‘Vdekje’ drejtpërsëdrejti
Gilmana Bushati
Nuk dua ta shoh vdekjen e një diktatori drejtpërsëdrejti për të kënaqur shijen time prej shikuesi, që edhe një diktator iku. Nuk dua të përshëndes faktin që një njëzetvjeçar me një kapele, që në krye të herës ka të shënuar gërman NY, që simbolizon Nju Jorkun, ka vrarë me një plumb në kokë e në qetësi të madhe një njeri, që ishte diktator. Nuk dua ta përjetësoj vdekjen e këtij njeriu në të gjitha televizionet, gazetat e në të gjitha mjetet e komunikimit virtual. Për mua kjo është një shfaqje makabre, që nuk dua ta shoh, që as fëmijët e mi nuk duhet ta dijnë. Ndryshe e shoh ngjarjen makabre të Kinës, ku fëmija shtypet dy herë nga dy makina të ndryshme dhe askush nuk i vjen në ndihmë. Kjo vdekje nuk është pjesë e kënaqësisë sime prej shikuese të një kontinenti tjetër, por është një vdekje që ka ndodhur në sytë e të gjithëve, për të cilët po reagojnë sepse po e kuptojnë se sa e ftohtë është bërë natyra njerëzore. Janë dy vdekje që janë hedhur në internet, për t’i parë të gjithë, për njërën po valviten flamujt, për tjetrën po derdhen lotë anëmbanë botës, por gjithësesi janë prova të pakundërshtueshme që natyra njerëzore nuk i ngjan më asaj të fillimit dhe se ajo po shkon drejt ngurtësimit, drejt asaj që më vonë do të jetë normale si sjellje njerëzore. Shumë shpejt njerëzit do të kërkojnë që të vrasin online, të kapur nga të gjitha televizionet që të bëhen heronj, por gjithashtu do të mbeten në histori për sjelljen e tyre, që nuk i dhanë ndihmë një fëmije të vogël, atje në Kinën e largët.
Këtu nuk shkruaj se m’u dhimbs Gadafi, apo se vdekja e drejtëpërdrejtë e një fëmije më ka bërë të dobët dhe emocionalisht të ndikueshme, pasi pamjet duan të përcjellin provat që njerëzit të goditen, të bombardohen emocionalisht, që të ndahen në pro dhe kundër dhe nesër të shpiket një nismë e re ku kërkohen sërish fonde për të ngritur sisteme që fëmija të mos shtypet apo që të mos ketë Gadafë të tjerë.
Shkruaj se m’u dhimbs vetja, që isha pjesë e dhunës televizive teska e shihja Gadafit kudo që të hidhje sytë në internet, për t’i dhënë prova botës dhe shteteve demokratike se ‘diktatori vdiq’. M’u dhimbs vetja sepse askush nuk tentoi që ta rrëzonte diktatorin tonë sa ishte gjallë dhe pasardhësin e tij për ato vite që mbretëroi, jo për të na kthyer në një demokraci që rreh shuplakë për vdekjet direkte, por për të na kthyer në një vend modest ashtu siç ka qenë, kur ka jetuar me gënjeshtrat e të vërtetat e tij. M’u dhimbs vetja teksa shihja vdekjen e fëmijës, pasi kuptoj se sa pak rëndësi kanë fëmijët e mi, që për të tjerët janë fëmijët e tjetrit dhe nuk vlejnë, në një kohë që të gjithë fëmijët janë njësoj. M’u dhimbs vetja teksa shihja krerë të lartë të shtetit të duartrokisnin për vdekjen online të Gadafit, sepse ata që janë atje asnjëherë nuk provuan të flisnin diçka kundër diktatorët tonë, sepse e njihnin mirë, sepse ishin pjesë e saj dhe lanë të vdisnin me qindra njerëz në tortura, varfëri, por duke qenë se nuk janë të gjithë të faktuar, janë të qetë se vdekja e tyre nuk ka ndodhur online, është vdekje e harruar, sikur vlera e atyre që vdiqën nuk është e njëllojtë me vdekjen e atyre vetë. M’u dhimbs vetja se edhe ajo që quhet dashuri që përcillet online, mbulohet me pisllëkun e atyre që nuk jetojnë në dashuri, po jetojnë të etur pikërisht për të parë këto lloj vdekjesh. Por jam e pafuqishme të bëj diçka për veten tani dhe për të ardhmen, pasi rregullat nuk i përcaktoj apo i ndryshoj unë. Unë mund të bëj vetëm kaq, të fik televizorin dhe të kërcej me fëmijët e mi për të harruar këtë realitet, pjesë e së cilës ata do të bëhen shumë shpejt, edhe për këtë ndjej dhimbje.
No comments:
Post a Comment