Vasil Kati, si e burgosi Enveri ministrin e Tregtisë
Enver Hoxha nuk ka kursyer edhe miqtë jo më armiqtë. Rrëfimin më të dhimbshëm për këtë persekutim e jep familja e Vasil Katit, ish ministër i Tregtisë në kohën e Hoxhës, por më pas, i persekturar e internuar jo vetëm ai, por gjithë familja. Dy vajzat vuajtën së bashku me nënën e tyre internimin për një kohë të gjatë, ndërsa, Vasil Kati, për shumë-shumë kohë, u surgjynos burgjeve. Vëllai i tyre, Adrian Kati, që sot na rrëfehet nëpërmjet kësaj histore, nuk mund të mos mbajë mend djalin rrebel të saj kohe, që u detyrua po ashtu ti bashkohej nënës dhe dy motrave në internim, edhe pse ishte shkolluar më së miri jashtë vendit.
Historia
Në fakt Vasili ka qenë ministër i Tregtisë së Jashtme të regjimit hoxhist. Familja e tij, si çdo tjetër, gëzonte privilegjet e bllokut. Shumë kohë kishte punuar jashtë vendit, edhe në Rusi, e prej andej erdhi në Tiranë me detyrë akoma më të rëndësishme.
Në këtë grup, përveç ministrit, bënin pjesë Abdyl Këllezi dhe Kiço Ngjela, drejtues të lartë të shtetit. Pse u akuzua Kati dhe grupi i ashtuquajtur “i ekonomisë”?
Enver Hoxha i akuzoi Ngjelën dhe Katin në fillimet e viteve ‘70 se nën drejtimin e tyre, kishin ndjerë një zhvillim me ritme të shpejta marrëdhëniet tregtare me firmat jugosllave. Një akuzë tjetër ndaj Katit dhe Ngjelës ishte se ata kishin bërë marrëveshje me firma kapitaliste, si holandeze, gjermane për qepjen e konfeksioneve me cilësi të lartë. Malli do të blihej nga këto firma, ndërsa veshjet do të qepeshin në vend si dhe punonjësit do të paguheshin nga pala shqiptare. Për të realizuar këto porosi nga jashtë, në vend erdhi teknologji e përparuar dhe u arrit punësimi i shumë grave dhe vajzave, kryesisht në qytetet e Elbasanit, Korçës dhe Tiranës. Por e gjitha kjo përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e ekonomisë shqiptare u hodh poshtë dhe u quajt si “sabotim”. Për këtë arsye, grupi iu ekonomistëve u hetuan nën kujdesin e Kadri Hazbiut, i cili nuk do të vononte shumë që të vihej në bankën e të akuzuarve. Pasi Kati dhe Ngjela marrin dënimin, në 1975, familja e Katit merr urdhrin për t’u internuar në Ndërnenas të Fierit.
Dokumenti i Internimit
“Dega e Punëve të Brendshme Fier, duke marrë pëlqimin e Komitetit të Partisë së rrethit, propozoi të internojë për 5 vjet kohë në fshatin Ndërnenas, të rrethit të Fierit, personat e poshtëshënuar…” dhe vijon e gjithë familja. Ky është vendimi, ndërsa arsyetimi i internimit të familjes bëhet me poshtë dokumentit: “Të lartpërmendurit janë e shoqja dhe fëmijët e të arrestuarit si element armik antiparti dhe sabotator i ekonomisë socialist, veçanërisht në sektorin e tregtisë, Vasil Kati.
Angjiliqi ka qenë në dijeni për veprimtarinë armiqësore të burrit të saj, Vasil Kati”. Ky është arsyetimi i vetëm se pse përveç bashkëshortes duhet të internohen edhe fëmijët.
Më poshtë po shkëpusim pjesë nga letrat që Vasil Kati ia dërgonte familjarëve të tij nga burgjet e ndryshme të komunizmit.
Letrat e burgut
…Më sollën në një vendbanim të ri. Pas një izolimi të plot prej gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë netësh e ditësh. Ndodhem disa kilometra larg jush, më thonë disa bashkëvuajtës dashamirës. Më duket sikur vij nga pjesa e prapme e hënës. Nuk e di si jeni. Më njoftoni urgjentisht shëndetin…
Mundohuni të vini në takim, por duhet të frenojmë emocionet dhe mospërmbajtjen. Ndryshe, do të na shtohen traumat e streset dhe do të na krijojnë shqetësime e hidhërime të tjera…
Ballsh,
shtator 1977
(fragment nga letra e pare dërguar nga burgu)
…Në çdo ditëlindje tuajën mundohem t’ju vizatoj portretin. Malli i pashuar shtyn lapsin dhe ai bindet. Do të doja t’ju dërgoja buqeta me lule, por lulet nuk i gjej dot këtu… Emrat tuaj i shënoj përditë në pëllëmbë të duarve. Pastaj i shoh dhe më duket sikur fjalosemi bashkarisht. Vitet shkojnë, por ne na duken njësoj, dita me natën, na duket gjithnjë njësoj, po ashtu dhe dimri me beharin. Ngrica nuk po shkrin…
Zejmen, shkurt 1982
Shumë të Dashurit e mi
…Vogëlushit i uroj nga zemra ditëlindjen që po afron. T’ia festoni, sikur s’na ka ndodhur gjë, për ta mbajtur mend për mire, në jetën pa telashe. Në çdo hap që do të hedhë, të marrë shembull nga alpinisti, që për t’iu ngjitur shkëmbit, i ngul piketat me shumë kujdes. Ca e nga ca, kanë për t’i pëlqyer dhe veprat e poetit plak dhe të verbër të lashtësisë, ku përshkruan vështirësitë e heronjve të asaj kohe. Ka për të kujtuar edhe dhimbjet e së kaluarës. Në fotografi ngjanit si buqetë manushaqesh. Si vesa e mëngjesit, që nuk të le të fishket bima. Natë e ditë i mbaj në gji. Dua të rrini ngrohtë…
Nuk është e thënë që e ardhmja jonë të mbulohet nga retë. Do të ketë kthjelltësi. Si kaltërsia e lartësive. Edhe fëmijët do t’u ngjajnë zambakëve të freskët dhe jo trëndafilave të fishkur. Lumturia nuk është kurrë absolute, me gjithë bukurinë e vet ajo thyhet here-herë. Edhe në qiellin e kthjellët, dalin grumbuj resh ndonjëherë papritmas. Por mes mjegullnajave gjen korridore të pazëna. Disa mendimtarë shprehen: Ku ka dhimbje, do të ketë dhe gaz. Le të shpresojmë…
Qafë-Bar, mars 1985
Vuajtjet
E ndërkohë që Vasil Kati endej burgjeve, familja e tij përballoi internimin, sa në një vend në tjetrin, sa në një fshat në tjetrin. Në punërat më të vështira. Vajzat pësuan fatin e ndarjes nga bashkëshortët e tyre, sepse kështu “donte partia” dhe gjithcka për këtë familje riniste nga fillimi. Sot, ata të gjithë janë në Tiranë, dhe shikojnë sesi persekutorët e dikurshëm kthehen në akuzues, por mundohen, si intelektualë, të plotësojnë boshllëqet e demokracisë.
No comments:
Post a Comment