Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, March 13, 2012

Interviste me Imholz, perkthyesja ne anglisht e Shukriut

Rrëfehet Kathleen Imholz përkthyesja e librit “Gra të shquara shqiptare” të autores Edi Shukriu

“Gratë shqiptare burim i fortë ndryshimi”

“Sjell në anglisht gjurmët e grave që nuk harrohen”

Kathleen Imholz, amerikanja e ardhur në Shqipëri që në vitet e para të pluralizmit, tregon dashurinë e saj për vendin tonë, për vlerat e fshehura të grave tona, të fshehura nga hiri i një historie maksiliste, të fshehura nga një histori që mezi gjeti gjuhën shqipe për t’u shkruar. Me inisiativën e saj ka përkthyer në anglisht librin “Gra të shquara shqiptare”, të një prej intelektualeve më të njohura të kombit shqiptar, Edi Shukriut. U desh ky 8 mars dhe përkthimi në anglisht që të mësohej në Shqipëri që Shukriu ka punuar për biografinë e 71 grave të shquara të kombit shqiptar, që lanë gjurmët e tyre në historinë dhe jetën e shoqërisë shqiptare. Dhe në fakt, Imholz, shprehet se pasi e përktheu librin nuk u habit, pasi ajo e njihte karakterin e grave shqiptare, biografia e këtyre grave, zonjave dhe vajzave ishte konfirmim i asaj që kishte kuptuar dhe ndjerë që nga koha kur ishte në Amerikë dhe ishte dashuruar me figurën e mbretëreshës Teutë e deri më sot, ku ajo ka njohur shumë gra, që nga ato të politikës e deri te ato më të thjeshtat. Tashmë një biografi e tillë është në anglisht, që edhe diplomatët e huaj, të mësojnë përmasat e një lufte titanike të grave shqiptare për të mbijetuar dhe për të ndryshuar ngjyrat e jetës në një vend, ku individualizmi i burrave dhe konfliktet e tyre, japin një imazh krejt tjetër. Është një libër mesazh edhe për shqiptaro-amerikanet që e njohin shumë pak atdheun e tyre, është libër që do të frymëzojë shumë breza. Imholz, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, tregon se vajzat e gratë në Shqipëri kanë arsye pse të jenë krenare dhe kanë figura ku të frymëzohen për ta ndryshuar këtë shoqëri shqiptare.
Zonja Imholz, pse e morët përsipër përkthimin në anglisht të një libri të tillë si “Gra të shquara shqiptare” të autores Edi Shukriu?
Përkthimin e librit e ndërmora për tre arsye kryesore: së pari jam grua. Kuptoj nënvlerësimin ndaj grave; kur isha në Neë York kam pasur edhe unë vështirësitë e mia. Edhe pse jam diplomuar në Harvard, shumë nga zyrat e avokatisë në SHBA 30 vite më parë nuk punësonin gra edhe pse ishin diplomuar nga fakultetet më të mira. Sot, fatmirësisht, situata ka ndryshuar. E dyta kam një interes të veçantë për rolin e gruas në Ballkan. Me figurën e Teutës kam një lidhje shpirtërore dhe them se ishte pikërisht ajo që më solli në Ballkan vite më parë. E treta, e bëra përkthimin miqësisht. Edi Shukriu, është një grua serioze, ka dhënë kontribut në shumë fusha, në politikë, është poete, është një arkeologe shumë e shquar. Kur u takuam për herë të parë në 2005 më foli për librin në fjalë, botimi në shqip i të cilit ka dalë në 2003. (Kohët e fundit është përkthyer edhe në Mal të Zi). Gjatë bisedave tona, na u duk ide interesante që libri të përkthehej edhe në anglisht. Por ajo vetë nuk mund të përballonte shpenzimet e përkthimit dhe në të njëjtën kohë as të botimit të tij. Atëherë unë i thashë: do e përkthej unë. Kisha përkthyer në anglisht vepra shkencore më parë, si ato të Neritan Cekës. Atëherë i hyra punës menjëherë për përkthimin në anglisht. Duke qenë se kam qenë e angazhuar gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim këtu në Shqipëri, përkthimin e bëja vetëm gjatë kohës së lirë, ose punoja natën. E për këtë kam përshtypjen se puna ime me këtë libër u kthye në një punë shpirti. Variantin në anglisht ia dërgova Edit në Prishtinë dhe kështu filloi dalëngadalë të merrte formë në anglisht puna e Edit. Ndërkohë që unë punoja, Edi vazhdonte të shtonte biografi të grave të tjera të shquara. Ndërkohë që Monika (Kryemadhi) vendosi ta botonte librin e përkthyer për Ditën e Grave javën e kaluar, përkthimi i biografisë së fundit, të Adelina Mamaqit, ishte në proces e sipër; e përfundova shpejt e shpejt, dhe Edi e rishikoi po aq shpejt. Dua të theksoj admirimin tim, që Monika dhe disa mike të saj ndërmorën projektin dhe e realizuan brenda një kohe aq të shkurtër – më pak se një javë.  
Duke qenë amerikane, çfarë mësuat gjatë përkthimit të këtij libri?
Sigurisht që u impresionova, por të them të drejtën, nuk u habita. S’u habita për vetë faktin se që me ardhjen time në Shqipëri e deri tani kam mësuar se gratë shqiptare janë shumë të forta. Kur u ftova në 1991 në Shqipëri, takova dy gra, Elsa Ballaurin dhe Briseda Memën, që më shpjeguan vështirësitë e jetës këtu, se si i përballonin gratë këto vështirësi. Që me ardhjen këtu menduam të trija që të krijojmë një shoqatë “Gra për transformimin e Ballkanit”, sepse e mendoja, dhe vazhdoj ta mendoj që shpëtimi i Ballkanit mund të vijë pikërisht nga gratë. Pra, e dija që nga 1991-shi që gratë shqiptare, si gratë ballkanese, ishin të forta, por nuk e dija se sa të shquara ishin. Në momentin që lexova librin e Edi Shukriut për gratë e shquara shqiptare, unë konfirmova atë që ndjeja, pra ishte një konfirmim më tepër se sa një zbulim. Një nga pasionet e mija, përveç drejtësisë, është historia. Kam lexuar shumë libra me histori, por kam parë që u është lënë vend i pakët këtyre grave, rolit të tyre në shoqërinë shqiptare. Kisha lexuar edhe më parë histori për motrat Qirjazi, për Dora D’Istrian, që i dua shumë si figura. Pra, ajo që mund të them përmbledhtas është se nuk u habita nga ajo çka dhanë këto figura për shoqërinë tuaj, u habita thjeshtë për faktin se sa të shumta në numër ishin këto gra të shquara. Mund të them se p. sh. më ka impresionuar figura e Shote Galicës, sepse më pëlqejnë gratë luftëtare, kam simpati të veçantë për to – dhe ka shumë, jo vetëm Shota.
Sa mund të zbulojmë prej shqiptareve në këtë libër, jo vetëm të huajt, por edhe shqiptaret që jetojnë në emigracion?
Sa i takon rolit të grave në histori, ju thashë që ka shumë pak figura të tilla të dokumentuara, sepse jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej, figura të tilla mbeten të pa pasqyruara në histori. Prandaj Edi plotësonte herë pas here biografitë e disa prej tyre, që për kohën dhe mendësinë kur ato kanë jetuar kanë qenë me të vërtetë të forta edhe në kohët e lashta këto gra kanë pasur dhe luajtur rolin e tyre. Edhe pse shumë gra nuk kanë lënë gjurmë, me këto biografi mund të frymëzohen breza të rinj. Më vjen keq që ilirët nuk kishin gjuhën e tyre të shkruar, që shqipja deri vonë nuk ishte gjuhë e shkruar nëpër dokumente dhe për pasojë s’ka burime informacioni shqiptare për historinë e një populli të tërë. Pothuajse të gjitha të dhënat mbi vendin tuaj, deri në mesjetë vijnë nga të huajt; edhe më vonë, janë të marra nga raportet e ambasadorëve të huaj të Ballkanit. Prandaj mungojnë gjurmët dhe trashëgimia që lanë gratë për një periudhë të gjatë të kohës. Por Edi është përpjekur dhe ka gjetur disa prej figurave më interesante. Duke lexuar, mësojmë se gratë shqiptare kanë arsye të krenohen se vlejnë. Kam parë në televizion emisione ku njerëzve u thuhet “ti vlen” apo “ti nuk vlen”, por kjo është e tmerrshme. Në mënyrën e tyre të gjithë vlejnë. Gratë dhe vajzat duhet të jenë krenare, pasi kanë vlerat e tyre dhe libri e përforcon këtë ndjenjë. Libri në vetvete, me sa di unë, ka si qëllim të sjellë pjesën më njerëzore të tyre. Asnjë grua në këtë libër nuk është mizore, s’është vrasëse, përkundrazi çdo grua kishte fuqinë e vet në mesin e një shoqërie tejet patriarkale.
Zonja Imholz, duke qenë se ju e njihni mirë këtë pjesë të historisë, por edhe politikën shqiptare, pasi ju keni mbi 15 vite në Shqipëri, mendoni se të njëjtin rol po luajnë gratë në shoqëri, siç e kanë luajtur zonjat e paraqitura në këtë biografi?
Vazhdoj të besoj se gratë shqiptare janë burim i brendshëm i fortë. Ja pse libri ka rëndësi, ja pse gratë duhet të ndjehen krenare. Besoj se gratë që e botuan librin dhe organizuan promovimin, Monika, Ema e lokalit ‘Coli’s’ ku u zhvillua promovimi dhe gratë e tjera – me falni, që nuk i përmend të gjitha - do t’i rrisin vajzat e tyre pikërisht me këtë trashëgimi që lanë këto gra të shquara, gra me ideale për të ndryshuar këtë vend. E njëjta gjë vlen për vajzën e vetë Edit. Do të jenë pikërisht këto vajza që do të bëjnë ndryshimin në këtë shoqëri.  Dua të theksoj një gjë: është një problem shqiptar individualizmi i tepërt. Kam shpresa se gratë mund të bashkohen më kollaj në këtë skenë politike që ka Shqipëria. Ja pse më erdhi mirë që në promovimin e këtij libri erdhën gra që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme politike, s’kishte grindje, s’kishte ndasi, ishte një bashkim i të gjitha grave, jo vetëm të politikës, por edhe të shtresave të ndryshme shoqërore, ishin gra të thjeshta, që rrinin mirë me njëra-tjetrën, pavarësisht profesionit apo politikës që ndjekin. Ishin të pranishme vajza të reja, studente; ishin disa nga gratë që përmenden në libër, që janë akoma mes nesh. (Rregulli i vendosur nga Edi është se asnjë grua nën 70 vjeç nuk mund të përfshihet në libër). Mendoj se në çdo parti politike ka gra të mira, dhe disa prej tyre unë i njoh, i kam mike. Unë s’mendoj se duhet të ketë parti grash, por duhet të ketë gra të zonja gjithandej, që me mençurinë e tyre të dinë si të ulin gjakrat dhe tensionet politike, siç e bëjnë edhe në jetën shoqërore.

No comments:

Post a Comment