Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, December 12, 2011

Interviste me Kozara Katin dhe Blendi Kajsiun per plehrat

Referendum popullor për të rrëzuar dy nene të ligjit për mbetjet, shoqëria civile optimiste

Kati: Shteti s’ka kapacitet të kontrollojë plehrat

Kajsiu: Në Itali biznesi i mbetjeve në dorë të mafias

Shoqëria civile po bën një përpjekje të fundit për heqjen e dy neneve nga Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, siç është neni 22 pika 3 e tij si dhe të gjithë nenin 49. Këtë do të përpiqet ta bëjë me anë të referendumit, siç shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Kozara Kati, një nga aktivistet kryesore të Aleancës Kundër Plehrave, që drejton njëkohësisht dhe Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa aktivisti tjetër, Blendi Kajsiu, zbulon pyetjen me të cilën do t’u drejtohen shqiptarëve në këtë referendum "A duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë?". Procedurat janë ende në tryezë dhe asgjë nuk është zyrtare, pra nëse do të realizohet një referendum i tillë apo jo, por shqetësimi i shoqërisë civile është gjithnjë e në rritje, sidomos sa i përket kapacitetit të institucioneve shqiptare për të zbatuar me përpikmëri nenet e ligjit në fjalë. Sipas Kajsiut, biznesi i plehrave në Itali drejtohet nga mafiozë e kjo mund të sjellë rrezikun që në Shqipëri të vijnë ato plehra të qytetarëve italianë, që për dy vite me radhë janë bërë problematike për jetën e tyre, kryesisht në jug të këtij vendi. Kati është optimiste se mund të realizohet referendumi, pasi kjo është e ardhmja jo vetëm e këtij brezi të ri që po rritet, por edhe e shumë brezave të tjerë që do të vijnë. Ndërsa Kajsiu shprehet se, edhe pse referendumi nuk është një zgjatim i politikës së opozitës, pasi ajo sipas tij, nuk ndërmorri asnjë hap të tillë për të rrëzuar ligjin qoftë në Kushtetuese, por është mjeti më demokratik për t’i thënë jo disa neneve të një ligji në mënyrën më demokratike të mundshme.
Kozara Kati: Kemi kërkuar fletët tip për referendum
Ju jeni pjesë e Aleancës Kundër Plehrave, cilët nene kundërshtoni dhe a rrezikohet që në një të ardhme këto mbeturina të jenë edhe të atij lloji që mund të shkatërrojnë mjedisin në Shqipëri?
Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) kundërshton vetëm një pjesë të ligjit, përkatësisht nenin 49 dhe pikën 3 të nenit 22. Pa këto dy nene, ligji është shumë i mirë dhe garanton plotësisht menaxhimin e mbetjeve që prodhojmë vetë ne, shqiptarët. Menaxhimi i integruar bashkëkohor i mbetjeve tona, do të na mbrojë nga ndotja dhe shkatërrimi i faktorëve jetikë për njerëzit si ajrin, ujin, lumenjtë, detin etj. Nga ana tjetër, mbrojtja e ambientit është garancia themelore për një zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë sot e në të ardhmen.
Sa të afta janë institucionet kontrolluese në Shqipëri, këtu kam parasysh doganën dhe policinë që të ndalojnë ose të parandalojnë hyrjen në Shqipëri të mbetjeve të paligjshme?
Të gjithë e dimë sesi funksionojnë institucionet tona. Është një përgjegjësi tejet e madhe për vetë pikat tona doganore. Më mirë se çdonjeri nga ne, këtë duhet të na e thonë vetë institucionet përkatëse, pra ata që do të kontrollojnë hyrjen e këtij malli në pikat kufitare. Ne mendojmë, se nuk ka kapacitete teknike dhe njerëzore të cilët do të kryenin me përgjegjësi detyrën e tyre të kontrollit në pikat kufitare, të cilat tek ne, jane si detare, ashtu edhe tokësore.
Po qeveria shqiptare sa syçelët mund të jetë në këtë rast që ligji të zbatohet me përpikmëri, kur komuniteti nderkombëtar ende na tërheq veshin se ligjet i kemi por nuk i zbatojmë?
Ne jemi një vend demokratik ku qytetarët i njohin të drejtat e tyre. Kjo që kërkojmë ne është një e drejtë universale si edhe një nga të drejtat themelore të njeriut - e drejta për jetën dhe shëndetin, jo vetëm për ne dhe fëmijët tanë sot, por edhe për brezat e ardhshëm. Është detyrim i qeverisë të na e garantojë këtë të drejtë.
Zonja Kati procedurat për referendum ende nuk kanë filluar zyrtarisht, sa mendoni se do të jeni të aftë të bindni popullatën për problematikën që do të sjellë zbatimi i ligjit të plehrave?
Nuk besojmë se popullata duhet bindur. Njerëzit e dinë tashmë se cilat janë pasojat e ndotjes së ambientit. Gjithësesi, ne, si edhe deri më tash, do jemi aktivë në sensibilizimin e opinionit publik lidhur me pasojat që do të shkaktojë importimi i mbetjeve.
A mos edhe ky referendum do të përfundojë siç përfundoi referendumi për sistemin e drejtimit të Shqipërisë, që u bë në 1997 dhe shqiptarëve do t’u mbesin plehrat, ndërsa disa OJQ thjeshtë do të fusin disa lekë në xhep?
Ne nisëm një procedurë ligjore, paraqitëm pranë KQZ-së një kërkesë për fletët tip për referendum. Nuk kemi asnjë arsye pse të jemi skeptik dhe mosbesues. Sa për lekët që do marrin OJQ-të, ju garantoj se qysh kur e kemi nisur këtë lëvizje qytetare në vitin 2004 e deri më sot, e gjithë puna është bërë vullnetare.
Blendi Kajsiu: Nisma jonë nuk është zgjatim i politikës së opozitës
Zoti Kajsiu pse është i keq ligji për plehrat?
Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, që në publik njihet si ligji i plehrave, nuk është i keq në tërësine e tij. Ndaj kundërshtimi ynë nuk ka të bëjë me ligjin në përgjithësi, por me dy momente të tij, përkatësisht nenin 49 dhe pika 3 e nenit 22, që krijojnë hapësira për importimin e mbetjeve në Shqipëri. Në kushtet kur Shqipëria ka ende një legjislacion të paplotë në raport me depozitimin dhe transportimin e mbetjeve, kur Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve që prodhohen në vend, kur kapacitete administrative dhe monitoruese janë të dobëta dhe lehtësisht të korruptueshme, kur biznesi i mbetjeve ne vende fqinjë si Italia kontrollohet nga grupe të njohura dhe të fuqishme mafioze, lejimi i importit të mbetjeve nga jashtë rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një kosh të madh plehrash. Pra në kushtet aktuale lejimi i importit të mbetjeve rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion plehrash, siç ka ndodhur edhe me shumë vende të tjera në zhvillim.
Ju kundërshtoni dy nene, nenin 22 pikën 3 dhe nenin 49. Që të dy nenet kanë të bëjnë më tepër mbi rolin e Këshillit të Ministrave në marrëveshjet që do të lidhet për plehrat. Pra kjo do të thotë që kundërshtoni këtë rol të kësaj qeverie si dhe të çfarëdolloj qeverie që do të vijë?
Arsyeja parësore se përse ne i kundërshtojmë këto nene nuk është sepse ato i japi një rol të tepërt Këshillit të Ministrave, por sepse janë këto nene lejojnë hapësirë për importimin e mbetjeve. Më konkretisht, neni 22, pika 3 thotë se; se Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim kur ky operacion klasifikohet si rikuperim...”. Pra në këtë nen thuhet se importi i mbetjeve për djegie ose ndalohet ose kufizohet nga Këshilli i Ministrave. Kjo do të thotë që ky organ ka të drejtë ta lejojë importin e mbetjeve për djegie, por në mënyrë të kufizuar! Ama nuk kemi asnjë indikacion se çfarë nënkuptohet me kufizim, apo sesa kufizim do të ketë në këtë aspekt. Me fjalë të tjera ligji de facto i jep mundësi Këshillit të Ministrave të lejojë importin e mbetjeve për incenerim (djegie) në Shqipëri.
Neni 49 "Importi i Mbetjeve të Rrezikëshme" nga ana tjetër flet tërësisht për lejimi e importit të mbetjeve që klasifikohen si jo të rrezikëshme. Ky nen bie në kundërshtim me vetë qëllimin e Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve që deklarohet shprehimisht në nenin 1 dhe është: “...parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve”. Sipas të njëjtës logjikë neni 6 “Përparësitë e menaxhimit të mbetjeve” thotë se përparësi në menaxhimin e mbetjeve i jepet parandalimit të mbetjeve. Në të dyja rastet prioritet është reduktimi i mbetjeve. Importi i mbetjeve për faktin e thjeshtë se e shton sasinë totale të mbetjeve në vendin tonë bie në kundërshtim të plotë me vetë qëllimin e ligjit.
Nëse ka probleme vetëm administrative, kjo do të thotë se nuk ka probleme të theksuara mjedisore?
Problemet administrative janë vetëm njëra anë e medaljes, përsa i përket importit të mbetjeve. Ana tjetër është fakti që edhe sikur importi të kryhej sipas gërmës së ligjit ai do ta shtonte nivelin e plehrave në Shqipëri. Së pari, trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë prodhon gjithashtu mbetje që do të depozitohen në Shqipëri. Dhe mbetjet e mbetjeve janë në fakt atë që në shqip ne e quajmë plehrat. Së dyti, nëse industrialistët tanë kanë më leverdi të importojnë dhe trajtojnë mbetje nga jashtë ata nuk do merren me trajtimin e mbetjeve tona. Për pasojë niveli i ndotjes dhe plehrave, që kanë pushtuar tashmë Shqipërinë, nuk do të ulet. Prandaj përpara sesa të merremi me ricklimin e mbetjeve që na vijnë nga jashtë ne duhet të merremi me trajtimin e mbetjeve tona.
Ju po përpiqeni të bëni një referendum kundër këtyre dy neneve, me çfarë pyetjesh do t’i drejtoheni shqiptarëve?
Pyetja që ne duam t’i drejtojmë shqiptarëve ne referendum është: "A duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë?" Në këtë mënyrë do të jenë vetë qytetarët shqiptar që do të vendosin nëse importi i mbetjeve duhet lejuar apo jo. Zoti Kajsiu a duket kjo përpjekja e juaj si një vazhdim i politikës së opozitës?
Personalisht përpjekja për referendum nuk më duket aspak si vazhdim i politikës së opozitës, edhe pse kjo e fundit mund të përfitojë nga një përpjekje e tillë. Dy janë arësyet; së pari, grupi që sot quhet Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) është vazhdim i një grupimi më të herëshëm që quhej Grupi i Reagimit Qytetar që në vitin 2004 kundërshtoi fort importin e plehrave nga Qeveria Socialiste e Fatos Nanos në atë kohë. Pra kemi të bëjmë me një grupim që është përballur dhe me Partinë Socialiste kur ajo ishte në pushtet dhe tentoi të importonte plehra në vend. E vetmja gjë që ka ndryshuar është qëndrimi i Partisë Demokratike, që sot vazhdon të njëjtat politika dhe ligje të nisura nga Partia Socialiste që dje i kritikonte. Së dyti, edhe pse Partia Sociaiste deklaroi se do të ndërmerrte një referendum kundër importit të mbetjeve, në fakt nuk kemi parë ende ndonjë iniciativë për referendum kushtetues që mund të iniciohej me një të pestën e deputetëve të Parlamentit Shqiptar.
Së fundi, të kërkosh një referendum të përgjithëshëm për një çështje si importi i mbetjeve që prek direkt mjedisin dhe jetën tonë, nuk më duket një akt i njëanëshëm politik. Ne referendumin e kërkojmë në mënyrë që në të të shprehen si demokratët edhe socialistët, majtas, djathtas apo në mes. Me fjalë të tjera referendumi është një instrument demokratik që në vetvete nuk ka as ngjyrë blu dhe as të kuqe.


Tabelë
Neni 22
...3. Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur
ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se:
a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve;
b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk
përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Neni 49
Importi i mbetjeve jo të rrezikshme
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte,
përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji.
2. Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të
Këshillit të Ministrave.
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri.
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me
këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
5. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, merr
në konsideratë arsyet e importimit të këtyre mbetjeve. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të
rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit, të kërkuar në
vend.
6. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe
deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në
zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
7. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese
gjatë transportit të tyre;
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
8. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të
importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.

No comments:

Post a Comment