Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, August 14, 2010

Interviste me Sabit Brokajn

Berishës nuk i interesonte që të kishte përballë një opozitë të fortë

Brokaj: Nuk më largoi se isha doktor i Enverit

“Spiunët që përdoren nga politika, pjesë e fëlliqur e sistemit”

Sabit Brokaj, një personazh i njohur i së majtës, nuk kandidoi dot për deputet në 1996, sepse Komisioni i Verifikimit të Figurave mes emrave të tjerë të PS-së kishte përfshirë dhe emrin e tij. Sipas tij, përjashtimi nuk ka ardhur nga fakti se ai kishte qenë doktor i Enver Hoxhës, por thjeshtë se Berisha nuk pranonte opozitarë të aftë.
Zoti Brokaj, ju jeni një nga të përjashtuarit nga komisioni Mezini në 1996, komision që la jashtë kandidimit spiunët dhe funksionarët e lartë të regjimit…
Ajo ishte një strukturë politike e ndërtuar nga presidenti Berisha që i duhej për të eliminuar kundërshtarët e tij politikë, të cilët ai i konsideronte të aftë dhe të rreptë ndaj politikës që bënte ai vetë. Ndaj, dhe më përfshiu dhe mua në këtë listë. Duke bërë hesapet e veta ai e ngriti atë strukturë dhe na përjashtoi ne, por e përdori si kobure dhe për të goditur kundërshtarët politikë. Ai shkoi deri aty sa dhe sajoi emra dhe mbiemra.
Juve ju përjashtoi si një opozitar i fuqishëm…
Po unë nuk kam mbajtur asnjë post në sistemin e vjetër, sistemin para pluralizmit, as nuk kam pasur dosje në Shërbimin Sekret. Neve nuk na kapte fare nomenklatura e dikurshme.
Po emri juaj doli në këtë listë, ndoshta për faktin se ju ishit doktori i Enver Hoxhës?
Nuk lidhej me këtë fakt që kisha qenë doktori i Enver Hoxhës. Pastaj, me Berishën kemi një karrierë pothuajse të njëjtë. Edhe ai ka qenë doktor i Enverit, në grupin tjetër, unë doktor ai doktor, unë profesor në universitet ai profesor në universitet, përveç faktit se unë isha dhe dekan i fakultetit.
Pse nuk e ankimuat vendimin e komisionit Mezini zoti Brokaj?
S’kishte kuptim ta ankimoja, pastaj përgjigja më e mirë ndaj këtij komisioni ishte vendimi për të mos njohur zgjedhjet e 1996. Unë dhashë kontributin tim që të mos zhvilloheshin më ato zgjedhje të dhunshme dhe nën terrorin e strukturave shtetërore.
Po për spiunët që vazhdojnë të kenë një karrierë politike, çfarë mund të thoni zoti Brokaj?
Tani ata që përdoren nga pushteti apo politika për të eliminuar kundërshtarët janë pjesa më e fëlliqur e sistemit. Shfrytëzimi i spiunëve është një metodë efikase, të cilët e përdorin liderët. Këta liderë i trembin dhe i fusin në politikë, por një gjë e tillë i vendos ata në një pozitë të fëlliqur.
A ka ende spiunë në struktura të larta dhe në politikë?
Pas vitit 1991 janë të shumtë ata spiunë që u futën në strukturat shtetërore apo dhe në politikë, por është kjo politikë që i përdor ato për nevojat e veta.

No comments:

Post a Comment