Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, May 4, 2012

Interviste me Besim Ndregjonin per seancen e Holokaustit

“Seanca për Holokaustin, Berisha e Topalli nuk na ftuan”


“Mbrojtëm hebrejtë, por shteti nuk na vlerëson”

Ndregjoni: Na kanë lënë në harresë

Gilmana Bushati
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të persekutuarve politikë, Besim Ndregjoni, bën komentin e tij në lidhje me fjalimet e udhëheqësve shqiptar në parlament në ditën ndërkombëtare kundër terrorit. Ai shprehet se shteti dhe politika e këtyre 21 viteve nuk ka miratuar asnjë ligj që ta dënoj faktikisht terrorin komunist në Shqipëri, s’ka miratuar asnjë platformë si të edukohet brezi i ri me një frymë kundër diktaturave. Shteti dhe politika, sipas tij, kanë bërë vetëm referate politike dhe fjalime patetike. Ndregjoni thekson se, si familje që ka strehuar hebrej, nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë seancë, ku duhet të ishin të gjithë dhe ku të flisnin dëshmitarët e vërtetë të asaj kohe dhe pasardhësit e tij. Por, për këtë pasardhës të këtyre familjeve, për mirënjohjen e respektin që është treguar për aktin e bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ia di për nder shtetit shqiptar, por studiuesve të huaj, OKB-së si dhe zonjën Njuman, që e përçuar me realizëm në të gjitha akademitë historike të botës atë çfarë shqiptarët bënë për hebrejtë.
Zoti Ndregjoni si e përcollët fjalimin e kryeministrit Berisha në parlament, ku u pozicionua sërish kundër terrorit të të gjitha llojeve?
Realisht të flasësh kundra terrorit është obligim jo vetëm i Kryeministrit, por i të gjithë shoqërise shqiptare. Dënimi i terrorit nuk bëhet me fjalime por me ligje. Jemi i vetmi vend në Europë që kemi kaluar tre terrore, dy të pushtuesve fashistë e nazistë, terrorin komuniste dhe si vend që provuam këta terrorë diktatorialë, pushtuese e racialë në mbas 21 vitesh në pluralizëm politikë. Nuk kemi bërë një ligj për të dënuar terrorin komunist. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetë e qetë me fjalime e mbledhje interesash politike të Jozefina Topallit. Shoqëria jonë pret kur do të dënohet krimi komunist, që është terrori më i madh që i ka ndodhur këtij vendi. Nuk dënohet terrori me fjalime patetike politike për interesa të çastit, por parlamenti të dënoje terrorin komunist me ligje. Nuk mund të ketë barazi shoqërore në një vend që ligji nuk dënon krimet e terrorit.
Por në Shqipëri janë miratuar ligje për të përndjekurit, si ai i 1991, si dhe ai i 2006...
Asnjë ligj që dënon krimin komunist nuk është aprovuar deri më sot. Është një rezolutë e Shoqatës Mbarëkombëtare e ish-të Përndjekurve Politikë, të cilën e ka aprovuar parlamenti në 2006 me kembënguljen tonë dhe ajo mbeti në sirtarët e parlamentit dhe nuk u muar kush me të. Politikanët e sotëm kanë si mbështetje të kësaj rezolute edhe rezolutën e APKE dhe as që janë marrë me të. Po të ishte zbatuar apo implementuar ajo rezolutë sot nuk do të kishe kaq paralemtarë në Parlament, nuk do të kishe institucione kushtetuese me administratorë të regjimit të terrorit komuniste, të cilët sot drejtojnë dhe japin drejtësi, atë drejtësi që dje në diktaturë e dënonim.
Sa dhe si janë respektuar nga shteti familjet shqiptare që mbajtën hebrejtë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore?
Familja ime dhe familjet e tjera që mbrojtën hebrejtë u janë mirënjohëse studiuesve të huaj si Patrik Najber, studiuesi francez, i janë mirënjohëse OKB-së që na ftoi në 60 vjetorin e holokaustit në NY dhe çmuan besën tonë që i mbrojtëm hebrejtë, i janë mirënjohëse zonjës Njumam, e cila në çdo akademi në SHBA ka ngritur lart këtë kontribut që dhanë familjet tona. Hebrejtë i mbrojtëm në bazë të kodit tonë moral të besës, kod që u përshendet dhe nga Kryeministri kanadez. Realisht Këshilli Bashkiak i Tiranës në vitin 2006 e ka nderuar familjen time me emërtimin e një rruge në Tiranë, por dhe me certifikatën që i është dhënë për mbrotjen e hebrejeve, por më erdhi shumë keq që zonja Topalli kishte thirrur me dhjetëra militantë të PD-së dhe ne, pjestarëve të familjeve që nuk na ka për zemër politikisht, nuk na ka bërë ftesë. Shtoi këtu fakti se nuk kishte asnjë problem hatërmbetjeje pjesëmarrja në atë përkujtim që bënte zonja Topalli. Nuk duhet që kodi “Besa” e shqiptarit apo dënimi i terrorizmit të përdoren politikesht, por të vihen në vend vlerat e këtyre familjeve në shenjë respektit dhe aspak të politizimit. Tribuna e parlamentit duhej të mbushej me tregimet e familjeve që shpëtuan hebrejtë dhe jo me patetizma të politikës, por ne akoma nuk mund të shkëputim asnjë lloj problemi nga politika! Familja ime dhe familjet e tjera shqiptare që mbrojtën hebrejtë janë krenare që shpëtuan jetë njerëzore, ky është nderimi, ky është respekti, të tjerat historia i lë në harresë.



No comments:

Post a Comment