Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, May 4, 2012

Interviste me Aleksander Meksin per 1 majin

Aleksandër Meksi kujton parakalimet e tij për 1 maj


“Perandorët u pëlqen që populli feston”

“Të urojmë që të mos betonizohet liqeni, se ku do festojnë pastaj”

Gilmana Bushati

Dita e 1 majit, festa e punëtorëve, në Shqipëri është konsideruar si festë në të dy regjimet, si në atë monist, ashtu dhe në sistemin pluralist. Nëse në sistemin monist, qytetarët shqiptarë dilnin të detyruar nëpër parada, parakalime e fjalime pafund udhëheqësish mediokër, në sistemin pluralist, si për t’iu kundërvënë atij sistemi që kaloi, shqiptarët vetëm festojnë, duke i lënë në minoracë protestuesit. Ata mbipopullojnë sheshe, vende turistike, restorante dhe rrugë, për të kaluar një ditë pushimi dhe lënë në “baltë” shqiptarë të tjerë, që duket sikur protestojnë. Në një ditë të tillë, në të cilën nuk mund ta zgjidhësh dot këtë absurd, folëm me kryeministrin e Shqipërisë në vitin 1992, Aleksandër Meksin, për mënyrën se si u festua atëherë kjo festë dhe mënyrën se si festohet tani, pra në të dy anët përmendet fjala “festë”. Si gjithë shqiptarët e rritur në një regjim komunist, Meksi flet se si konceptohej dita e një shqiptari më 1 maj dhe si konceptohet tani. Është një histori që e dinë gjysma e popullësisë shqiptare, por sipas Meksit, ata që e kanë vuajtur më shumë, kanë qenë kryeqytetasit, “mall” i mirë për të mbushur sheshet, parakalimet, paradat dhe stadiumet ku udhëheqësit të buzëqeshnin dhe ti duhej vetëm të tundje lulen, me apo pa bindje kjo s’ka rëndësi, dhe të brohorisje për shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre. Zoti Meksi, kujton një pjesë të leksioneve të tij të historisë dhe të arkitekturës, ku flitej për perandorë, që pas fitoreve të përgjakshme ndër luftra shtronin darka pa fund për popullin dhe bënin festa për ta.
Zoti Meksi, 1 maji, si ditë e punëtorëve është festuar dhe përkujtuar shumë në kohën e regjimit. Keni qenë edhe ju pjesë e saj?
Po patjetër që kam qenë, kush nuk mund të ishte, askush, të gjithë duhet të ishim atje, përndryshe gjithçka raportohej të nesërmen në qendrën e punës, apo kur ishe nxënës, raportohej në shkollë te drejtuesit e deri te mësuesja më e thjeshtë.
Dhe si fillonte ajo ditë?
Na duhej të ngriheshim që pa gdhirë nga gjumi, që të ishim korrekt me orarin. Zgjoheshim aty nga ora gjashtë e mëngjesit, pasi duhet të paraqiteshim në ora shtatë në sheshin e Universitetit të Tiranës. Nuk mund të mungonim.
Pra kur thoni “nuk mund të mungonim”, do të thotë që të gjithë ishit të detyruar të ishin në shesh?
Ishim të detyruar të shkonim në parakalim, të qëndronim në kuadratet e përcaktuata më parë dhe rrinim aty deri sa të mbaronte gjithçka deri edhe fjalimi i fundit, pastaj shkoje në shtëpi i rraskapitur nga një ditë e tillë.
Keni brohoritur në kohën e regjimit për “Shqipërinë socialiste”?
Atë herë e bënim e herë jo. Kujtoj që mbanim të gjithë në dorë nga një lule artificiale, të cilën duhej ta valvisje lart dhe e shtërngoje dorën e tjetrit që kishe afër, në mënyrë që edhe të mos të binte në tokë lulja. Nuk duhej ta humbisje. Dhe ne e tundnim atë lule, ashtu në kor, si një turmë e madhe.
Edhe pse festë, apo parakalim, duket që ka qenë një vuajtje e madhe për popullin të merrte pjesë në të tilla festime?
Mendoj se kjo vuajtje ka qenë kryesisht për qytetarët e Tiranës, pasi në qytete të tjera, kishte organizime, por jo si në kryeqytet.
Keni qenë ndonjëherë në radhët e para të turmës së madhe, apo para tribunës së Enver Hoxhës?
Jo nuk kam qenë ndonjë herë në radhët e para apo para tribunës. Ishim nga radhët e mesme, sepse aty edhe mund të bëje muhabet me shokët, ndërsa vazhdonte parada apo fjalimet. Mbaj mend kur binte shi, bëheshim ujë, por nuk duhej të linim rreshtin, pasi duhet të ishim aty. Kur kam qenë fëmijë u laga aq shumë së bashku me shokët saqë dolëm në kanotiere.
Po sot, zoti Meksi, ka mëse 20 vjet që 1 maji vetëm festohet. Pse ndodh një gjë e tillë?
Kur jepja leksione arkitekture dhe historie në Universitetin e Tiranës, flisja për perandorët romakë. U thoja studentëve që perandorët thonin: populli do ushqim pa para dhe festa. Sa herë që fitonin perandorët bënin festa të mëdha, shpërndanin ushqim falas dhe populli ishte i gëzuar. Një festim i tillë ndodh vetëm, tek ne, pasi në mbarë botën në një ditë të tillë protestohet dhe kërkohen të drejtat e punëtorëve. Të shpresojmë që të mos betonizohen Kodrat e Liqenit, sepse po u betonizuan edhe ato ku do të festojë populli pastaj.








No comments:

Post a Comment