Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, March 7, 2014

Darina Tanushi: Politikane kemi pasur, por jo lidere të vërtetë

Darina Tanushi me një ekspereincë gjashtëmëbëdhjetë vjeçare si gazetare në median e shkruar shprehet se niveli më i lartë i përfaqësimit të femrës ka qenë kryetare Kuvendi, por gjithësesi kjo s’do të thotë se burrat kanë shumë besim në to. Sipas saj edhe kur femra bëhet politikane bëjnë shumë pak për femrat, sepse politika i shpërfytyron ato. Sa për faktin që politika duhet të jetë më pak konfliktuale në prani të femrës, Tanushi shprehet se nganjëherë gjuha që përdorin politikanet në parlament i ndez konfliktet dhe është më e rëndë se ajo e burrave. E pyetur për koston që paguan një femër si gazetare Darina përgjigjet: 'E tani do të thosha që kjo punë nuk po më lejon sa duhet të shijoj fëmijët e mi dhe kjo do të thoja është mbi kostot që rendita më lart.'


Këto 23 vite kemi pasur shumë politikane dhe se pavarësisht ndonjë përpjekje spontane lidere s’kemi pasur asnjëherë. Pse?

Në fakt nëse do të flisnim për poste kryeministrore apo Presidente, po është e vërtetë që Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë grua. Niveli i grave ka arritur në këto vite deri në nivel zëvendëskryeministreje apo Kryetare e Kuvendit. Unë mendoj që kjo është pozitive, duke parë ecurinë e femrës shqiptare, por gjithsesi nuk është ajo çfarë kërkohet realisht në një shoqëri demokratike, ku kërkojmë barazi gjinore dhe respektim të të drejtave të grave. Pse nuk kemi patur femra lidere? Kjo mendoj se ka lidhje së pari me ekzistencën e një mentaliteti ende patriarkal në Shqipëri, së pari dhe së dyti mendoj se femrat ende nuk kanë atë solidaritetin e domosdoshëm mes vetes së tyre, që të mbështesin njëra-tjetrën. Një solidaritet mes vetë grave në politikë do të sillte, mendoj unë, edhe një ngritje të nivelit të përfaqësimit të tyre, deri në hierarkinë më të lartë të shtetit.

A mendon se përfaqësimi i grave në politikë në përgjithësi ka qenë vetëm që partitë të jenë ‘politikisht korrekte’ me ndonjë detyrim ndërkombëtar, që partitë në shumë raste kanë bërë zgjedhje sa për ekzibicionizëm dhe jo se kanë ndonjë lloj besimi te gratë në politikë?

Kjo mendoj se është e vërtetë. Vendosja e kuotave gjinore të përfaqësimit të grave në listat e kandidatura në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore tregon ekzaktësisht këtë; që përfshirja e grave në politikë është një detyrim ndërkombëtar. Madje po të shohim këto lista, gratë më shumë vendosen në fund të listave. Në zgjedhjet e fundit, vetëm dy partitë kryesore, relativisht e respektuan rregullin që një në 3 kandidatë të ishin gra. Mendoj, se burrat politikanë vërtetë nuk kanë shumë besim tek gratë, jo për faktin, se ato nuk i kryejnë detyrat apo punët mirë. Por këtu hyn edhe një lloj “shpërfilljeje” për gratë, të cilat në syrin e burrave shqiptarë duhet të jenë ato që merren me familjen, me fëmijët, pra që bëjnë thjeshtë rolin e shërbëtores dhe nuk mund të drejtojnë shtet.

Darina disa nga politikanet e sotme kanë qenë aktiviste të thjeshta, por sot rënditen ndër njerëzit më të pasur të Shqipërisë. S’dua të të pyes pse, por a mendon se tanimë gratë e shohin politikën si mjet i shpejtë fitimi duke paguar të gjitha çmimet e mundshme?

Ah këtu mendoj se nuk ka ndarje burra-gra. Edhe unë ndaj të njëjtin opinion se politika në Shqipëri ka vite që konceptohet si një burim shumë i mirë përfitimesh, jo vetëm përfitime që vijnë në rrugë ligjore, por edhe përfitime që vijnë underground. Pikërisht kjo është një nga arsyet që shumë femra që i kanë hyrë rrugës së politikës janë shpërfytyruar, duke humbur feminilitetin, të cilin pavarësisht pozicionit që kanë femrat nuk duhet ta humbin.

A shihni ndonjë përpjekje që gratë politikane të mbrojnë kauzën e femrave shqiptare dhe këtë kauzë ta kenë edhe motivin e tyre të karrierës politike? Nuk po kërkojmë idealen nga politikanet, por të paktën të mbrojnë një femër tjetër ose një grup femrash që nuk kanë fuqinë dhe mundësitë e saj?

Në këtë legjislaturë të re parlamentare ekziston një organizim i ri i grave deputete; Aleanca e grave deputete. Ky grupim që u formua pak muaj më parë si një formacion përtej dallimeve politike deklaroi si synim të vetin mbrojtjen e të drejtave të grave, rritjen dhe respektimin e rolit të gruas në Parlament, respektimin e kuotës gjinore në listën e kandidateve, bashkëpunim në iniciativa të përbashkëta gjinore, ligjore, që përmirësojnë cilësinë e jetës së grave dhe vajzave në vendin tonë. Në fakt një grupim i tillë Parlamentar i Grave në Kuvendin e Shqipërisë u themelua në vitin 1995 dhe funksionoi deri në 2005. Duke parë atë që është bërë deri më tani, pak shpresë ka se diçka do të ndryshojë. Mendoj se gjithçka bëhet më shumë për show se sa për të mbrojtur realisht të drejtat e grave.

Si dhe sa e shndërron një femër politika shqiptare që përgjithësisht është e mbushur me burra autoritarë, disa prej tyre me shenja krejt dalluese të një diktatori?

Përvoja ime, më ka treguar se shumë prej femrave të respektuara në profesionet e tyre, prej nga u katapultuan në politikë, pas kaq viteve i shohim të ndryshuara. Pa dashur të përmend emra, shumë prej këtyre, nëse dikur kanë qenë më mendjehapura, sot i shohim në një rol kritizereje me argumenta të pabaza. I shohim gjithashtu në një luftë politike, sidomos në sallën e Kuvendit, atje ku edhe gjuha dhe fyerjet janë ndonjëherë edhe më keq se ato që përdorin burrat. Përfshirja e femrës në politikë është një aspekt pozitiv që mund ta zbusë klimën mashkullore, por shpesh herë kemi parë skena, ku gratë kanë acaruar dhe kurrsesi zbutur.

Cila është kostoja që paguan një femër për të qenë gazetare?


Në gati 16 vite të punës time, në shumë pak raste kam mundur që të dal në punë me fustan apo me taka të larta, ta marr rrugën ngeshëm se kam mjaft kohë përpara apo ta bëj gjumin e qetë se kam shkruar ato lajme dhe puna u mbyll aty. Një gazetare, për mendimin tim, duhet të jetë sa më praktike së pari në veshjen e saj, duke menduar se është gjatë gjithë ditës në terren. Po kështu, gjithmonë do nisesh diku, ku është përcaktuar një orar për një intervistë apo një konferencë shtypi, ku duhet të jesh korrekt. E për të respektuar këto detaje diçka ke lënë mangut nga jeta jote personale mendoj, një kafe diku me një mike apo të afërm, një detyrë shhtëpie. Kostot që paguan janë edhe më të larta, kur zgjedh që përveç këtij profesione të krijosh edhe familjen. Ashtu si në gjithë shoqërinë, edhe median në pothuaj 90% të rasteve e drejtojnë meshkujt, të cilët i shohin femrat si jo të denja për të bërë punën e gazetarit, ndërsa kanë krijuar familjen. Në punën e gazetares në gjithë këto vite, mendoj se nuk kam patur shumë kohë të lexoj, madje të çoj deri në fund një film në orët e vona të darkës, për shkak edhe të lodhjes. E tani do të thosha që kjo punë nuk po më lejon sa duhet të shijoj fëmijët e mi dhe kjo do të thoja është mbi kostot që rendita më lart.

No comments:

Post a Comment