Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, February 21, 2012

Interviste me Angela Muken, motra e Mustafa Krujes

Angela Muka, motra e Mustafa Krujës, flet në 100 vjetorin e pavarësisë


“Mustafa Kruja i vetmi hartues i deklaratës”

“Kosova u çlirua nga Serbia më 1942

Gilmana Bushati

Në 100 përvjetorin e pavarësisë flet Angela Muka, e motra e Mustafa Krujës, që është njëra prej dëshmitareve të pakta të një periudhe të rëndësishme të historisë shqiptare. Angela Muka, që edhe pse ishte e motra e Mustafa Krujës, u bë vajza e tij, për të cilën vetë ai, investoi për të ardhmen e saj, e tani është kthyer në qytetin e lindjes, në lagjen e vjetër të Merlikëve në Krujë dhe jeton atje me të vëllanë Hasanin. Angela ka dëshirë t’u kujtojë historianëve shqiptarë, që nëse duan ta shkruajnë mirë historinë e këtij vendi të mbështeten në fakte të vërteta. Ajo hedh poshtë faktin se deklaratën e pavarësisë e ka shkruar Luigj Gurakuqi, siç pretendojnë analistët dhe historiografia shqiptare, sipas saj, ishte vetë Luigji që ia besoi këtë detyrën Mustafa Krujës, i cili në atë kohë ishte vetëm 27 vjeç. Muka e vazhdon debatin me historianin Arben Puto, i cili e quajti kolaboracionist Krujën, në kohën kur ishte kryeministër i Shqipërisë në kohën e pushtimit italian. Sipas saj, e vetme arsye se pse Kruja takoi Duçen ishte çështja e Kosovës dhe e sfidon hapur Puton, duke i kërkuar publikisht se “çfarë do të bënte ai nëse do t’i thuhej se Shqipëria do të bashkohej me Kosovën”. Madje Angela i kujton udhëheqësve aktualë të Kosovës, se Kosova është çliruar nga serbët që në 1941. Angela tregon dhe për jetën e saj studentore, ku te “Nana Mbretëreshë” ajo ka njohur ato vajzat e këtij instituti, që më pas do të bëheshin drejtuese kyçe gjatë diktaturës komuniste, përfshi këtu edhe Nexhmije Hoxhën, për të cilin, nuk kishte mendim të mirë në këtë institut. Shoqe e ngushtë me Nënë Terezën, e cila pa ardhur në Shqipëri e njihte shqipen, por nuk e fliste dot dhe një mike në oborrin e Mbretit Zog në Egjipt.

Zonja Angela Muka, jeni një nga dëshmitaret e pakta së një periudhe të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Jeni motra, por më shumë vajza e njërit prej “baballarëve” të pavarësisë, Mustafa Krujës dhe jetoni në Krujë dhe do të shijoni 100 vjetorin e pavarësisë...

Kam lindur në Krujë dhe emri im parë ka qenë Haxhire, pasi kështu donte axha im. Kur isha e vogël, rreth 7-8 vjeçe shkoja shpesh në një kishë këtu afër qytetit tim. Një mik i babë Metës na ftonte në festat fetare të rëndësishme të besimit katolik. Unë shkoja shpesh atje, çdo vit, sepse isha e magjepsur nga lutjet e priftit, nga meshat që jepte ai. Atje shihja se si baheshin realitet mrekullitë. Në meshë vinin njerëz të ndryshëm, që kishin sëmundje nga më të ndryshmet, duke filluar nga ata që ecnin vetëm me paterica, e deri te ato që nuk shihnin fare. Në meshat e kësaj kishe pashë se si të sëmurët shëroheshin gjatë dhënies së meshës, njerëzit hiqnin patericat e dhe fillonin të ecnin vetë, të verbërit hiqnin shallet që mbulonin sytë dhe shihnin sërish. Këto ndodhi të vogla, njëkohësisht edhe të mëdha në vetvete, më kanë lënë përshtypje të madhe. Duke parë këto mrekulli që ndodhnin në këtë kishë edhe unë fillova t’i lutesha Zotit, t’i lutesha Krishtit dhe Zojës së Bekueme. Kur linda unë, Lala (kështu i thërrisnim ne Mustafa Krujës), i tha nanës sime, meqë ai gjithmonë kishte ëndërrue të kishte gocë, pra Lala në atë kohë iu lut nanës time “do ma falësh mua këtë vajzë”. Kështu isha dhe u bëra vajza e tij në shpirt dhe më ka ndihmuar gjatë gjithë jetë sime që të ecja përpara, qoftë me studime, ashtu dhe në jetë.

Ku i përfunduat studimet?

Studimet në Institutin “Nana Mbretneshë”, shkova te Lala dhe i thashë, “nuk dua të jem një mësuese e thjeshtë. Dhe ai më pyeti: “e çfarë don me u ba?”. I thashë se dua të studioj për gjuhësi jashtë vendit dhe falë këmbënguljes dhe mbështetjes së tij studiova jashtë shtetit, ku veç të tjerave, mësova dhe pesë gjuhë. Vetëm para se të nisja studimet jashtë më tha: “Po ti duhet të studiosh se unë s’mund të jap provimet për ty”. Ai për vete ishte njohës i katër gjuhëve të huaja. Jetën studentore së pari e fillova në Alto Adigge, në Itali. Atëherë në fakt ajo ishte nën sundimin austriak, por pas Luftës së Parë Botërore, ajo u vu nën zotërimin e Italisë. Pavarësisht se e mori Italia atë zonë, njerëzit atje flisnin vetëm gjermanisht. Për tre vite me radhë studiova atje, pas tre viteve vjen Lala në Itali dhe më takoi. Në atë kohë ishte kryeministër i Shqipërisë, ishte viti 1941.

Në fakt në këtë institut kanë mbaruar studimet edhe një pjesë e mirë e grave, që më pas u bënë pjesë e diktaturës. A i njihnit ato atëherë?

Po te Instituti “Nana Mbretneshë” ka vazhduar studimet edhe Nexhmije Hoxha, të cilën e kam njohur, por prej larg. Po kështu kam njohur Vito Kondin, që më pas do të quhej Vito Kapon, apo Liri Belishovën, por asnjëherë nuk është përzierë me ta. Vajzat atje nuk kishin mendim të mirë për Nexhmijen, e konsideronin si të keqe, unë gjithësesi i kam qëndruar larg grupeve të tyre.

Zonja Muka, disa studiues shqiptarë pretendojnë se deklaratën e pavarësisë nuk e ka shkruar Mustafa Kruja, ata mbajnë për autor Luigj Gurakuqin?

Kur u mblodhën të gjithë në Vlorë, Gurakuqi, Qemali, Lala, Bajram Curri, miku i tij i ngushtë, që konsiderohej edhe si vëlla gishti, Gurakuqi, i thotë, “Mustafë shkruaje ti, kompozoje ti fjalët e pavarësisë se ti e di shqipen shumë ma mirë se unë”. Ai ishte vetëm 27 vjeç. Duke e njohur historinë, mendoj se historianët duhet të shkruajnë vetëm të vërtetën e mbështetur në fakte, ose të mos e shkruajnë fare.

Ka shumë historianë dhe teza për arsyen se pse pranoi postin e kryeministrit Mustafa Kruja. Cili është versioni juaj për këtë fakt historik?

Një pjesë nuk e dinë, dhe një fakt i tillë nuk është ditur, që Mustafa Kruja kur u kthye në Shqipëri nuk erdhi nga Italia, por nga Zvicra. Ai ishte vendosur atje me gjithë familjen. Hitleri kishte pushtuar Austrinë, në këtë periudhë ai gjendej në Genova të Italisë. Një pushtim i tillë e tronditi dhe të nesërmen i thotë mikut të tij Lazër Shantojës në lidhje me rrezikun që mund t’i kanosej Shqipërisë, pasi e parandjente se Duçja se pas kësaj lëvizjeje të Hitlerit, ai mund të synonte pikërisht vendin tonë. Menjëherë pas këtij takimi me Lazrin, ai merr plaçkat dhe familjen dhe shkon në Zvicër dhe i thotë Italisë “s’dua asnjë ndihmë nga ana jote”. Lala më thoshte se atëherë nuk kishte shumë para për të përballuar jetesën, prandaj ai iu lut disa tregtarëve, që i kishte miq dhe i njihte, “kam mbetur në rrugë të madhe, më Italinë jam prishur, prandaj duhet të më ndihmoni”. Kur u kthye në Shqipëri ai e kishte vendosur dhe deklaroi hapur që “s’do të merrem më me politikë, do të merrem vetëm me punët e mia”. Kishte filluar të punonte me një fjalor nacional, një fjalor si për shqiptarët e Shqipërisë dhe ato të Kosovës. Kur vjen në Krujë, të gjithë miqtë e presin krahëhapur, e përshëndesin dhe i urojnë mirëseardhjen në Atdhe. Jakomoni e pa që Shqipëria ishte në rrezik nga ideologjia komuniste, e cila kërkonte të ishte një ideologji sunduese në vend, i telefonoi në shtëpi Lalës këtu në Krujë, në shtëpinë e tij, dhe i kërkoi t’i shkonte në zyrën e tij në Tiranë. “Zotni – i tha Jakomoni në telefon – dua të flas me ty në zyrë nesër”. Sigurisht, italianët i kishin informacionet e duhura se kush mund të ishte njeriu më i përshtatshëm për të drejtuar vendin. Lala i shkoi të nesërmen në zyrë dhe pas përshëndetjeve të rastit i tha shkurt “zotni, nëse do të shpëtosh vendin tënd Shqipërinë prej komunizmit, të duhet të marrësh pushtetin”. Natyrisht kjo ofertë ishte e papritur për Mustafa Krujën, sepse e kishte thënë hapur se nuk do të ishte më pjesë e skenës politike. Përgjigja që i dha Jakomonit qe “unë do të mendohem 3 ditë, por për ta pranuar më duhet të plotësohen tre kushte; i pari, trupat italiane që kanë pushtuar vendin të dalin jashtë Shqipërisë; në flamurin kuq e zi të mos ketë asnjë shenjë të mbretërisë fashiste as të mbretit Emanuel dhe e treta ministrinë e Jashmte dua ta drejtoj vetë”. Kur i kërkoi këto kushte, ai kishte ndër mend planin që jo vetëm të shpëtonte shqiptarët, por të bënte edhe diçka për Kosovën pasi serbët, të cilët po e qesnin fare me dhunën që ushtronin ndaj shqiptarëve atje. Lalës iu plotësuan kushtet, shkresa erdhi direkt nga Italia dhe për herë të parë ai u emërua drejtuesi i këtij vendi, ishte kryeministri i Shqipërisë nacionaliste.

Cila ishin detyrat e para që bëri Mustafa Kruja si kryeministër i Shqipërisë?

Menjëherë pas formimit të qeverisë, një nga punët e para që bëri, ishte thirrja në zyrë e vrasësit të Luigj Gurakuqit. Ia tha drejt e në sy “a e di pse të kam thirrur në zyrë?. Ti ke ba krimin ma të madh që ke vra mikun tem Gurakuqin, ti do të kishe ba ma mirë të më vritshe mue”. Dhe i tha atyne që ia sollën “merrnie dhe bani çka të doni me te”. Një ditë tjetër, thirri në zyrë miqtë dhe shokët e tij dhe u tha, “banu gati se nesër do të nisemi për në Itali, pasi do çlirojmë Kosovën”. Ata u habitën dhe pyetën veten se çfarë ishte duke folur. Por ai ua preu shkurt “shkoni, mos humbisni kohë”. Ai me një delegacion qeveritar mbërrin në Romë. Lala u paraqit në senatin italian, ku mbajti një fjalim ku përshkoi situatën e atëhershme të Kosovës dhe atë që po kalonin kosovarët nën sundimin serb. Pasi e përfundoi fjalën, doli jashtë të takonte miqtë e tij, pjesë e delegacionit. Ata panë një Mustafa tjetër, ecte si të ishte djalë i ri, pothuajse vraponte. Lala u tha atyre se pas “fjalimit në senat u duhet vetëm firma e Duçes që të realizohet tërësisht çlirimi i Kosovës”. Dhe i pyeti “kush nga ju do të shkojë në zyrën e Duçes për të firmosur dokumentin e senatit?”. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thanë atij se ai e kishte filluar dhe ai duhet të mbaronte, por duhej të kishte parasysh një gjë, se komunistët do ta quanin fashist, bashkëpunëtor të tyre. Lala iu përgjigj “s’ka problem, të më thërrasin çfarë të duan, edhe dreq nëse duan. Ne me këtë dokument kemi çliruar vllaznit dhe motra tona në Kosovë që po vuajnë dhe kërkojnë dashurinë dhe kujdesin tonë”.

Por pikërisht për këtë takim me Duçen Mustafa Kruja është kritikuar nga historiografia shqiptare...

Pikërisht duke u nisur nga fjalët e Lalës, dua t’i them atij Putos, se çdo njeri, qoftë edhe Abaz Kupi, që ishte trim, por nuk ishte i shkolluar, që ishte një atdhetar i madh që donte që edhe Kosovën me e pa të lirë. Çdo njeri do e bënte këtë për vendin dhe Atdheun e vet, jo vetëm Lala. Ai, Putoja, e akuzon si gjithë komunistët shqiptarë se pse muar firmën e Duçes për Kosovën, këto historianë nuk i marrin parasysh fare faktet e ndodhura realisht. E të vuante e gjithë familja e të afërmit gjithë atë kohë, vetëm se i konsideronin “bashkëpunëtorë të fashizmit”, vetëm se u desht Kosova? Për shkollat shqipe, Lala çoi një person të veçantë që të hapte shkollat shqipe në Kosovë. Gëzimi i kosovarëve për këto veprime të qeverisë shqiptare ishte i papërshkueshëm. Gjej rastin këtu t’u kutjoj zyrtarëve aktualë të Kosovës, e cila gëzon pavarësinë si gjithë shtetet e tjera, pra u kujtoj atyre që Kosova u çlirua më 1942 dhe për tre vite e tillë ka qenë.

A e ka vizituar Kruja ndonjëherë Kosovën si kryeministër?

Po, ka bërë një vizitë në Kosovë, i ftuar nga qeveria e saj. Ka mbetur si një legjendë, por që është e vertetë, se pritja që i bënë kosovarët Mustafa Krujës atje, nuk përshkrohet dot me fjalë. Ai kishte bërë çfarë kishte pasur në dorë për ta, pasi ajo ishte toka jonë. Titoja i la ashtu siç i gjeti, me atë infrastrukturë arsimore që filloi ta ngrinte qeveria e Mustafa Krujës, por më pas Millosheviçi ua hoqi të gjitha. Me rastin e një vjetorit të pavarësisë së Kosovës, më ftuan në një aktivitet në Florida, ku më duhej të mbaja një fjalim në një kohë pesë minutëshe. E kisha përgatitur fjalimin, por kur me erdhi radha, i hoqa letrat dhe fillova të flisja vetë. Kur më pyeti dikush se ku e ke letrën, iu përgjigja se kur flas për Lalën nuk kam nevojë të shkruaj. Kaq shumë e donte ai Kosovën dhe ma kishte futur në gjak edhe mua këtë dashni, sa që shpesh i thoja se ku kisha lindur në Kosovë apo në Shqipëri. Që kur dola jashtë Shqipërie me studime, më 1940, ai m’u lut dhe në të gjallë të vet, por edhe në ditët e fundit të jetës më tha “mos shko në Shqipëri. Ti je më e vlefshme këtu. Shkruaju njerëzve të rëndësishëm, presidentëve, deputetëve, senatorëve për Shqipërinë dhe Kosovën. Sigurisht që nëse do të kisha ardhur do të më kishin futur në burg.

Flitet për një miqësi të vonë të Krujës me mbretin Zog, si ndodhi zonja Muka?

Më 1949 shkova të studioja në Home Economics në Akademinë e Arteve, në degën e modelueses. Atje qëndrova për tre vjet. Në atë kohë Lala kishte marrë një letër nga Egjipti, e dërgonte Mbreti Zog. Më vjen dhe më thotë “mbaroje shpejt shkollën se unë do të shkoj pranë Mbretit Zog”. Në letër mbreti i shkruante se “Shqipnia të do më shumë sot se asnjëherë tjetër”. Ai më tha, se me këtë letër do nisej direkt për Egjipt, por kishte hallin që unë të mbaroja studimet e nisura dhe të bashkohesha me të në Egjipt. Më kërkoi që t’i përshpejtoja dhënien e provimeve, apo ta ndiqja shkollën në privat që të mbyllja studimet. Pasi mbarova studimet Lala më priste në Egjipt, më priste me padurim, pasi ishte vetëm. Kur e takoi për herë të parë mbretin Zog, ata kishin biseduar për situatën e vështirë së vendit, pasi në konferencën e fuqive të mëdha, ishte vendosur që të gjithë shtetet të gëzonin kufijtë që kishin pasur më përpara, por kur erdhi radha e Shqipërisë, kishin vendosur ta ndanin përgjysëm. Mbreti Zog kishte marrë një letër nga fuqitë fituese, ku këta të fundit i kërkonin atij që të mos konsiderohej më mbret i shqiptarëve. Zogu e kishte diskutuar një gjë të tillë me mbretëreshën dhe me të motrën dhe kishin rënë dakord që i vetmi njeri që mund ta shpëtonte Shqipërinë duke kontribuar në emigracion, ishte Mustafa Kruja. Lala i tha mbretit që të shkruante një letër me të cilën do paraqitesh në ambasadën tonë (Enver Hoxha ende nuk i kishte të vetat ambasadat). Letrën e shkroi në frëngjisht në të cilën ai shkrojti se Zogu ishte mbreti i gjithë shqiptarëve dhe se Shqipëria ishte e jona. Pas kësaj, ai e këshilloi mbretin që të formonte një qeveri, që të ishte kundër Enver Hoxhës. Mbreti i përgjigjet: “Mua më duket e vështirë një gjë e tillë, por nëse e merr ti përsipër, unë do të të ndihmoj”. Kështu Lala çoi në Romë Koço Mukën, një patriot shqiptar dhe një mik i tij, që të bashkonte të gjithë partitë dhe të deklarohej formimi i qeverisë “Shqipnia e Lirë”. Edhe pse ishte kundër Enver Hoxhës, ai asnjëherë nuk përdorte fyerje, por ishte dinjitoz në qëndrimin e tij “ai është komunist, unë nuk jam”, kaq ishin fjalët që thoshte ai për Hoxhën. Një gjë të tillë ia kërkonte edhe rinisë, pra që të mos e mbushnin veten me urrejtje dhe të shmangnin qëndrimet jo dinjitoze.

Ju vetë e njihnit mbretin Zog?

Mustafa Kruja u bë një vizitor i rregullt i mbretit Zog, të shtunën e çdo jave shkonim për drekë, ndërsa të mërkurave shkonte vetëm Lala të bisedonte me Zogun. Unë isha mike në shtëpinë e Zogut, kam modeluar disa veshje për Nanën Mbretëreshë.

Zonja Muka, flitet për disa hebrej që ka shpëtuar Kruja kur ishte kryeministër. Si ndodhi?

Kur Lala qe kryeministër në kufirin tonë me Jugosllavinë mbërrijnë rreth 350 hebrej që largoheshin nga nazizmi gjerman që kishte pushtuar vende të tjera. Zyrtarët i thanë Lalës se çfarë të bënin, t’i lejonin të hynin apo jo. Ai dha urdhër që të hapeshin dyert për ta, që të kujdeseshin për ta, t’i jepnin strehim, ushqim dhe gjithçka që u nevojitej, ndërkohë i kërkon ministrit të Brendshëm Koço Mukës, që të shohë mundësinë që t’I pajisë ata me dokumente. Lajmi i mbërritjes së tyre u mor vesh dhe menjëherë në zyrën e Lalës paraqitet konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë (për Shqipërinë) me qendër në Beograd, i cili i paraqet një notë verbale në të cilën qeveria naziste kërkonte nga Shqipëria dorëzimin e 350 familjeve çifute, që kishin hyrë nga Jugosllavia. Lala e dëgjon dhe i thotë “zotni këto që po thoni mbase janë thashetheme, pasi unë nuk e kam mësuar një informacion të tillë. Ju lutem më lini dy javë kohë sa të sqaroj situatën dhe më pas ejani sërish që t’ju informoj me saktësi”. Përfaqësuesi i Rajhut largohet, ndërkohë që Lala interesohet pranë vendeve që mund t’i pranonin hebrejtë, të cilët u pajisën me pashaporta shqiptare, me emra shqiptarësh. E brenda dy javëve hebrejtë u larguan nga Shqipëria dhe kur mbaron ky operacion në zyrën e Lalës paraqitet sërish përfaqësuesi i Rajhut në një takim zyrtar me kryeministrin e Shipërisë. Lala i përgjigjet se kishte marrë informacione në lidhje me pretendimet e tij dhe rezultoi që lajmi për hyrjen e 350 hebrejve në Shqipëri nuk ishte i vërtetë. Dhe në fund e mbyll takimin “tani ju lutem shkoni” dhe I tregon derën për të dalë jashtë zyrës.

A ishte i lehtë për Krujën emigracioni?

Në fillim të viteve 1950 u larguam nga Egjipti. U vëndosëm në Cote d’Azur të Francës. Atje Lala filloi ta ndjente lodhjen, filloi të plakej. Punonte shumë për t’i mbajtur të bashkuar partitë dhe organizatat e shqiptarëve në emigracion. Një ditë më thotë që t’i ulem pranë pasi donte të më thoshe diçka të rëndësishme. “Tashti Lala po plaket, por s’dua të të lë në Francë, dua të të lë në një shtet që ta duash si Shqipninë e Kosovën. Dhe ky vend është Amerika”. Ai kishte përshtyje të mira për këtë vend. Në konferencën e shteteve në Paris, ai kishte qëndruar pranë presidentit amerikan Widrow Wilson. Ndërsa mbante fjalimin, Lala mbante pranë një flamur të vogël kuq e zi dhe i tregoi atij se ky flamur ishte i gjithë shqiptarëve. Para se të niseshim për në Amerikë qëndruam për disa kohë në Nice të Francës. U paraqitëm pranë konsullatës amerikane për të filluar procedurat e marrjes së vizës. Një zyrtar në konsullatë i tha Lalës se gjatë plotësimit të dokumentacionit duhet të shkruante se kush ishte, çfarë kishte bërë në Shqipëri. Lala i tha me të qeshur, “mirë mirë, por do më duhet të të shkruaj një libër”. U kthyem në shtëpi dhe filloi të shkruante dhe më pas i postoi për në konsullatë. Pasi ishin shqyrtuar dokumentacioni, vetë konsulli na merr në telefon dhe na thotë që të paraqiteshim në konsullatë. Vetë konsulli pas dy javëve na i dorëzoi vizat për në Amerikë. Mbërritëm në Amerikë. Në stacion na kishin dalë të na prisnin miqtë e shokët e Lalës. Unë iu ula në gjunjë dhe i thashë “hello, mirëse të gjeta Amerikë, unë të dua fort dhe të premtoj se do të bëhem qytetare e mirë e jotja”. Lala më tha se çfarë po bëja ashtu dhe iu përgjigja, “a më ke thanë me e dashtë Amerikën”.

Si ishte Amerika për ju të dy?

Kur u sëmur Lala, u shtrua në spital pasi kishte nevojë për një ndërhyrje kirugjikale në tëmth. Rrugën deri te spitali e bëmë në këmbë, pasi ishte shumë afër apartamentit ku banonim. E Lala më përsëriti edhe njëherë amanetin e tij që të mos kthehesha në Shqipëri pasi do të ishte një rrezik shumë i madh për mua. Tre ditë pasi u bë operacion ai vdiq. Dhe sipas porosisë së tij, u përpoqa të isha një qytetare e mirë e atij vendi. Botova katër libra që kishin si titull “A french touch...A unique on how to alter effectively. The printet patterns with perfect fit for all sizes”. Këto bëjnë fjalë për modelimin e veshjeve për njerëzit të të gjitha moshave dhe masave. Më pas këto u bënë tekste shkollore dhe ishin ndër më të kërkuarat.

Kur u kthyet në Shqipëri zonja Muka?

Që pas 1940 nuk kam ardhur më në Shqipëri. Pak vite më parë erdhi im vëlla, Hasani, në Amerikë. Më pa që isha plakë dhe pas vdekjes së tim shoqi, jetoja vetëm më tha të kthehesha. Erdha pikërisht në shtëpinë ku kam lindur në Krujë, e cila është rikonstruktuar. Jam një qytetare amerikane dhe do të vdes e tillë. Ashtu siç thoshte Nënë Tereza, “kam le shqiptare dhe do të vdes indiane”. E dua Amerikën dhe njerëzit e saj.


No comments:

Post a Comment