Altin Hazizaj, ambasadori i ambasadës Pink flet për ndryshimet Kushtetuese
“Martesa dhe familje nga personat të të njëjtit seks”
“Shqiptarët nuk janë shumë besimtarë”
Gilmana Bushati
Ambasada Pink do të bëjë padi ndaj të gjitha neneve të Kodit të Familjes, që bien ndesh me nenin 53 të Kushtetutës që “Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.”. Këtë e bëri të ditur ambasadori i parë i kësaj ambasade, Altin Hazizaj, duke hapur kështu debatin për martesat të të njëjtit seks dhe krijimin e familjeve nga këto martesa. Një gjë e tillë do të hapë debat në shoqërinë shqiptare, që siç thotë Hazizaj, më shumë sesa besimtare te Zoti, është konservatore ndaj komunitetit gay, lezbike, bio dhe transgjinorë. Sipas tij, shqiptarët faktin që nuk janë shumë besimtarë, e kanë treguar që me kohë, duke lartësuar dhe faktin që “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në këtë kuadër, duket që bëhet më i thjeshtë debati sa i takon shkeljes së parimeve fetare sa i takon këtyre martesave dhe këtyre familjeve të krijuara nga njerëz të së njëjtës gjini. Hazizaj gjithashtu flet dhe për raportin e shkeljes së të drejtave të këtij komuniteti për vitin 2010-2011 si dhe pse e kanë kaq të vështirë shqiptarët të pranojnë ekzistencën e një komuniteti të tillë, që historia e ka treguar se ka bashkëjetuar me në që në kohë të lashta. Ai gjithashtu shton se me mendje të hapur duhet të jenë politikanët dhe një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare sa i takon këtij komuniteti, sepse nëse politikanët tanë vrapojnë të bëjnë fotografi me lider të Europës, edhe pse janë të deklaruar si pjesë e këtij komuniteti, ashtu duhet të pranojnë edhe këtë pjesë të shoqërisë.
Zoti Hazizaj jeni ambasadori i ambasadës Pink, në raportin për 2010-2011 ka mjaft shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT, edhe pse ekziston ligji kundër diskriminimit. Pse ndodh kjo?
Ligji për Diskrimimin është miratuar në Shkurt të vitit 2010 dhe një ligj i ri kërkon kohë që të zbatohet. Ai do kohën e tij që të shtrojë rrugën, ku njerëzit e thjeshtë dhe institucionet do të ndërtojnë praktikën e ankesave, të punës së zbatimit të tij dhe mbi të gjitha të eleminimit të diskriminimit. Në këtë aspekt mund të thuhet që periudha 2010-2011 është një kohë që përkon me ngritjen e institucioneve e mekanizmave të rinj për eleminimin e diskriminimit, ndërgjegjësimit dhe trainimit të institucioneve publike për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm, pajisjen e shoqërisë civile me mjete për ankimimin e rasteve dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për respektimin ndër të tjera të komunitetit LGBT, që për më shumë se 50 vjet ka jetuar nën frikën e burgosjes, përjashtimit, denigrimit dhe dhunës, vetëm dhe sepse dashurojnë gjininë e njëjtë me ta.
Nëse bota që nga viti 1968 e në vijim ka nisur të ndryshojë dhe të përmirësojë sjelljen dhe respektimin e të drejtave të çdo personi LGBT, në Shqipëri kjo nisi vetëm në vitin 2010. Sigurisht qe ne nuk do të na duhen 42 vjet që të respektojmë të drejtat e njeriut, por ka ende shumë për të bërë në drejtim të ndryshimit të perceptimit shoqëror që të duash një njeri të gjinisë së njejtë është e gabuar. Sipas mendimit tim të dashurosh asnjëherë nuk është e gabuar, por është jo humane të bësh të kundërtën.
Në shumicën e rasteve në këtë raport vihen re shkejlet ndaj komunitetit transgjinor, po komunitetet e tjera nuk kanë pësuar dhunë apo diskriminim?
Ka vetëm një komunitet që është ai LGBT (lezbike, gay, biseksual dhe transeksual). Brenda këtij spektri të gjerë të komunitetit gjen sigurisht grupe që, për shkak të rrethanave jetësore, përkatësisë së tyre, pamjes dhe organizmit të jetës, janë shumë herë më të rrezikuar që të dhunohen dhe diskriminohen në cdo moment të ditës e të natës, sesa anëtarët e tjerë të komunitetit.
Komuniteti i vogël i transgjinorëve në Shqipëri jeton thuajse i gjithi i braktisur në rrugë, duke prostituuar, lypur e fjetur perjashta. Ata janë të lënë në mes të katër rrugëve nga familjet e tyre, pasi ata nuk mund të pranojnë që djali i tyre të ndjehet se është vajzë; Ata janë të përjashtuar nga shoqeria, e cila ende nuk arrin ta kuptojë se transgjinorët janë djem apo vajza në paraqitje, por nga brenda tyre ata kanë një identitet gjinor të kundërt; Ata janë tërësisht të harruar nga shteti i tyre, i cili nuk iu ofron as mbrojtje, as strehim as siguri. Për më tepër rasti i fundit i Palomës, tregoi se shteti në disa raste i dhunon në mënyrë ç’njerëzore vetëm sepse ata janë trasngjinorë. Të gjendur përballë kësaj situate ekstreme të shkeljes të të drejtave të tyre individuale është e kuptueshme që komuniteti transgjinor ka shumë herë më tepër ankesa të paraqitura pranë Ambasadës PINK sesa dejtë apo vajzat gay, bi apo lezbike.
Nga ana tjeter personat gay, bi dhe lezbike janë shumë më të integruar në shoqërinë shqiptare sesa transgjinorët. Të jesh gay apo lezbike nuk do të thotë që je i ndryshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë në aftësi, identitet, inteligjencë, moral, botëkuptim apo sjellje. Për këtë shkak ndërveprimi i komunitetit me pjesën maxhoritare të shoqërisë është më i lehtë dhe më pak përjashtues, për aq kohë sa pjesa tjetër nuk e di për orientimin seksual të tyre. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme. Që prej hapjes së Ambasadës Pink, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me djem dhe vajza të komunitetit, kam kuptuar që drama më e madhe për ta ka të bëj me familjen e tyre. Ka shumë familje, që kur e marrin vesh, mendojne se është e turpshme dhe e papranueshme për fëmijët e tyre që të thonë se janë gay, bi apo lezbike, pasi ata e dinë mirë që në gjithë këto 50 vjet personat LGBT janë përndjekur, vrarë e dhunuar, dhe ata nuk duan që fëmijët e tyre të kalojnë këto vuajtje. Pse do të duhej që ata të vuanin? Kjo është arsyeja që pjesa më e madhe e personave LGBT nuk flasin kurrë për orientimin e tyre seksual, por e mbajnë atë të fshehtë për shumicën e njerëzve dhe vetëm miqtë e mikeshat e tyre e dinë për ta. Në këtë aspekt i mbetet shoqërisë të tregojë se është e hapur të pranojë dhe respektojë diversitetin e qenies njerëzore. Të jesh gay, bi apo lezbike nuk ështe zgjedhje, pra nuk ështe si të thuash: Ah sot u cova nga gjumi dhe ndjehem heteroseksual dhe neser u cova homoseksual. Edhe në raportin e fundit të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës shpjegohet shumë qartë se "Orientimi seksual i referohet kapacitetit të cdo personi për të shprehur ndjenjat e tij/saj emocionale, të dashurisë dhe tërheqjes seksuale për individët e gjinisë së kundërt, të të njejtës gjini apo për të dyja gjinitë."
Përmendet vetëm një rast përballje me politikanët dhe qendrimi i tyre, a ka pasur raste të tjera, që ndoshta jo publikisht politikanët të kenë fyer këtë komunitet të vogël në Shqipëri dhe cilat janë ato?
Në fakt ka patur dy raste, por me kalimin e kohës unë mendoj që edhe Parlamenti ka nisur të kuptoj që të përgatisësh e të miratosh ligje nuk do të thotë që nuk ke për detyrë t’i zbatosh ato. Unë mendoj se politikanët duhet të jenë udheheqësit e barazisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kam marr vesh së fundmi se kur disa anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste donin që të shtonin në programin e zgjedhjeve vendore edhe çështjet e respektimit te LGBT, ka patur një alarmim të anëtarëve të tjerë të partisë deri në cakun e asaj që të vjen për të qeshur, që o unë në parti o çështja LGBT. Në Partinë Demokratike nuk di të ketë pasur ndonjëherë ndonjë diskutim për këtë ceshtje, pra është njësoj sikur ajo të mos ekzistojë. Ketu kauzat e mëdha të të drejtave të njeriut personalizohen deri në atë masë sa politikanët tanë e bëjne veten qesharakë përpara qytetarëve të tyre, por edhe përpara botës. Nga njëra anë ata thonë se punojnë për Shqipërinë e civilizuar dhe nga ana tjetër nuk kanë civilizimin e nevojshëm për të pranuar njerëzit ashtu sic janë. Nisur edhe nga zgjedhjet e fundit lokale, sidomos në Tiranë, nëse njëra apo tjetra parti do kishin patur një program më specifik për mbështetjen e komunitetit LGBT, grave apo të rinjve, mendoj se diferenca në vota nuk do të kishte qenë 80 apo 90 por me mbi 10-20 përqind diferencë. Politikanët shqiptarë kanë shumë për të mësuar nga politikanët europianë, nëse një ditë duam jo të jemi fizikisht, por mendërisht dhe shpirtërisht Europianë.
Pse e kemi kaq të vështirë që të pranojmë një komunitet të tillë, ndërkohë që historia jonë i njeh këto raste, jo si komunitet, por si individë, madje janë lartësuar dhe në letërsinë e hershme?
Historia, letërsia, por edhe shumë shkenca dhe mbi te gjitha jeta jonë është e ndërtuar mbi qënie të ndryshme. Një pjesë e madhe e filozofëve grekë, që ne i mësojmë në shkollë, kanë jetuar haptazi si homoseksualë. Një numër po kaq i madh i mbretvrve e perandorëve Grekë dhe Romake kanë qenë publikisht të dashuruar apo kanë jetuar me të dashurit e tyre. Perandori Hadrian, një ndër perandorët më të famshëm të Romës së lashtë, për nder të dashurisë së tij për një mashkull, ndërtoi për të një qytet të tërë në Greqi. Historitë sublime të dashurisë asnjëhere s’kanë munguar e s’do të mungojnë. Nëse flasim për Shqipërinë edhe ne kemi historinë tonë në këtë drejtim. Ka patur e ka politikanë, artistë, këngëtare, balerinë, shkrimtarë e njerëz të thjeshte e të nderuar që kanë preferuar të jetojnë në heshtje për seksualitetin e tyre, sepse kanë menduar se po të thonë që janë gay apo lezbike, ata nuk do të gjykohen për punën apo krijimin e tyre, por për atë që bëjnë në krevat. Qenia një vend i vogël dhe me plot tabu në lidhje me seksin e seksualitetin na bën më të mbyllur e mos pranues si njerëz. Historia jonë si komb është historia e një mbijetese qindra-vjeçare dhe kjo kujtesë historike e bën shpesh të vështirë diskutimin e të drejtave seksuale, që për një pjesa të njerëzve janë të drejta bazë e për disa të tjerë për shkak të konceptit të gabuar duken si të drejta luksi. Sidoqoftë endoj se ka edhe eksperienca pozitive që duhen përshëndetur. Rasti i Klodit dhe mbështetja që tregoi familja e tij për të, për mua duhet të shërbejë si një inkurajim për të gjithë djemtë dhe vajzat që duan të flasin haptazi familjeve dhe miqve për orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor.
A mendoni se ndërgjegjësimi i qytetarëve nuk është ai i duhuri për të pranuar këtë komunitet, apo kjo vjen se shqiptarët janë shumë besimtarë te Zoti?
E para unë nuk mendoj se ne shqiptarët jemi shumë besimtarë tek Zoti. Është i vetmi vend që i ka kënduar vetes me fjalët "Feja e shqiptarit është shqiptaria!" Së dyti feja dhe seksualiteti nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi shkojnë krah për krah. Feja si një fenomen social, kulturor dhe politik, e pranon qënien njerëzore ashtu sic është duke kërkuar të përmirësojë sjelljen e njeriut. Ne e dimë se sjellja është një fenomen social e mësuar dhe e edukuar, ndërsa ndjenjat lindin bashkë me njeriun dhe ne nuk zgjedhim dot se cilat ndjenja unë duhet të kem në shpirtin apo mendjen time e cilat jo. Siç e thashë më sipër, historia jonë e respektit për të drejtat e njeriut nis shumë vonë, ndaj na duhen ende disa vite që ne të përmirësojmë sjelljen tonë dhe të mësojmë sjellje të reja, të cilat rrënjosin tek çdo njeri respektin për të drejtat e gjithësecilit. Nëse njerëzit janë mjaftueshëm mendjehapur dhe syhapur do shohin se bota është më e bukur kur është është e ndryshme. E fundit që dua të përmend këtu është fakti se njerëzit që janë në paqe me seksualitetin e tyre nuk kanë probleme me orientimin seksual të personave të tjerë, përkundrazi e respektojnë këtë të drejtë, sepse shoqëria nuk mund të ketë dy standarte për orientimin seksual atë të pranimit të njërës, por jo të të tjerëve. Historia ka treguar se njerëzit më fanatikë dhe më kundër personave LGBT kanë qenë vetë homoseksualët dhe lezbiket, por që asnjëherë s'kanë gjetur forcën t’ia pranojnë vetes këtë fakt e jo më familjes apo të dashurve të tyre.
Ky komunitet a e shkel të drejtën bazë qoftë fetare apo shoqërore për krijimin e një familjeje mbi baza të shëndosha?
Sipas te gjitha ligjeve kombëtare apo ndërkombetare që unë kam lexuar, qoftë edhe të Bibles apo doktrinave të feve të tjera, unë nuk di të jetë e shkruar diku që një e drejtë bazë zbatohet ndryshe për dy persona të ndryshëm. Kjo do të ishte njësoj si të pranonim se unë gëzoj të drejtën e shprehjes ndërsa ti nuk e gëzon! Apo se ti si grua gëzon më pak të drejta se unë! Të gjithë njerëzit lindin të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Kjo do të thotë se kur unë gëzoj një të drejtë gjithë të tjerët kanë për detyrë ta respektojnë atë. Dihet botërisht se është shumica ajo që ka tendencën që të shkelë të drejtat e pakicës dhe jo e kundërta. Secili prej nesh gezon të drejtën të rritet në një familje, të martohet dhe të krijojë familjen e tij / saj. E drejta e krijimit të familjes është një e drejtë natyrore ndaj ajo nuk mund t'i jepet apo hiqet njeriut, pasi ka lindur bashkë me të. Në këtë aspekt unë kam kënaqësinë të ndaj me ju faktin se Ambasada PINK është duke përgatitur tashmë një Padi per shpalljen te pavlefshme të të gjitha neneve në Kodin e Familjes që bien ndesh me të drejtën bazë të cdo njeriu për të krijuar familjen e tij, sic shprehet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 53 i Kushtetutës thotë: "Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje." Kjo e drejtë kushtetuese nuk mund ti mohoet askujt ndaj ajo duhet të gjëj zbatim në linjë hierarkike në të gjithë legjislacionin shqiptar, duke filluar nga Kodi i Familjes e në vijim.
Në vendet e tjera, sigurisht me kulturë tjetër, ka një vetëdije tjetër, sa edhe politikanët, drejtuesit e shtetit, pranojnë publikisht që i përkasin një orientimi tjetër seksual. Mendoni se nëse hidhet ky hap i parë publik, njerëzit do e kenë më të lehtë për t'i pranuar si komunitet?
Pa diskutim. Para rreth dy javësh isha i ftuar, së bashku me Komisioneren kundër Diskriminimit, nga Qeveria e Malit të Zi dhe nje organizatë që punon për të drejtat e komunitetit LGBT për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare që vetë Qeveria e Podgoricës e organizonte në mbështetje të komunitetit. Më ka bërë përshtypje zv.Kryeministri Malazez që, ashtu siç duhet të flasë një lider i vërtetë i një vendi, pranoi publikisht perceptimin e gabuar që vendi i tij kishte patur ndaj komunitetit dhe premtoi se ajo periudhë kishte marrë fund një herë e mirë. Unë mendoj se qytetarët e Malit të Zi duhet të ndjehen krenarë për politikanët e tyre, pasi ata kanë kurajon që jo vetëm të pranojnë gabimet e tyre, por edhe t'i japin shoqërisë dhe qytetarëve një vizion për të ardhmen ku ata duan të ecin së bashku. Në Shqipëri kjo nuk ndodh pasi politika në përgjithësi është homofobe. Ajo është ngritur mbi konceptin e gabuar të shfrytëzimit të njerëzve dhe jo të respektimit të të drejtave të tyre. Është ironike që politikanë nga Shqipëria që shprehen kundër komunitetit nuk duan të humbasin mundësinë për të bërë një foto me politikanë të rëndësishëm Europianë që janë haptazi gay apo lezbike. Sot në Europë ka një numër të konsiderueshëm kryeministrash, zv.kryeministrash e ministrash, deputetë e kryetarë të bashkive të mëdha që janë publikisht të njohur gay dhe qytetarët i votojnë ata për punën që ata bëjnë dhe jo për të dashurin që mbajnë në krah. Unë kam shpresë që deputetët e rinj në Kuvend do të bëjnë diferencën për avancimin e komunitetit. Në këtë kuadër pa diskutim që sa më shumë njerëz publik dhe të suksesshëm në jetën e tyre të ketë që pranojnë publikisht që janë gay, bi, lezbike apo transgjinorë, aq më e lehtë është pranimi i anëtarëve të tjerë të komunitetit në jetën e përditshme.
A ka shumë nga komuniteti LGBT-së që kërkojnë të largohen jashtë, pra të kërkojnë strehim diku ku jeta e tyre është më e lehtë ashtu siç janë?
Ky është një shqetësim i drejtë. Një pjesë e djemve dhe e vajzave që vinin në PINK, me heqjen e vizave, janë larguar për në Itali, Spanjë, Hollandë apo edhe vende të tjera. Diferenca në trajtimin dhe respektin për për të drejtat e njeriut, bën që secili ngaa ne ta kuptoj se kemi vetëm një jetë dhe atë duam ta jetojnë të lirë, të qetë dhe të respektuar në dinjitetin tonë. Por nga ana tjetër kjo dërgon sinjalet më të gabuara tek shoqëria jonë këtu dhe pa diskutim edhe në Europë, pasi vazhdon t'i portretizoj shqiptarët si njerëz që edhe pas 20 vjetësh tranzicion në demokraci ende nuk kanë mësuar sesi të respektojnë njeri-tjetrin, ata që janë të ndryshëm, gra, burra, fëmijë a të moshuar. Nëse ne nuk arrijmë të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtë dhe të barabartë midis të gjithë qytetarëve të këtij vendi, atëhere do të jetë e vështirë që ne të përparojmë qytetërimin tonë modest dhe për më tepër do të vazhdojmë të mbetemi si ajo delja e zeza, duke prodhuar vetëm kriza, prapambetje dhe probleme. Kombet e qytetëruara dhe te zhvilluara kanë kohë që i kanë eleminuar të gjitha këto forma diskriminimi dhe përjashtiumi ndaj unë nuk kam arsye të mendoj apo të besoj se ne shqiptarët nuk duam të arrijmë të njëjtën gjë: liri-barazi-vëllazëri.
No comments:
Post a Comment