Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, November 29, 2011

Masaker me 4 shkurt 1944? Ja dokumentet

Gilmana Bushati

Në masakrën e 4 shkurtit 1944 u vranë me të vërtetë 86 komunistë, apo vetëm 13 veta? Cila është e vërteta e asaj ngjarjeje, të cilën në kohën e diktaturës është përkujtuar gjithnjë dhe ende ka lënë shenja në kohën tonë me emrat e të vrarëve që kanë rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë? A ekzistojnë dokumente të kohës, të shtetit e të qeverisë së atëhershme për të vërtetuar se sa ka qenë numri real i të vrarëve dhe a mund të konsiderohet më pas kjo një masakër? Kur të shkruhet historia e Shqipërisë a duhet që historianët të kenë parasysh që të sjellin për lexuesit, por edhe për brezin e ri të dhëna të sakta për secilën ngjarje apo fakt historik? Këtyre pyetjeve mund t'u përgjigjen vetëm historianët dhe specialistët e fushës. Por në këtë numër të "Gazetës Shqiptare" vijnë ekskluzivisht proçes-verbalet e prokurorisë së Shtetit të vitit 1944 për vrasjet e 4 shkurtit të atij viti. Aty tregohet gjithçka çfarë ka ngjarë më 3 dhe 4 shkurt, kush ishin viktimat, kush ishin identifikuar, kush ishin të paidentifikuar, kush u gjet në varrin e përbashkët përgjatë rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan, pikërisht pranë vendqëndrimit të komandës gjermane, cilat ishin dëshmitë e personave për atë ngjarje. Proçes-verbalet janë zbardhur duke respektuar gjuhën e kohës me të cilën janë daktilografuar dokumentet. Në vendet që nuk është e mundur të dëshifrohet fjala apo fjalia është lënë me tre pika.
Debati
Data 4 shkurt e këtij viti njihet në historiografinë shqiptare si "masakra e 4 shkurtit" dhe është përkujtuar gjithnjë si e tillë, kryesisht gjatë viteve të diktaturës. Numri i të vrarëve 86 del edhe nga libri i fundit i Arben Putos "Lufta italo-greke. Diktatorë dhe Kuislingë", ku ai hap debatin edhe për ministrin e Brendshëm të kohës, Xhafer Deva, të cilin e konsideron "ministër terrorist" pasi e njeh përgjegjës për vrasjet e kësaj date. Në një debat të hapur për figurën e Devës, po nga "Gazeta Shqiptare" studiuesit Idriz Lamaj, Nexhmedin Spahiu dhe Nue Oroshi vënë në dyshim nëse numri 86 është i saktë, (që të tre, por edhe historianë të tjerë, kanë vënë në dyshim edhe numrin e 28 mijë dëshmorëve të rënë bë Luftën Nacional Çlirimtare) pasi sipas tyre, asnjëherë dhe askush nuk i ka dhënë emrat apo dokumentacionin e këtyre të vrarëve. Në një intervistë të tij për "Gazetën" Lamaj jep edhe fakte të tjera: "Mjafton të përmendim numrin e viktimave që njëherë na del mbi njëqind; herë tjetër tetëdhjet, më pas dyzet, kurse në gazetën "Bashkimi" të shkurtit '45, pra një vit mbas ngjarjes, sillen emrat e vetëm nja njëzet e pesë vetave. Po të qe një tragjedi e atyre përmasave, siç propagandonin komunistët, vetë të afërmit e viktimave do të kishin dhënë emrat e tyre, gjë që nuk ka ndodhur, megjithëse pikërisht, në gazetën e mësipërme, të datës 3 shkurt 1945, në faqen e parë, me gërma të evidentuara, shkruhej: "Ftohen familjet, far e fis, ose shokët dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 shkurtit 1944 që t'i njoftojë brenda ditës së sotme, pranë Këshillit Nac.Cl. të qytetit të Tiranës". A ka dëshmi më domethënëse se kjo, që vërteton se vetë pushteti komunist, gjithë atë zhurmë për 4 shkurtin e kishte bërë për efekte emocionale që të trondiste popullin, në një kohë që nuk ishte as vetë në dijeni se sa qenë vrarë e kush qe vrarë!?".
ProCesVerbal
Mbi lajmërimin që na asht bamë prej autoriteteve të S.P. se në Spitalin Civil të këtushëm, janë transportuear disa kufoma personash të vramë ditën e datës 3 dhe...4 shkurt të muejit fruer 944 në rrugët e kryeqytetit prej personave të padiktuem; sod me datën 5/2/944 ditën e Shtunë para dreke, i nënshkruemi Prokuror'i Shtetit Tod Gjini, asistuem prej Sekretarit Prokuroris Durresit z. Tofik Haxhimilla, në mungese të Sekretarit të kësaj Prokurorije z.Pandeli Kosova që profizorisht ndodhet me shërbim pranë gjyqit të Posaçëm për mbrojtjen e Atdheut, i shoqnuem dhe prej Togerut të Gjindarmëris z.Sadik Canit i deleguem prej Qark Komandatit z.Major Subi Topullit për të shoqrue titullarin e kësaj Prokurorije me kryemjen e hetimevet rreth vrasjeve të kryera me datën e tregueme sipër, dhe prej N/Kryetarit të Bashkis z.Nikkolla Kotte u drejtova për në Spitalin e vendit ku prej personelit t'atij Spitalit... njoftuar se disa kufoma janë përcjellë n'at Spital dhe vendosun në dhomën e të vdekunve vizitimi i të cilavet asht bamë prej mjekut z.Luçiano Motrine, kështu u drejtuem për në ket lokal drejtuar prej Faik Sulejmanit nga Dibra, prej të cili na u çel dhoma e destinuar për të vdekun dhe u panë të shtrirë dhjetë kufoma personash me veshje të ndryshme civile nga të cilët u identifikuan me anën e personave të interesuem:
1. Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri vjeç 22
2. Todi Shkurti nga Fieri vjeç 25
3. Hasan Rexhep Çeliku vjeç 34, kryepuntor pranë Ministrisë P.B nga katundi Mullet i Tiranës.
4. Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga Mihal Grameno
5. Mihal Jani Koço i biri i Margës vjeç 20 Druvjan i Gjirokastrës banues në rrugën e Kavajës Tiranë.
6. Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindun në Sarandë banues në Tiranë rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20...
7. Reveni Ludovico Carlo i biri Marijes nga Italia banues në Tiranë vjeç 26.
8. Gjergji Legjizi i biri i Frrokut dhe i Diles lindun ne katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re Lagje Llagami nr;43.
Nga kufomat mbeten dy të pa identifikuara të cilat...
a) ...vjeç 22... këpucë me syprina beze të zezë e... çorape të zeza pambuku ushtarake;... katrore, boj kafe... jeshile me të bardha, triko leshi pambuku boj kafe, xhaketë civile boj kafes të mbydhun me vija pak të dukshme.
b) boj mesatar vjeç 34 flokë kështije, fytyre pak të hekun, i rruem pa mjekër, me nji shall leshi jeshil, xhaketë civile e pantallona boj të kafes, i vesgun nën rrobe me bixhama të bardhe e me vija te kuqe, nji triko leshi në boj të hinit e pa mange, jelek boj kafe, peshime me ngjyra e me vija, kepucë te zeza civile ushtarake, çorape boj kafe te Europes.
Dy kufomat e pa identifikuese do te mbeten në dhomen e te vdekurve për eventualitetin e identifikimit prej të interesuarve që do të bahet njoftim me mjetet e...të rastit dhe të gjendjen shkaktuem na rrethanat e tashmë të turbulla për vendin t'onë.
Të gjithë kufomat e nalt përmenduna u kontrolluan dhe nuk u gjetën përsipër dokumenta ose shenja që të tregonin identitetin e tyne. Kufomat që të gjitha ishin të prekuna prej plumbash t'armeve zjarrit automatike (armë ushtarake), në vende të ndryshme të trupave të tyne.
Nga Drejtorija e Spitalit Civil të këtueshme u kërkua që mjeku vizitues të këshoj raportin relativ mbi vizitimin e kufomave dhe mbi konstatimin e vdekjes tyne.
Ju njoftua N/Kryetarit të Bashkis se kufomat pasi të qëndroj në të ekspozuara për identifikim në kohen që mundësisht të mbetet të pa prishuna të jepen urdhrat e varrimit tyne.
Për vërtetim u mbajtë një proces verbal i cili si u lexua u vërtetua dhe u nënshkrua si vijon:
Tiranë 5/2/944
Sekretar i Prokuroris Durresit
T.Hoxhmilla
Prokuror i Shtetit
T.Gjini
ProcesVerbal
Sod me datën 6/2/944 diten e Djel prej personave të interesuem 1) Mentor Xhemal Sojlin nga Struga banues në Tiranë rruga e Spitalit vjeç 24, 2) Shaqir Huta vjeç 70 pensionist banues në Tiranë lagja Sulejman Pashë rruga e Kananit dhe 3) Bajram Ramazan Shkodra marangoz banues lagja Xhami Sharif rruga Hodo Bej nr.102 Tiranë na bahet e ditun se natën e datës 3-4/2/944 prej organeve të forcave qeveritare qenë tërhequn nga shtypit e tyne a) Xhemal Sojlin atë i të parit, b) Haki e Maliq Huta djemt e të dytit dhe c) Fadil Rada punëtor vjeç 22 të cilët nga hetimet që kan berë, nuk ndodhen nëpër burgjet ose vend tjetër të K/qytetit.
Personat e interesuem nga informatat që kan kapuni se në kodrinat e ndodhun pranë pyllit që ndodhet në rrugën publike Tiranë Elbasan ku, janë përqendrue ushtrinat Gjermane janë transportue dhe varrosun disa kufoma të vrare natën e datës sipër treguese dhe mejtojnë se midis tyre kufomave do të jenë edhe pjestaret e familjeve të tyne të zhdun natën e ngjarjes së përmendun, dhe kërkuen që të veprohen në vajtjen në vend për kostatim të faktit nga ana e Titullarit të kësaj Prokurorije. Mbi këte lajmërim, tue patun parasysh randesin e gjendjes krijuar nga fakti i ngjarjes dhe nga ana tjeter përqindrimin e ushtris Gjermane në vendin ku do të shkohet si mbas tregimit të interesuemevet, ku kërkua ndermjetsimi i Prefektit të vendit për eventualitetin e nji pengimi për vajtjen në vend nga ana e Ushtris Gjermane, që përfundoj në mos pasjen të asnjë, pengimi nga ana e autoriteteve ushtarake Gjermane dhe njikohesisht nga ana e Z.Prefektit u autorizua Komanda e Qarkut të Gjindermaris Kryeqytetit që për shkak të rastit të randesishëm t'shoqnohet Titullarit të Prokuroris nji fuqi e mjaftueshmr nan Komanden e nji Oficeri. Komandati i Qarkut Major Z.Subi Topulli në bazë të atij autorizimi dhe mbi kërkimin t'onë na vuni në dispozicion Oficerin e Komandes Z.Dik Cani.
Mbas nji veprimi i vajtjes në vendin e treguem për konstatimet e rastit kërkonte përveç kohes të gjatë dhe nji pregatitje njerëzish e mjetesh u vu në dijeni nan Kryesija e Bashkis vendit e cila na njoftoj se ishte gadi për të venë në dispozicion personelin dhe mjetetet; kështu të nesërmen në mengjes 7/2/944 diten e Hanë i nenshkruemi i Prokuror'i Shtetit Tod Gjini i shoqeruar prej Sekretarit të Durresit Z. Tofik Haxhimillës, Togerit gjindermaris Z. Dik Canit me nji fuqi prej 15 gjindarmesh e dy nen Oficerash dhe të N/Kryetarit të Bashkis Z. Nikolla Kotte u drejtuem për në vendin e përmendun me nji autoveture e me dy autokamjona vumuna në dispozicion prej Bashkis si dhe nji numer punëtoresh 10-12 puntoresh me mjetetet e nevojshme, vend i cili ndodhej në rrugën publike Tiranë -Elbasan në nji distancë prej 3-4 kilometro jashtë Kryeqytetit, me të arritun në vendin e përqindrimit të ushtris Gjermane aty u ndaluem prej ushtarakve të gjermanve të shërbimit, të cilët të njoftuem për qëllimin e vajtjes lejuen kalimin dhe kështu të hudhhequn prej nji ushtaraku gjerman u drejtuem në vendin ku thuhej ishin të vendosuna në dhe kufomat e pretenduara. Mbi pyetjet verbale që u banë ushtarakve Gjerman me anën e Z. Mejtor Sojliut i biri i Xhemalit që dinte gjuhen Gjermanisht, ushtaraku deklaroj se pikërisht n'at vend d;m;th. aposimativisht 4 kilometro jashtë Kryeqytetit dy ditë para janë sjellë nji numer kufomash prej njerzvet që nuk mund të caktonte dot personat dhe veshjen e tyne dhe lanun mbi rrugen publike, ku u panë shenja gjaku pak të vjetruam, këto kufoma mandej janë futun në dhe prej puntorvet Italian që janë në sherbim të ushtris Gjermane dhe punojnë në vepra ushtarake aty pranë për të mos të ngranë prej kafsheve të egra, jashtë rruges dhe me nji distancë 2-3 metra nga rruga publike, vend i cili dukej i punuem rishtas. Ky ushtarak...se nji fuqi e ar. ate...nji aveture dhe me nji kamjon ka ardhur naten aproksimativisht në orën 10 ose 11 dhe i ka nxjerr kufomat dhe mandej janë largue në drejtim të qytetit ku kanë ardhun. Mbas këtyne informatave u urdhnue hapja e vendit dhe u konstatue se në këte vend pak kohe përpara ishte veprue me gërmimin e tokes deri në nji metro thellsi, nji metro gjanësi e dy metro gjatësi, pasi u hoqën dherat u panë shenja gjaku të grumbullue e trazue me dhen e njomë nga ujet e shiut që kishte ramun natën, janë gjetur dy pallto nji mushama, dy shami duersh, dy kapela republike dy rrypa sofe balltash, të gjitha këto sende të zhytuna në balten e njomë në menyre që janë terhequn e nxjerr pjesë pjesë, jashta këtij vendi me nji distancë 2-3 metro janë gjetur dy letra identiteti të vllazenve Huta. Mbas këtij veprimi negativ nuk u ba e nevoj të vazhdohet në gremiset dhe gjurmimet...nga shkaku i gjendjes baheshin të pa munduna e prandaj ju dha fund veprimit dhe u kthye mbrenda në qytet.
Për vërtetim u mbajtë ky proces verbal i cili u këndua dhe u nënshkrua si vijon;
Tiranë më 7/2/944
Sek.Prok. Du
Tog.Gjind
N/Kry.Bashkis
Prokuror'i Shtetit
ProcesVerbal
Sot me datën 16/2/944 në Zyren e Prokuroris para meje Prokuror i Shtetit Tod Gjini i asistuam prej Sekretarit Islam Alimehmeti u paraqiten të quajturit Zenel Ismail Reka sheqerxhi banues në Tiranë lagja Xhami Sherif rruga Mezini dhe Gjyle Shkalla e veja e Selim Ferrës banues në Tiranë pranë të parit dhe deklaruen se djali Ali Selim Ferra i biri i gjyle Shkalles vjeç 18 tabela shkrues i pa martuam asht zhdukun nga shtëpija n'oret e mëngjezit të datës 4/2/944 i marrun prej fuqinash të armatosuna dhe kufoma e tij asht gjetun në lumin e Tiranës afer Saukes (...e lumit) prej karroxhive që nuk u dihen emnat e tyne të cilëtt rastësisht ku banin ranë e kanë parë kufomen e përmendun, mbas këtij lajmërimi u urdhnua transportimi i kufomes për në banesen e vetë, mbas këtij transportimi se bashku me mjekun u shkua në banesë për vizitimin e kufoimes prej mjekut Z.Nasi Kajana në përfundim të cilit pëerfundim u lëshue raporti datë 16/2/944 nga i cili konstatohet se vdekja asht shkaktue prej plageve të plumbave.
Për vërtetim u mbajtë ky proces verbal mbasi u kendue u nenshkrue si vijon:
Tiranë 16/2/944
Sekretar'i Prokuroris
Prokuror'i Shtetit
ProcesVerbal
I mbajtur mbi pytjen e dëshmis e Gjindarmë Hamit Jonuzit dhe Xhemal Preçit, efektiv te Kompanis Zyber Litës dhe në shërbim të Post Komandën e Medrezes.
Viti nji mij e nendëqindë e dyzet e katër ditën e Xhuma me datën 1 Fruer/1944 ora 15 në Zyrën e Zon Komandës Gjindarmeris rrugës dajtit neve të nëshkruemit N/toger Mero... Komandat'i Zonës... dhe Aspirant Mahmut Hasi Ndihmës i saj Zone verbalizojmë si vijonë:
U muar në pytje Gjindarmë Hamit Jonuzi i biri i Jonuzit dhe i Humes vjeç 20 lindun në katundin Reç të Peshkopis e me shërbimë efektivë i Dedoshmentit të Gjindarmeris Lumës e profizorishtë bujtës në Postën e Mendreses të kësaj Zonet i cilli deklaron si vijonë:
Unet bashk me shokun temë Xhemal Preçin sonde prej orës 2-s deri ora 5 pa gdhi sabahi ishim me shërbimë gjat rrugës Dibrës, aty ora 2-30 e sa minuta pamë nji patrullë të Gjindarmeris Kosovës, përbamun prej katër vetash me të cilltë si mbas parullës qi kishmë u marmë veshtë dhe nevet kaluemë në rrugën Bardhyl ku mbas pak minutash ndigjuemë disa krisma armëshë dhe ku kthyem në drejtitm ku patëm ardhunë ku aty rreth shtëpis Ferat Halilit pam nji person të vramë dhe patrulla e kosovaret ishet larguem prej ati vendit, Ushtarakët e patrullës nuk u njof edhe me i pam mbasi ishte errët, as kufomën e të vrarit nuk e njomi as që e dimë se kushti ashtë. Rrethanat se si edhe pse e kanë vramun na nuk e dimë. Nuk i kemi pamun me sy kur e vranë, vetëm e dime se qetër njeri andej së paritr nuk kishte për veç Ushtarakëve në fajl. Tjetër nuk kamë me than kto me nënshkrimin tem i vërtetoj.
Aspirantë /N/toger / Deklaruesi
U muar në pytje Gjindarmë Xhemal Preçi i biri i Xhemalit dhe i Sibes vjeç 30 lindun në Katundin Reç të Dibrës dhe me shërbim si i nalt përmenduni i cilli u pyt dhe pik përpik vërteton thanjet e të parit Gjindarmit Hamit Jonuzi, mbasi nuk pat tjetër me than këto që thash i vërtetoij me gishtin timë mbasi nuk dij shkrimë e këndimë.
Aspirantë /N/toger / Deklaruesi
U muar në pytje si dishmitarë i quajtuni Mustafa Kobe...nga Dibra dhe banues në Tiranë, Furrxhi vjeç 46 i cilli dkllaroi si vijonë.- Mbramë isha në furr tue pjek bukët, dhe ndigjova disa krisma pushkësh aty pranë murit, por nga frika nuk dola jashtë. Në mëngjes pash nji të vramë dhe as nuk e njofta se kush ishte as që e dij se kush...Tjetër nuk kamë me thanë kto me nëshkrimë i vërtetoj.
Aspirantë /N/toger/ Deklaruesi

No comments:

Post a Comment