Flet Alban Bengasi avokati i çështjes së “masakrës së Kozarës”
“Luan Marra mbahet padrejtësisht në paraburgim”
“Nuk po respektohet vendimi i Kushtetueses”
Gilmana Bushati
Alban Bengasi, avokati i Luan Marrës, që akuzohet për atë që opinioni publik e njeh si, ‘masakra e Kozarës’, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” jep prova dhe argumente se pse Marra është i pafajshëm dhe pse ai duhet të dalë nga burgu dhe hap kështu një temë debati mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për situatën, në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vend. Ajo që është më kryesorja ai e konsideron Marrën jo autorin e vërtetë të masakrës, ku u vranë i vëllai, e shoqja e të vëllait, e cila ishte dhe shtatzënë dhe djali i tyre dyvjeçar. Sipas provave dhe dëshmive që ka Bengasi, Marra s’është autori i vërtetë i kësaj ngjarjeje makabre, sepse së pari, gjurmët e këmbës të gjetur në vendin e ngjarjes nuk korrespondojnë me numrin e këmbës së Marrës, sepse sipas dëshmive të familjarëve Luani ka qenë në shtëpi në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Por në fakt ka qenë Luani që e ka pranuar fajësinë për këtë ngjarje dhe për këtë Bengasi ka një shpjegim, i cili mbështetet te prova se Marra është torturuar dhe i gjithë dëshmia e tij i është marrë nën presion e policisë, ku nuk kanë qenë të pranishëm as avokati dhe as prokurori i çështjes. Sipas Bengasit, e gjithë dëshmia si dhe vendimi për burgim të përjetshëm ndaj Marrës rrëzohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të majit të këtij viti, e cila kërkoi që një proces i tillë të rinisë nga e para, pasi e konsideroi antikushtetuese marrjen e provave nga ana e policisë, ku është vërtetuar edhe dhuna ushtruar ndaj tij. Edhe pse ky vendim është në maj, Luan Marra mbahet sërish në paraburgim jashtë çdo afati ligjor, duke shkelur kështu të gjitha të drejtat e njeriut, por njëkohësisht duke mos respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj ai si avokat, kërkon që çështja të mos gjykohet më në Berat, por në Tiranë.
Më 3 maj të këtij viti Gjykata Kushtetuese dha një vendim për ngjarjen e Kozarës, me anë të të cilit e zhvlerësoi procesin e ngritur ndaj Luan Marës, që nga publiku njihet si autori i masakrës së Kozarës. Që nga maji e deri më tani çfarë veprimi është ndërmarrë për të respektuar këtë vendim të institucionit më të lartë Kushtetues në vend?
Që nga 3 maji 2011, ditë kur Gjykata Kushtetuese shpalli si antikushtetues tre vendimet e gjykatave më të ulëta për dënimin e të pandehurit, Luan Marra me burgim të përjetshëm, nga ana e Gjykatës së rigjykimit, në rastin konkret gjykata e rrethit gjyqësor Berat, nuk është bërë asnjë përpjekje minimale ligjore për të rivendosur në vend të drejtat e shkelura për të pandehurin Luan Marra, shkelje tashmë të vërtetuara në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana e Gjykatës po përsëritet një farsë gjyqësore në rigjykimin e të pandehurit, në shkelje të nenit 447/2 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se "Gjykata e rigjykimit i përmbahet vendimit (të gjykatës më të lartë) për çdo çështje të së drejtës që është vendosur me të". Duke mos dashur të njohë dhe zbatojë fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu sikurse parashikojnë nenet 132 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata e Beratit po mban në paraburgim një njeri të pafajshëm, pa asnjë provë të vetme, pa asnjë dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, pa u bazuar në asnjë motiv të vërtetuar gjatë hetimit apo gjykimit. Mos respektimi i vendimit të institucionit më të lartë kushtetues në vend bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese sipas së cilës "Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i tillë, që iu imponon të gjithë organeve shtetërore, duke mos përjashtuar as gjykatat, fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimit të saj. Çdo qëndrim i kundërt krijon një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet institucionale. Nëse Gjykata Kushtetuese, me vendim, përcakton se një proces gjyqësor i ka cenuar shtetasit të drejtat themelore, duke caktuar edhe detyra për gjykatat e rigjykimit të çështjes konkrete, moszbatimi i këtyre detyrave automatikisht sjell një cenim të të drejtave themelore, në rastin konkret të të drejtës për një proces të rregullt ligjor". Referuar sa më lart dhe bazuar në çështjen objekt rigjykimi parashtrojmë një numër të madh shkeljesh të rënda të Gjykatës së Beratit në procesin e rigjykimit. Gjykata po e zhvillon procesin gjyqësor mbi të njëjtën kërkesë për gjykim të të njëjtit prokuror, i cili para 5 viteve e ndaloi në mënyrë të paligjshme të pandehurin, duke pranuar të marrë të njëjtat "prova" të paligjshme të paraqitura nga i njëjti prokuror para 5 viteve, të cilat tashmë rezultojnë të vërtetuara si absolutisht të pavlefshme në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata nuk shpjegon faktin se përse i pandehuri mbahet në paraburgim pa asnjë provë, nuk po heton mbi dhunën e shkaktuar mbi të pandehurin në paraburgimin e policisë Berat si dhe personat përgjegjës të kësaj dhune, ashtu sikurse ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e 3 majit 2011 dhe provat që gjejnë pasqyrim në dosje. Ajo po lejon dhënien e dëshmive nga dëshmitarë të paidentifikuar me karta identiteti (apo të paktën me certifikatë), nuk po i jep mbrojtjes së të pandehurit kopje të procesverbaleve gjyqësore, ashtu sikurse parashikon neni 110 i Kodi i Procedurës Penale, po bllokon pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarët e procesit, ka urdhëruar shoqërimin me forcë të familjarëve të të pandehurit, ndërkohë që një gjë të tillë nuk e bën për punonjësit e policisë, duke treguar veprimet me dy standarde në këtë proces, po lejon pyetjen e punonjësve të policisë për të vërtetuar akte absolutisht të pavlefshme hetimore të vërtetuara nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, po mban peng prej 3-muajsh dosjen e revokimit të masës së sigurimit personal për të pandehurin, pa e dërguar atë në Gjykatën e Lartë, ku rekursues është Luan Marra, etj. Për të gjitha këto shkelje nga ana e mbrojtjes se të pandehurit është kërkuar përjashtimi i trupit gjykues e po ashtu është depozituar edhe kërkesa për transferimin e çështjes penale nga gjykata e rrethit gjyqësor Berat në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë për vetë faktin së në rrethin e Beratit ekziston një situatë e rëndë lokale e tillë që po dëmton zhvillimin e procesit penal kundër të pandehurit Luan Marra. Lidhur me këtë kërkesë, u bënë afro 6 muaj që nuk është marrë asnjë vendim nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Çfarë kërkesash keni ju si avokat i kësaj çështjeje pikërisht për futjen në rrugë ligjore të këtij procesi?
Një nga kërkesat tona themelore, e cila është dorëzuar në sekretarinë e gjykatës Berat për në Gjykatën e Lartë, që ditën e parë të rihapjes së shqyrtimit gjyqësor, ka qenë dhe është transferimi i çështjes nga Gjykata e Beratit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vetë faktin se procesi kundër të pandehurit rezulton tërësisht i paragjykuar mbi një motiv skandaloz shtatëzania të pa provuar me fakte e prova, për më tepër kur gjatë hetimit është provuar shkencërisht se "viktima Shpëtim Marra është babi biologjik i fetusit të shtatzënës Florie Marra", duke rrëzuar kështu motivin e krimit të supozuar nga organi i akuzës për fajësinë e Luan Marrës.
Sigurisht duke qenë avokat ju do të mbështesni pafajësinë e njeriut i lidhur me një ngjarje që tronditi gjithë opinionin publik. Ju jeni i bindur se ai është i tillë, duket se shoqëria ra në një farë qetësie kur ai mori dënimin maksimal?
Në ndërgjegjen time qytetare e po ashtu në bindjen time profesionale Luan Marra është i pafajshëm. Vlen të theksoj se, në çështjen Marra gjithë të dhënat flasin për një histori dhune, vetëmashtrimi dhe perceptimi aq të gabuar nga ana e organit procedues, ku më shumë frika e moszbulimit të krimit se sa faktet dhe provat e çështjes përcaktuan fatin e të pandehurit. Nisur nga përvoja dhe eksperienca ime si ish-oficer i policisë kriminale e them me bindje se nuk mund të ketë asnjë autor krimi me 11 klasë shkollë, që rrjedh nga një familje e varfër, me banim në zonë rurale, që merret me punë bujqësie, i pa dënuar më parë, i martuar, me një gjendje të shëndoshë psikologjike që të kryejë një krim të tillë ku të korrespondojnë kaq shumë prova në favor të tij, që nga ato të zbuluara e fiksuara në vendin e ngjarjes ashtu edhe nga ato prova të grumbulluara gjate hetimit. P.sh, gjurma e këmbës së autorit, e gjetur në vendngjarje nuk i korrespondon të pandehurit sipas aktit të ekspertimit traseologjik krahasues, mos gjetja e armës së krimit është një provë e fortë pafajësie për të pandehurin, motivi i krimit i cili si një element shumë i rëndësishëm i karakteristikës kriminalistike dhe anës subjektive të veprës penale do mund të prezantonte me fakte fajësinë e të pandehurit nuk u provua asnjëherë në hetim apo gjykim, akti i ekspertimit mjeko-ligjor i të dëmtuarit (dhunuarit) Luan Marra është një provë shkencore dhune, e cila provon torturat kundër të pandehurit në paraburgimin e policisë për marrjen e një pohimi të dhunshëm (dhe të vetëm) për ndalimin e tij, dëshmitë e familjarëve të Luan Marrës për praninë e të pandehurit në shtëpi natën e krimit gjatë gjithë mbrëmjes janë përsëri prova absolute pafajësie për të, marrëdhëniet e shkëlqyera mes vëllezërve Marra (të pandehurit dhe viktimës), deri ditën e ngjarjes, tregojnë për të kundërtën e versionit të organit procedues, mungesa e materialeve të përgjimit kundër të pandehurit tregon përsëri pafajësi për të pandehurin, etj. Nuk më duket e drejtë të thuhet se shoqëria ra në një farë qetësie kur i pandehuri mori dënimin maksimal. Në vendin tonë jemi mësuar që shoqëria, nëpërmjet mediave vizive, të marrë më parë lajmin dhe informacionin e akuzës se sa të mbrojtjes së të dyshuarit apo arrestuarit, madje versionin e këtij të fundit shumë ditë apo muaj më vonë. Në rastin konkret ka ndodhur e njëjta gjë. Opinionit publik iu servir para 5 viteve një pamje filmike pa zë ku i pandehuri Luan Marra shoqërohej ditën me diell nga punonjës policie në vendin e ngjarjes dhe tregonte me duar për "veprimet e tij kriminale". Por e vërteta është krejt ndryshe. Në këtë veprim hetimor ekstraprocedurial, i ashtuquajtur eksperiment hetimor, i kryer jo në kushtet e flagrancës, i pandehuri është sjellë me forcë në vendngjarje, pa praninë e avokatit mbrojtës, pa praninë e prokurorit, duke u detyruar në ditën me diell, ndërkohë që ngjarja kishte ndodhur natën në një kohë me shi e vetëtima, të realizonte veprime të diktuara nga individë policie, me qëllim filmimin e detyrueshëm të të pandehurit si autor krimi. Një fakt i tillë provohet edhe në faqen 2 të vetë procesverbalit të transkriptimit të komunikimeve të eksperimentit hetimor datë 30.10.2006, ku thuhet "Policia - Çfarë bëre, lëreni të qetë që të tregojë vetë se çfarë ka bërë..." (është e tepërt të bëhet koment mbi këto fjalë). Nuk besoj se veprime te tilla e qetësojnë shoqërinë, por e kundërta duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Dikush mund të thotë: Jetuam kaq kohë sy mbyllur, mund të rrimë edhe ca, ose më keq akoma, si më parë. Sepse kështu punon sistemi, ai nuk është i përsosur. Sepse për hir të procesit delikat duhet patjetër një flijim. Por unë jam kundër, aq më tepër në këtë çështje. Prandaj, si avokat mbrojtës i të pandehurit jam munduar të zbulojë dhe paraqes të vërtetën objektive, qoftë kjo e hidhur për sistemin apo për shoqërinë së cilës ju i referoheni.
Si është gjendja aktuale e Luan Marrës, dhe a duhet të vazhdojë të qëndrojë në burg?
Aktualisht Luan Marra ndodhet në paraburgimin e Beratit në një gjendje të rënduar psikologjike, pas një traume 5-vjeçare që ka kaluar ky shtetas që nga momenti i ndalimit. Bashkëshortja e tij kreu para 5 viteve një abort të detyrueshëm (në spitalin e Beratit) si pasojë e dhunës psikologjike e verbale, që u ushtrua mbi të nga individë të caktuar policie gjatë shoqërimit në komisariat kohën e ngjarjes. E gjithë familja e të pandehurit është në një gjendje të vështire ekonomike, ku përveç pasqyrimit të varfërisë ekstreme nuk besoj se ke ç’të tregosh tjetër. Të pandehurit i kanë kaluar afatet tërësore të paraburgimit tre vjet, ai është ndaluar me datë 30.10.2006 dhe nga kjo datë e deri më datë 21.10.2011 kanë kaluar gjithsej 4 vjet e 11 muaj. E megjithatë, ai po mbahet në paraburgim arbitrar, tej kërkesave të ligjit.
Ju në fakt jeni avokat i një të pandehuri dhe nuk ju intereson se cili ishte autori i vërtetë i ngjarjes, por për një opinion, mendoni se policia dhe prokuroria i ka bërë të gjitha përpjekjet për të zbuluar autorin e vërtetë të kësaj ngjarjeje?
Më duket e pavend që thoni se nuk më intereson cili është autori i ngjarjes. Kjo është një kërkesë e imja ashtu si e çdo qytetari të këtij vendi të cilit i intereson siguria, qetësia dhe zbulimi i vërtetë i çdo krimi. Por, sikurse e theksova më lart ky krim nuk ka emrin Luan Marra. Lidhur me hetimin e ngjarjes dhe zbulimin e autorit të saj, mendoj se policia është ndjerë e lodhur që në një provincë si qyteti i Kuçovës, pa dinamikë kriminaliteti, mos identifikimi i autorit të krimit t’i linte policisë si trashëgim turpin dhe hidhërimin. Fakti i mësipërm si dhe fakti tjetër për frikën që ekzistonte për mos zbulimin e autorit të krimit mendoj se përcaktuan dhe fatin e të pandehurit Luan Marra si "autor i mundshëm" i ngjarjes. Kurse, lidhur me prokurorinë dua të shtoj se ky organ duhet të ishte i gatshëm të mos pranonte përfundimin e hetimit të policisë për fajësinë e të pandehurit, mbi akte absolutisht të pavlefshme proceduriale, për më tepër kur nga konstatimet e rastit konkret prokuroria e dinte fort mirë se i pandehuri ishte deklaruar fajtor nën torturë. Nisur nga fakti që organi procedurës ka nxituar në ndalimin e një shtetasi pa prova e fakte për ngjarjen në fjalë, mendoj se nga ky organ nuk janë parë e kontrolluar të gjitha versionet e ngjarjes, por është parë e udhës të gjendet me shpejtësi një fajtor zyrtar për krimin.
Som
Respektimi
“Nëse Gjykata Kushtetuese, me vendim, përcakton se një proces gjyqësor i ka cenuar shtetasit të drejtat themelore, duke caktuar edhe detyra për gjykatat e rigjykimit të çështjes konkrete, moszbatimi i këtyre detyrave automatikisht sjell një cenim të të drejtave themelore, në rastin konkret të të drejtës për një proces të rregullt ligjor”
Shkelja
“Të pandehurit i kanë kaluar afatet tërësore të paraburgimit tre vjet, ai është ndaluar me datë 30.10.2006 dhe nga kjo datë e deri më datë 21.10.2011 kanë kaluar gjithsej 4 vjet e 11 muaj. E megjithatë, ai po mbahet në paraburgim arbitrar, tej kërkesave të ligjit.”
Kërkesa
“Nga ana e mbrojtjes se të pandehurit është kërkuar përjashtimi i trupit gjykues e po ashtu është depozituar edhe kërkesa për transferimin e çështjes penale nga gjykata e rrethit gjyqësor Berat në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë për vetë faktin së në rrethin e Beratit ekziston një situatë e rëndë lokale e tillë që po dëmton zhvillimin e procesit penal kundër të pandehurit Luan Marra.”
Në shkurt të 2006-së u vranë katër njerëz, mes të cilëve një fëmijë dyvjeçar dhe një grua shtatzënë
Më 9 shkurt 2006 në fshatin Kozarë në afërsi të Kuçovës janë vrarë në shtëpinë e tyre tre pjesëtarët e një familjeje të re. Më pas ngjarja u vlerësua si një vrasje e katërfishtë pasi njëra nga viktimat ishte një grua shtatzënë. Të vrarë nga të shtënat e një arme zjarri mbetën Shpëtim Marra 35 vjeç, bashkëshortja e tij Florie Marra shtatzënë dhe fëmija dyvjeçar, Artiol Marra. Një masakër e tillë tronditi të gjithë opinionin publik, pasi kishte të bënte dhe me vrasjen e një fëmije të pafajshëm dhe të një gruaje shtatzënë. Shoqëria shqiptare e dënoi atëherë krimin dhe me presionin e saj vuri para përgjegjësisë policinë dhe strukturat e shtetit për të gjetur autorin e këtij krimi. Dhe ai u gjet shumë shpejt, pasi policia menjëherë ngriti dy pista hetimore. E para, përkonte me akuzat ndaj Luan Marrës, vëllai i viktimës. Sipas policisë motiv për krimin përbënte një marrëdhënie shtatzënie dhe intime e supozuar mes të dyshuarit dhe kunatës së tij, viktimë e ngjarjes. Prova e ADN-së së fëmijës që pritej të lindte nuk verifikoi atësinë e të dyshuarit si motiv për grindje dhe vrasje mes vëllezërve Marra. Pista tjetër implikonte një individ të ri në moshë, i cili ishte në konflikt me familjen Marra për shkak të një fejese të dështuar me ndërhyrjen e babait të viktimës. Kjo pistë dhe vendndodhja e personit të dyshuar nuk u verifikuan në asnjë moment të hetimit ndonëse në vendin e ngjarjes u zbuluan dhe fiksuan dy gëzhoja arme zjarri, të cilat i korrespondonin automatikut të sekuestruar në banesën e personit të dyshuar me iniciale A.M. Personi i dyshuar nuk u ndalua asnjëherë nga policia edhe për shkak të largimit të tij nga banesa natën e krimit.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese
“Në shtetin e së drejtës nuk lejohet marrja e provave me dhunë”
Pjesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 majit të këtij viti, ku rrëzohet dënimi me burgim të përjetshëm ku dhe kërkohet rinisja e procesit nga fillimi. “...askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Ky parim i rëndësishëm është trajtuar nga jurisprudenca shqiptare dhe ajo e Gjykatës së Strasburgut si pjesë përbërëse e procesit të rregullt ligjor dhe veçanërisht në drejtim të respektimit të së drejtës për t’u mbrojtur, e cila kërkon që i akuzuari të ketë mundësitë e duhura për të njohur dhe komentuar çdo provë që i paraqitet gjykatës...Nga vendimet objekt kundërshtimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit dhe Gjykatës së Apelit të Vlorës rezulton se është provuar në rrugë gjyqësore se i pandehuri Luan Marra është marrë në pyetje në mjediset policore pa praninë e mbrojtësit ligjor dhe se ky i fundit, i thirrur pas përfundimit të pyetjes, më pas ka nënshkruar një deklaratë sipas të cilës i pandehuri kishte pranuar para punonjësve të policisë autorësinë për veprën e kryer. Gjatë gjykimit në shkallën e parë, i pandehuri ka pretenduar se është detyruar të nënshkruante deklarimin, në të cilin pranonte fajin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, të ushtruar ndaj tij nga punonjës policie...Prania e mbrojtësit është një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e marrjes në pyetje të personit, pasi ndryshe nuk mund të shpjegohet detyrimi për punonjësin e policisë që të ndërpresë marrjen në pyetje...Gjykata, për sa më sipër, vlerëson se ndaj kërkuesit është cenuar standardi kushtetues i parashikuar nga neni 31 i Kushtetutës...Për pretendimin për cenimin e nenit 25 dhe 32 të Kushtetutës kërkuesi pretendon se provat në ngarkim të tij janë marrë nëpërmjet dhunës. Sipas tij, pranimi i autorësisë të krimit në dhomat e paraburgimit ka ardhur si pasojë e përdorimit të dhunës nga punonjësit e policisë...Gjykata konstaton se sipas aktit te ekspertimit mjeko-ligjor, të kryer me kërkesën e prokurorit, tek i ndaluari Luan Marra janë vërejtur ekimoza në nofull dhe në shputat e këmbëve...Gjykata vlerëson se në çështjen në shqyrtim vërehen dyshime serioze për kushtet dhe rrethanat në të cilat kërkuesi ka pohuar fajësinë e tij për veprën për të cilën akuzohet, për rrjedhojë edhe në përmbushjen e standardeve për një proces të rregullt ligjor lidhur me mënyrën e marrjes së provave...” Për arsyet e mësipërme dhe për të tjerat që nuk janë shënuar këtu, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm për Luan Marrën.
No comments:
Post a Comment