Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, October 31, 2011

Interviste me Kathleen Imholz

Ne Shqiperi nuk ka celula antiamerikane

Gilmana Bushati

Më 2 tetor, në një javë festime, u përkujtua 20-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U fol shumë për këto marrëdhënie nga diplomatë, ambasadorë, njerëz të thjeshtë, ku u vlerësua bashkëpunimi i mirë që kanë këto dy vende me njëri-tjetrin. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare" flet zonja Kathleen Imholz, një nga të paktët amerikanë që e njohin shumë mirë Shqipërinë që prej njëzet vitesh, pasi ka ardhur në këtë vend që në 1991 dhe më 1996 nuk është larguar më nga Shqipëria. Ardhja e ekspertes së drejtësisë amerikane, përkoi me vitin e vështirë të shqiptarëve, të 1991, ku nuk ishte e sigurtë as buka e gojës, ajo e dinte shumë mirë, prandaj kishte marrë me vete ushqime. Por kur erdhi këtu, e kuptoi se mikpritja e shqiptarëve nuk e linte miqtë në vështirësi. Imholz, e njihte që më përpara Shqipërinë, nga leximet kishte dashur mbretëreshën Teutë, e kishte parë kufirin shqiptar, Tushemishtin e bukur, që nga Ohri, por vetëm në 1991 kishte mundur të plotësonte dëshirën e saj për të qenë në këtë vend. Zonja, avokate e njohur në Neë York City, ndërsa punonte në qetësinë e zyrës në Manhatan, i erdhi oferta për të punuar në Shqipëri, të cilën e pranoi menjëherë. Gjatë këtyre 20 viteve ajo do të përballej me ngjarje, histori e njerëz nga më të ndryshëm. Ajo përmend 1997, kur e evakuuan italianët, se si fjetën në dhomat e spitalit të Vlorës, se si u evakuua nga amerikanët, që i morën gjërat e saj të shtrenjta. Sa i takon politikës që ndjek SHBA-ja ndaj Shqipërisë, ajo e sqaron pozicionin e saj dhe thotë që nuk flet si pjesë e administratës së shtetit të saj, por si një qytetare e thjeshtë, një qytetare amerikane që jeton në Shqipëri. Dhe thotë një fjali "nëse dikush në Uashington do të më pyeste mua, do t'i siguroja se nuk shoh asnjë shenjë të ndonjë celule anti-amerikane këtu." Si eksperte e sistemit të drejtësisë ajo tregon për të metat e tij, të meta të shumta të këtij sistemi dhe shprehet se duhet të jenë shqiptarët ata që ta reformojnë këtë sistem e jo të presin më prej të tjerëve. Duke qenë se e do shumë vendin tonë, në fund të kësaj interviste ajo shprehet se, pasi festoi 20 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ajo mezi pret festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Zonja Kati, pak ditë më parë u festua 20 vjetori i vendosjes se marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-se dhe Shqipërisë. Ju, jeni nga ato amerikanet e pakta, qe kanë qëndruar 20 vite ne Shqipëri, me pak ndërprerje. Cili ishte reagimi juaj i parë kur ju thanë se do të punoni në këtë vend, atëherë i mistershëm jo vetëm për botën perëndimore, por edhe për vetë shqiptarët?
Në fillim të prillit 1991, qëndroja e ulur në zyrën time avokatore në qendër të Manhatanit (Neë York City), kur më erdhi një telefonatë nga një burrë në Budapest, të cilin e kisha takuar vetëm një herë më parë në jetën time. Ai kishte kryer kërkime dhe sondazhe për llogari të qeverisë së Shteteve të Bashkuar përpara zgjedhjeve të para pluraliste pas Komunizmit, të cilat, ashtu si dhe ju e dini shumë mirë, u mbajtën më datë 31 mars 1991. Ai kishte rënë në dashuri me Shqipërinë dhe donte që çdo profesionist që ai njihte të vinte dhe të ndihmonte këtë vend. Rashë dakord për një vizitë dhe mbërrita në Tiranë në mes të prillit 1991. Gjeta një vend që ishte jo vetëm i mistershëm, por tërheqës dhe tejet pro-amerikan. Edhe pse nuk njihja as edhe një shqiptar para se të mbërrija këtu, zura shumë miq, të cilët mbeten të tillë edhe sot. Njoha gjithashtu Bill Rajersonin, i cili kishte ardhur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd për të hapur ambasadën këtu, duke qenë se marrëdhëniet ishin rivendosur një muaj më parë. Sigurisht, më pas, ai u bë dhe ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara. Atë gjithashtu e kam mik edhe sot.
Si na njohët, Zonja Imholz?
Shumë vite më parë, kur sapo u diplomova nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Harvardit, udhëtova drejt Jugosllavisë; udhëtim që më ishte bërë dhuratë nga prindërit e mi. Kisha studiuar serbo-kroatisht në universitet dhe ishte më e thjeshtë për perëndimorët të vizitonin Jugosllavinë në atë kohë. Shqipëria, sigurisht, ishte e pamundur të shkelej nga perëndimorët, veçanërisht nga një juriste amerikane. Megjithatë, kalova dy ditë në Ohër dhe përtej liqenit kundroja kodrinat e Tushemishtit, të cilat më bënë të dëshiroja të vizitoja Shqipërinë. Kur u ktheva në shtëpinë time në Neë York, nisa të lexoja për historinë e Shqipërisë dhe të studioja pak gjuhën. Mes të tjerave, lexova për mbretëreshën ilire, Teutën, dhe vendosa që ajo dëshironte që një ditë unë të shkoja dhe të ndihmoja vendin e saj. Si shpjegova dhe më sipër, vetëm në vitin 1991, u bë e mundur të veproja kështu.
Si ishte të jetoje në Shqipërinë e vitit 1991 dhe në cilin vit jeta u bë më e lehtë për ju?
Për popullin shqiptar, viti 1991 ishte, me siguri, një vit i vështirë. Kishte dhe mungesa ushqimore. Këtë e mora vesh para se të vija, kështu mora në valixhe çokollata dhe qumësht pluhur. Por kur mbërrita në Tiranë, zbulova se ishin krejtësisht të panevojshme. Për shkak të mikpritjes, që është pjesë e traditës suaj, dhe për shkak se unë isha një ndër amerikanët e parë që erdhën (madje edhe para se të vinte Sekretari i Shtetit Xhejms Bejker), më trajtuan jashtëzakonisht mirë, që në fillim. Edhe në 1991-in, s'kam ngrënë kurrë aq mirë në jetën time. Sigurisht, kushtet e jetesës janë përmirësuar në shumë aspekte që nga ai vit, kur kujtoj se, duke përjashtuar hotelet, kishte vetëm një restorant të thjeshtë në qendër të Tiranës. Por unë nuk jam një njeri që rend pas luksit. S'ka qenë kurrë e vështirë të jetoja në Tiranë.
Cila ka qenë ngjarja më e trishtë gjatë qëndrimit tuaj në këtë vend?
Më kanë parë sytë shumë ngjarje gjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri, por nuk dëshiroj të veçoj asnjërën si veçanërisht të trishtë. Ndoshta mund të përmend dy prej ngjarjeve më dramatike. Konkretisht, janë dy herët që jam evakuuar nga Shqipëria, në mars të 1997-ës. Herën e parë ndodhi në Vlorë, më 3 mars. Ndërsa po vizitoja spitalin e Vlorës me miqtë e mi nga një grup i të drejtave të njeriut nga Tirana, morëm vesh se ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme në gjithë vendin dhe ushtria duhet të marshonte drejt Vlorës ditën tjetër. Atë natë na strehuan në dhomat e spitalit dhe ditën pasardhëse, italianët organizuan një operacion shpëtimi me helikopter drejt Barit. Miqtë e mi shqiptarë dhe unë e gjetëm veten papritur në Itali.
U kthyem në Tiranë ditën tjetër, por 10 ditë më pas, trazirat mbërritën në Tiranë dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara urdhëroi bursantët Fulbright, në të cilët bëja pjesë dhe unë në atë periudhë, dhe qytetarë të tjerë që të largoheshin nga vendi. Aeroporti i Rinasit u mbyll dhe unë sërish e gjeta veten mbi një helikopter që shkonte drejt Italisë, vetëm se këtë herë ishte organizuar nga amerikanët. Pasi jam evakuuar si nga italianët ashtu dhe nga amerikanët, mund të them se parapëlqej të evakuohem nga Italianët. Pimë raki gjatë gjithë rrugës për në Bari, ndërsa amerikanët më revokuan pasaportën deri sa pagova evakuimin (454 dollarë amerikanë), më konfiskuan biçakun e shtrenjtë model i ushtrisë zvicerane (të cilën s'ma kthyen kurrë) dhe na detyruan të gjithëve të mbanim rrip sigurie në helikopter.
Po ngjarja më e gëzueshme?
Ka pasur gjithashtu shumë momente që mund t'i quaja të gëzueshme gjatë këtyre viteve dhe nuk do të doja të veçoja një më shumë se të tjerat. Por, sigurisht, ishte madhështore të qëndroje në katedralen e Shkodrës, kur papa Gjon Pali i II-të bekoi emërimin e mikut tim nga Nju Jorku, priftin famullitar, Rrok Mirdita, si Kryepeshkop të arqipeshkëvisë Tiranë-Durrës. Një tjetër ngjarje e lumtur e kohëve të fundit që më vjen ndër mend është kur një mikesha ime e re, e sapodiplomuar nga një gjimnaz i Tiranës, fitoi bursë të plotë për të ndjekur studimet në një nga universitet të mirë në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj shumë që Shqipëria të ketë lulëzuar kur ajo të diplomohet, në mënyrë që ajo të kthehet dhe të gjejë një punë të mirë! Në përgjithësi, lumturohem shumë kur të rinjtë shqiptarë sigurojnë arsimim të mirë dhe e vënë në funksion të së mirës së vendit të tyre.
Kush ishin njerëzit që ju qëndruan pranë në fillim dhe ku janë sot ata?
Si mund ta merrni me mend, kam zënë shumë, shumë miq gjatë 20 vjetëve. Si thashë dhe më sipër, disa prej njerëzve që njoha në prill të 1991-it janë ende miq të ngushtë sot. Por thuajse çdo javë njihem me njerëz të rinj. Sigurisht, disa prej miqve të mi janë larguar nga Shqipëria për të jetuar dhe punuar në vende të tjera, që është diçka e kuptueshme. Në fillim, shumë prej njerëzve me të cilët kisha lidhje më të ngushta ishin profesorë, ose juristë, siç jam unë. Megjithatë, mësova shqip, në mënyrë që të njihja këdo, dhe tani kam miq nga të gjitha fushat e jetës dhe nga të gjithë krahët e politikës.
Si mund t'i gjykoni 20 vitet e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë?
Unë nuk bëj pjesë në administratën e Shteteve të Bashkuara, prandaj vëzhgimet dhe gjykimet e mia mbi politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, janë thjesht ato të një qytetari amerikan. Si fillim, mund të them se të gjithë dëshirojë që të duhen, edhe një "superfuqi". Është kënaqësi e madhe të rrethohesh nga njerëz, dashuria e të cilëve ndaj vendlindjes sime është e fuqishme dhe e pandryshueshme. Nëse dikush në Uashington do të më pyeste mua, do t'i siguroja se nuk shoh asnjë shenjë të ndonjë celule anti-amerikane këtu. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal, një rol që përgjithësisht e ka luajtur mirë dhe që besoj se Shtetet e Bashkuara, e vlerësojnë. Por lexuesit tuaj e dinë mirë që Shqipëria është një vend i vogël dhe sot, në pjesë të tjera të botës, ka probleme shumë më të mëdha që tërheqin vëmendjen e Shteteve të Bashkuara. Kështu, ashtu siç i them vazhdimisht miqve të mi shqiptarë, mos prisni që politika e Shteteve të Bashkuara të zgjidhë problemet e shqiptarëve. Përsëris vazhdimisht fjalën e urtë që "vetëm i zoti mund ta nxjerrë gomarin nga balta".
Po tani, pas 20 vitesh, zonjë, çfarë mund të thoni për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Përshtypjet e mia të para në 1991-in ishin të një populli të ngrohtë dhe të zgjuar, që jetonte në një vend shumë të bukur. Pas thuajse 20 vitesh, mendoj të njëjtën gjë. Kjo nuk do të thotë që nuk jam ndeshur si me pjesën negative, ashtu dhe pjesën pozitive të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Për më tepër, vite e gjata të izolimit, që morën fund vetëm në 1991-in, kanë lënë pas një lloj naiviteti ose verbërisë që ende nxjerr krye, ndonjëherë në çastet kur më pak e pret. Shoh veçori të ndryshme që bllokojnë zhvillimin e plotë të vendit, por unë besoj se shqiptarët do t'i bëjnë ballë sfidave dhe në fund do t'ia dalin mbanë.
Kur dhe kush ua mësoi gjuhën shqipe?
Përpara 1991-it, ishte e vështirë të studioje gjuhë shqipe në Shtetet e Bashkuara, prandaj kur erdha këtu në 1991-in, dija vetëm pak fjalë. Por nisa të lexoja gazetat e të përktheja ligje dhe njerëzit më mbështesnin shumë kur shihnin se po mundohesha të mësoja gjuhën e tyre. Kur u shpërngula këtu, në 1996-ën, nisa të studioj letërsinë shqipe në mënyrë sistematike dhe ky ka qenë një gëzim i vërtetë. Vazhdoj edhe sot me mesuesen e dashur Violeta Librazhdi. Më pëlqejnë veçanërisht veprat e Petro Markos, por ka dhe shumë autorë të tjerë që më pëlqejnë gjithashtu.
Znj. Imholz, ju jeni një figurë e njohur për drejtësinë shqiptare, pasi keni dhënë një kontribut të madh në ndryshimin e këtij sistemi gjatë viteve. A ishte e lodhshme një gjë e tillë? Dhe nëse po, pse ishte aq e lodhshme?
Jo, puna që kam bërë nuk më ka lodhur asnjëherë, megjithëse ndonjëherë ka qenë tepër frustuese. Unë vij nga një demokraci e konsoliduar, edhe pse jo e përsosur, kështu që fazat e zhvillimit nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria ishin një edukim më vete për mua, një mundësi për të menduar mbi domethënien e vërtetë të koncepteve bazë si demokracia ose sundimi i së drejtës.
Jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe vendet e tjera evropiane kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që drejtësia shqiptarë të jetë në të njëjtin nivel me atë të demokracive të tjera, por sot ka ende qytetarë që ndihen të pasigurt për jetën e tyre. A vjen kjo sepse drejtësia shqiptare nuk është ende e plotë dhe ata që duhet të vendosin drejtësinë në vend, nuk janë në nivelin e duhur?
Për më shumë se 20 vite kam parë projekte të huaja që shkojnë e vijnë në sektorin e drejtësisë në Shqipëri, kryesisht projekte amerikane dhe evropiane. Veçanërisht në gjashtë vitet e fundit kam studiuar nga afër se çfarë do të thotë të "përafrosh" sistemin ligjor shqiptar, veçanërisht sistemin e drejtësisë, me standardet europiane dhe kam punuar për projekte që kishin atë qëllim. Nuk do të thosha që drejtësia shqiptare nuk është ende e plotë. Ka shumë mënyra të ndryshme për të organizuar sistemin e drejtësisë dhe ende të ruash "evropianizimin" dhe në këtë drejtim institucionet shqiptare janë normale. Të gjithë parimet e përgjithshme, si pavarësia e gjyqësorit, janë pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë. Problemi, sipas këndvështrimit tim, është se projektet e huaja nuk i bien në të; është e nevojshme që juristët, prokurorët, gjykatësit, profesorët, zyrtarët e qeverisë shqiptare dhe qytetarët e tjerë të vetë-organizohen në mënyrë që t'i zgjidhin vetë problemet në mënyrën që atyre iu duket më e përshtatshme. Ky është një proces që mezi ka nisur.
Cili prej proceseve gjyqësore që keni ndjekur deri më tani do ta quanit si më të mirin dhe cilin si më të keqin?
Kam ndjekur shumë procese gjyqësore dhe nuk dua të karakterizoj asnjërën prej tyre si "të mirë" apo "të keqe", edhe pse e kam një mendim mbi këtë çështje. Me keqardhje, mund të them se praktikisht të gjithë seancat që kam ndjekur kanë pasur probleme të llojeve të ndryshme. Vonesat përbëjnë një problem madhor; pjesëmarrësit në gjyqet shqiptare (gjykatësit, avokatët, prokurorët) nuk kanë gjetur mënyra të efektshme për t'i vënë gjërat në vijë. Kjo vjen, pjesërisht, si pasojë e defekteve në ligj dhe unë vazhdoj të marrë pjesë në nismat e ndryshme për t'i përmirësuar ato.
Znj. Imholz opinioni publik ka ende bindjen se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë, pasi për njerëzit e veshur me pushtet si në politikë, ashtu dhe në biznes proceset gjyqësore nuk janë të njëjta me ato të një të pandehuri të zakonshëm.
Po, nuk mund ta mohoj se shumica e shqiptarëve që njoh unë nuk besojnë se drejtësia është e barabartë për të gjithë. Kjo ndodh pavarësisht deklaratës së qartë në Nenin 18-të të Kushtetutës së Shqipërisë, apo faktit që Gjykata Kushtetuese, apo gjykata të tjera e përsërisin këtë fjali shpesh. Problemi nuk qëndron thjesht në trysninë politike, apo te biznesmenët e fuqishëm. Një prej historive më të trishtueshme që kam dëgjuar kohët e fundit, i përkiste një djali të ri që ndodhej në paraburgim për një akuzë jo shumë serioze dhe i cili, normalisht, duhet të ishte liruar; pasi shumë njerëzve të akuzuar për krime shumë më serioze iu është dhënë vazhdimisht masa me arrest shtëpie, apo më të lehta. Por kur u interesuam në organet proceduese pse ai gjendej ende në paraburgim, ata u përgjigjën me shpërfillje: "Askush nuk u interesua për të", që do të thoshte se askush nuk dha pak lekë në vendin e duhur për t'i dhënë të riut të drejtat që ai duhet t'i kishte të garantuara nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale.
Si mund të ndryshohet kjo gjendje e mosbindjes? Nuk e kam përgjigjen magjike. Mundem thjesht të përsëris atë që kam thënë shpesh gjatë kësaj interviste: Shqiptarët duhet të gjejnë vetë rrugët më të efektshme dhe demokratike për të këmbëngulur që barazia përpara ligjit të vendoset.
Kur do të bëhemi të drejtë ne, zonja Imholz?
Mendoj se shqiptarët janë "të drejtë", në kuptimin se e kanë të ngjizur ndjesinë e drejtësisë dhe të së drejtës. Problemi është që ata janë tepër individualistë dhe nuk organizohen mirë, apo nuk punojnë së bashku në mënyrë të efektshme. Dëgjojmë vazhdimisht të njëjtat deklarata, si për shembull "Kur do të bëhet Shqipëria", apo dhe më keq "Ky vend nuk bëhet asnjëherë". Nëse do ta konsideroja si të vërtetë fjalinë e fundit, nuk do të qëndroja këtu. Por sipas meje, Shqipëria tashmë është bërë. Çështja qëndron në përmirësimin e aftësive organizuese dhe në bërjen e një vendi më të mirë. U lumturova shumë që isha e pranishme në 20 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, por pres edhe me më shumë padurim që të jem e pranishme në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë vitin që vjen: një shtet "më vete" që vazhdimisht mundohet të përmirësohet.

No comments:

Post a Comment