Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, February 12, 2012

Takim me familjen e Shpetim Zizes

Melita Ziza tregon për ditët e burgut të të birit Shpëtimit

“Sëmundja i ka përparuar, vuan edhe nga zemra”

“E nxorën të papërgjegjshëm, por është në burg si normal”


Gilmana Bushati
Melita Ziza, nëna e Shpëtimit, që në 2007 u shpall fajtor për dhunimin dhe vrasjen e 10 vjeçarim Bekim Çengës, ngjarje që tronditi jo vetëm Dibrën, por gjithë Shqipërinë, tregon për jetën në burg të të birit. Ajo tashmë ka mbetur pa përkrahje, për shkak se e konsiderojnë si “nëna e vrasësit”, shkon shpesh në burgun e Krujës për të takuar të birin, pasi gjykata e Dibrës e ka caktuar si kujdestaren e vetme të Shpëtimit. “Në mes të javës isha te ai. Në qershor Shpëtimi mbush 23 vjeç, po ta shohësh nuk është më shumë se 10 kile, i kanë rënë të gjithë dhëmbët, përveç dy dhëmbëve të parë dhe bombardohet me ilaçe për shkak të sëmundjeve që ka pasur, por edhe që i janë shtuar gjatë qëndrimit në burg”, - thotë Melita, tashmë e lodhur dhe e mërzitur nga jeta në “arrati” që bën diku në kryeqytet. Ajo vazhdon të jetë e bindur se vrasjen e 10 vjeçarin nuk e ka bërë Shpëtimi, është e bindur se i biri nuk e ka bërë një vepër të tillë, por kanë qenë të tjerët që e kanë bërë dhe ia kanë lënë Shpëtimit, pasi duke qenë dhe me probleme mendore, mund që të jetë më i besueshëm krimi i bërë. “Në dhjetor ishte në spitalin e burgut. Vjen shpesh në spitalin e burgut, se sëmundja e tokës që i bie e lë në vend dhe atje u trajtua. Herën e fundit që erdhi, ka qenë vetëm shumë sëmurë. Ai nuk ka vuajtur ndonjëherë nga zemra, por në burg i japin edhe ilaçe për zemrën, edhe për gjumin, merr ilaçe të forta. Atje merr trefishin e ilaçeve se sa i kam dhënë unë kur ka qenë në shtëpi”, - thekson më tej nëna e Shpëtimit. Melita shprehet se policët e burgut e kanë këshilluar atë që t’i vijë më shpesh për ta takuar, pasi shumë shpesh bëhet keq dhe acarohet. Por ajo duke llogaritur dhe nga ana financiare të gjithë rrugën që i duhet të shkojë deri në burgun e Krujës, thekson se nuk ia del të shkojë çdo javë. Për Shpëtimin, sipas saj, duhej ta kishte shtëpinë m’u pranë burgut që të shkojë përditë për ta parë. “E ka të mbushur duart dhe kokën me prerje, pasi tenton shpesh të vrasë veten. Kam bërë kërkesë që ta sjellin në një burg më të afërt që të kem mundësi të shkoj më shpesh, por më kanë thënë se nuk është e mundur një gjë e tillë”, - shprehet Ziza.
Sa herë që shkon për ta parë, sipas nënës, Shpëtimi kërkon të flasë me gazetarë, pasi kërkon të tregojë të vërtetën e tragjedisë së Dibrës. Melita thekson se është e vërtetë që ai e ka pranuar fajësinë në polici, por më pas Shpëtimi është shprehur se këtë pohim e ka bërë si pasojë e asaj çfarë i kishin kërkuar policët në qeli. Nëna e Shpëtimit thekson se Shpëtimit i kanë hequr edhe pensionin që merrte, pasi ishte cilësuar si një njeri me probleme mendore. “Vendimi i gjykatës së Dibrës, por edhe ekspertët e nxorrën Shpëtimit të papërgjegjshëm dhe që ka nevojë për mjekim ambulator, por e dënuan me burg të përjetshëm dhe ekspertët thanë se mund ta përballojë burgun. Unë dua të di vetëm kaq, nëse është i papërgjegjshëm atëherë le ta çojnë në spital dhe të trajtohet për problemin që ka dhe jo të vuajë burgun si i përgjegjshëm”, - thotë Melita. Sipas saj, i biri nëse është i përgjegjshëm për atë që ka bërë le të nxjerrin përgjegjësit në gjyq dhe të gjejnë provat, nëse është i papërgjegjshëm, atëherë le të trajtohet në gjendje ambulatore. Ajo shprehet se nuk ka mundësi më financiare që të sigurojë një grup ekspertësh të pavarur për të bërë ekspertizën mjekësorë të të birit, sepse, sipas saj, edhe po e bëri nuk do t’ia marrë kush përsipër. Nëna e Shpëtim Zizës shprehet se autorët e ngjarjes së vërtetë ende janë të lirë dhe çështja u mbyll duke dënuar të birin.

Detaj
Vrasja
Në tetor të 2007 për tre ditë më radhë familja e Ylli Çengos kërkonte të birin 10 vjeçar, Bekimin. Ai u gjet 200 metra larg pallateve të lagjes “Kamen”, i dhunuar seksualisht dhe i masakruar. Policia dhe gjykata shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm të vetmin autor, Shpëtim Zizën.



“Kemi bërë kërkesë te Avokati i Popullit”

Melita Ziza ka bërë një kërkesë pranë Avokatit të Popullit, i cili i ka kërkuar që të ketë në dosje të gjitha vendimet e gjykatave, që nga ajo e shkallës së parë deri te Gjykata Kushtetuese. “I kam dorëzuar këto dokumente një javë më parë pranë zyrës së Avokatit të Popullit, se ai vetë nuk gjendej aty. Juristi që më përpiloi kërkesën më tha që do e shqyrtojmë, pastaj do të japim një përgjigje. Ai më dha shpresë se do e çojnë në Gjykatën e Lartë, pikërisht për të shqyrtuar këtë pikë, që është konsideruar i papërgjegjshëm, por vuan burgun si një i përgjegjshëm”. Ajo ka shpresa të ky institucion, pasi mund të gjejë një zgjidhje për të birin, për ta vënë në një institucion të specializuar pikërisht për problemet që ka ai.


Të braktisur për faj të Shpëtimit

Në familjen e Shpëtim Zizës gjejmë vetëm të ëmën, Melitën, i ati vazhdon të jetë emigrant në Greqi, me frikën se familja e Bekim Çengës do të hakmerret. E motra, Rabija, së bashku me vajzën e vogël dy vjeçe, gjendej në qytetin e lindjes, pasi institucionet vendore në Tiranë i kanë dhënë shpresë se mund të përfitojë pension pasi është kryefamiljare e vetme që ka nën kujdes fëmijën. Melita thekson se i shoqi i Rabijes pasi e keqtrajtoi disa herë, për shkak se ishte motra e “gjaksorit” e braktisi kur ishte dy muajshe shtatëzënë. “I thashë ta hiqte, pasi pas gjithë këtyre halleve nuk do e përballonte dhe një fëmijë, por ajo nuk pranoi. Po kështu më iku dhe nusja e djalit të madh. Tani im bir i madhi, mezi gjen punë, dhe ato punë i gjen për pak ditë se gjithnjë me frikën e hakmarrjes”, - thotë Melita. Sipas saj, njëherë në kryeqytet patën qenë përballë me babain e Bekimit, kur Rabija ishte disa muajshe shtatzënë dhe që i patën ikur e dredhuar rrugë vetëm e vetëm që të mos i gjente.  

No comments:

Post a Comment