Zilja: Nuk jam penduar që kam vënë firmën te promemoria
Gëzim Zilja, ish-kryetari I Bashkisë së Vlorës në vitin 1997, flet për herë të parë për arsyet që e çuan atë të firmosë promemorien e 13 anëtarëve të Këshillit Kombëtartë PD-së. Sipas tij, askush nuk e ka ftuar ta firmosë, por thjeshtë e ka lexuar dhe e ka firmosur pasi e ka konsideruar të drejtë dhe si një mundësi për të nxjerrë vendin nga kriza. Zilja, shprehet se pavarësisht se gjendej në një pozicion të vështirë për të, por edhe të familjes së tij, ka thënë hapur mendimin e tij. Ai rrëfen në një intervistë, se në diskutimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kishte kërcënuar se nëse do të vendoset kjo gjendje për Vlorën, ai do të ishte qytetari I parë që do të dilte kundër forcave të qeverisë. Zilja pohon se nuk ka pranuar të largohet nga PD-ja dhe se vazhdon të jetë anëtarë I saj edhe pse 13 kolegët e tiji u përjashtuan në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të 13 prillit 1997.
Zoti Zilja në një moment të vështirë për vendin ju nënshkruat një promemorie ku i kërkonit presidentit dhe partive që të zgjidhnin me dialog situatën. Kush ju ftoi në këtë promemorie dhe cili është kontributi juaj në shkrimin e saj?
Promemoria u shkrua nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe fletën me firmat e kam parë në hollin e sallës së mbledhjeve. E lexova dhe më pëlqeu gjithçka shkruhej atje. Natyrisht lexova dhe emrat e gjithë firmëtarëve. Unë jam firmëtari me numër 14 që mbyll edhe këtë listë, pra asnjë nuk më ftoi për ta firmosur. Une nuk kam asnjë kontribut në hartimin e saj.
A kishit frikë se pas këtij hapi mund që të kishit sulme ndaj jush nga ana e partisë suaj?
Nuk kisha pse të kisha frikë nga kurrkush, sepse në mbledhjet jepej mendim si mund te zgjidhej situata. Këto mendime ishin ndryshe nga veprimet që po ndiqeshin nga qeveria, presidenti dhe PD-ja. Ishte situatë tepër e ngarkuar që shpesh ndryshonte me minuta. Frikë kisha, por jo nga PD-ja dhe Presidenti. Frikë kisha nga kryengritësit në Vlorë që më kërcënonin pa ndërprerë që do të më merrnin jetën nëqoftëse nuk do të jepja dorëheqjen si kryetar bashkie dhe deputet. Me 14.02.1997 në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës unë kam firmosur një deklaratë tjetër që u botua në shtypin e kohës që kërkonim midis të tjerash edhe dorëheqjen e kryeministrit. Madje në diskutimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakoneshme (03.03.1997) unë jam shprehur që po u sulmua Vlora unë do të jem me qytetarët e Vlorës kundër forcave qeveritare dhe asnjë nga PD-ja nuk më tha qoftë dhe një fjalë të vetme fyese.
Cili nga anëtarët e PD-së ju ka lënë përshtypje të keqe në komentet që bëri ndaj kësaj promemorie dhe ndaj nënshkruesve të saj?
Ishin dy grupe brenda PD-së që mendonin ndryshe për zgjidhjen e situatës. Temperaturat brenda mbledhjeve ishin shumë të larta sepse Shqipëria po shkonte drejt gremines. Në këtë kontekst ka pasur edhe sharje e fyerje midis atyre që mendonin ndryshe nga presidenti dhe atyre që e përkrahnin atë. Personalisht nuk më ka fyer asnjë njeri, as kërcënuar. Kam thënë e firmosur çfarë kam dashur edhe në librat e mi po nga PD-ja dhe njerëzit e saj kurrë nuk jam fyer apo kërcënuar.
Ndërsa 13 nënshkruesit u përjashtuan nga PD-ja ju qëndruat, pse nuk ju shkarkuan edhe juve?
Unë nënshkruesve të promemorjes ua bëra të qartë që për asnjë arsye nuk largohem nga PD-ja ku vazhdoj të jem edhe sot anëtar. Pas promemories me 12.02.1997 grupi i saj, bëri një deklaratë me 04.03.1997. Me 12.04.1997 deputetët e promemorjes (unë nuk bëja pjesë në këtë grupim) shpërndanë një deklaratë ku kërkohej midis të tjerash edhe largimi përfundimtar i Presidentit nga PD-ja dhe kryesia e saj. Me 13.04.1997 u bë mbledhja e jashtëzakoneshme e KKPD-së ku firmëtaret pas një debati të ashpër u përjashtuan nga KKPD-ja dhe kryesia. Me kohë unë si nënshkrues i Promemories më 12.02.1997 kisha deklaruar që dalja nga PD-ja dhe krijimi i një partie të re nuk ishte në bindjet e mia. Vazhdoja të mendoja ndryshe për zgjidhjen e situatës por në votim shumica dërrmuese rreshtohej përherë në favor të Presidentit.
No comments:
Post a Comment