Themeluesi I PD-së shpjegon arsyet se pse humbi kjo parti më 6 nëntor 1994
Çela: Referendumi ishte gabim,
Vendi mund të rrinte edhe pa Kushtetutë
“Selami dhe Shehi kundërshtuan pasi “lindi vajzë”
Mitro Çela, themelues, anëtar kryesie dhe deputet i Partisë Demokratike flet për dështimin e të djathtëve në referendumin për projektkushtetutën e 1994. Sipas tij, votimi i Kushtetutës në popull ishte jo vetëm shkelje e dispozitave kushtetuese ekzistuese, por edhe një gabim taktik, pasi PD-ja që pas marsit 1992 kishte njohur humbje në electorat edhe si pasojë e reformave të thella ekonomike që po bëheshin. Sa i takon zërave kundër referendumit, Çela thekson se para ditës së votimit askush nuk ishte kundër referendumit, vetëm pas daljes së rezultateve doli kundër Eduard Selami dhe Dashamir Shehi.
Zoti Çela pse dështoi referendumi për Kushtetutë në nëntorin e 1994?
Partia Demokratike kishte premtuar gjatë zgjedhjeve të 22 marsit 1992 se do ta bënte vendin me Kushtetutë, prandaj u ndërmorr nisma e projektkushtetutës. Por përpara se të kalojmë te referendumi do të përmendim disa fakte të tjera të kohës; kishim humbur zgjedhjet locale më 26 korrik 1992 pikërisht në ditën kur bëheshin këto zgjedhje u rrit çmimi I bukës. Kjo humbje e gjallëroi Partinë Socialiste; ishin larguar deputetët mocionistë, ishte arrestuar në 1993 kreu I opozitës Fatos Nano; socialdemokratët e Gjinushit ishin larguar nga koalicioni me Berishën; po bëheshin disa reforma të thella ekonomike, si mbyllje fabrikash, bllokim I rrogave që shtoi numrin e të papunëve (reforma këto të domosdoshme dhe të kërkuar nga FMN-ja) gjë që shtoi edhe më shumë pakënaqësinë e popullit ndaj qeverisë.
Pavarësisht situatës projektkushtetuta u hodh në votë…
Sa I takon projektkushtetutës, Berisha vendosi ta hedhë në referendum, duke shkelur kështu dispozita kushtetutese të kohës që kërkonin votimin e saj në parlament. Ai e bëri këtë veprim pasi nuk I kishte votat në parlament dhe ia la sovranit që të vendosë. Për mendimin tim kjo s’ishte rruga e duhur, sepse maxhoranca I kishte marrë mësimet nga zgjedhjet locale, kështu nuk duhej ta provonte ta hidhte për votim popullor. Nuk ishte terreni I përshtatshëm për të dalë në fushatë. Fushata filloi në mes tetori dhe u bë shumë pompoze. Isha deputet në Patos, një zonë e majtë kjo. Edhe atje u zhvillua një miting I madh ku erdhi edhe presidenti Berisha. Në shesh u mblodhën 10-15 mijë banorë, por kjo nuk kishte domethënie as në Patos dhe as në një vend tjetër të Shqipërisë. Në Patos referendumi mori vetëm 20 për qind të votave pro.
Por Partia Demokratike harxhoi kohë dhe energji për fushatën e referendumit?
Kjo fushatë I ngjau fushatës së 22 marsit, me mitingje të mëdha, me njerëz që mbanin fjalime pompoze, kur në fakt duhej të ishte ndryshe fushata. Nuk u ndoq një taktikë e duhur me takimet nga populli, ato duhet të ishin në salla të mbyllura që të shpjegohej se çfarë ishte projektkushtetuta, të debatohej për projektin dhe gjitçka u bë shpejt e shpejt. Duhet thënë se në atë kohë edhe opozita pati ndikimin e vet, celulat e socialistëve në të gjitha rrethet u vunë në lëvizje. Një qëndrim agresiv në atë kohë mbajti dhe gazeta “Koha Jonë”, e cila ishte opozita e vërtetë, ndërsa ZP-ja nuk arriti të ngrihej në këto nivele.
Pas referendumit a u kërkuan përgjegjësitë për humbjen e projektkushtetutës?
Në mbledhjen e grupit parlamentar për shkak të humbjes u kërkua votbesimi I të gjitha ministrave ku u përjashtua Meksi si kryeministër. U bë ndërhyrja që as Alfred Serreqi si ministër I Jashtëm të mos kalohej për votbesim për shkak të problemeve shëndetësore që ai kishte dhe për momentin gjendej jashtë. Në atë kohë Berisha e mbajti vetë përgjegjësinë e humbjes së referendumit.
Kush ishte kundër referendumit dhe projektkushtetutës së tij nga radhët e Partisë Demokratike?
I pari që foli kundër referendumit, por vetëm pas daljes së rezultateve ishte Eduard Selami. Ai kundërshtoi mënyrën e votimit të projektkushtetutës pra me referendum, duke anashkaluar dispozitat kushtetuese. Ai bëri me përgjegjësi për këtë presidentin Berisha. Asnjë tjetër nga PD-ja nuk doli para referendumit që të fliste kundër projektkushtetutës, apo kundër mënyrës së votimit. Problemi më I madh më pas ishte dalja kundër e Eduard Selamit, të cilën e mbështetën disa ambasadorë. Ai zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan, bëri një takim në Shkodër ku hodhi tezat e tij për humbjen e referendumit. Problem paraqiti edhe mbështetja që Dashamir Shehi I dha Selamit. Që të dy dolën kundër vetëm pasi “doli vajzë”, sepse deri në ditën e votimit ata ishin në krah të Berishës. Kjo çoi edhe në largimin e Selamit nga Partia Demokratike.
A mendoni se projektkushtetuta humbi pasi I jepte më shumë kompetenca presidentit, duke e kthyer Shqipërinë në republikë presidenciale?
Nuk është e vërtetë që projektkushtetuta do I jepte më shumë pushtet presidentit. Ishin dispozitat kushtetuese ata që I jepnin të drejtë presidentit që të ndërhynte në të gjitha pushtetet, në gjyqësor, në ekzekutiv, pra në të gjitha, ndërsa projektkushtetuta ia reduktonte këto pushtete. Por Berisha gaboi që spostoi nga votimi parlamentin. Ai mund ta kishte lënë vendin pa Kushtetutë edhe për disa kohë pasi nuk kishte vacuum. Por ai ishte I bindur te fitorja e projektkushtetutës, ai nuk ishte realist në atë kohë edhe bashkëpunëtorët ia bënin qejfin dhe për më tepër ishte dhe autoritar dhe pa shumë eksperiencë. Në atë kohë u kaluan shkarazi kryesia e partisë dhe Këshilli Kombëtar, fliste vetëm Berisha dy tre të tjerë dhe me kaq mbyllej mbledhja.
U fol shumë atëherë për mundësinë e manipulimit të votave zoti Çela…
Po është e vërtetë që u fol për manipulim. Petro Koçi I Partisë Socialiste deklaroi në atë kohë që nga Fieri se janë vjedhur votat dhe I kërkonte Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ripërsëritje të votimit në disa zona. KQZ-ja nuk e pranoi. Kam përshtypjen se po të përsëritej votimi referendumi edhe mund të kishte fituar.
No comments:
Post a Comment