Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, May 2, 2014

'Enver t'qofshim falë, s'na le pa gomar e pa samar'

Gilmana Bushati

E nderueme '20'-tëshe, dua t'ju falenderoj nga zemra që ju jeni dhe jepni nji kontribut të jashtëzakonshëm për shoqninë tonë, po të mos t'ishit ju, ashtu siç keni kenë dhe siç jeni përditë, na do e kishim harrue me kohë kohën e Enver Hoxhës dhe do ishim n'kërkim të nji Enver Hoxhe t'ri. Teksti i letrës tuej t'vyeme krejt m'kujtoi letrën e masave që i qëndiste sekretari i partisë, ia jepte masave dhe masat e shkreta e firmosnin, se s'kishin nga me ia mbajtë dhe sekretari me faqe t'kuqe e pantallona t'hekurosuna ia dërgonte te gazeta 'Zëri i Popullit' dhe botohej me shkronja të mëdha, t'zeza dhe ishte ngjarje e ditës. Tana gazetat e asaj kohe kanë botue këto pislleqe komuniste dhe gazetat komuniste dërgonin fotoreporterin n'nji fushë me grurë me e fotografue fshatarin e shkretë se ishte tuj lexue letrën e masave dhe vazhdonte kjo histori pa fund derisa shpikej nji letër tjetër e masave.
Shqetsimi i juej, e nderueme '20'-tshe, sa i takon gjuhës, mue as më hyn aspak n'sy, as nuk e përfilli fare, sepse kam kuptue se teoria e zhvillimit kap tanë aspektet e shoqnisë dhe gjuha si mënyrë e komunikimit të kësaj shoqnie ndryshon; se ju e keni shkrue letrën për bastardimin e gjuhës shqipe nga mediat e shkrueme dhe ata elektronike kjo asht përgjegjësi e juaja krejt dhe atyne gjoja akademikë që u mykën bashkë me librat atje te ndërtesa sepse n'kto vite që ju përmendi ju keni ndejtë n'bythë dhe asnjeni prej jush nuk bani propozimet e tyne qoftë me pasurue leksikun, qoftë edhe me na gjetë fjalë t'reja me zëvendësue fjalët e huaja të tana fushave, teknologjike, politike, juridike, mediatike, etj me radhë...meqë paskeni kenë kaq kompakt ta kishit ba edhe kur ishte Ed Rama ministër Kulture, kryetar Bashkie.
Por nëse jeni lodhë me e shkrue letrën vetëm për gegnishten, jeni '20'-ja ma qyqare që njof. Sepse debati për gjuhën asht shkencor, hapeni debatin në tryezat që duhet, ftoni publikun, hapni dyert e insittucioneve që drejtoni, të shoqatave, diskutojeni me njerëz të meçëm, edhe pa shkollë, por ftoni tanë për diskutim. Por futja e kryeministrit n'kte lojë asht qyqarlleku ma i pështirë që ndodh në këto 23 vjet (dhe ju s'jeni t'vetmit, ka pasë boll letra të tilla). Ju ngrini nalt punën e bame në nji periudhë, kur ju po grindeshit 'me e lanë apo jo 'ë'-në' në disa fjalë, e ndër burgjet komuniste njerzve u hiqeshin thojtë me pincë, ose ia gozhdonin gjuhën ndër tavolinat e zyrave t'hetimit, ose i vrisnin pa gjyq...Sigurisht nji që e ka gjuhën me gozhdë t'mbërthyeme, apo thojtë e hequn, apo njeni që asht i futun në nji thes bashkë me micën, apo ai që u vra n'Zall t'Kirit, apo n'Qafë Bar, atje te qershia e famshme dhe e mbuluen aty për aty, s'ka pasë se si me ju kundështue për asgja, sepse jua kishin eleminue pikërisht tanë këta kundërshtarë, sepse ata që mund t'ua thenin hundën juve, ishin prapa hekurave. Nëse ata do ishin aty me ju, sigurisht ju s'do arrinit dot me e ba standard emrin 'rërë' dhe nji hapësine të madhe të mbuluar me 'rërë' ju me e standartizue 'ranishte'; ky asht nji shembull, ka gjuhëtar ma të zgjuar se unë që ju japin shembuj ma shumë, por unë do mbetem këtu. Atëherë këta njerëz, që ishin të fortë n'argumenta me ju kundështue jua kishte spastrue Enver Hoxha dhe ai vendosi standartin e vet shkencorë dhe ju votuat e gjoja debatuat për gjana krejt t'vogla. E sot, e nderueme '20'-tshe, ju kërkoni ndihmën e nji kryeministri për me ua mbrojtë gjuhën tuej, e s'po doni me lanë njerëz apo shkencëtarë me propozue ndryshime. Sigurisht që gjuha asht pasuri kombëtare, por atë e mbron kombi e jo shteti, s'ka dalë asnjiherë ndonjë kryeministër mbi kombin, as president, ata janë thjeshtë njerëz, janë pushteti, por kurrë mbi kombin e pasurinë e tyne, cilido qoftë emni i tij.
Por gjithësesi ju falenderoj që ekzistoni, kështu siç jeni, kompakt, se kam përballë pasqyrës e asaj ç'ka nuk duhet t'jemi kur t'bahena të mëdhenj, ose t'u thona fmive se si nuk duhet t'jenë.

No comments:

Post a Comment