Flet historiani i ri Nue Oroshi për tezat e hedhura në librin e Arben Putos
“Deva terrosit? Janë tezat e komunistëve dhe serbëve”
“Puto historian i Enver Hoxhës”
Gilmana Bushati
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” historiani i ri, Nue Oroshi, që është njëkohësisht dhe nënkryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, hedh poshtë tezat e hedhura në librin e Arben Putos “Lufta italo-greke. Diktatorë dhe kuislingë”, ku akuzohet figura e Xhafer Devës, ish-ministrit të Brendshëm në kohën e pushtimit nazist, si terrorist dhe autor i masakrës së 4 shkurtit 1944 ku u vranë 86 shqiptarë, por edhe për cilësimet që ai bën në këtë libër për figura të tilla si Mehdi Frashëri, Koliqin, Rexhep Mitrovicën etj. Oroshi, shprehet se kjo histori e Putos është një histori e shkruar nga një njeri me mendësi komuniste, i edukuar në shkollat ruse, shkolla që nuk kanë ushqyer ndonjë dashuri të madhe për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas Oroshit, ora e Putos ka mbetur në kohën e Enverit, kur ai ishte një nga historianët e tij, por tanimë ka mbërritur ajo orë që studiuesit e rinj, por edhe të vjetrit nëse duan, mund të shfrytëzojnë arkivat perëndimore apo dhe ato arkiva që ishin të paarritshme në kohën e komunizmit, për ta shkruar historinë ashtu siç duhet shkruar, me paanësi. Oroshi thekson se nëse Puto e konsideron “terrorist” Devën për masakrën e 1944, (që nuk e sheh si autor të saj), atëherë ai duhet të ketë informacionet dhe dokumentet e duhura për të vërtetuar dhe treguar opinionit se kush e kreu masakrën e Tivarit ku gjetën vdekjen 4310 shqiptarë. Ai thekson se ka ardhur koha që studiuesit, e të gjitha krahinave shqiptare, të mund të ulen për të debatuar mbi Historinë e Shqipërisë dhe të tregohen të vërtetat për të gjitha figurat e saj.
Zoti Oroshi, duke qenë se jeni studiues i historisë së shqiptarisë, ju keni botuar dhe një libër "Gjurmëve të së Vërtetës historike", ku flitet për fallsifikime të historisë nga ana e komunistëve, ju lutem, brenda kontestit të një gazete a mund te na renditni fallsifikimet më të mëdha të komunistëve dhe ku bazoheni ju, pra mbi ç'fakte dhe dokumenta për të vërtetuar të kundërtën?
Ne tani si historianë të rinj para vetes kemi dy lloj historish, njëra është ajo e fallsifikuara, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore e pjesërisht edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe periudha tjera historike, dhe tjetra ajo e shkruar me metodologji shkencore të nivelit perëndimor. Gjatë krahasimit të këtyre dy variantave të shkrimit të historisë shihet qartë se historianët komunistë e falsifikuan historinë për nevojat e politikës së tyre ditore. Një ndër ato fallsifikime ishte edhe fakti që historianët komunistë bënë ndaj derës së madhe kombëtare të Kapidanit të Mirditës, derë e cila për 500 vjet ishte në shërbim të kombit shqiptar. Një ndër ato fallsifikime është edhe ai i vrasjes së atdhetarit Ded Gjon Lulit. Këto të pavërteta rreth vrasjes së Ded Gjon Lulit historiografia e kuqe komuniste i ka bërë me qëllim për t’ia humbur vlerën kombëtare familjes princore të Kapidan Gjon Marka Gjonit.
Në Shqipëri është hapur debati, si gjithnjë fillimisht nga politika për arsyet e veta ajo, për rishikimin e historisë së Shqipërisë, një debat që i ka ndarë historianët në të djathtë dhe në të majtë. Duke qenë se nuk jeni përfshirë në këto 'ndarje' a mund të na thoni ju lutem ku ka nevojë historia e Shqipërisë të rishikohet, cilat figura mund te vlerësohen, cilat mund te zhvlerësohen, apo kujt duhet t'i jepet vendi që i takon më të mirat dhe të këqijat e tij?
Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore u ndanë në dy taborre. Në atë macionalist, të cilët i shërbenin kombit shqiptar dhe u flijuan për të, dhe komunistët apo djallëzorët, që i shërbyen sllavizmit dhe u vunë në shërbim të djallit, duke i shërbyer komunizmit proletar që s’njeh komb as fe. Nuk kemi asnjë ndërgjegjësim të ish-udhëhqësve komunistë të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe fëmijëve dhe të afërmeve të tyre që së paku të na i tregojnë vendet se ku u masakruan atdhetarët nacionalistë që t’i varrosim sepse edhe ata patën të drejtë ta kenë një varr ku pasardhësit e tyre të shkojnë dhe të dërgojnë lule të freskëta dhe t’u thonë fjalët, ju kujtojmë me mall për jetë të jetëve. Në këtë drejtim edhe Arben Puto si njeri më i besueshëm i Enver Hoxhës mund të bëjë shumë të na tregojë se ku janë hedhur eshtrat e atdhetarëve të vrarëve në Tivar. Me siguri z. Arben Puto posedon dokumenta që i ka fshehur deri më tani, për vrasjen e 4310 shqiptarëve në Tivar nga forcat pushtuese serbomalazeze, sepse këta shqiptarë nga Kosova ishin vrarë me lejen dhe dijeninë e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Mehmet Shehut, Rrahman Parllakut dhe shumë të tjerëve. Kështu që i bëj thirrje publike zotit Arben Puto se, para se të ngjallë polemikën për 86 shqiptarët e vrarë në Tiranë, të na i tregojë se ku është varri i 4310 shqiptarëve të vrarë në Tivar, në këtë varr masiv të shqiptarëve. Sepse, një pjesë e këtyre shqiptarëve nga Kosova janë vrarë edhe gjatë rrugës nga forcat e përbashkëta partizano-çetnike jugosllavo-shqiptare. Ndërsa sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, figurat atdhetare që duhet vlerësuar janë të gjithë këta atdhetarë që punuan deri në frymën e fundit për bërjen e Shqipërisë Etnike, e këta janë: të mbledhur rreth Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Ballit Kombëtar, Grupit Nacional Independent, Besës Kombëtare dhe organizatave tjera nacionaliste. Është për t’u theksuar se shumë prej këtyre nacionalistëve kishin një përgatitje të lartë shkollore duke mbaruar studimet nëpër Universitet perëndimore, kryesisht në Itali, Austri e Gjermani, por edhe në vende të tjera. Këto figura që i përmenda më lart duhet të vendosen në piedestalin më të lartë kombëtar dhe me rastin e 100 vjetorit të themelimit te shtetit shqiptar të shpallen heronj të kombit.
Në një moment të librit ku Puto përmend zotin Deva, arrin në përfundimin se ai 'ishte ministër terrorist'. A ishte vërtetë i tillë ai?
Shikoni, më vjen keq që zoti Arben Puto, edhe pse kanë kaluar dy dekada të pluralizmit, ka mbetur ende historian i mendësisë komuniste. Xhafer Deva nuk ishte terrorist, por ishte njëri ndër atdhetarët më të devotshëm të Shqipërisë etnike. Ai u përpoq me të gjitha forcat për bashkimin e shtetit shqiptar në një shtet të përbashkët. Por fatkeqësia më e madhe ndodhi kur Brigadat komuniste Shqiptare u vunë në ndihmë të plotë të Jugosllavisë. Këtu është për t’u theksuar fakti se shqiptari komunist si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë i del në përkrahje sllavit komunist vetëm se e kishin ideologji të njëjtë, kundër vëllait të gjuhës, gjakut dhe flamurit. Pra, komunistët shqiptarë dhe sllavë luftojnë kundër nacionalistave shqiptarë, meqenëse historia do fakte, atëherë për këtë bazohemi në librin (Tahir Zaimi, “Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës” Bruxelles 1964). Këtu shihet qartë se terrorist nuk ishte Xhafer Deva, sepse miqtë tanë amerikanë asnjëherë s’kanë punuar me terrorista, por vetëm me politikanë seriozë dhe me koncepte dhe ide të pastra kombëtare. Prandaj faktet tregojnë se terrorist nuk ishte Xhafer Deva, por terrorist ishte Enver Hoxha, por këtu i jap të drejtë Arben Putos, i cili me besnikëri prej një komunisti të pandreqshëm e mbron ish-shefin e tij, terroristin Enver Hoxha, sepse ka qenë njëri ndër dy studiuesit më të besuar të tij, dhe ka një borxh dhe mëkat të madh në fallsifikimin e Historisë Shqiptare sidomos ndaj figurave kombëtare që i sherbyen kombit shqiptar.
Cili është pozicioni i Xhafer Devës sa i takon masakres se 1944, ku gjeten vdekjen 86 shqiptarë?
Regjimi komunist gjithmonë është bazuar në falsifikime për kundërshtarët politikë. Kjo tani është fakt i njohur, e sidomos tani kur po kemi mundësinë t’i shfletojmë dokumentet, qoftë nepër arkiva perëndimore, qoftë nëpër arkivat e organizatave dhe partive shqiptare kundërshtare të regjimeve komuniste, qoftë shtypin dhe botimet tjera të Mërgatës dhe shkrimet dhe studimet e intelektualëve shqiptarë që kanë punuar dhe vepruar për çështjen kombëtare në botën e civilizuar. Këtu zotit Arben Puto i kujtoj se aksionin e 4 Shkurtit 1944, që qeveria komuniste e Tiranës e ka fajësuar Xhafer Devën për pesëdhjetë vjet, nuk është e vërtetë që ky aksion është kryer nga Xhafer Deva. Sipas dëshmisë së profesor Rexhep Krasniqit botuar në librin e Idriz Lamajt “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës” Neë York 2002 f.30, thotë: “Aksionet në fjalë gjithkush e din që janë kryer prej një grupi luftarësh që nuk ishin në shërbim të qeverisë dhe kryesoheshin prej Xhelal Staravecka ish- oficer shqiptar që ka qenë ndër udhëheqësit më aktiv të partizanëve komunistë në një shkallë me Mehmet Shehun e Enver Hoxhën. Pra siç shihet kjo ishte një qërim hesapësh brenda llojit të vetë komunistëve. Për qëndresën që bënte Deva në shërbim të kombit shqiptar, një kryeminister serb për Xhafer Devën do të deklaronte: ”Deva nuk blehet me pare se është i pasur, Deva është armiku ynë i përbetuar, Deva duhet vrarë”, dhe atë që s’mundi ta bëjë Serbia, që ta likuidojë fizikisht atdhetarin Xhafer Devën, sepse ishte në mbrojtje të miqëve tanë amerikanë, të cilët punuan me të politikisht, dhe pamundësia e likuidimit fizik të Devës i mbeti shumë merak Serbisë, atë që s’mundi ta bëjë Serbia e bënë shqipëfolsit duke e sharë dhe akuzuar për 50 vjet me radhë si dhe pasardhësit e pansllavistëve komunistë shqiptarë. Këtu dua të jap edhe një fakt, që është shumë i vlefshëm për historinë shqiptare. Për rrëzimin e komunizmit në viset etnike shqiptare ishin angazhuar misionet e posaçme të parashutistëve që udhëhiqeshin prej Xhafer Devës, Kapidan Gjon Marka Gjonit, profesor Ernest Koliqit, Ismail Verlacit etj. Atdhetari Xhafer Deva në këtë mision përkrahej nga politika amerikane, dhe ndimohej prej dy gjeneralëve amerikanë, Roger Hollingshead dhe Hart, si dhe admirali i Marinës Italiane Talarigo dhe konti Karabio. Pra Xhafer Deva qysh herët ishte mik dhe bashkëpuntor i amerikanëve, dhe për disa vite e krijoj bazën e fortë miqësore shqiptaro-amerikane, e cila arrin në kulmin e vet me përkrahjen që po i bën Amerika çështjes shqiptare në përgjithësi.
Çfare roli ka pasur Xhaferr Deva gjatë pushtimit nazist në Shqipëri?
Fillimishtë dua t’ju them se, para ardhjes së forcave gjermane në Kosovë, ajo ka qenë koloni klasike e pushtuar nga ish-Jugosllavia. Me ardhjen e forcave gjermane atdhetarët shqiptarë janë treguar shumë largëpamës. Ata e kanë shfrytëzuar shumë mirë thënien popullore, se ‘armiku i armikut tim është miku im’. Dhe vërtet gjatë këtyre viteve për herë të parë Kosova ka marrë frymë lirshëm. Janë hapur shkollat e para shqipe, nga Ministri i atëhershëm i Arsimit, i nderuari profesor Ernest Koliqi, e gjithë administrata drejtuese fliste shqip. Është bërë bashkimi i kombit shqiptar në një shtet të përbashkët dhe është formuar një Parlament dhe një qeveri e përbashkët. Në atë qeveri Xhafer Deva ishte ministër i Punëve të Brendshme. Por, më pas forcat komuniste me në krye Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Koçi Xoxen, Shefqet Peçin, Ramiz Alinë, Rrahman Parllakun dhe shumë të tjerë ia kthyen sërish me forcën e armëve Kosovën Serbisë, por ky kthim na kushtoi neve shqiptarëve 47300 të vrarë. Nuk ju dihen as varret se ku i kanë. Natyrisht, se në këtë kthim të Kosovës Serbisë, një tradhëti të madhe i bënë edhe komunistët shqiptarë nga Kosova me në krye Fadil Hoxhën, Ali Shukriun dhe shumë mbeturina të tjera komuniste. Ata me 7, 8 dhe 9 Korrik 1945 në Prizren bënë tradhëtinë e madhe kombëtare, duke nënshkruar bashkimin e Kosovës me Serbinë. Kjo u bë pas shpartallimit të forcave ushtarake nacionaliste në Kosovë që udhëhiqeshin nga Mehmet Gradica, Shaban Polluzha, Ndue Perlleshi, Profesor Ymer Berisha, Marije Shllaku, Ukë Sadiku, Ahmet Selaci, Patër Bernard Llupi, Mulla Idriz Gjilani dhe shumë atdhetarë të tjerë.
A mendoni se një qendrim i tillë i studiuesve shqiptarë në Shqipëri ndaj zotit Deva, por edhe ndaj zotit Mitrovica, mbahen edhe për faktin se ata janë kosovarë?
Këtu që në fillim dua t’ju bëj një korrigjim. Kombi shqiptar është një dhe nuk janë dy kombe, nuk janë dy popuj, por jemi një, të gjithë shqiptarë, pavarësisht se në cilin cep apo pjesë të Shqipërisë etnike jetojmë. Unë nuk mendoj kështu, se ky qëndrim mbahet pse janë shqiptarë nga Kosova, por ky qëndrim ndaj tyre dhe ndaj mbarë nacionalizmës shqiptare mbahet për faktin se një pjesë e mirë e studiusve janë prodhim i shkollës së Miskovit (Moskës), në Shqipëri dhe asaj të Beogradit në Kosovë. Për këtë atdhetari, poeti dhe shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave At Gjergj Fishta jonë i madh e kishte parashikuar këtë dhe profetizuar komunizmin me këto vargje: ”Shka të lanë këta katër ujq/që i turren shoqi shojt/thonë do të dalë një djall i kuq/që për të gjall do t’ia vë thojtë/atdhetarët do t’i çojnë drejt çengelit/ndërsa ata që i shpëtojnë çengelit/merr e i çon n’shkollë t’gabelit”. Ky ishte profetizimi i Fishtës tonë. Ky qëndrim i një pjese të studiusve shqiptarë me mendësi komuniste ndaj atdhetarëve Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, është për faktin se ata historianë dhe studiues s’kanë ndryshuar fare, ata të njëjtin qëndrim e mbajnë për Kapidan dr Mark Gjon Markun, për Mithat Frashërin, për Isuf Luzajn, për Halim Begën, për Xhemë Gostivarin, për Prenk Calin dhe shumë atdhetarë tjerë. Besoj se gjenerata e re e historianëve do ta shkruajë historinë ashtu siç ka ndodhur, dhe jo ashtu siç kanë dëshirë disa të ketë ndodhur.
Se fundmi historiani Arben Puto sjell një libër ku u ka vënë nga një përcaktues për Fishtën, Frashërin, Koliqin, Devën, Mitrovicën, etj, si kaloboracionistë, bashkëpunetorë të fashizmit, të nazizmit etj. Cila është pikëpamja juaj për këto figura dhe të tjera sa i takon bashkëpunimit me këto regjime?
Personalisht ende nuk e kam parë këtë libër që në bazë të pyetjes del se është vazhdimësi e librave të fallsifikuara që shkruan zoti Puto. Të them të drejtën, këto nuk janë libra historikë, por janë libra ideologjikë. Në këtë aspekt zoti Puto si jurist i shkolluar në Rusi për të drejtën ruse, ka një përvojë shumë të madhe. Sepse, ne të gjithë e dimë se në Rusi kurrë nuk ka pasur drejtësi, ndërsa edhe sot e asaj dite nuk ka drejtësi, dhe Rusia është shteti më armik i shqiptarëve, së bashku me vëllain e tij të vogël Serbinë. Zoti Puto është prodhim i mentalitetit të shkollës ruse, që si duket nuk ka ndryshuar fare në krahasim me disa studiues të tjerë, të cilët vërtet e kanë korrigjuar vetvetën dhe po punojnë nëpër arkivat përendimore dhe me zell po e studiojnë historinë shqiptare. Nuk diskutohet fakti se këto përsonalitete të nderuara të përmendura negativisht nga historia ideologjike komuniste të kenë bashkëpunuar me forcat gjermane për të mirën e popullit shqiptar.
A shihet e nevojshme, që edhe pse debatet i hap politika, intelektualët, jo vetëm të dy kryeqyteteve shqiptare, të mblidhen për ta rishikuar me kujdesin e duhur historinë e tyre?
Unë këtë e shoh si nevojë urgjente që ne historianët të mblidhemi dhe në bazë të fakteve dhe argumenteve shkencore ta shkruajmë historinë tonë pa anime. Ka ikur koha kur dy apo tre historianë vendosnin për çdo gjë. Tani ne kemi mundësinë të punojmë me arkivat nga të gjitha vendet e botës; të pasurohemi me literaturë dhe dokumente të tjera të veprimtarisë kombëtare të shumë organizatave dhe partive politike shqiptare, si në Europë ashtu edhe në Amerikë, por edhe të atyre që vepruan brenda trojeve etnike shqiptare dhe bënë rezistencë për etninë shqiptare.
Gjithnjë duke punuar për ndriçimin e Historisë Shqiptare, kemi themeluar Shoqatën e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, që përfshin 120 intelektualë; kemi mbajtur nëntë sesione shkencore, gjashtë akademi dhe kemi botuar nëntë vepra enciklopedike të ‘Historisë Shqiptare’ me një volum prej 5468 faqe, e, ku me punimet e tyre gjatë këtyre sesioneve shkencore janë paraqitur profesorët me eminentë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, të Institutit Albanologjik në Prishtinë, Institutit të Historisë në Prishtinë, studiuesit nga Arkivi i Kosovës, Muzeu i Kosovës, Akademia e Shkencave, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Prishtinës, profesorët shqiptarë nga Maqedonia, nga Mal i Zi, Kosova Lindore, Çamëria, Europa, Amerika dhe Australia. Në krye të këtij organizimi është profesori i nderuar prof.dr Muhamet Shatri, ndërsa unë e kam fatin të jam nënkryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë "Trojet e Arbrit". Së shpejti do të përfundojmë pjesën e parë prej dhjetë sesioneve shkencore, ku sesionin e dhjetë shkencor do ta mbajmë me 26 nëntor 2011 në Prishtinë.
No comments:
Post a Comment