Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, December 1, 2011

Reagimi i Arben Putos: Te vraret e shkurtit 1944 jane numeruar

Studiuesi Arben Puto thekson se edhe pse ka procesverbale për vrasjet e 4 shkurtit 1944, ka ende dëshmitarë, njerëz që e kanë jetuar atë kohë, që i kanë numëruar rrugëve viktimat. Ky ishte reagimi i historianit, i cili së fundmi në librin e tij “Lufta italo-greke. Diktatorë dhe Kuislingë”, ka folur në lidhje me procesverbalet e botuara në “Gazetën Shqiptare”. “Pavarësisht procesverbaleve që janë mbajtur në kohë, që mund të jenë mbajtur aty për aty, ka dëshmitarë të kohës që e kanë jetuar atë kohë dhe i kanë numëruar viktimat e masakrës së 4 shkurtit. Ata ishin 86. Pastaj ky numër nuk është se ka dalë ashtu kot, por është mbështetur në fakte dhe dëshmi”, - deklaroi Puto. Në fakt, dyshimin për numrin e të vrarëve të 4 shkurtit, që gjithnjë është përkujtuar si masakër, e hodhën studiuesit shqiptarë Idriz Lamaj, Nexhmendin Spahiu dhe Nue Oroshi, në intervistat e tyre dhënë për “Gazetën Shqiptare” në lidhje me figurën e Xhafer Devës, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, i cili nga Puto del si përgjegjësi kryesor i masakrës. Këta studiues, kërkonin nga historiani Puto që ta mbështesë diku tezën e tij për 86 të vrarët nga Xhafer Deva, pra të japë një listë me emrat e të vrarëve në atë ditë. Në “Gazetën Shqiptare” u botuan të plota procesverbalet e mbajtura për vrasjet e 4 shkurtit 1944, ku si viktima nuk dalin më shumë se 11 të identifikuar, mes të cilëve dhe dy italianë, dhe dy të tjerë që mbesin të paidentifikuar. U botuan edhe si tekst, edhe si foto për të treguar se cila është e vërteta, të paktën bazuar mbi dokumentet që disponohen për 4 shkurtin e 1944-ës. Idriz Lamaj, në intervistën e tij për “Gazetën Shqiptare”, thekson se as komunistët nuk e dinin në 1945-ën se sa ishin vrarë më 4 shkurt 1944, pasi, sipas tij, njëherë u pretendua për 100 të vrarë, pastaj numri u reduktua në 25 dhe po në gazetën e tyre “Bashkimi” të shkurtit të 1945-ës, janë vetë komunistët që u kërkojnë familjeve që të sjellin emrat për njerëzit e tyre që nuk gjenden apo janë vrarë më 4 shkurt të 1944-ës.

No comments:

Post a Comment