Darina Tanushi me një
ekspereincë gjashtëmëbëdhjetë vjeçare si gazetare në median e shkruar shprehet
se niveli më i lartë i përfaqësimit të femrës ka qenë kryetare Kuvendi, por
gjithësesi kjo s’do të thotë se burrat kanë shumë besim në to. Sipas saj edhe
kur femra bëhet politikane bëjnë shumë pak për femrat, sepse politika i shpërfytyron
ato. Sa për faktin që politika duhet të jetë më pak konfliktuale në prani të
femrës, Tanushi shprehet se nganjëherë gjuha që përdorin politikanet në
parlament i ndez konfliktet dhe është më e rëndë se ajo e burrave. E pyetur për
koston që paguan një femër si gazetare Darina përgjigjet: 'E tani do të thosha që kjo punë nuk po më lejon
sa duhet të shijoj fëmijët e mi dhe kjo do të thoja është mbi kostot që rendita
më lart.'
Këto 23 vite kemi pasur
shumë politikane dhe se pavarësisht ndonjë përpjekje spontane lidere s’kemi
pasur asnjëherë. Pse?
Në fakt nëse do të
flisnim për poste kryeministrore apo Presidente, po është e vërtetë që
Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë grua. Niveli i grave ka arritur në këto vite
deri në nivel zëvendëskryeministreje apo Kryetare e Kuvendit. Unë mendoj që kjo
është pozitive, duke parë ecurinë e femrës shqiptare, por gjithsesi nuk është
ajo çfarë kërkohet realisht në një shoqëri demokratike, ku kërkojmë barazi
gjinore dhe respektim të të drejtave të grave. Pse nuk kemi patur femra lidere? Kjo mendoj se ka lidhje së pari
me ekzistencën e një mentaliteti ende patriarkal në Shqipëri, së pari dhe së
dyti mendoj se femrat ende nuk kanë atë solidaritetin e domosdoshëm mes vetes
së tyre, që të mbështesin njëra-tjetrën. Një solidaritet mes vetë grave në
politikë do të sillte, mendoj unë, edhe një ngritje të nivelit të përfaqësimit
të tyre, deri në hierarkinë më të lartë të shtetit.
A mendon se përfaqësimi
i grave në politikë në përgjithësi ka qenë vetëm që partitë të jenë
‘politikisht korrekte’ me ndonjë detyrim ndërkombëtar, që partitë në shumë
raste kanë bërë zgjedhje sa për ekzibicionizëm dhe jo se kanë ndonjë lloj
besimi te gratë në politikë?
Kjo mendoj se është e
vërtetë. Vendosja e kuotave gjinore të përfaqësimit të grave në listat e
kandidatura në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore tregon ekzaktësisht këtë;
që përfshirja e grave në politikë është një detyrim ndërkombëtar. Madje po të
shohim këto lista, gratë më shumë vendosen në fund të listave. Në zgjedhjet e fundit, vetëm dy partitë kryesore,
relativisht e respektuan rregullin që një në 3 kandidatë të ishin gra. Mendoj,
se burrat politikanë vërtetë nuk kanë shumë besim tek gratë, jo për faktin, se
ato nuk i kryejnë detyrat apo punët mirë. Por këtu hyn edhe një lloj
“shpërfilljeje” për gratë, të cilat në syrin e burrave shqiptarë duhet të jenë
ato që merren me familjen, me fëmijët, pra që bëjnë thjeshtë rolin e
shërbëtores dhe nuk mund të drejtojnë shtet.
Darina disa nga
politikanet e sotme kanë qenë aktiviste të thjeshta, por sot rënditen ndër
njerëzit më të pasur të Shqipërisë. S’dua të të pyes pse, por a mendon se
tanimë gratë e shohin politikën si mjet i shpejtë fitimi duke paguar të gjitha
çmimet e mundshme?
Ah këtu mendoj se nuk ka
ndarje burra-gra. Edhe unë ndaj të njëjtin opinion se politika në Shqipëri ka
vite që konceptohet si një burim shumë i mirë përfitimesh, jo vetëm përfitime
që vijnë në rrugë ligjore, por edhe përfitime që vijnë underground. Pikërisht
kjo është një nga arsyet që shumë femra që i kanë hyrë rrugës së politikës janë
shpërfytyruar, duke humbur feminilitetin, të cilin pavarësisht pozicionit që
kanë femrat nuk duhet ta humbin.
A shihni ndonjë
përpjekje që gratë politikane të mbrojnë kauzën e femrave shqiptare dhe këtë
kauzë ta kenë edhe motivin e tyre të karrierës politike? Nuk po kërkojmë
idealen nga politikanet, por të paktën të mbrojnë një femër tjetër ose një grup
femrash që nuk kanë fuqinë dhe mundësitë e saj?
Në këtë legjislaturë të
re parlamentare ekziston një organizim i ri i grave deputete; Aleanca e grave
deputete. Ky grupim që u formua pak muaj më parë si një formacion përtej
dallimeve politike deklaroi si synim të vetin mbrojtjen e të drejtave të grave,
rritjen dhe respektimin e rolit të gruas në Parlament, respektimin e kuotës
gjinore në listën e kandidateve, bashkëpunim në iniciativa të përbashkëta
gjinore, ligjore, që përmirësojnë cilësinë e jetës së grave dhe vajzave në
vendin tonë. Në fakt një grupim i tillë Parlamentar i Grave në Kuvendin e
Shqipërisë u themelua në vitin 1995 dhe funksionoi deri në 2005. Duke parë atë
që është bërë deri më tani, pak shpresë ka se diçka do të ndryshojë. Mendoj se
gjithçka bëhet më shumë për show se sa për të mbrojtur realisht të drejtat e
grave.
Si dhe sa e shndërron
një femër politika shqiptare që përgjithësisht është e mbushur me burra
autoritarë, disa prej tyre me shenja krejt dalluese të një diktatori?
Përvoja ime, më ka
treguar se shumë prej femrave të respektuara në profesionet e tyre, prej nga u
katapultuan në politikë, pas kaq viteve i shohim të ndryshuara. Pa dashur të
përmend emra, shumë prej këtyre, nëse dikur kanë qenë më mendjehapura, sot i
shohim në një rol kritizereje me argumenta të pabaza. I shohim gjithashtu në
një luftë politike, sidomos në sallën e Kuvendit, atje ku edhe gjuha dhe
fyerjet janë ndonjëherë edhe më keq se ato që përdorin burrat. Përfshirja e
femrës në politikë është një aspekt pozitiv që mund ta zbusë klimën
mashkullore, por shpesh herë kemi parë skena, ku gratë kanë acaruar dhe
kurrsesi zbutur.
Cila është kostoja që
paguan një femër për të qenë gazetare?
Në gati 16 vite të punës
time, në shumë pak raste kam mundur që të dal në punë me fustan apo me taka të
larta, ta marr rrugën ngeshëm se kam mjaft kohë përpara apo ta bëj gjumin e
qetë se kam shkruar ato lajme dhe puna u mbyll aty. Një gazetare, për mendimin
tim, duhet të jetë sa më praktike së pari në veshjen e saj, duke menduar se
është gjatë gjithë ditës në terren. Po kështu, gjithmonë do nisesh diku, ku
është përcaktuar një orar për një intervistë apo një konferencë shtypi, ku
duhet të jesh korrekt. E për të respektuar këto detaje diçka ke lënë mangut nga
jeta jote personale mendoj, një kafe diku me një mike apo të afërm, një detyrë
shhtëpie. Kostot që paguan janë edhe më të larta, kur zgjedh që përveç këtij
profesione të krijosh edhe familjen. Ashtu si në gjithë shoqërinë, edhe median
në pothuaj 90% të rasteve e drejtojnë meshkujt, të cilët i shohin femrat si jo
të denja për të bërë punën e gazetarit, ndërsa kanë krijuar familjen. Në punën
e gazetares në gjithë këto vite, mendoj se nuk kam patur shumë kohë të lexoj,
madje të çoj deri në fund një film në orët e vona të darkës, për shkak edhe të
lodhjes. E tani do të thosha që kjo punë nuk po më lejon sa duhet të shijoj
fëmijët e mi dhe kjo do të thoja është mbi kostot që rendita më lart.
No comments:
Post a Comment