. Dhamë mbështetjen tonë për studentët dhe kërkesat e tyre. Unë sqarova njerëzit takimin që kishim bërë me Ramiz Alinë. Në atë moment kam dëgjuar Rajmodën që tha “te sheshi, te sheshi” e aq mjaftoi për të ndezur njerëzit që gjendeshin aty. Nuk e di nëse ajo ditë ka pasur ndonjë skenar paraprak, pra nëse dikush e ka organizuar, por di të them se ne ishim pjesë e një ngjarjeje reale, emocionet ishin të forta, edhe pse nuk e njihnim njëri-tjetrin e kuptuam që ishim një trup i vetëm dhe një rrezik për të gjithë pushtetet që kundërshtonin kërkesat tona.
Pra u bëtë pjesë e asaj turme të madhe që rrëzoi momumentin e Enver Hoxhës. Cilat ishin ato detaje që ju bënë më shumë përshtypje gjatë asaj dite?
Njerëzit ishin drejtuar për te blloku. Ishte një makinë dhe dikush me megafon na kërkonte që të mos shkonim te blloku. Te televizioni u ndamë dy grupe, një pjesë vazhdoi për te blloku, ndërsa një pjesë tjetër për te sheshi Skënderbej. Para se të shkoje te sheshi kishte lëvizje të mëdha policie, të gjithë ushtarët e armatosur iu drejtuan për nga sheshi. Na doli përpara makina e ujit. Pati njerëz që iu sulën makinës, e cila u largua, se duket se shoferi pati frikë. Ushtarë te monumenti qëllonin në ajër dhe më pas u tërhoqën nga rruga e Kavajës. Vetëm një numër i vogël i njerëzve u mblodh te monumenti. Disa djem të rinj, rreth 8-9 vetë ia hodhën litarin te gishti i madh i monumentit të Enverit, filluan të tërhiqnin, por ishte e pamundur të lëvizej. Më pas erdhën në ndihmë dhe të tjerë dhe monumenti ra. Ndoshta ka qenë skenar, mënyra se si ra aq kollaj, ndoshta u shfrytëzua pikërisht kjo pikë që njerëzit të shfrenin dufin e tyre të mbledhur nga shtypja dhe dhuna e ushtruar nga diktatura, por edhe njëherë e përsëris, emocionet ishin të vërteta, përjetimet ishin reale. Nuk e di a do të ketë një ngjarje tjetër të dytë, aq me emocione të forta, siç u përjetuan gjatë rrëzimit të monumentit.
Po të nesërmen ne ishim sërish aktivë.
Cilat ishin ngjarjet që pasuan 20 shkurtin 1991?
Të nesërmen ne, një grup i vogël minatorësh nga sheshi u nisëm drejt bulevardit për te blloku. Pikërisht përballë Galerisë së Arteve, nga mbrapa vjen një makinë me altoparlant. Aty pashë disa aktivistë të Partisë Demokratike si Gëzim Shija dhe Neritan Ceka. Ata u bënin thirrje njerëzve për qetësi. Shija më kërkoi mua dhe Ilir Myftarit që të bënim të njëjtën gjë, pra t’u bënim thirrje njerëzve për qetësi. Ne iu përgjigjëm “çka për t’u bërë të bëhet sot”. Njerëzit nuk e dëgjonin se çfarë thonin ata me altoparlant, por vazhdonin drejt. Kur arritëm pikërisht te ura e Lanës, pamë në anën tjetër të radhitur tanke. U ndalëm. Në atë moment u bë ajo ndërhyrja e famshme e Neritan Cekës. Gjesti që bëri ai, i frenoi njerëzit të mbushur plot urrejtje. Ai mori të birin e vogël, e ngriti lart dhe u tha njerëzve, pak a shumë me këto fjalë “s’duhet të rrezikojmë kot. Po të jetë ashtu, po rrezikoj tim bir. S’duhet të shkojmë atje, tanket janë atje për ne”. Nëse do ta rigjykoja sot këtë gjest të Cekës, me mendjen e atëhershme do thoja se ishte një gjest heroik i tij, por gjithësesi nuk e di për çfarë arsyesh tani unë mendoj se ai nuk ishte një gjest heroik. Dyshoj se mos ishte pjesë e skenarit. Në një luftë ku jam nisur unë, mund edhe ta jap jetën time, por kurrë s’do rrezikoja jetën e tim biri.



Besnik Bekteshi
Besnik Bekteshi m’u drejtua u nervozuar “do ta kesh m’u këtu” dhe tregoi ballin me gishtin tregues, që donte të më kujtonte se do haja plumbin pikërisht në atë vend. Dhe unë në tension e sipër iu ktheva “nëse unë do ta kem këtu (në ballë) ti do ta kesh këtu” dhe tregova me gisht nga qafa.


Bashkimet Profesionale
Ne ende nuk e kishim dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë për t’u legalizuar, kur na vjen një kërkesë e Bashkimeve Profesionale, një organizatë e krijuar nga pushteti komunist. Ata na kërkuan që të mos e çonim kërkesën, në mënyrë që të mos e përçanim organizimin e punëtorëve në Shqipëri, pasi në këtë mënyrë, do të humbiste fuqia e tyre. Çka ishte e vërtetë, por u vërtetua më vonë


Ramiz Alia
Ramiz Alia u kthye nga unë dhe më tha “ju s’mund të kërkoni gjëra që janë jashtë kësaj tryeze”. Iu përgjigja “nëse s’janë pjesë e kësaj tryeze, pse na keni thirrur, për t’ju krehur bishtin juve dhe për t’ju mbështëtur vetëm në gjërat që juve ju duken të arsyeshme”. Alia, ndërsa tundte zinxhirin ma ktheu “ju bëni çfarë të doni se e firmosin të tjerët”.

Neritan Ceka
Në atë moment u bë ajo ndërhyrja e famshme e Neritan Cekës. Gjesti që bëri ai, i frenoi njerëzit të mbushur plot urrejtje. Ai mori të birin e vogël, e ngriti lart dhe u tha njerëzve, pak a shumë me këto fjalë “s’duhet të rrezikojmë kot. Po të jetë ashtu, po rrezikoj tim bir. S’duhet të shkojmë atje, tanket janë atje për ne”.

No comments:

Post a Comment