Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, December 14, 2011

Dokumetet sekrete te 14 dhjetorit 1990

Ngjarjet në Shkodër e gjetkë pjesë e një plani armiqësor

(Bisedë e shokut Ramiz Alia me shokët Hekuran Isai dhe Xhelil Gjoni, me 14.12.1990)

Biseda zhvillohet në zyrën e shokut Ramiz Alia pas ngjarjeve të rënda që ndodhën në qytetin e Shkodrës. Pasi shoku Hekuran Isai bën një paraqitje të shkurtër për ngjarjet e Shkodrës, ndërmjet pjesmarrësve u zhvillua kjo bisedë:
Shoku Ramiz Alia: A nuk është e mundur që telekronikstët t’i pasqyrojnë ngjarjet në aparatet e tyre?
Shoku Hekuran Isai: Telekronistët nuk marrin, i shmangen.
Shoku Ramiz Alia: E shikon? Telekronisti nuk i merr dot në Shkodër?!
Shoku Hekuran Isai: I thanë shokët tanë merri në film hajdutët, por ai thoshte dalin errët, le t’i marrë telekronisti i degës. Po aparati që ka punonjësi i degës tre metra larg merr, i thashë.
Shoku Ramiz Alia: Ka frikë. Po pse vete larg ti, gjithë ajo Shkodër, 200 komunistë erdhën në Komitetin e Partisë.
Shoku Hekuran Isai: ...Dhe nuk u futën brenda.
Shoku Ramiz Alia: Nuk ka, aty po dole, do të zihesh, por që të dalësh të zihesh, do të kesh me vete shkop. Unë nuk e kuptoj, pse kërkojmë vetëm shkopinj gome. Në kohën e Zogut oficerët mbanin me vete kamzhikë lëkure. Pse nuk bëhen nga ato?
Shoku Hekuran Isai: Kemi shok gome ne.
Shoku Ramiz Alia: Sa ke, 100 shkopinj? Ti duhet të kesh edhe për forcat civile 2000, që të dalin punëtorët, komunistët me ato në dorë e të ndeshen, kërbaç është ai. Kundër këtyre njerëzve kjo duhet. Pse të presim të futet ushtria? Ushtria me armë nuk futet dot. Po të ketë kërbaçin në dorë futet sa t’i fshikullojnë mirë dhe nuk i vret. Ndërmarrja e Gomës në Durrës nuk bën dot kamzhikë gome?
Shoku Hekuran Isai: Atje i bëjmë ne, po të ketë t’i bëjë dhe ushtria. Të gjitha forcat tona janë pajisur me këto.
Shoku Ramiz Alia: Duhet të kenë dhe të tjerët.
Shoku Hekuran Isai: Po nuk u ka shkuar mendja.
Shoku Ramiz Alia: E di që nuk u ka shkuar mendja, po tani duhet t’u shkojë.
Shoku Hekuran Isai: Prodhojnë ata gjithnjë.
Shoku Ramiz Alia: Çështja është që nga Elbasani do të fillojë në Durrës. Në Durrës do të vejë Kavaja. Dhe nuk është çudi që të futen dhe në bllok atje.
Shtëpia e pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe e ushtrisë punojnë tani?
Shoku Hekuran Isai: Nuk e di. Mirë ditën, po është puna në darkë për në Elbasan.
Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhen lënë deri në darkë ata.
Shoku Hekuran Isai: Si tha Sula (Sulejman Pepa, sekretar i parë i KP të rrethit Elbasan), janë grumbulluar shumë?
Shoku Xhelil Gjoni: Ka dhe sehirxhinj – tha. Po ç’kemi me sehirxhinjtë, mblidhni administratat të gjitha, i thashë.
Shoku Ramiz Alia: Kanë altoparlante këta që të flasin?
Shoku Xhelil Gjoni: Kanë, me ato po dalin. Kanë dhe brigadë sulmuese atje.
Shoku Hekuran Isai: Policia po u flet.
Shoku Ramiz Alia: Këtyre sehirxhinjve them. Kanë dhe brigada?
Shoku Xhelil Gjoni: Po, kanë dhe i kanë mobilizuar nga tre batalione. Dhe forcat ekstremiste kanë organizim, kanë shtab qendror.
Shoku Ramiz Alia: Unë ta thashë edhe dje, që në këto ngjarje është komplet dora e jugosllavit. Ky është një plan shumë i organizuar. Ja, prej andej prite në Durrës, prite në Laç. Gjithçka do të bëhet rreth Tiranës. Pas këtyre prite në Vlorë. S’ka, është rregull. Këtë presion ne do ta pësojmë, është i paevitueshëm, prandaj, siç u thashë dhe dje, mobilizim i forcave që nga Skrapari e këtej duhen ngritur.
Shoku Hekuran Isai: Janë ngritur, po sa të vijnë batalionet për këtë punë. Mbrëmë ngritëm dhe batalionet e gardës.
Shoku Ramiz Alia: Po duhet të veprojnë me shpejtësi dhe të vendosen në pika që të jetë të gatshëm. Po ata nuk do të hyjnë me duar bosh.
Shoku Hekuran Isai: Jo, ata do të hyjnë me kokore, me mbrojtëse me shkopinj. Kam marrë 9 mijë komplete.
Shoku Ramiz Alia: Mos i mbani në depo, duhen shpërndarë.
Shoku Hekuran Isai: Po ua japim forcave. Në Shkodër çuam. Unë po e shoh si është puna, çova 800 veta, ata bënë arrestime.
Shoku Ramiz Alia: Nuk kemi as mjete transportuese.
Shoku Hekuran Isai: Ajrore nuk kemi, helikopteri katër vetë merr, kurse ata të ushtrisë marrin nga 10 veta. 25 helikopterë, nga 10 veta, 250 veta mund të marrin.
Shoku Ramiz Alia: Nejse, mund të shkojnë direkt, se është me rreziqe, mund të ndodhte ndonjë katastrofë.
Shoku Hekuran Isai: Me helikopter për gjysëm ore shkon në Shkodër.
Shoku Ramiz Alia: Helikopterët i ke, po a janë gati?
Shoku Hekuran Isai: Po 10 veta në një helikopter mund të venë.
Shoku Ramiz Alia: Po aeroplani vete?
Shoku Hekuran Isai: Nuk ka ku të zbresë.
Shoku Ramiz Alia: Mund të zbresë në fushën e Shtoit, po tani ka rënë shi dhe e ka të vështirë.
Shoku Hekuran Isai: Po dhe avioni nuk merr shumë.
Shoku Ramiz Alia: Mund të marrë 30 veta.
Shoku Hekuran Isai: Avioni qeveritar?
Shoku Ramiz Alia: Po pse, ata do t’i lemë në tako?
Shoku Hekuran Isai: Po ka kohë që nuk i kemi përdorur.
Shoku Ramiz Alia: Mirë, shko e ndiqe tani me Kiçon, shikoni, shpejtoni proceset, se Elbasani po e po, por kini mendjen për në Durrës, Kavajë, laç.
Shoku Hekuran Isai: Si duket këtë valë do ta kalojnë të gjithë.
Shoku Ramiz Alia: Të tërë do ta kalojnë.
Shoku Hekuran Isai: Thonë pse nuk lëvizni ju frikacakët.
Shoku Ramiz Alia: Ne tani do të fillojmë të përdorim edhe forcën. Duhet dhënë lajmi përpara që policia po vazhdon të mbajë gjakftohtësinë; pjesa e parë. Pastaj pjesa e dytë, ndërhyni me vendosmëri dhe mund të qëllojnë në mënyrë të organizuar. Edhe në Shkodër kanë qëlluar, nuk është e mundur të mos kenë qëlluar.
Shoku Hekuran Isai: Po të kishin qëlluar, do ta thosha.
Shoku Ramiz Alia: Po nuk është e mundur, ka qëlluar me kobure ai, se atje janë 14 veta të plagosur me armë.
Shoku Hekuran Isai: Shoku Ramiz, po të kishin qëlluar...Mund të ketë qëlluar ndonjë tek e tek, nuk marr përsipër të them, se kur ka pasur rrezik jete dhe mund t’ia ketë futur ai në këmbë apo ku e ka qëlluar.
Shoku Ramiz Alia: More kudo, i ka rënë. Dhe mirë e ka bërë, për mua, se në këto raste duhet.
Shoku Hekuran Isai: Po nuk kishte vdekje, ajo ka rëndësi.
Shoku Ramiz Alia: Unë ua thashë dhe atyre të gazetës dhe të rinisë.
Shoku Hekuran Isai: E kupton ti, po kush na kupton neve.
Shoku Ramiz Alia: Po bomba lotonjëse keni?
Shoku Hekuran Isai: Jo, nuk kemi. Kam çuar në Kinë për të marrë po nuk kanë ardhur.
Shoku Ramiz Alia: Ohu, sa të vijnë nga Kina. Kiçua më tha që janë prodhuar dhe këtu disa, po nuk i kanë bërë provat, se janë dëmtuese. Sigurisht që janë dëmtuese, se me helm bëhen.
Shoku Hekuran Isai: Eksperimente kanë bërë ata, po jo për t’i përdorur. Edhe transportueset e blinduara që futi Kiçua nuk bënin.
Shoku Ramiz Alia: Transportues të blinduar, po nga jashtë është si tank me zinxhir, merr pesë-gjashtë veta brenda. Po ata hipnin mbi atë. Rinia hipte mbi tank dhe ne nuk i qëllonim.
Shoku Hekuran Isai: Sigurisht, se kur nuk qëllon ti, atë bën ai. Vetëm se tanket janë për t’i çarë turmat. Duhet që pas tankeve të shkojnë njerëz komunistë dhe mbasi përçahen, grupe-grupe të vogla duhet të shpartallohen, se kështu nuk bëhet.
Demokratët janë trembur. Me erdhi Liseni (sekretar i parë i KQ të BRPSH-së) tani e më tha që e kishte marrë në telefon Azemi (kryetar i komisionit nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike). I kishte thënë duan të dalim në televizion të themi që kjo është dora e serbit. Nuk i the, pyeta Lisenin, që ku e di ti që është serbi?
Shoku Hekuran Isai: Mbrëmë Imami nuk foli keq në televizion.
Shoku Ramiz Alia: Jo, ai foli shumë mirë, po është prifti i Shkodrës që flet keq.
Shoku Xhelil Gjoni: Çfarë kishte thënë ai?
Shoku Ramiz Alia: Kishte folur për përpkejet e kombit që nga regjenca fashiste. Nuk e krijoi Shqipërinë një njeri, kishte thënë, po janë përpjekjet që nga regjenca dhe e gjithë lufta e popullit. Mirë, ju thashë, mbajani si dokument.
Shoku Hekuran Isai: Po hoxha?
Shoku Ramiz Alia: Nuk e di ç’kishte bërë hoxha.
Shoku Xhelil Gjoni: Këtë incizimin e fjalës suaj t’ua çojmë rretheve apo të vijnë këtu? Ne e kemi shumuar.
Shoku Ramiz Alia: E di, more Xhelil, po kam hallin se ka gjëra që duhen hequr.
Shoku Xhelil Gjoni: Ai është më i mirë nga mesazhi (Është fjala për mesazhin që shoku Ramiz Alia i drejtoi popullit nëpërmjet televizionit).
Shoku Ramiz Alia: Po mirë, mesazhi ishte për t’u publikuar, kurse kjo biseda këtu në aparat është në aparat të partisë.
Shoku Xhelil Gjoni: Po ka nevojë Partia.
Shoku Ramiz Alia: Ka nevojë Partia, por po na mësohen keq njerëzit.
Shoku Xhelil Gjoni: Jo, nuk është punë mësimi, këtu diferencohet Partia.
Shoku Ramiz Alia: Mirë. Dërgojani rretheve atëherë.
Me kaq takimi u mbyll.
Marrë me stenogram

Ja se si reagoi Ramiz Alia ndaj themelimit të PD-së

Shteti frikë nga trazirat e shqiptarëve

Më 11 dhjetor takon studentët, me 14 kërkon dhunë

Gilmana Bushati
Mbledhja mes Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Xhelil Gjonit mbahet më 14 dhjetor të 1990 dhe ka në epiqendër pikërisht trazirat që nisën në Shkodër, trazirat që priten në Elbasan dhe masat që duhet të marrë shteti që këto të mos përhapen, e sidomos në qytete të tilla që kanë qenë gjithnjë në oponencë me diktaturën si Kavaja dhe Durrësi. Më 13 dhjetor 1990 në qytetin e Shkodrës një grup njerëzish provuan të hedhin në erë me një shpërthim bustin e Stalinit, që qëndronte pikërisht përpara ndërtesës ku sot gjendet prefektura. Tërheqja me litar e atij busti të vogël, solli trazira në qytet ku u arrestuan 42 persona dhe u ndaluan 36 prej tyre, këta do të jenë të dënuarit e fundit politikë të diktaturës komuniste. Mes të arrestuarve ishte dhe prifti Dom Simon Jubani, të cilin e akuzojnë si organizues të ngjarjes. Ditët e para të atij dhjetori ishin të mbushura me ngjarje politike. Pas presioneve të vazhdueshme nga ana e studentëve të Qytetit Studenti, Ramiz Alia detyrohet t’i takojë ata për së dyti më 11 dhjetor 1990. Në këtë takim, ai me gjysëm zëri, pranon pluralizmin politik, pas propozimit që bën Arben Demeti, një prej pjesmarrësve në këtë takim si Arben Demeti: “A mund ta quajnë lëvizjen e tyre Parti e Studentëve dhe Intelektualëve te Rinj? ... Ja ku e keni mikrofonin, pohojeni për studentët këtë dhe ne e konsiderojmë çështjen të mbyllur”, shkruan në kujtimet e tij Arben Demeti te libri “Dhjetor ’90. Mbaj mend...”. Kjo Lëvizje e Intelektualëve të Rinj, ishte një lëvizje që ishte krijuar menjëherë me fillimin e Lëvizjes Studentore, “ne bënim pjesë në atë që quhej lëvizja e intelektualëve të rinj”, pohoi Eduard Selami në intervistën e një viti më parë dhënë për “Gazetën Shqiptare”, por që ishte lëvizje pa shumë efiçencë. Një pjesë e anëtarëve të kësaj lëvizjeje iu bashkangjitën Partisë Demokratike, si Eduard Selami. Ndërsa sa i takon idesë për krijimin e Partisë së Studentëve, ishte hedhur nga disa aktivistë të dhjetorit ’90, mes të cilëve edhe Azem Hajdari. Pra mbledhja zhvillohet pikërisht tre ditë pasi ka lejuar krijimin e këtyre lëvizjeve, që papritur shumë shpejt, merr kthesën dhe më 12 dhjetor sheh krijimin e partisë së parë politike siç ishte Partia Demokratike. Themelimi i kësaj partie bëhet e njohur për publikun me 13 dhjetor nga organi i Partisë së Punës, “Zëri i Popullit”. “...në datë 14 dhjetor Ramiz Alia mbajti një fjalim mjaft të egër kundër Partisë Demokratike dhe themeluesve të saj, duke i quajtur agjentët më të rrezikshëm të imperializmit amerikan në këto 50 vite të Shqipërisë socialiste. Fjalimi u lexua me kuadrot tek teatri i Estradës dhe sigurisht ju bë e njohur anëtarësisë”, - thotë Aleksandër Meksi në kujtimet e tij të botuara po në “Dhjetor ’90. Mbaj mend...”. Mbledhja e mësipërme është mënyra e reagimit të pushtetit ndaj zhvilimeve në vend, të cilat nuk po i kontrollonin dot më. Nga teksti mësojmë se shteti nuk ka asnjë mjet të përshtatshëm për të reaguar ndaj protestuesve. Duket mjaft absurde situata e një shteti, që konsiderohej diktaturë komuniste, pasi ai nuk disponon as bomba lotsjellëse, (që sipas Hekuran Isait ishin porositur në Kinë, por ende nuk kishin ardhur), bombat eksperimentale nuk donin t’i përdornin, pasi ishin helmuese, nuk kishin as avionë për të dërguar civilët e ushtarakët kundër protestueve dhe për të qetësuar trazirat, nuk kanë as shkopa gome, (Ramizi propozon kamzhikun e Zogut) dhe propozimet për daljen nga situata e vështirë ngjajnë si propozime për një luftë civile, ku duhet të jenë komunistët ata që të pajisur me armët dhe mjetet e Ministrisë së Brendshme të dilnin në shesh kundër protestuesve. Dhe për gjitha këto trazira, sërish shteti shqiptar, sheh armikun e jashtëm që vepron në vend dhe e konsideron si “dora e jugosllavit”.

No comments:

Post a Comment