Klodiana Lala, më shumë se dhjetë vite punon gazetare në
median shqiptare dhe shkruan kryesisht për sistemin e drejtësisë dhe rolin e
femrës përballë tij dhe si pjesë e tij. Ajo shprehet se shumë gjykatës janë në
postet që mbajnë si shkak të bindjeve politike, kështu që s’arrijnë dot të ndërtojnë
drejtësinë e barbartë për të gjithë. Lala shprehet se sot nëse një fëmi i ndonjë
politikani të kishte bërë krimin e Nazime Vishës sigurisht nuk do të dënohej
apo të mos përkrahej si ajo. Në këtë ditë të tetë marsit ajo tregon se kostoja
që paguan një gazetare femër fillon të paguhet në momentin kur ajo bëhet nënë.
A është i drejtë sistemi jonë i drejtësisë me femrat?
Si mund të jetë
i drejtë një sistem që është ngritur mbi padrejtësi? Në sistemin e drejtësisë
ka gjykatës që janë ulur në atë karrige të shenjtë, jo mbi baza meritokracie,
por për shkak të bindjeve politike, lobingut apo dhe arsye të tjera, që
gjithkush ka të drejtën ti hamendësojë. Ndaj, këta njerëz nuk mund të jetë të
drejtë me askënd, qoftë dhe më femrën, sepse nuk janë profesionalë, të ndershëm
e me integritet.
Pse janë të bindur femrat, se sot s’duhet të jesh një
‘Nazime Visha’ dhe se më mirë është të jesh vajza e ‘Arta Dades’?
Sepse të jesh
një ‘Nazime Visha’, dënohesh me 10 vite burg, mbyllesh pas hekurave dhe
‘harrohesh’ atje. Duhet ta pranojmë se në kuptimin e ligjit Nazime Visha është
një vrasëse, por gjykatësit në këtë rast drejtësia asnjëherë nuk pyeti cila
ishte Nazime Visha, pse u detyrua të vriste? Nazimja ishte një viktimë e një
dhune barbare seksuale ndaj sot më shumë se kurrë ne duhet ta ndihmojmë atë, pa
dhënë aspak shembull inkurajues për vrasës apo kriminelë. E kundërta ndodh të
jesh vajza e një politikani apo biznesmeni, pasi është aq lehtësisht i
korruptueshëm sistemi i drejtësisë, sa vajzat e këtyre ‘peshqve’ të mëdhenj, të
mos ndëshkohen fare, cilido qoftë faji i tyre.
Por më shumë se vrasëse, femra sot vritet, pse kaq
shumë krim ndaj femrës? Sepse ne jemi shoqëri e pazhvilluar apo sepse femrën e
kanë lënë vetëm të gjitha institucionet?
Krimi ndaj
femrës është rritur frikshëm vitet e fundit dhe pa frikë mund të konsiderohet
një ‘plagë’ e rëndë prej së cilës po lëngon shoqëria shqiptare. Arsyet përse
një femër vritet apo dhunohen janë të shumta. Njëra syresh lidhet me
mentalitetin, ku femra konsiderohet si pronë nga bashkëshorti apo pjesëtarët e
familjes së tij dhe çdo tentativë e saj për të ngritur krye ndaj kësaj
padrejtësie, ndëshkohet, deri dhe me vrasje. Varësia ekonomike është një tjetër
faktor, që lidhet direkt me numrin e shtuar të krimeve ndaj gruas. Padiskutim
emigracioni, ndikon jo pak në këtë drejtim. Sa u përket institucioneve, duhet
theksuar se kanë politika pak inkurajuese për femrat, edhe pse duhet theksuar
se krahasuar me vite më parë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe pozita e femrës në
shoqëri gjithashtu.
Pse nuk e ka përmirësuar sistemin e drejtësisë
përfshirja e një numri të madh femrash në këtë sistem?
Sepse të jesh
pjesë e sistemit, duhet medoemos të bëhesh pjesë e ‘lojës’ se peshqeve që e ka
zaptuar këtë sistem. Padiskutim që kemi plot femra që sot janë në radhët e
gjyqësorit që kanë integritet, por zëri i tyre është aq i dobët, sa nuk ndihet
askund. Madje ka shpesh raste, kur këto femra mbeten në pozita inferiore dhe
bëhen objekt sulmesh denigruese, vetëm e vetëm pse janë ‘kundra rrymës’. Sepse
të jesh i ndershëm në gjyqësor, me vjen keq ta them, por konsiderohesh si ‘dele
e zezë’.
Duke mbetur te përfshirja, raporti i studentëve që
ndjekin studimet për drejtësi në të gjitha nivelet ka ndryshuar, më shumë janë
femra se sa meshkuj. Pse një dyndje e tillë, sepse drejtësia të bën menjëherë
të pasur, pra prindërit mendojnë për një të ardhme të sigurtë për vajzat e
tyre?
Mendoj se lidhet
me faktin që janë vetë vajzat që po përpiqen të ndërtojnë jetën e tyre. E
shohin si një trampolinë të mirë drejtësinë, për të patur një status dhe pse jo
një të ardhme të shëndoshë ekonomikisht. Për t’ju përgjigjur nënpyetjes suaj,
dua të theksoj se drejtësia nuk të bën të pasur, sepse në drejtësi je një
rrogëtar si gjithë të tjerët. Por të pasuron duke dhënë drejtësi, duke
ndëshkuar të paligjshmin dhe duke i dhënë të drejtën atij që realisht e
meriton. Kjo është pasuria më e madhe që merr një gjykatës, i cili ka në duar korrektimin
e shoqërisë. Pasuria e vënë në mënyra të tjera përfshi dhe korruptive, sbesoj
se është pasuri.
Cila është kostoja që paguan një femër për të qenë
gazetare?
Besoj se përgjigjen
e kësaj pyetje e keni ju. Si një gazetare që keni investuar vite të tëra në
median shqiptare, besoj e dini se të jesh gazetare në Shqipëri më shumë sesa
fiton, humbet. Ne femrat, punojmë shumë dhe paguhemi më pak. Shpesh
paragjykohemi. Vështirësia rritet edhe më tepër, kur bëhesh dhe nënë dhe
angazhimet shtohen, sepse krahas faktit që duhet të punosh orar pa orar, duhet
t’i kushtosh kohë dhe familjes. Listapagesa për femrat në gazetari është e
gjatë, por kur pasioni është i madh, besoj se ja vlen të luftosh.
No comments:
Post a Comment