Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, August 14, 2010

Interviste me Ndre Legisin

Të akuzuarit për spiunë të përballen me verifikimet e drejtësisë

Legisi: Për dosjen time ka vendim gjykate

“Shumë pseudonime që përdoren sot janë të vërtetë”


Ndre Legisi, anëtarë i Partisë Socialiste tregon se emri i tij në listën e “spiunëve” ka marrë pastërtinë nga vendimi i gjykatës dhe shton më tej se kushdo që e do të pastër emrin e tij nga akuzat apo pseudonimet se kanë qenë spiunë duhet t’i drejtohet gjykatës. Ai shprehet se kësaj çështjeje duhet t’i jepet një zgjidhje njëherë e përgjithmonë, sepse në këto vite spiunët kanë qenë pjesë e lojës politike të ditës. Legisi, thekson se shumë nga pseudonimet e publikuara në media janë të vërteta dhe u korrespondojnë njerëzve përkatës, por disa të tjerë janë të pavërteta dhe personat akuzohen më kot.
Zoti Legisi, si ju duk përjashtimi nga konkurrimi në zgjedhjet e vitit 1996?
Për fatin e keq të të gjithë atyre që u përpoqën të më përjashtonin nga kandidimi për deputet në vitin 1996, jo vetëm që kandidova por dhe fitova shumë thellë, pavarësisht se PS-ja i tërhoqi kandidatët e vet nga ato zgjedhje. Gazetat e kohës janë marrë shumë me punën dhe funksionin e atij komisioni, por dhe në ditët e sotme ka patur gazetarë dhe analistë të tjerë që e kanë trajtuar rastin tim si përjashtim nga kandidimi, por kjo s’ka përbërë për mua asnjë shqetësim se në gjykatë ndodhet një vendim.
Por si ka ndodhur atëherë?
Kanë qenë vite të vështira për opozitën, përjashto ata individë brenda saj, që iu nënshtruan pushtetit të kohës dhe u vunë në shërbim të tij, të tjerët u rrahën, u masakruan dhe u burgosën. Të akuzoheshe në atë kohë ishte gjëja më e thjeshtë, por ja që ca harrojnë shpejt dhe ca pak më vonë!
Nejse, unë e ankimova vendimin e atëhershëm të komisionit të Berishës në Gjykatën e Kasacionit, sot Gjykata e Lartë dhe pas paraqitjes së shumë provave dhe fakteve në dy seanca gjyqësore nga unë dhe avokatët e mi, u dha vendimi se dosja objekt shqyrtimi nuk kishte të bënte aspak me emrin tim.
Si e gjykoni në këto kohë debatin për hapjen e dosjeve?
Për më shumë se 16 vjet në Kuvendin e Shqipërisë kam votuar çdo ligj, apo rezolutë që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, jo se ndjej ndonjë kënaqësi kur shoh dhe dëgjoj keq për njerëzit, por se pushtetet e kanë mbyllur ose zgjeruar legjislacionin për këtë çështje në funksion të interesave të veta për të ngushtuar ose zgjeruar hapësirat për individë të veçantë. Disa kanë qenë, dhe megjithëse persona publik nuk i ka përmendur njeri, por vazhdojnë të mbajnë pozicione të rëndësishme me pushtet, të tjerë që ndoshta s’kanë qenë kurrë vazhdojnë të etiketohen si të tillë. Gjithnjë kam qenë i bindur se është më mirë për të gjithë që t’i jepet një zgjidhje përfundimtare, por si duket disa politikanëve u ka interesuar dhe do të vazhdojë t’ju interesojë loja në këtë çështje. Shkurt, jam për hapjen e të gjitha kutive, i bindur se transparenca nuk bie ndesh asnjëherë me vendimet e gjykatave.
Zoti Legisi, si e keni vlerësuar ju përdorimin e shumë pseudonimeve në publik dhe në media?
Ashtu sikurse kam qenë i akuzuar dhe kam vërtetuar të kundërtën, kam pritur dhe përcjellë, për shkak të detyrës, shumë individë që nga verifikimet e pas vitit 1996 rezultonin me probleme dhe duhej të largoheshin nga vendet e tyre të punës. Tani këto histori trajtohen si gallatë, por unë dhe zoti Ceka kemi pritur dhe përcjellë burra me funksione të larta që qanin si fëmijë, sidomos kur u verifikuan funksionet e rëndësishme në Ministrinë e Brendshme në vitin 1998.
Mund t’ju them me bindje të plotë se një pjesë e pseudonimeve të përdorura ndër vite, kanë qenë abuzime të politikës dhe të politikanëve për të mbyllur gojët e njëri-tjetrit në debatet publike. Ashtu, sikurse ka patur dhe ka pseudonime që përputhen plotësisht me dokumentacionin e verifikuar (që zoti Bezhani i ka trajtuar në librat e tij Mëkatarët), ka dhe pseudonime që u përkasin emrave që s’kanë të bëjnë fare me politikën pasi janë njerëz të thjeshtë në punën e tyre. Më dukesh shumë e re për t’u marrë me këtë çështje, por nejse le t’ua bëjmë qejfin dhe disa "hienave të politikës". Prandaj, në rastin tim, përveç ballafaqimit në gjykatë, nuk kam menduar dhe nuk mendoj se një individ mund ta pastrojë figurën e tij, duke komentuar e përbaltur në publik emrin e një tjetri që asnjëherë nuk ka patur lidhje me politikën.

No comments:

Post a Comment