Ermelinda Hoxhaj, prej dhjetë
vitesh në mediat shqiptare, flet për situatën sociale të femrës në Shqipëri.
Sipas saj janë bërë ndryshime të pozitës së saj në mesin e shoqërisë për shkak
të emancipimit, por gjithësesi është shumë pak. Ajo nuk pranon të thotë që ka
një lëvizje feministe në Shqipëri, që duhej të drejtohej nga shoqëria civile.
Sipas Hoxhajt, kjo shoqëri civile më së shumti është e interesuar për përfitime
financiare se sa për të bërë diçka realisht për femrën. Duke qenë edhe ajo prej
vitesh gazetare shprehet se kostoja që paguan një femër gazetare është pikërisht
te familja.
Nuk
mund të bëjmë një përgjithësim të gjendjes së femrave sot në Shqipëri. Sepse
femrat në zonat rurale nuk krahasohen me ato në zonat urbane. Dhe këto të
fundit sërish ndahen, pasi ka qytete të mëdha dhe të vogla. Por mund të them se
në këtë dekadën e fundit gjendja ka ndryshuar disi për mirë. Në aspektin që
femrat sot janë më të arsimuara, më të lira dhe më të pavarura ekonomikisht,
gjithmonë duke pasur parasysh ndryshimin territorial. Përmenda që janë më të
pavarura nga ana ekonomike, por duhet thënë se janë dhe më të varfra. Sepse
diskriminimin më madhor femrat e kanë në pagesa, pasi për të njëjtat punë ato
paguhen shumë herë më pak se meshkujt dhe zakonisht janë në nivele jo
drejtuese. Kjo jo vetëm në media, por edhe në arsim, ku duket që femrat
dominojnë; po të shikosh postet e rektorit apo të dekanit, mbizotërohen nga
meshkujt.
Pse
nuk ka një lëvizje feministe të vërtetë, apo qëndron i vërtetë ‘thashethemi’ që
flamurin e emancipimit e kanë femrat ‘te Blloku’ i Tiranës?
(Qesh)
Më shkon shpesh në mendje kjo gjë. Fatkeqësisht mendoj se një kategori femrash
duan të jenë të varura nga meshkujt. Dhe pjesa dërrmuese e atyre që duan
‘varësi’ ndaj meshkujve, janë pikërisht ato femrat e ‘Bllokut’ të Tiranës. Pasi
koleksionet e modës së fundit, të veshjeve, syzeve apo parfumeve, nuk arrijnë
t’i blejnë dot vetë.
Eri
Hoxhaj, 10 vite gazetari; situata e femrave ka ndryshuar sepse kanë qenë
politikat sociale të qeverive, apo kanë ndryshuar për inercinë e ndryshimeve që
pëson një shoqëri gjatë këtyre viteve?
Ndryshimet
më të mëdha, si ngritja arsimore, pavarësia financiare, kanë ardhur padyshim
nga emancipimi i përgjithshëm shoqëror. Politikat sociale që janë marrë, edhe
pse janë të shumta në letër, në shumicën e rasteve nuk janë zbatuar në
realitet. Problem tjetër që ne kemi, dhe nuk duhet ta harrojmë, është se kemi
të bëjmë me një shoqëri patriarkale, ku femrat për një kohë shumë të gjatë janë
konsideruar persona të dorës së dytë, e padyshim ka ende shumë zona apo breza
që vijojnë e mendojnë kështu. Ky shqetësim i imi vjen sepse që kur embrionet
femër janë në barkun e nënës bëhet diferenca. Shumë prindër, edhe sot në
2014-ën, kanë sjellje të ndryshme jo të barabarta mes vajzës dhe djalit.
Vajzave u cungohet liria për të marrë vendime, ndërsa sjellja ndaj fëmijëve
meshkuj është më ndryshe, lihen më të lirë.
Kam
lexuar diku një shprehje, nuk më kujtohet që ta citoj, por që thotë: “Barazia
mes mashkullit dhe femrës nis në shtëpi”. Jam plotësisht me këtë mendim; nëse
nuk ka barazi në shtëpi mes burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit, motrës dhe
vëllait, nuk mund ta kërkosh atë në shoqëri, në politikë e në sfera të tjera.
Një femër që punon, ka në ngarkim edhe të punojë në shtëpi, të merret me
edukimin e fëmijëve, duhet të kujdeset dhe për bashkëshortin, t’i gatuajë, ta
veshë, t’i mirëmbajë rrobat etj. Në këtë pikë, gjinia tjetër më duket si
“invalid”, të paaftë të mbajnë veten. Gjë që nuk e bëjnë, jo se nuk mundin, por
sepse nuk duan. Pasi janë mësuar që nga nënat e tyre që këto punë janë ‘gjëra
femrash’, dhe pas nënave, detyrohen t’i mbajnë gratë.
Në
këto vite kemi parë një shtim të numrit të shoqatave të grave dhe financimet
për to nuk kanë munguar asnjëherë. Këto shoqata janë shenjë emancipimi; e kanë
ndihmuar femrën apo kanë qenë edhe burim i mirë fitimi për një pjesë të tyre?
Shtimi
i numrit të tyre mund të konsiderohet dhe shenjë emancipimi, por padyshim që ka
qenë më tepër burim i mirë financiar për drejtuesit. Edhe pse në shumicën e
rasteve drejtohen nga femra, për femrat në hall bëjnë pak gjë, ose më mirë
aspak. Një problem i tyre është se përqendrohen vetëm në Tiranë dhe mendojnë se
kjo është bota e femrave dhe problemet e tyre. Veçse shumica e tyre kanë
përfitime ekonomike, një pjesë e tyre janë futur në atë kategorinë VIP, ftohen
në studio televizive, ku flasin për shumëçka dhe aspak për atë që do bëjnë për
rritjen e rolit të gruas në politikë, për barazinë gjinore apo luftën kundër
dhunës. Po padyshim që për këto gjëra nuk kanë kohë të mendojnë, se fillimisht
duhet të mendojnë për modelin e thonjve që do bëjnë me xhel, për nuancën e re
të flokëve e të bizhuterive që duhet të blejnë!!!
A
kanë nevojë gratë për një 8 Mars burrash, apo ato ende s’e kanë krijuar 8
Marsin e tyre?
Në
vendin tonë kjo është një pikëpyetje e madhe, por për këtë nuk është as faji i
grave dhe as i burrave. Sepse në kujtesën tonë kolektive për dekada të tëra 8
Marsin e kemi festuar si ditën e nënës. Ndaj do vijojmë me protestat tona të
vakëta dhe modeste, dhe me 8 Marset tona festive dhe, padyshim, kërcimet grua
me grua.
Cila
është kostoja që paguan një femër gazetare?
E
lartë, sidomos për sa i përket familjes. Sepse koha që i kushton është shumë e
pakët. Puna në fushën e gazetarisë nuk të lë shumë kohë të lirë. Ndofta kështu
është në shumë vende të botës, por në Shqipëri ky profesion është më i vështirë,
i keqpaguar dhe nuk ofron kushte të mira pune.
No comments:
Post a Comment