Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, March 13, 2012

Elsa Ballauri dhe Briseda Mema per librin e Hitlerit

Aktivistja e të drejtave të njeriut flet për botimin e “Lufta ime”

Elsa Ballauri: Hitleri shkeli të drejtat e njeriut, s’duhet të jetë model

Elsa Ballauri, e sheh si shkelje të të drejtave të njeriut botimin e librit të Hitlerit, “Lufta ime”. Sipas aktivistetet për të drejtat e njeriut, Hitleri ngriti në këmbë një ideologji dhe strukturë që ishte shkelje e të drejtave të tjetrit, të ndryshëm si nga raca ashtu dhe nga besimi i tij. Ballauri nuk i sheh si raste të ngjashme debatin për librin e Hitlerit me librin “Vargjet Satanike”, që u debatua në Shqipëri vite më parë. Sipas saj, “Vargjet Satanike” nuk shkelin të drejtat e njeriut, thjeshtë një njeri beson ose jo, kjo është në të drejtën e tij.
Zonja Ballauri si e shihni në planin e të drejtave të njeriut botimin e një libri si ai i Hitlerit “Lufta ime”, duke pasur parasysh edhe faktin se vite më parë i njëjti debat me të njëjtin intensitet u bë dhe për romanin e Salman Rushdies “Vargjet Satanike”?
Besoj se nuk kanë gjë të përbashkët këto dy debatet, pasi “Vargjet Satanike” është një çështje që ka shkaktuar debat te një komunitet. Problemi qëndron te figura e Hitlerit, që vazhdon të jetë e diskutueshme, e urryer. Janë miratuar ligje të tëra në vendet perëndimore apo jo, ku ndalohen krijimi i partive naziste, që ndalohen simbolet e nazizmit, që ndalohen statujat e tij të ekspozohen në vende publike. Në Gjermani vazhdojnë të zbulohen fakte të reja që e bëjnë atë përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve, ai është një figurë negative dhe delikate nga njëra anë, prandaj nuk duhet të paraqitet si model që duhet toleruar. Pranimi i Hitlerit si udhëheqës, apo si ideologji e dëmtoi shoqërinë, botën mbarë. Bota është e ndjeshme dhe që të mos përsëritet një fatkeqësi e tillë ka ngritur mekanizma të veçantë që ideologjia e tij të mos triumfojë në botën moderne.
Pra ju mendoni se më i rrezikshëm është botimi i librit të Hitlerit se ai i “Vargjeve Satanike”?
Diskutimi për librin e dytë është tejet private, besimi është çështje private, individuale, dikush e ka dikush nuk e ka. Ai që nuk beson nuk është dëmton apo shkel të drejtat e njeriut. Në rastin e Hitlerit kemi shembullin më tragjik të shkeljes së këtyre të drejtave. Kështu e ngriti gjithë strukturën e tij, mbi shkeljen e të drejtës së tjetrit, mbi mospranimin e tjetrit. Botimi i tij në shqip duhet të shihet pikërisht në këtë kuadër, ideologjia e tij e hartuar që në vitet e para kur ai u bë funksionar shteti, ka në thelb të saj, pikërisht shtypjen e tjetrit, dhunimin e tjetrit që nuk është i ngjashëm me ty, të drejtën për të dhunuar tjetrin që është i ndryshëm nga ty. Prandaj e theksoj se dy librat nuk kanë të njëjtën frymë sa i takon të drejtave të njeriut.



Gazetarja dhe pedagogia e njohur flet për “Vargjet Satanike” dhe Hitlerin

Briseda Mema: Librat duhet të botohen, të mos imponohen


Briseda Mema, gazetare e njohur dhe pedagoge, nuk e sheh si problem botimin e librave të tillë. Sipas saj, librat si ai i Hitlerit apo “Vargjet Satanike” duhet të botohen, por shteti vetë duhet të ketë mekanizma, apo t’i gjejë ato, që të mos ndodhet një ditë para një fakti të kryer, siç ndodhi me librin “Lufta ime”, ku botuesi nuk mban përgjegjësi. Nëse ka vakume ligjore, atëherë ata duhet të rregullohen në mënyrë të tillë që vetë institucionet të mos gjenden të papërgatitur në këto lloj situatash. Mema shpjegon se debati për botimin e librave të tillë bëhet edhe për botimet pornografike, qoftë libra apo revista, thjeshtë këto lloj botimesh nuk duhet t’u imponohen askujt, e sidomos brezit të ri.
Zonja Mema, debati i hapur për librin “Lufta ime” të Hitlerit a ju ngjan me debatin e hapur vite më parë po në Shqipëri për një libër po kaq problematik si “Vargjet Satanike”?
Romani i Rushdies “Vargjet Satanike” prekin vetëm një komunitet fetar dhe në fakt reagimi i tyre ka qenë tepër i madh atëherë. Ka vende ku “Vargjet Satanike” janë të ndaluar, por nuk është i ndaluar libri i Hitlerit. Aktualisht në Francë po debatohet në lidhje me ribotimin e librit “Lufta ime”, apo në Gjermani vazhdon debati për të njëjtën çështje. Ky libër i Hitlerit mund të gjendet kollaj në internet dhe të lexohet nga të gjithë lexuesit, në Gjermani janë botuar pjesë të tij dhe jo i plotë. Në të gjitha debatet ka njerëz që janë pro dhe kundër. Disa thonë që libri të botohet, por një libër i tillë nuk duhet t’i imponohet as lexuesit e sidomos brezit të ri. E njëjta situatë dhe debat është edhe për librat apo revistat pornografike, pra që botohen në gjithë botën, por nuk imponohen.
A mundet që në një situatë të tillë një botues për arsye nga më të ndryshmet të botojë krejt papritur “Vargjet Satanike”?
Sigurisht përballë një situate të tillë, edhe “Vargjet Satanike” mund të botohen te ne, pasi botuesi nuk mban ndonjë përgjegjësi kushtetuese një botim të tillë. Unë mendoj se duhet të ketë një mekanizëm paraprak që mundet t’i shmangen këto gjëra, por nuk jam kundër botimit të librave. Librat të botohen dhe të debatohet mbi ta mbi atë që përcjellin. Debati për mendimin tim nuk duhet të qëndrojë të mos botimi i një libri, por te mënyra se si duhet të përcillet ai libër të lexuesi dhe shoqëria, apo dhe brezi i ri.





No comments:

Post a Comment