Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, August 14, 2010

Interviste me Rexhep Uken

Pas dështimit të referendumit për Kushtetutë kërkoheshin “koka turku”

Uka: Në ’95 po na dënonin për agjitacion e propagandë

Berisha nuk arriti votat për heqjen e imunitetit të deputetëve të PD-së

Rexhep Uka tregon detaje të “skandalit” të 1994-ës, i cili u quajt “Druri i arrës”. Ai thekson se për rrezikun e këtij “korrupsioni” e kishte paralajmëruar Azem Hajdari, dhe se shumë shpejt fjalët e liderit të dhjetorit do të bëheshin realitet me nismën për heqjen e imunitetit të tij si ministër Bujqësie, dhe ministrit të Financave Genc Ruli, që të dy deputetë dhe anëtarë kryesie të PD-së. Sot, ai e kujton me humor atë ngjarje, e cila solli tensionim dhe përplasje në PD dhe në parlament, madje thekson se duket sikur është dënuar për “agjitacion dhe propagandë”, nen i Kodit Penal të kohës së Enver Hoxhës.
Zoti Uka, jeni një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe funksionar në nivel të lartë i kësaj partie, por papritur në 1994 u propozua heqja e imunitetit nga ana e demokratëve. Si e pritët ju këtë kërkesë?
E prita, siç thoni ju, papritur, por jo krejt. Kjo është një histori që ka bërë bujë të madhe në atë kohë, gjë edhe për të cilën ishte stisur, pra ishte një projekt “kanibalësh” që ne e tregonim në kohën e diktaturës si barcaletë për plenumet e Partisë, se kush ishte i radhës për t’ju prerë koka. Dua të kujtoj se edhe në atë kohë kam folur me të njëjtin humor, (që nuk e kam ndërmend ta ndryshoj). Kisha një paralajmërim, duhet të ketë qenë më pak se dy javë pas referendumit për Kushtetutën, nëntor 1994. Një ditë të bukur, në zyrë, në Kryeministri, më vjen Azem Hajdari, ngjarje e pazakontë e tij, ai nuk parapëlqente takime me ministra në zyra, të paktën tek unë ishte i rrallë. Tepër i shqetësuar, duke më pyetur nëse dija gjë për ndonjë çështje “korrupsioni”, më informoi se një grup hetimi krejt partiak i yni, i kryesuar nga një emër atëherë pak i njohur, sot figurë me peshë në PD, po gatuanin diçka për mua, Rulin dhe Artan Hoxhën. Isha në takim me të huaj dhe duhet të bëja kapërcim të madh. “Asgjë nuk më vjen ndërmend”, i thashë. Mbeti shumë i shqetësuar dhe u ndamë. Por, në moment i thirra dhe u kthye. “Po, - i thashë, - e gjeta, është një korrupsion kaq i madh sa as Azem Hajdari nuk e di...” Humori kishte retorikë të rëndë. Ndonëse u gëzua nga qetësia ime, prapë më tha se “mos bëj shaka, është serioze, e di ti nga të vjen...” dhe iku. Mendja më vajti tek një procedurë krejt ligjore, por që kishte zgjatur ca, e ndodhur në vitin 1992 nga ne të tre ministrat e lartë, përmendur për një kontigjent druri arre, i kryer shumë më parë, kur ne ishim në opozitë, madje i denoncuar nga ne vetë me nota të forta politike sa e kishim besuar dhe vetë. Çështja ishte shumë e thjeshtë, por me litar të gjatë lidhet edhe shejtani... Nuk mund të them se kaloi sikur po pija verë, por duke pasur parasysh raportet e mia 2-vjeçare në qeverisje, kuptova që do të përballoja një furtunë, por i bindur tërësisht se do ishte si ajo në gotë. Dhe, ashtu ndodhi. Kërkesa u bë, nëse nuk gaboj, më 28 dhjetor 1994, kur unë sa po kthehesha nga një vizitë në Itali.
Kush ishte hartuesi i kësaj kërkese, dhe a komunikuat ju me presidentin Berisha për të sqaruar situatën?
Në politikë flitet si në politikë, ajo që më habiti ishte zgjedhja, argumenti, motivi i organizimit të këtij sulmi banal. Mbase është kjo arsyeja që kjo histori përmendet ende sot. Kishte shumë nxitim brenda, ngutje, patos, duhej shpërndarë faji, unë dhe të tjerë, sigurisht minorancë, kisha qenë kundër referendumit për Kushtetutën. Me Berishën nuk isha takuar që prej një daljeje të përbashkët në media, ishte e para përballje me të, që pas humbjes së referendumit, për të pritur një delegacion të ministrit të Vakëfeve të Kuvajtit. Kujtoj se para takimit, në zyrën e tij kemi pasur një bisedë mjaft konfidenciale, ku unë, me gjithë parathënien time të sinqertë, e mora mesazhin dhe çmimin. Kaq për këtë.
Kujtohet se çështja për të cilën u akuzuat, quhej “Druri i arrës”, mund ta shpjegoni këtë për publikun e ri dhe të vjetër, se si doli në dritë një histori e tillë?
Njoftimi i parë për kërkesën e heqjes së imunitetit tonë është bërë vetëm nëpërmjet TVSH-së, më dt 28.12.1994. Urdhrin për njoftim në TV të atij “materiali”, ku në krye shkruhej “Sekret”, e ka dhënë prokurori i përgjithshëm i asaj kohe. Ky veprim ishte i kundërligjshëm, sepse u krye ende pa marrë përgjigje nga kryesia e Kuvendit për kërkesën e paraqitur, pra ende kryesia nuk e kishte shqyrtuar, për rrjedhojë nuk e kishte kaluar në seancë plenare dhe as kishte ngarkuar komisionin e Mandateve për shqyrtim. Të gjitha këto, prokurori hamendësonte t’i realizonte nga data 28 deri më 29.12.1994. Padurimi e demaskoi tërësisht çështjen, nuk po gabonte as badigardi, as shoferi tij, por prokurori....!!!! Vallë, pranvera e demokracisë parashikonte reshje të pandërprera...?! Më pas, historia e planifikuar për dy ditë, zgjati më shumë se dy muaj e gjysmë. Pse ky veprim i kundërligjshëm? Atëherë në Kuvend jam shprehur: “Heqja e imunitetit në aspektin tonë personal, është një grimcë e padukshme përpara respektimit të imunitetit suprem të shtetit të së drejtës. Kur u deklaruam për demokracinë para katër vjetësh, patëm parasysh pikërisht këtë imunitet, duke injoruar çdo rrezik personal. Por sot, për disa persona që nuk dimë se ç’bënin në atë kohë, kjo është prehistorike dhe e harruar”. Po çfarë ishte në të vërtetë kjo çështje? Informacionet e para publike nëpërmjet medias për dëmtimin e arrave kanë qenë në dhjetor 1991, kur ne ishim në opozitë. Ato ishin pronë private dhe kishte filluar tregtimi i tyre. Në prill 1992, Kontrolli i Shtetit, kur sapo qeveria Meksi kishte filluar punën, kishte filluar investigimin dhe kishte bllokuar të gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe praktikat tona, të sigluara prej nesh. Me këtë praktikë përfshiheshin, sipas ligjit të kohës, tre ministri: ajo e Bujqësisë, ku unë isha ministër dhe zv/kryeministër; ajo e Financës, me ministër Genc Rulin dhe ajo e Tregtisë së Jashtme, me ministër Artan Hoxhën. Eksporti i drurit të arrës kishte filluar me kohë, para kontigjentit në fjalë, ishin eksportuar rreth 500m3 nga një firmë “Euroalb”, me të njëjtat ligje që vepronim edhe ne, që prokuroria pretendonte se i kishim shkelur. Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve në atë kohë kishte në vartësi edhe ndërmarrjet e përpunimit të drurit. Drejtori i atëhershëm kishte neglizhuar menaxhimin e një sasie tjetër, po e mbartur drejt fabrikës së rimesos, dhe gjykata bllokoi atë të nisur për eksport, për llogari të një firme private, dhe fatura financiare i rëndonte shtetit. Situata rëndohej çdo ditë, dhe duhej një vendimmarrje nga ne të tre ministrat e kohës për një çështje të mbartur nga qeveria paraardhëse. Konsultat kanë qenë të hollësishme, të zgjatura dhe të bazuara krejtësisht në ligj. Unë akuzohesha shpesh nga kolegët e mi që i vonoja procedurat, por e bëja për të mos lejuar të kalonte asgjë, pa e shoshitur mirë në sitën e ligjit.
Besoni me të vërtetë se kjo ishte thjesht çështje korrupsioni?
Atë çka thashë më lartë, Meg Greenfield e thotë si më poshtë:
“Il novanta per cento della politica consiste nel decidere a chi dare la colpa”. Por, Doug Larson e ndreq, duke thënë: “Un alibi è una ragione con una brutta fama”. Më shumë e kam marrë si akuzë për agjitacion e propagandë. Një mik i imi thotë: “Po si nuk doli një i dehur në kohën Enver Hoxhës të thotë ‘poshtë Enver Hoxha’, xhanëm?”
Pse, së bashku me ju, u akuzua dhe ministri Ruli? A kishte mundësi që kjo çështje të kapte dhe zotërinë në fjalë?
Siç shpjegova më lart, Ruli si ministër Finance ishte firmëtar i dokumentit në fjalë, të mos harrojmë se Ruli një vit më parë kishte dhënë dorëheqjen si ministër...!
Si i keni konsideruar sulmet që ju janë bërë në median e djathtë atëherë? Mendoni se kishte një dirigjent pas këtyre sulmeve?
Jo, mendoj se për këtë çështje, sulmet kanë qenë ezopike, kaotike dhe shpesh herë, tip bumerang, ktheheshin atje nga vinin. Thjesht, zhgënjimi ishte i madh, po cënohej pritshmëria, ëndrra e ndryshimit po venitej, reminishenca e së kaluarës, kishte hapur kanatet. Zhargoni i kohës u bë: je apo nuk je në listën e...!
Ku ishit ju, kur u njoftuat se po bëhej gati heqja e imunitetit tuaj?
Sapo kisha zbritur nga avioni Milano-Tiranë, në Rinas. Më dt.28 dhjetor 1994, me radio më njofton Eduard Selami të vija urgjent në selinë e PD-së për një mbledhje tepër të rëndësishme. Aty ishin mbledhur një pjesë e rëndësishme e anëtarëve. Vajta ende pa shkuar në shtëpi.
A ishit nervoz në momentin që në kryesinë e PD-së po diskutohej kjo çështje, dhe a kishte mundësi që kjo parti ta shmangte një gjë të tillë?
Çuditërisht aspak, u nervozova vetëm pasi m’u desh të prisja rreth 10 minuta për të dëgjuar tek diskutonin për një ngjarje pak a shumë tip “thriller”, dhe ende nuk po më thoshin pse më kishin thirrur. I nervozuar, ndërhyra: “Keni gjë me mua, apo të iki unë?”
Cili ka qenë veprimi që keni bërë në këtë mbledhje? A ishte i pranishëm edhe zoti Ruli?
Po, në “gijotinë” ishte vënë Ruli, i cili tepër i nervozuar, replikonte. Aty fillova të kuptoj se na priste “beteja”. Pasi ndërhyra, Eduardi më shpjegoi situatën për kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit, pra, pasi një ditë më parë ishte shpërndarë Kuvendi, do të rimblidhej vetëm për këtë çështje. E ruajta qetësinë, të paktën në aparenca, dhe u përgjigja: “Pa ngrënë gjelin e detit, as mos t’u shkojë ndërmend se mund te merremi me këtë problem”! Nuk mund të kishte përgjigje tjetër një absurd i tillë, nga më qesharakët që mund të imagjinohej. Di që pas kësaj replike, gjithçka mori drejtim tjetër, se çfarë ndodhi në zyra të tjera, as që kisha nevojë të pyesja se i merrja me mend vetë...
Pse heqja e mandatit u shty për në janarin e 1995, dhe nuk u realizua në dhjetorin e 1994?
Diku i thirrën mendjes. Me sa duket, edhe ata donin të hanin rehat gjelin e Vitit të Ri.
Nëse heqja e imunitetit nuk u realizua, atëherë kjo do të thotë se në atë kohë PD-ja kishte ende mendimin ndryshe, apo juve ju mbrojtën themeluesit?
Para votimit u bë një mbledhje e gjatë me grupin tonë parlamentar, drejtuar nga kryetari Ali Spahija dhe zoti Pjetër Arbnori. Mbledhje shumë e zgjatur dhe me tension shumë të lartë. Diskutohej votimi i hapur ose jo, urdhri ishte sigurisht i hapur. Pas disa orësh, ku unë kam qenë krejt i qetë, ndërhyra vetëm njëherë me një pyetje që i dha fund mbledhjes. Ajo ishte: “Zoti Arbnori, meqenëse Rregullorja e Kuvendit për çështje të veçanta të financës dhe për individët, nuk lejon votim të hapur, kur nuk e zbatoni për këtë rast, kur e kini ndërmend ta përdorni për herë të parë?” Me këtë pyetje timen mbledhja u mbyll dhe në seancë ai deklaroi: “Nëse do t’u hiqet mandati këtyre deputetëve, unë do të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit të parlamentit!” Në vijim të pyetjes tuaj, them që kërkon koment të gjatë, sigurisht që të dyja çka pyesni qëndrojnë, mendimi ndryshe ka qenë jetë e mot rrënja, trungu, degët dhe gjethet e asaj që quhet liri, por të tëra janë një pemë e tharë, për sa kohë ai është vetëm potencial dhe jo kinetik, ky është problemi ynë dhe i shumë të tjerëve. Problemi tjetër është se, po kemi shumë dëshirë që gështenjat t’i nxjerrim me duart e të tjerëve (që rëndom nofkohen si budallenj) dhe çmimi pastaj dihet... Një gjë dua t’ju kujtoj, u nis si skandali më i madh dhe kur u votua imuniteti, urdhri erdhi: “Votoni si të doni”.
Kë keni falënderuar me këtë rast, zoti Uka, dhe a mund të konsiderohej kjo çështje si disfatë e zotit Berisha?
Administratën time të Ministrisë së Bujqësisë, veçanërisht juristen Elida Stamo, një zonjë e vërtetë, për kurajon e saj civile, profesionalizmin dhe sigurinë që më dha për gjykimin e drejtë të çështjes nga ana jonë. Do ta kujtoj gjithmonë atë administratë për përkushtimin, cilësinë dhe ndershmërinë në punë. Edhe sot i falënderoj dhe i vlerësoj me të njëjtin adhurim. Falënderoj bashkëshorten time, që, me gjakftohtësinë dhe optimizmin e saj të rrallë, më mbeshteti dhe më inkurajoi deri në mbylljen e drejtë të kësaj “afere”. Në këndvështrimin tim, edhe për Berishën ishte një fitore, por kjo nuk është pyetje për mua. Ne, “pionierët e korrupsionit”, tashmë në pension, jemi të lumtur që pasardhësit tanë e kanë përvetësuar mirë, alibinë sofiste të Sokratit.
Pavarësisht këtyre përplasjeve me kreun, Berisha ju ka propozuar sërish për kandidat për deputet, ku edhe keni fituar. Ju kandidon se do mendimin kundër në PD dhe në grupin parlamentar, apo jeni një figurë që i siguroni atij fitoren edhe në zona të vështira?
“Gjeneralët e vjetër, nuk vdesin”, ka thënë dikush, Preçin kam dëgjuar se ne jemi si Garibaldi. Kur ka shesh, aty na ke. Problemi është: pas çdo fitoreje, çfarë fitojmë?!
Gilmana Bushati

No comments:

Post a Comment