Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, November 28, 2011

Interviste me Esat Myftarin

Idealisti nga Kosova që kaloi kufirin për kombin dhe u dënua 10 vite për agjitacion dhe propagandë

Zoti Myftari ju jeni një nga ato kosovarët që guxuat e kaluat kufirin për të ardhur të shtetin amë, por që historia e juaj nuk është kaq e ëmbël sa e mendonit kur ishit i ri. Si iu zgjua dëshira për të ardhur këndej?
Në Prishtinë punoja gazetar dhe në të njëjtën kohë kam qenë pjesë e një grupi klandestin, që kishte për objekt rezistencën ndaj pushtetit jugosllav, ku dominonte figura e Rankoviçit, të paktën në raport me shqiptarët. Natyrisht, motivi kryesor, s’ishte vetëm shtypja, se sa dëshira për t’u çlirue si komb. Brezi im, pavarësisht nga gjendja, individuale apo materiale Serbinë e ka përjetue si një vend pushtues, kolonial.
Kam ardhë në Shqipni në vitin 1963, atëherë isha vetëm 23 vjeç. Isha i ngarkuem nga shokët për t’vendosë lidhjet me shtetin shqiptar dhe për me kërkue ndihmë. Formalisht angazhimi jonë u prit mirë, por kishin pikëpamje të ndryshme përsa i përket rrugëve dhe modaliteteve të veprimeve tona konkrete.
Çfarë ishin këto grupe klandestine dhe çfarë ngjyresa kishte aktiviteti i tyre?
Në përgjithësi, të gjithë grupet klandestine, kishin ngjyrë kombtare dhe jo ideologjike, por tue pasë parasysh regjimin shqiptar dhe namin që kishte ky regjim, tue pasë parasysh edhe të kaluemen e Partisë së Punës - këtu i referohem bashkëpunimit të PKSH-së me PKJ-në - duket jo pak paradoksale ardhja jonë këtu dhe kërkesa për një bashkëpunimin me një regjim të tillë.
Pra ju kërkonit me patjetër bashkëpunim me shtetin shqiptar, për të arritur qëllimet kombëtare, në kohën që ai ishte thjeshtë një shtet diktatorial...
Paradoksin e shpjegojmë shumë thjesht; e para ne ishim në një terr total informativ për gjendjen reale në Shqipni; e dyta shtypja serbe asokohe ishte e padurueshme dhe e treta është se përfaqësuesit diplomatik të shtetit shqiptar kishin nxjerrë tezën se komunistët shqiptarë ishin të mashtruem prej jugosllavëve gjatë luftës në raport me Kosovën dhe se i gjithë shteti shqiptar tashma ishte i angazhuem për t’ia kthye Kosovën Shqipnisë, natyrisht në një prespektivë pak ma të largët. Nga ana tjetër, nuk duhet harrue këtu dhe mungesa e përvojës nga ana e kësaj rinie shumë të zjarrtë. Por për të largue çdo lloj dyshimi, duhet vu në në pah se këto grupe qenë krejt të hapuna ndaj shtetit shqiptar; si rrjedhim qeveria shqiptare ka qenë në dijeni të plotë, madje deri në detaje, të lëvizjeve në Kosovë. Prandaj ardhja ime këtu duhet kuptue në këtë sfond.
Kur e kaluat kufirin për në Shqipëri dhe ku ju dërguan?
Kufirin e kam kalue ilegalisht në zonën afër Tropojës, ku dhe u dorëzova në postën kufitare. Pas katër ditësh më sollën në Tiranë. Më pati pritë Rakip Hoxha (ia mësova emnin ma vonë), ishte oficer i naltë i strukturës që merrej me ata që vinin nga Kosova. Ia shpjegova arsyet e ardhjes, që ishte marrja e ndihmës materiale, organizative dhe diplomatike. Për të gjitha kërkesat tona u mbajtën shënime, por nuk mora asnjë përgjigje konkrete. Përkundrazi, pasoi nji periudhë e gjatë shmangieje e izolimi, deri në arrestimin tim.
A nuk ju panë si të dyshimtë, si ndonjë agjent i UDB-së?
Jo, për mue s’kishin dyshime se isha i UDB-së., të paktën ballas kurrë nuk më kanë dalë me dyshime të tilla. Thuhet në Shqipni se qeveria shqiptare dhe strukturat e saj përkatëse kanë pasë dyshime të mëdha për kosovarët e ardhun në Shqipni. Kjo është një prej rrenave ma të ulta të atij regjimi. Dyshimi ka qenë i ndërgjegjshëm, i sajuem e për konsum të brendshëm dhe me cak të qartë që të mbuloheshin aktet e tyne antikosovare dhe që vlera e tyne të ulej në sytë e qytetarëve shqiptare.
Pasi erdhët ku u vendosët?
Me të ardhun në Shqipni u vendosa në Përmet, atje punoja normist. Në vitin 1965 fillova studimet për Bio-Kimi. I ndërpreva studimet në vitin e tretë dhe bana kërkesë për me u riatdhesue.
Kujt ia bëtë këtë kërkesë dhe a ju miratua?
I dërgova një letër Haxhi Lleshit, si kryetar i Kuvendit që ishte dhe aty kam shprehë dëshirën që të kthehem pranë popullit tim e të jetoj në kushtet e atij popull dhe me mentalitetin e tij. Kërkesa m’u pranue dhe për këtë gja, ashtu si e do rregulli, aplikova pranë ambasadës jugosllave në Tiranë. Atje m’u tha se jam denue me 9 vjet në mungesë dhe se ka mundësi që, po u ktheva, të më burgosin për t’i shlye ato vite.
Pra ju pranonit të shkonit në burgun jugosllav dhe të linit Shqipërinë, për të cilën mbase kishin ndryshuar edhe mendim?
Po e pranova. Por pas tre vjet pritjeje, përgjigja me erdhi se isha person i padëshirueshëm e se nuk më lejohet të hyja në vendlindje. Asokohe isha arsimtar në shkollën tetëvjeçare të Shëngjinit, kurse në vitet 1974-1976 në Tale të Lezhës. Në mars të 1976 më arrestuan.
Pse u arrestuat?
Pas gjyqeve kundër Beqir Ballukut me kompani, në mbledhjen e arsimtarëve, ku ishin të pranishëm përfaqësues të partisë dhe drejtues të fshatit, m’u kërkue që të shprehem për këtë grup dhe që të punoja me kooperativistë Projekt Kushtetutën e vitit 1976. Atëherë, me qenë se isha nën provokime të vazhdueshme, vendosa t’i jap fund kësaj gjendjeje mizore. Në disktuimin tim thashë se unë denoncoj burgosjen e kosovarëve të ardhun në Shqipni, se nuk pranoj të punoj Kushtetutën me kooperativistët dhe nëse këta arrestime e pushkatime i drejton Enver Hoxha, atëherë unë e deklaroj veten kundër Enver Hoxhës. Mbas pak ditësh m’u vunë prangat.
Në cilin burg ju dërguan?
Në fillim qëndrova në burgun e Lezhës, 6 muaj hetuesi. Më dënuan me 10 vjet për agjitacion propagandë. Kryetare e trupit gjykues atëherë ishte Drita Tirana. Më pas më çuan në Ballsh, aty ishte vendi ku mbaheshin të gjithë të burgosunit që ishin me shtetësi të huej. Atje në një kapanon isha me shumë kosovarë të tjerë, 12 grekë dhe 3 malazezë. Grekët që ishin aty kishin mbetë që nga koha e luftës qytetare dhe ishin dënue si unë, për agjitacion e propagandë, ndonji edhe për spiunazh a delikte të ndryshme ordinere. Kur Ballshi u mbyll, në vitin 1983, të gjithve na çuen në Zejmen të Lezhës. Në Zejmen disa muej para se me vdekë Enveri ka pasë tortura të përbindshme, e sidomos mbas ngjarjeve të Qafë Barit. Pas vdekjes së Enverit mësova se nuk ushtrohej ma dhunë si ma përpara. Në Zejmen, edhe pse kishte plot shqiptarë të tjerë, ne që ishim me shtetsi të huaj vazhdonin me na mbajtë të izoluem prej të dënuarve të tjerë vendas.
Dhe kur u liruat?
U lirova një muaj pasi vdiq Enveri, sepse atëherë mbaroi afati i dënimit. 18 muaj kam kenë pa punë, mbahesha me lekët që më sillte familja ime nga Peja, në fakt lekët më vinin prej Stambolli se ishte ma e lehtë të vinin paret prej andej. Pastaj u punësova në fabrikën e letrës në Lezhë dhe kam punue atje punë krahu deri në 1990. Në proceset demokratike më zgjodhën sekretar të degës së PD-së Lezhë. Në zgjedhjet e para u zgjodha deputet i Bregut të Matës, pikërisht në vendin ku më kishin arrestue. Në 1992 isha në ministrinë e Jashtme dhe u emërova Drejtor i Drejtorisë së Diasporës. 1996-1997 isha specialist pranë ministrit. Në 2000 u caktova në ambasadën tonë në Riad e më pas dola në pension.
Në fakt zoti Myftari, figura e Enver Hoxhës në Kosovë është idealizuar më shumë se sa ç’duhet. Të paktën ky është opinioni i përgjithshëm. A është e vërtetë kjo?
Këtu në Shqipni ekziston bindja e përgjithshme se kosovarët e kanë pasë idealizue figurën e Enver Hoxhës. Disa herë është thanë dhe po e përsëris, se në këtë pikë ka një keqkuptim të madh. Në fakt ka qenë e idealizueme Shqipnia dhe jo Enveri. E dyta; shpesh gabohet kur kosovarët merren en bloc. Edhe shoqnia kosovare, si çdo shoqni tjetër asht heterogjene. Enveri ka qenë ma i popullarizuem në shtresat e prapambetuna, por dhe këtu jo në atë masë sa mendohet. Por duhet pranue se në përgjithësi, kur vihej dilema Tito apo Enveri, pjesa shqiptare anonte gjithnjë nga Enveri. Kjo ndodhte kryesisht për motive kombtare dhe karshillëk me serbët, ndonëse ishte një e vërtetë e njohun se Tito ishte ma liberal se Enveri, ani pse të dy ishin të të njëjtit “kazan komunist”.

No comments:

Post a Comment